Pas aksidentit tragjik në Durrës ku humbën jetën dy të mitur, deputetët socialistë në Kuvend kërkuan ndryshim të kodit rrugor dhe penal për t’i konsideruar vrasje me dashje aksidentet me autorë shoferë të dehur në timon. Deputetja demokrate Ina Zhupa deklaroi se kanë dështuar të gjithë në Kuvend, pasi nuk arrijnë të bëjnë ligje që u shërbejnë qytetarëve. Zhupa tha se qeveria duhet të ndërtojë parqe e të tjera hapësira komunitare nëpër qytete.
***
Seanca parlamentare e kësaj të hëne nisi me një minutë heshtje në nder të dy fëmijëve që humbën jetën në aksidentin tragjik në Durrës, mesditën e së dielës.
Erion Braçe nga radhët e socialistëve lexoi dispozita të Kodit Rrugor, duke theksuar se për shoferët në gjendje të dehur shpesh aplikohen vetëm masa administrative si heqja e pikëve në patentë.
“Ti mund të pish, ti mund të dehesh, ti mund të ngasësh makinën, ti mund të dalësh në rrugë, ti mund të ndalohesh, ti mund të shoqërohesh, ti mund të shkosh në paraburgim, ti mund të procedohesh, por në fund të hiqen vetëm pikë patente. Madje, nëse ke para, paguan dyfishin e gjobës dhe pezullimi i patentës nuk ndodh”, tha Erion Braçe.
Edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, foli për nevojën e ashpërsimit të masave.
“Në kushtet kur jemi pranë një faze të rishikimit të Kodit Penal, në SHBA gjykatat kanë vendosur konceptin e ‘vrasjes në kushtet e vetëbesimit të tepruar”, tha Taulant Balla.
Deputetja demokrate Ina Zhupa kërkoi përgjegjësi nga të gjithë.
“Kemi dështuar, kemi dështuar të gjithë, sepse nuk arrijmë ta bëjmë këtë Kuvend, pavarësisht përpjekjeve të opozitës, një institucion që prodhon ligje për qytetarët. Nuk mund të kujtohemi për Kodin Rrugor vetëm kur ndodh një vdekje”, tha Ina Zhupa.
Për Report TV, deputetët u shprehën se ka dakordësi për masa më të ashpra ndaj shoferëve që shkaktojnë aksidente me pasojë vdekje.
“Patjetër, nëse kjo do të ndihmojë në eliminimin e këtyre fatkeqësive”, tha Vullnet Sinaj.
“Absolutisht që mbështes çdo iniciativë për masa ndëshkuese më të rrepta, por nuk është e vetmja zgjidhje”, tha Erisa Xhixho.
Të tjerë deputetë drejtojnë përgjegjësinë edhe nga Policia e Shtetit dhe mënyra si janë konceptuar planet urbanistike.
“Policia duhet të ketë një qasje krejt ndryshe. Nuk ka të fortë më të fortë se ligji”, tha Mesila Doda.
“Kjo vjen edhe si pasojë e projekteve që kanë zbatuar bashkitë në planifikimin urban. Duhet një rishikim i plotë nga e para”, tha Denisa Vata.
Deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi ka ngritur si shqetësim në Kuvend ‘pushimin e shoferit’ në Lushnjë, duke e cilësuar i një zonë problematike sa i përket aksidenteve rrugore me pasojë vdekjen. Korreshi i bëri thirrje dhe ministrit të Infrastrukturës Enea Karakaçit për të investuar në akset rrugore.
