LSI 'mollë sherri' mes PS dhe PD për komisionet parlamentare! Demokratët e nisin me bojkot Kuvendin, largohen pa votuar, ikën dhe Berisha! Nxehet Basha, akuza Nikollës: Je manekin, turp t'ju vijë

TIRANË- Partia Demokratike nuk zë mend nga bojkoti. Edhe pse u rikthyer në ulëset e Kuvendit  pas 2 vite e gjysmë mungesë duke dalë jashtë sistemit, PD ende vijon me zakonet e vjetra, ku edhe në seancën e sotme ka bojkotuar votimin në parlament të kryetarëve të Komisioneve Parlamentare. 'Mollë sherri' për këtë u bë LSI, e cila pas prezantimit të emrave të kryetarëve, nënkryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve parlamentare nga PD dhe PS, kërkoi më shumë kohë që dhe ajo të paraqiste emrat e saj për përfaqësuesit në këto komisione.  Kjo kërkesë u mbështet nga PS, ku kreu i grupit parlamentar Taulant Balla tha se sot të votoheshin vetëm kryetarët e komisioneve dhe nënkryetarëve që më pas të mblidhej dhe Konferenca e Kryetarëve dhe më pas në një seancë tjetër të votohej për përbërjen e komisioneve.

Balla madje i kërkoi nga PD bashkëpunim në këtë pikë, ndërsa tha se duhet të diskutohej që të mund të pasqyrohej edhe kërkesa e LSI që të mos mbetej e papërfaqësuar dhe për gjendej një zgjidhje që opozita në komisione të mos dilte me më shumë anëtarë se vetë mazhoranca.

Kjo nuk është pëlqyer nga Lulzim Basha, i cili shpërtheu në akuza e ofendime jo vetëm ndaj Ballës por edhe kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës duke u thënë se po shkelin rregulloren dhe se emrat e propozuar për Komisionet parlamentare duhet të miratoheshin të plotë ditën e sotme sipas rendit të ditës të përcaktuar më herët.

“Mos bëj dërr-dërr, po mbylle si procedurë aty,” është shprehur Basha i revoltuar ndaj Ballës.

 “E ke nisur seancën plenare duke shkelur rregulloren. Ke miratuar rendin e ditës dhe merr urdhra si ushtare nga dikush që s’duhet të ishte në këtë sallë. Je një manekinë që merr urdhra nga dikush që nuk duhet të ishte këtu. Me çfarë pushteti e miraton rendin e ditës. Kështu është kur vendos drejtuese një si ty. Turp të vijë”, iu drejtua Basha, Nikollës nga ulja e Kuvendit pa mikrofon.

Më pas PD së bashku me aleatët është larguar pa votuar nga Kuvendi dhe ajo që bëri edhe më shumë habi ishte se pjesë e bojkotit u bë edhe Sali Berisha, i cili u largua menjëherë. Por në sallë qëndroi LSI, e cila për herë të dytë mbajti një qëndrim të kundërt me PD, ku në seancën e parë nuk pranoi të grisë fletët e votimit për kryetaren e Kuvendit siç bënë demokratët. Kjo tregoi edhe njëherë që rrugët mes PD dhe LSI janë ndarë përfundimisht.

Pas largimit në Kuvend u miratuan vetëm kryetarët dhe nënkryetarët e Komisioneve parlamentare dhe anëtarët e saj do të miratohen në seancën e radhës

Pas daljes nga seanca, Sali Berisha ka dorëzuar në Kuvend kërkesën duke thënë se ai është 'pjesë e grupit parlamentar të PD". Një kërkesë e habitshme kjo e Berishë, pasi ai është përjashtuar nga ky grup parlamentar para disa ditësh për shkaka të kërkesë së SHBA pas shpalljes së tij 'non grata'. Madje në seancën e sotme, kryetarja e Kuvendit Lindi Nikolla konfirmoi edhe grupet parlamentare:

1- Grupi i PS do përbëhet me 74 deputetë, kryetar Taulant Balla

2- Grupi i PD me 44 deputetë, kryetar Alfred Rushaj

3-Grupi Parlamentar i Aleancës për Ndryshim do ketë 7 deputetë, kryetar Fatmir Mediun

4-Grupi Parlamentar i Demokraci dhe Integrim do ketë 7 deputetë, kryetare Mesila Doda

PDIU dhe aleatët u ndihmuan me deputetë 'borxh' nga Basha, ndërsa Berisha mbeti zyrtarisht jashtë grupit parlamentar të PD-së. Edhe LSI mbeti pa grup parlamentar pasi ka vetëm 4 deputet nga 7 që duhet të ketë një grup.

Kuvendi miratoi sot edhe drejtuesit e Komisioneve të Përhershme Parlamentare.

