TIRANË- Shqipëria bëhet vendi i dytë në botë pas SHBA-së që shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit. Me 79 vota pro dhe 1 abstenim, Kuvendi miratoi rezolutën e propozuar nga PS në të cilën thuhet se “Kuvendi i Shqipërisë shpall Republikën Islamike të Iranit si Shtet Sponsor të Terrorizmit dhe si shtet që përdor mjete terroriste në ndjekje të objektivave të tij të politikës së jashtme”.

Përmes kësaj rezolute, Kuvendi i kërkon qeverisë që të shpallë organizata terroriste Hezbollahun dhe Gardën Revolucionare të Irani, dy prej organizatave me famëkeqe të regjimit iranian.

" I bën thirrje Qeverisë së Republikës së Shqipërisë që të shpallë menjëherë Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), si organizatë terroriste. Të shpallë gjithashtu Hezbollah si një organizatë terroriste proxy të Republikës Islamike të Iranit.", thuhet në rezolutë.

Rezoluta dënon sulmet kibernetike të Iranit kundrejt institucioneve të Shqipërisë, ku i fundit ishte ndaj Kuvendit dhe u bën thirrje vendeve të tjera demokratike dhe organizatave ndërkombëtare që të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve.

Partia Demokratike e cila mungoi në seancë, për shkak se nuk ishte njoftuar që seanca do të kishte në rend të ditës rezolutën, e cila u caktua nga Konferenca e Kryetarëve, vetëm 1 orë para seancës. Menjëherë pas miratimit të rezolutës, PD doli me një deklaratë politike.

“Partia Demokratike e Shqipërisë shpall Gardën Revolucionare të regjimit diktatorial të Teheranit si organizatë terroriste. Ajo e cilëson shtetin obskurantist të Ajatollahëve si sponsorin kryesor të terrorizmit në botë dhe një kërcënim madhor për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe kudo në glob", thuhet në deklaratë. 

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla shprehu keqardhjen për mungesën e opozitës, duke thënë se nuk qëndruan krah SHBA dhe BE-së në një moment solemn, por zgjodhën interesin e javës për një protestë pa krye, të thirrur më 22 mars. 

"Keqardhje për mungesën në këtë seancë të deputetëve të tre grupeve parlamentare të opozitës, që nuk ditën që në një moment solemn, të një qëndrimi urgjent të Shqipërisë krah SHBA, BE, dhe plot vende të tjera, përkrah Britanisë, nuk dolën sot mbi interesin e vogël të javës të njoftuar për një tjetër protestë pa krye", thuhet në deklaratë.

Për të vetmit deputetë opozitarë në sallë Redi Muçi i Lëvizjes Bashkë që abstenoi, dhe Erald Kapri i partisë Mundësia, i cili bashkoi votën me PS, rezoluta është hipokrizi.

“Ne e kemi denoncuar represionin e shtetit Iranian, por që të jemi seriozë do duhej që para se të paraqisnit këtë rezolutë, duhej të kishit miratuar rezolutën që dënon gjenocidin serb ndaj Kosovës”, tha Redi Muçi.

"Kjo rezolutë do të merrte shumë kuptim nëse kjo qeveri do të ishte vërtet perëndimore e do të sillej si perëndimore para se të sillte rezoluta servile si kjo, që kanë vlerë për t’i thënë botës që Shqipëria është pjesë e perëndimit, por ne e kuptojmë që është thjesht për të shpëtuar fatin politik të Edi Ramës në atë që do të ndodhë së shpejti", tha Kapri. 

Vjeshtën e vitit 2022 Shqipëria vendosi të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe të dëbojë diplomatët iranianë në Tiranë, pasi vërtetoi se regjimi i Teheranit fshihej pas sulmit kibernetik ndaj shërbimeve dhe sistemeve shtetërore shqiptare. 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:54
Abstenoi rezolutën për shpalljen e Iranit shtet sponsor të terrorizmit, Muçi: Hipokrizi të dënosh Teheranin e të ulesh në gjunjë përpara Netanyahut

Deputeti i partisë “Lëvizja Bashkë”, Redi Muçi abstenoi rezolutën e PS përmes së cilës Irani shpallet shtet sponsor i terrorizmit. Në fjalimin e tij në Kuvend, Muçi dënoi represionin e regjimit iranian ndaj të rinjve e të rejave që janë ngritur në protesta para nisjes së konfliktit, por rezolutën e socialistëve e quajti hipokrizi.