“Kakaraçin e keni ministër vetëm me letra apo me vërte? Se me duket sikur jetojmë në 2 Lushnje të ndryshme. Nëse ka një aks rrugor që ka me dhjetëra të vdekur, është pushimi i shoferit në Lushnjë. Veprën e artit e kemi aty. I them shokut Kakaraç, ti harxhojë ndonjë lek, po patën lënë ndonjë lek atë paraardhësit, ndonjë zarf pa marrë në ndonjë sirtar, të shkojë t’ia hedhe rrugëve anësore në Lushnjë. Të thuash që kemi bërë investime, kur shkollat e Lushnjës janë me banjo të fiku dhe janë me mutin deri në gju... në të gjitha shkollat. Nuk mund të rrinë në atë lloj gjendje fëmijët. Këtu gatuhen përralla me shtyll elektrike”, tha Korreshi.
Deputeti i PD Edmond Haxhinasto tha se Kodi Rrugor duhet të ishte ndryshuar brenda 24 orëve, referuar ngjarjes së rëndë të regjistruar dje në Durrës ku dy të mitur u përplasën për vdekje nga një automjet që drejtohej nga një shofer i dehur.
“Iniciativa për ndryshimin e Kodit të ishte e menjëhershme. Jemi dëshmitarë se Kushtetua ka ndryshuar për 48 orë. Kodi duhet të ndryshonte brenda 24 orëve që të forcoheshin masat që ngjarja e djeshme Durrësit t mos përsëritet. Drejtimi i mjetit në gjendje të pirë është tentativë për vrasje në çdo sekondë. Aksidenti me pasojë vdekjen është vrasje e paralajmëruar. Duhet reflektim në investimet që bëhen në infrastrukturën publike. Duhet forcuar policimi rrugor, kriteret e dhënies së patentave. duhet forcuar cilësia e testimit të shoferëve të rinj. Jetët e shqiptarëve po pakësohen nga emigracioni dhe rënia e popullsisë. Të mos sillemi me jetën sikur i kemi të tepërta”, tha Haxhinasto.
Deputeti i Partisë Demokratike Luan Baçi ka ngritur si shqetësim aksidentet e shpeshta me pasojë vdekjen të regjistruara në aksin rrugor Fier-Seman. Baçi kërkon ndërhyrje urgjente nga qeveria për garantimin e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.
“Për të gjithë përdoruesit e rrugës Fier-Seman, para disa ditësh humbi njeriun e dashur në një aksident automobilist. Ishte viktima e 19 në këtë rrugë, tashmë fieraket e quajnë rruga e vdekjes. Duke mos numëruar aksidentet me pasojë plagosjen, shkatërrime mjetesh, debate e konflikte deri në hasmëri. Këto vijnë si shkak i aksidenteve. Situata është alarmante që do ditë gjerenon probleme shqetësime deri në pasoja të pariparueshme. A e shikon qeveria e bashkia këtë shqetësim serioz? E gjithë a vijë si pasojë se kjo rrugë jo më shumë se 20km, pavarësisht se investimet kanë qenë në shumë të konsiderueshme, gjendja është mjaftueshme keq për rrezik të lartë të aksidente. Shkak janë abuzimet në investime e tendera. Sinjalistika për të ardhur keq. Në shumë pjesë mungon ndriçimi. Kontrollet policore gjatë verës janë të shpeshta, por fokusi është për të marr 500 lekëshe”, tha Luan Baçi.
Deputetja e PS Marjana Koçeku foli në Kuvend për kërkesat e banorëve të Shkodrës, të cilët kanë kërkuar përmirësimin e infrastrukturës rrugore, për disa segmente që lidhin fshatrat turistikë me njëri-tjetrin.
“Gjatë javës vizitova Gurin e Zi, një zonë e Shkodër ku ndërthuren pasuritë natyrore, historike dhe kulturore. Kjo zonë është përballur me një emigracion, por nuk i ka humbur shpirti prodhues e potenciali. Janë bërë disa përmirësime në infrastrukturë, por ka një segment specifik që e kanë kërkuar banorët. Është rruga që lidh Rragamin dhe digën e Gjocit, është rrugë që lidh shumë fshatra turistike.
