Në seancën e sotme në Kuvend parashikohen katër interpelanca të kërkuara nga opozita.

Në rendin e ditës është parashikuar interpelanca urgjente me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufin, e kërkuar nga PD për shpjegime mbi çështje që lidhen me krijimin, funksionimin, mbikëqyrjen dhe marrëdhëniet kontraktuale të shoqërisë ‘KAYO’. Në total, janë ngritur 22 pyetje nga PD që lidhen me rolin e ministrit, përzgjedhjen e partnerëve, procedurat kontraktuale, kontrollin parlamentar dhe rreziqet për sigurinë kombëtare.

Interpelanca e dytë e kërkuar nga PD është me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaron, lidhur me problematikat e krijuara nga udhëzimet dhe politikat e fundit të ministrisë në sistemin arsimor, veçanërisht për çështjen e licencimit dhe kualifikimit të mësuesve.

Deputetët e Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj e Erald Kapri kanë kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama për anulimin e tenderit të portit të ri të Durrësit. Megjithatë, ka pak gjasa që kryeministri të marrë pjesë në seancë, pasi sot është parashikuar vizita e tij në Itali dhe takimi me kryeministren Giorgia Meloni dhe si rrjedhojë, mund ta delegojë interpelancën.

Shehaj e Kapri kanë kërkuar interpelancë edhe me zv.kryeministren Albana Koçiu për miratimin e lejes së ndërtimit të resortit të Bashkim Ulajt në Rrjoll.

Rendi i ditës:

Në mbështetje të nenit 7, pika 6, dhe nenit 27/1 të Rregullores së Kuvendit, bazuar në kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 13 prill - 30 prill 2026, urdhëroj:

I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 16.4.2026, ora 10:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 9.4.2026.

2. Njoftime.

3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Mbrojtjes, z. Ermal Nufi, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

4. Interpelancë urgjente me Ministrin e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

5. Interpelancë me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.

6. Interpelancë me Zëvendëskryeministrin e Republikës së Shqipërisë, znj. Albana Koçiu, kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.

7. Projektligji "Për ratifikimin e protokollit shtesë 7 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të marrëveshjes për amendimin dhe aderimin në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, ratifikuar me ligjin nr. 9696, datë 21.3.2007".

8. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Cassa Depositi e Prestiti S.p.A., "Përmirësimi i rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në veri të Shqipërisë pas tërmetit të vitit 2019.

9. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, mbi bashkëpunimin teknik 2024, për projektin "Green Vjosa (Vjosa e gjelbër) - Zhvillim rajonal i gjelbër dhe gjithëpërfshirës në zonën e ujëmbledhësit të Parkut Kombëtar të Vjosës"".

10. Projektligji "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen për zbatimin e dispozitave të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit të 10 dhjetorit 1982, që lidhen me ruajtjen dhe menaxhimin e burimeve peshkore ndërkufitare dhe të burimeve shumëmigruese".

11. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 33, datë 31.03.2021, "Për Gardën e Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar".

12. Projektvendimi “Për zgjedhjen e Kryetarit të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës".

13. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.

Lajm në përditësim...