Ai e akuzoi PS se po mban standarde të dyfishta. Sipas tij, është hipokrizi të dënosh Teheranin, ndërkohë që kryeministri Edi Rama “iu ul në gjunjë kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu”, i cili ka urdhër arrest për krime kundër njerëzimit dhe krime kundër lufte nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Për mazhorancën kishte kritika, duke thënë se para se të sillte këtë rezolutë, duhet të kishte dënuar gjenocidin serb në Kosovë.  

Muçi tha se përmes kësaj rezolute duhej të kërkohej edhe fundi i këtij konflikti që destabilizon jo vetëm lindjen e Mesme, por të gjithë botën, duke theksuar se nuk është një luftë e nisur nga BE e NATO.

“Po na propozoni një rezolutë për shpallen e Iranit si shtet që mbështet terrorizmin, ndërkohë që vendet e BE kanë shpallur Gardën Revolucionare si organizatë terroriste për hir të atyre të rinjve e të rejave që kanë protestuar ne sheshet e Teheranit dhe janë përballur me represionin e regjimit. Do ishte në nderin tuaj që në anën e duhur të ishit jo vetëm kur është në interesin e me të fortëve, por edhe kur bëhet fjalë për të mallkuarit e kësaj bote. S’ka hipokrizi më të madhe të na paraqesin këtë rezolutë, ndërkohë që kryeministri juaj shkoi dhe u ul në gjunjë përballë Netanjahut një njeri që ka urdhër arrest për krime kundër njerëzimit dhe krime kundër lufte dhe që e përdori Izraelin për të masakruar 70 mijë civilë palestinezë. Kjo rezolutë duhet të përmbante edhe një kërkesë për dhënien fund të këtij konflikti pa asnjë logjikë, pas objektiva, por me pasoja të rënda ekonomike dhe destabiluzuese për rajonin dhe botën. Është një luftë jo e nisur nga BE, NATO dhe s’ka marrë miratimin as të Këshillit të Sigurisë dhe as Kongresit Amerikan.  Ne e kemi denoncuar represionin e shtetit Iranian, por që të jemi seriozë do duhej që para se të paraqisnit këtë rezolutë, duhej të kishit miratuar rezolutën që dënon gjenocidin serb ndaj Kosovës”, tha Muçi.

Ora 11:23
Pasi bojkotuan votimin në Kuvend, PD nxiton: Edhe ne shpallim Iranin dhe Gardën Revolucionare organizatë terroriste! Pse hesht mbi Hezbollahun?

Partia Demokratike mungoi në seancën plenare në të cilën Kuvendi shpalli Iranin si shtet sponsor të terrorizmit, me argumentin se rendi i ditës nuk ishte i miratuar zyrtarisht dhe u mjaftua me një deklaratë për mediat. Pasi miratimit të rezolutës, PD nxitoi dhe deklaroi se edhe ata e “shpallin Gardën Revolucionare organizatë terroriste” dhe se e konsiderojnë Iranin sponsor kryesor të terrorizimit. 

Por ajo çfarë bie në sy në deklaratën e PD, e cila u shpërnda edhe nga vetë Sali Berisha, është heshtja për Hezbolluahun, grupin rebel islam me bazë në Liban, për të cilin Kuvendi i kërkon po ashtu qeverisë që ta shpallë organizatë terroriste njëjtë si Gardën Revolucionare.

Selia blu thotë se mbështet përpjekjet e SHBA-ve dhe Izraelit për përmbysjen e regjimit dhe zgjedhjen e një qeverie nga populli që garanton stabilitet, duke theksuar se e konsiderojnë Iranin "një kërcënim madhor për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe kudo në glob.”

Deklarata e plotë e Partisë Demokratike të Shqipërisë

Partia Demokratike e Shqipërisë shpall Gardën Revolucionare të regjimit diktatorial të Teheranit si organizatë terroriste. Ajo e cilëson shtetin obskurantist të Ajatollahëve si sponsorin kryesor të terrorizmit në botë dhe një kërcënim madhor për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe kudo në glob.