Ka dhe nisma për krijimin e agroturizmave, këto nisma vijnë nga të rinj e emigrantë të kthyer nga diaspora. Këto investime krijojnë punësime, rigjallërojnë zonën që prej vitesh ka qenë e braktisur.
Këtu lind një detyrim i qartë për shtetin, na duhet angazhim më i madh për të ofruar lehtësime fiskale për agroturizmat. Investime serioze në infrastrukturë rrugore. Aq e rëndësishme është dhe thjeshtësimi i procedurave administrative dhe ulja e barrës burokratike”, tha Koçeku.
Pasi shprehu me një fjali ngushëllimet e tij për tragjedinë në Durrës, Tedi Blushi nga Partia e Lirisë shfrytëzoi kohën e tij në foltoren e kuvendit, për të sulmuar kryeministrin Edi Rama duke e akuzuar se po e çon vendin drejt një regjimi autoritar që përdor drejtësinë për goditjen e kundërshtarëve politikë. Në apelin e tij, Blushi i bëri thirrje Ministrit të Drejtësisë të respektojë rekomandimin e Avokatit të Popullit për kushtet skandaloze, sipas tij, në burg të Ilir Metës.
"Dua të denoncoj faktin se si vendi ynë çdo ditë po rrëshqet me shpejtësi drejt një regjimi autoritar që flet për integrimin në BE nga mëngjesi në darkë, por që është damkosur me rezolutën e 8-të si një vend autokratik që nuk respekton as liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Sot, Shqipëria është i vetmi narko shtet në BE. Kemi 2 raporte, një të Avokatit të Popullit dhe të Komitetit Shqiptar të Helsinkit që u tregon të gjithëve sa i respekton kjo qeveri këto të drejta. Kanë kaluar mbi 20 muaj kur Edi Rama rrëmbeu në mënyrë mafioze Ilir Metën që edhe sot vazhdon të jetë i burgosur politik pa asnjë fakt dhe provë penale. Është po kjo qeveri, që me qëllim nuk respekton as rekomandimet e institucionit kushtetues të Avokatit të Popullit. Për ata që flasin për Reformën në Drejtësi, i ftoj të lexojnë Rezolutën e 8-të IDU, për Shqipërinë, se si denoncohet fakti që drejtësia e kapur nga Edi Rama po përdoret sot si kamzhik, si pistoletë, në duart e Edi Ramës për të goditur kundërshtarët politikë. Dua të përsëris thirrjen time drejtuar Ministrit të Drejtësisë: respekto rekomandimin e Avokatit të Popullit, respekto rekomandimet e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Trajtimi çnjerëzor i Metës në paraburgim, mohimi i së drejtave të tij, kur edhe Putini ua njeh kundërshtarëve politikë, tregon që jo vetëm çeta që rrëmbeu Metën, por edhe prokurori, gardiani i burgut është një dhe vetëm një: Edi Rama” tha Tedi Blushi.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në një prononcim për gazetarët jashtë Kvuendi, komentoi vendimi e Gjykatës së Lartë për rishikimin e praktikës së masës së sigurisë ‘arrest me burg’. Berisha tha se ndryshimi është bërë për t’i shërbyer kryebashkiakut Erion Veliaj dhe Belinda Ballukut.
“Për Lubinë dhe Erion Velinë. Pikë. Është ndryshim, sigurisht, i një militanti të verbër të Partisë Socialiste, vetëm në funksion të Lubisë dhe të Erion Velisë. Kushtetuta është shumë e qartë. Po këta kur duan e respektojnë, kur duan e shkelmojnë. Kaq.
Kurse ky udhëzimi i fundit i kolegjit ka të bëjë me Lubinë. Pra, përgatitjen me Lubinë dhe këta të tjerë që janë në rresht, se këta janë të gjithë në rresht për burg. E dini ju vetë. Këtu i ka secili më të mëdha dosjet se shoku”, tha Berisha.