-Nasip Naço kreu i Komisionit të Sigurisë (PS)

-Mimi Kodheli kryetare e Komisionit të Jashtëm (PS)

-Eduard Shalsi, kryetar i Komisionit të Ekonomisë (PS)

-Arben Pëllumbi, kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese (PS)

-Klotilda Bushka  kryetare e Komisionit për çështjet ligjore (PS)

-Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit për Integrimin Europian (PD)

-Albana Vokshi, kryetare e Komisionit për Shëndetësinë (PD)

-Agron Gjekmarkaj, kryetar i Komisionit për Edukimin dhe Median (PD)

 

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:04
Basha ‘shpërthen’ i revoltuar ndaj Ballës në Kuvend, Rama: Mos u merr me atë

 

“Mos u merr me atë”! Kjo ka qenë këshilla dhe fjalët që kryeministri Edi Rama i drejtoi Taulant Ballës teksa kryetari i PD, Lulzim Basha, i ‘shpërtheu” ndaj tij i revoltuar me fjalë fyese.

Megjithëse mikrofoni i kryeministrit në momentin e debatit që “ndezi” sallën ishte i fikur, ai i Bashës ishte i ndezur dhe si pasojë gjithçka u dëgjua.

“Mos u merr me atë”, ishin fjalët që tha Rama, ku me “Atë” iu referua pikërisht kreut të PD, Lulzim Basha

Ora 18:25
PD u largua nga seanca, Rrushaj: U shkel rregullorja, kërkojnë zvogëlimin e hapësirës së përfaqësimit të opozitës në Kuvend

 

PD braktisi seancën e sotme plenare, ndërsa Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj tha se ata u larguan për shkak se u shkel rregullorja dhe se u tentua që opozitës t'i zvogëlohej hapësira e përfaqësimit në Kuvend.

Partia Demokratike nuk pranoi që deputetët e LSI të jenë pjesë e saj në komisionet parlamentare, kërkesë që u artikulua nga Petrit Vasili, ndërsa Lulzim Basha kërkoi që përbërja e komisioneve të miratohej siç ishte, pa përfaqësues të LSI.

Rushaj theksoi se PD nuk do të lejojë që t'i zvogëlohet hapësira në Kuvend

"Sot duhej të ishte në seancë rutinë, ku secila forcë duhej të zinte vendin e vet në Komisionet Parlamentare për të bërë detyrën. Për fat të keq që në seancën e parë u shkel rregullorja për të zvogëluar hapësirë e përfaqësimit të opozitës në Kuvend, Kjo është e papranueshme. I bëjmë thirrje PS dhe Kryetares së Kuvendit të zbatojnë rregulloren. Nuk mundet të zvogëlojnë hapësirën e opozitës në Kuvend. Nuk kemi patur komunikim me LSI por pranuam kërkesën e tyre që të marrin kohë në këtë seancë që dhe ata të zënë vendin e tyre, kjo kërkesa jonë u rrëza nga PS", tha Rrushaj

Ora 18:09
LSI kthehet në 'mollë sherri', Balla kërkoi ta ndihmojë, Basha nxehet dhe ikën nga Kuvendi

LSI është sot mollë sherri mes PS dhe PD në lidhje me kërkesën e saj për më shumë kohë për të propozuar anëtarët në komisionet parlamentare. Kjo kërkesës është përkrahur nga PS, ku Balla tha se e pranon kërkesën, por kjo nuk është pranuar nga BAsha, i cili ka shpërthyer i revoltuar ndaj Ballës duke thënë "Mbylle atë gojë, mos na bëj dërr-dërr"

Basha ka folur nga vendi i tij dhe pa mikrofon, ndërsa më pas është përplasur edhe me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Ora 18:05
Berisha mbërriti i pari por u ul në karriget e fundit në Kuvend, besniku i tij nuk e harron i shkon pranë kur opozita ishte larguar

Në një Backbencher, (Çfarë është Beck Bencher? Një person i cili është mbështetës i një partie por nuk mban poste drejtuese) është shndërruar i përjashtuari nga PD, Sali Berisha i cili në seancën e sotme të Kuvendit, pavarësisht se arriti nga të parët u ul në karriget e fundit.

Megjithëse ai tashmë nuk është më pjesë e Grupit Parlamentar të PD, ka ende disa besnikë që e kanë shoqëruar sot.

Ai mbërriti në Kuvend me Tritan Shehun, ndërsa besnik ndaj tij u tregua edhe Flamur Noka, një ndër të paktat emra që foli kundra vendimit të Bashës për përjashtimin e Berishës. 

Ai edhe pasi opozita braktisi sallën e Kuvendit, vijoi të bisedonte me ish-liderin e Partisë nga e cila tashmë është braktisur.