Deputeti i PD-së Luçiano Boçi gjatë seancës së sotme foli për aksidentin tragjik të Durrësit ku ndërruan jetë dy fëmijë të mitur.
“Këta të fortët e lagjes bëjnë ligjin dhe kapin prej hundësh inspektorët. Këta të fortët të lagjes i kemi në çdo bashki. Ju i bëtë deputetë këtu dhe ata nuk duhet të kenë patentë dhe as kartën bianka politike. Gjithmonë kanë qenë këta të fortët e lagjes që nuk respektojnë, rregullat, që sillen si ganester në territorin e tyre dhe askush nuk i ndalon. Duhet të refleltojmë, unë isha përgatitur për problemet e qarkut, por dhimbja për këtë ngjarje po prevalon”, tha Baçi.
Ish-ministri i Brendshëm Ervin Hoxha tha se është e nevojshme ndërhyrja në rrugët e brendshme të lagjeve ku mungojnë standardet e sigurisë. Ndër të tjera, ai tha se Policia e Shtetit sot është në fazë transformimi në shërbim të qytetarëve.
“Si pasojë e një drejtuesi mjeti që qarkullonte i dehur dhe me shpejtësi në një rrugë lagjeje, ky është një lajm i rëndë për ne. Kjo nuk është thjesht një ngjarje rrugore, një aksident, por është një problem që na përket të gjithëve. Si deputet i njësisë 11, por edhe si ish-ministër, aq më tepër si ish-shef i policisë rrugore në Durrës, ku kam pasur kënaqësinë bashkë me kolegun Ndoj të hetojmë raste të tilla tragjike, mund të them se kemi disa problematika me të cilat përballemi sot; siguria mbetet një nga hallkat e dobëta që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
Në njësinë 11 është bërë shumë punë, por duhet akoma më shumë. Kemi përparim në rrugët kombëtare dhe akset kryesore, por brenda lagjeve mungojnë standardet e sigurisë. Mbi të gjitha mungon kontrolli i vazhdueshëm i policisë. Nuk mund të pranojmë që rrugët e brendshme të kthehen në hapësira të rrezikshme për jetën.
Policia e Shtetit është në fazë transformimi, me rritje të fokusit në shërbim ndaj qytetarëve. Nëse nuk ndërgjegjësohemi, këto ngjarje do të ndodhin përsëri”, tha Hoxha.
Deputetja e PD Ina Zhupa tha se Kuvendi dhe qeveria ka dështuar për të prodhuar ligje që i shërbejnë komunitetit. Zhupa tha se qeveria duhet të ndërtojë parqe e të tjera hapësira komunitare nëpër qytete, nisur nga rasti tragjik i ndodhur dje në Durrës ku dy të mitur mbetën viktimë e një aksidenti rrugor.
“Ky kuvend nuk mund të mjaftohet vetëm me 1 minutë heshtje për një ngjarje tragjike dhe të paralajmëruar. Kuvendi s’mund të bëjë politikë me vdekjen, por të bëjë disa politika që i shërbejnë qytetarëve. Kemi dështuar të gjithë, sepse nuk arrijmë ta ngremë këtë kuvend në një kuvend që bën ligje që i shërbejnë qytetarëve.
S’mund të kujtohemi dhe të flasim për Kodin Rrugor apo atë Penal vetëm kur ka një vdekje. Kur e keni parë Policinë e Shtetit që kujdeset për nevojat e komunitetit? Ky është dështimi i parë i një qeverisjeje që e ka parë si një mjet force për synimet e veta elektorale.
Qytetet tona janë kthyer në fjetore, ku vetëm mund të flesh gjumë në shtëpi dhe asnjë jetë komunitare s’mund të ndërtosh dot. Qytete pa sheshe, pa kënde lojërash, pa lulishte. Ku në mes të rrugës ti mund të gjesh çdo gjë, por asgjë që lidhet me komunitetin, me ndërtimin e një hapësire të përbashkët. Meraku ka qenë të betonohet çdo hapësirë. S’ka qenë ndonjëherë për fëmijët, prindërit, gjyshërit: ku do të jetojnë, si do ta mbushin ditën.
Komuniteti durrsak shpreh të gjithë të njëjtën gjë: që e kanë paralajmëruar policinë, por s’ka reaguar askush. Nëse kemi një grup, grupin e miqve të fëmijëve, ne nuk mund të bashkohemi me njëri-tjetrin vetëm për të kërkuar 1 minutë heshtje; duhet të bashkohemi për të kërkuar ndryshime në Kodin Rrugor e Penal, por mbi të gjitha të ndryshohet sesi përdoren institucionet në shërbim të disa klientëve, të një të forti.
Kështu jeni krijuar, kështu e mbani pushtetin. Kur ndodhin ngjarje të tilla, na i kurseni ngushëllimet tuaja, sepse nëse doni të bëni diçka, i keni votat, keni mundësi”, tha Zhupa.
Pas aksidentit tragjik të ndodhur dje në Durrës me 2 të mitur viktimë, deputeti Taulant Balla tha se ‘ të fortët’ e lagjes, referuar shoferit të dehur Nikoll Radaçi që përplasi fëmijët, duhet të bëhen shembull nga policia.
Kryetari i PD Sali Berisha i replikoi duke thënë se këta ‘të fortë’ janë patronazhistë të PS dhe se marrin fuqi e pushtet nga qeveria.
“Më vjen keq që citoj veten time, por sapo thashë që jeni Ballukizuar të gjithë. Të flasësh për reformë në drejtësi dhe sukses të saj në një kohë kur përdorin 83 mandate si thika krimi për të mbrojtur vjedhjet e Ballukut, nuk ka hipokrizi më ekstreme. Të bësh teori se të fortit, kujt janë të fortit mor? Të fortit janë patronazhistë të poshtër që terrorizojnë qytetarët për pushtetin e krimit. Të fortit janë patronazhistë. Ai duhej arrestuar 10 herë, e nuk u arrestua asnjëherë se ishte terrorist i votave. Nuk ka të fortë që nuk i bën dot zap policia. Po ka të fort që kanë bërë zap policinë. Ballukizimi juaj është fundi juaj”, tha Berisha.
Nga foltorja e Kuvendit, Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilësoi tragjendinë e Durrësit, ku dy të mitur u vranë nga një shofer i dehur, si një moment që kërkon reflektim nga socialistë e demokratë bashkë. AI tha se përgjigja e autoriteteve duhet të jetë e menjëhershme dhe të ndryshohet Kodi sapo të jetë e mundur. Ai pati edhe një thirrje për Policinë e Shtetit që t’i bëjë shembull ‘të fortët e lagjieve” që sipas tij nuk duhet të kenë as patentë.
“Mbështes plotësisht nevojën që kemi për të reflektuar të gjithë, të majtë, të djathtë, socialistë e demokratë. Ngjarja e djeshme na kërkon që të fillojmë të kuptojmë si zbatohen ligjet tona. Shembulli që dha Braçja është kuptimplotë. Nëse ne mjaftohemi me heqjen e pikëve në patentë, kjo është e rëndë për ne. Prandaj, po diskutoja për këtë dhe me kryetarin e Komisionit të Ligjeve, teksa jemi në fazën e rishikimit penal, Gjykata e Lartë e SHBA-së, ka vendosur konceptin e vrasjes në kushtet e vetëbesimit të tepruar. Përgjigja jonë në këtë rast duhet të jetë e menjëhershme sapo të kemi mundësinë që të ndryshojmë Kodin. Kam edhe një thirrje për Policinë e Shtetit, e cila duhet të analizojë këtë rast me shumë vëmendje. Këta të ‘fortët e lagjeve’ duhen bërë shembull të gjithë, duhen kontrolluar mëngjes, drekë dhe darkë, dhe nuk kanë përse të kenë patentë” tha Balla.
Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe ka kërkuar ndryshime në Kodin Rrugor e Penal për ta konsideruar vrasje me dashje aksidentet me autor shoferë të dehur, referuar rastit të rëndë të ndodhur një ditë më parë në lagjen nr. 5 në Durrës ku humbën jetën 2 të mitur.
“Dy familje përcollën sot pa kthim shpirtin e tyre. Një e tretë ishte në betejë për jetën dhe tani për rehabilitim e një traume të rëndë që do të jetë emocionale. E gjitha pas një krimi të rëndë në një rrugë lagjeje. Vrasje me dashje për mua, dhe asnjëherë aksident apo shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor. E përsëritur në rrugë kombëtare apo vendore, qytetesh e lagjesh dhe fshatrash.
Dje kam publikuar një video të aksidentit me një arsye: refuzimin për të normalizuar një krim të tillë. Në fakt, baza ligjore që kemi, Kodi Rrugor e më pas ai Penal, e normalizojnë me një standard normalizues. Një i pirë, për më keq një i dehur që nget një makinë në rrugë, ndalohet, shoqërohet, dërgohet në paraburgim. Në çdo rast është liruar apo lirohet pas 2 ditësh. Procedimi i tij vijon në liri. I hiqen pikë nga patenta dhe ngarkohet me një gjobë.
Morali është që ti mund të pish, të ngasësh makinën, të dalësh, të ndalohesh, të shkosh në paraburgim, por në krahun tjetër të hiqen vetëm pikë patente, e më tutje, nëse ke para, paguan në çast dyfishin e gjobës dhe pezullimi i patentës nuk ndodh. E bën dy herë; në mënyrë të përsëritur shkon deri në 18 muaj pezullim të patentës, e njësoj deri në tre herë. Nga 0.73, siç ishte i dehuri i kësaj radhe, në 0.70 i hiqen vetëm 10 pikë.
Ndërkohë ai po hetohet për shkelje të rregullave, drejtim në mënyrë të parregullt, largim nga vendi i ngjarjes. Ky është profili që përcakton kodi, në referencë të asaj që është votuar këtu shumë kohë më parë. Banorët kanë një profil tjetër për të dehurin: një i fortë që sundon lagjen, që dehet e vret njerëz. Kjo nuk është shkelje e rregullave, kjo është vrasje. Nëse duam të bëjmë diçka, gjëja e parë është që ndryshimet në Kodin Penal të formulojnë pikërisht vrasjen me dashje. Një i dehur hyn në rrugë për të vrarë me dashje”, tha Braçe.
Komente











Janë politika dhe politikanët, e të gjitha "krahëve",ata që kanë mbjellë,rritur e strukturuar frymën e mosndëshkimit të krimit dhe të lulëzimit të tij dhe në ngjarje të tilla derdhin lot krokodili
PërgjigjuASGJE NUK ZGJIDHET ME 1 MINUTE HESHTJE.....I LATE FEMIJET NE RRUGE PA KENDE LOJRASH..SEPSE DONI TE VIDHNI ME PALLATE..KY ESHTE REZULTATI..DHE POLICIA ESHTE FAJTORE DUHEJ TJA KISHTE MARRE PATENTEN PERJETSISHT KETIJ NE RASTIN E 3......PRAPE DO MBLIDHRNI PER MINUTA TE HESHTURA..PA ZGJIDHUR CESHJEN TEK BURIMI....MJERE POPULLI ME JU...
PërgjigjuPo sa ishe Minister i brendshem ti o Buf nuk pame ndonje ndryshim ashpersim apo patrulla te benin namin neper rruge lagjeje ndaj mos na hapni barkun me lote e qurre po ishalla nje dite e provoni dhimbjen ne kurrizin tuaj ta kuptoni cfare realisht vuan populli nga neglizhenca e pa aftesia juaj
Përgjigju