Ora 18:00
Drejtoi sot për herë të parë seancën plenare, Lindita Nikolla ende e pamësuar me detyrën e re: O vajzë hajde më ndihmo pak

1631548841_Screenshot2.jpg

Lindita Nikolla drejtoi sot për herë të parë seancën plenare në Kuvend, një detyrë aspak e lehtë, aq më tepër pasi u pa se opozita vijon me 'zakonet' e vjetra. Teksa iu desh të përballej me akuzat e Bashës dhe bojkotin që PD dhe aleatët braktisën sallën, Nikolla kërkoi ndihmë për të vijuar seancën. Ende e pamësuar me detyrën e re, në një moment ajo dëgjohet teksa thotë me zë të ulët: "Hajde më ndihmo pak, o vajzë hajde  më ndihmo, për integrimin, ma gjej pak këtu".

Ora 18:00
Opozita braktis seancën e Kuvendit, Balla: Koha për sherr ka përfunduar , të mos përdoren si pretekst për t'u larguar

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se përplasjet e opozitës dhe gjuha ofenduese e përdorur prej tyre të jetë një rast i izoluar dhe i shkëputur nga puna që do të ndjek Kuvend. Pas përfundimit të seancës, balla u shpreh se koha e sherreve dhe debateve ka përfunduar dhe se PS është e angazhuar  të çojë para mandatin e besuar përmes punës .

"Në këtë seancë nuk mund të kemi debat me njëri tjetrin. Ajo që unë propozova ishte për t'i lënë më shumë kohë dhe hapësirë deputetëve të LSI që nuk kishin pasur mundësinë për kohën e nevojshme për të propozuar edhe ata anëtarët e komisioneve. Unë shpresoj dhe besoj se kjo ngjarje e sotme të mos përsëritët më në seancat pasardhëse, pasi siç e thash se koha për debate dhe sherrnaja ka përfunduar dhe të gjithë kemi një mandat për të çuar përpara. Nuk mund të gjejmë arsye të paqena për të bërë debate dhe për t'u larguar nga seanca. Kjo që ndodhi të jetë diçka e shkëputur për të vijuar direkt nga puna", tha Balla.

Ora 17:58
Basha e përjashtoi, Berisha dorëzon shkresën në Kuvend: Jam pjesë e grupit parlamentar të PD! Rushaj: Do ndjekim çdo rregull

Pavarësisht se Lulzim Basha deklaroi 3 ditë më parë përjashtimin e tij, ish-lideri Sali Berisha ka dorëzuar në Kuvend shkresën se është pjesë e grupit parlamentar  të PD.

PD sot konfirmoi se grupi parlamentar i PD ka në përbërjen e saj 44 deputetë me kryetar Alfred Rrushaj dhe në të nuk ndodhej Sali Berisha i cili u përjashtua nga grupi pak ditë më parë. I pyetur nga gazetarët në lidhje me kërkesën e Berishës, kreu i grupit parlamentar të PD, Alfred Rushaj tha shkurt se "Ne do ndjekim çdo rregull".

Ora 17:42
PD regjistron 44 deputetë, Berisha zyrtarisht jashtë grupit parlamentar të PD-së

1631547816_Screenshot1.jpg

Sali Berisha është zyrtarisht jashtë grupit parlamentar të PD-së. Partia Demokratike ka regjistruar sot në Kuvend 44 deputetë si pjesë të grupit të saj parlamentarë. 7 anëtarë nga lista e PD janë pjesë e grupit të PR, 7 të tjerë janë pjesë e listës së PDIU, që në total bëjnë 58 deputetë. Ndërkohë PD në zgjedhje mori 59 mandate.

Ora 17:27
Kuvendi miraton krerët e Grupeve të Përhershme Parlamentare

1631546400_Screenshot1.jpg

Kuvendi ka miratuar sot drejjtuesit e Komisioneve të Përhershme Parlamentare.

Drejtuesit e Komisioneve të Përhershme Parlamentare:

Nasip Naço kreu i Komisionit të Sigurisë (PS)

Mimi Kodheli kryetare e Komisionit të Jashtëm (PS)

Eduard Shalsi, kryetar i Komisionit të Ekonomisë (PS)

Arben Pëllumbi, kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese (PS)

Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit për Integrimin Europian (PD)

Albana Vokshi, kryetare e Komisionit për Shëndetësinë (PD)

Agron Gjekmarkaj, kryetar i Komisionit për Edukimin dhe Median (PD)

 

B.K./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë del nga rruga dhe përfundon në liqen! 3 të vdekur

Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë del nga rruga dhe përfundon në liqen! 3 të vdekur