Partia Demokratike e Shqipërisë dënon me forcën më të madhe sulmet e Teheranit ndaj vendeve të Gjirit Persik, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Kuvajtit, Bahrejnit dhe vendeve të tjera mike të Shqipërisë dhe ju shpreh ketyre vendeve solidaritetin e saj të plotë.

Partia Demokratike mbështet përpjekjet e SHBA-së dhe Izraelit për përmbysjen e diktaturës mizore teokratike të Ajatollahëve dhe zëvendësimin e këtij regjimi me një qeveri të zgjedhur nga populli si një kontribut madhor për çlirimin e popullit iranian, si dhe për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.

Ora 10:31
Me 79 vota pro, Kuvendi miraton rezolutën për shpalljen e Iranin shtet sponsor të terrorizmit! Kapri voton pro, Muçi abstenon

Kuvendi miratoi me 79 vota pro rezolutën e PS për shpalljen e Iranit shtet sponsor të terrorizmit, ndërsa i kërkon qeverisë të shpallë grup terrorist, Gardën Revolucionare  dhe Hezbollaun.

PD mungoi në seancë me argumentin se nuk kishte rend dite të miratuar. Në sallë ishte vetëm Redi Muçi dhe Erald Kapri. Ky i fundit votoi pavarësisht kritikave, ndërsa Muçi abstenoi.

Ora 10:30
Protesta në Rrjoll, Kapri: Policë me kapuçë të zinj rrahin banorët me shkop gome! Ballukun e mbrojtët politikisht

Deputeti i partisë “Mundësia”, Erald Kapri, i vetmi ndër dy deputetët e opozitës që nuk bojkotuan parlamentin për rezolutën e Iranit, tha se kjo rezolutë është servile dhe thjesht për të shpëtuar fatin politik të Ramës.

“Kjo rezolutë do të merrte shumë kuptim nëse kjo qeveri do të ishte vërtet perëndimore e do të sillej si perëndimore para se të sillte rezoluta servile si kjo, që kanë vlerë për t’i thënë botës që Shqipëria është pjesë e perëndimit, por ne e kuptojmë që është thjesht për të shpëtuar fatin politik të Edi Ramës në atë që do të ndodhë së shpejti dhe nevoja për t’u treguar sa më servilë, na bën të sjellim rezoluta të tilla. Është shumë qesharake kur mendon një rezolutë kundër Iranit dhe Irani na ka sulmuar parlamentin madje dhe asnjë nga mazhoranca nuk kërkon mbledhje të këshillit të sigurisë kombëtare. Nëse do e kërkojnë, do të kuptojnë që çfarë i kemi bërë vetes, nuk na e ka bërë Irani”, tha Kapri.

Njësoj si Agron Shehaj, Kapri ngriti zërin për protestat e banorëve të Rrjollit kundër ndërtimit të resortit të botuesit Bashkim Ulaj. Deputeti nënvizoi dhunën ndaj banorëve duke e krahasuar policinë me Pasdaranët e Iranit. Kapri tha edhe se nëse Shqipëria do të orientohej nga perëndimi, nuk do t’i ofronte mbrojtje politike Ballukut.

“Ka dy muaj që ndodh një protestë në një fshat katolik të Shqipërisë për të drejtën e pronës. E keni parë sesi policë privatë me kapuçë të zinj dhe shkopa gome rrahin banorët tamam si gardianë iranianë islamikë? Asnjeri nuk ka folur për këtë dhe janë çuar për të drejtën e pronës e ju flisni për një Shqipëri perëndimore. Çmimi i naftës rritet pa u bllokuar Ngushtica e Hormuzit apo njerëzit dhunohen se ecin me monopatina dhe ç’është më e rënda, po fole për të drejtat e njerëzve, përjashtohesh nga parlamenti! Kjo s’është Shqipëri perëndimore! Nëse do të ishim vend perëndimor, nuk do të vendosnim mbrojtje politike siç bëtë me Ballukun. Shqipëria sot është më larg nga perëndimi se asnjëherë më përpara dhe kjo bëhet vetëm për fatin politik të Edi Ramës që tashmë ka vendosur që integrimi i Shqipërisë të mos kalojë nga Brukseli, por nga Beogradi”, përfundoi deputeti.

Ora 10:18
Shqipëria shpall sot Iranin shtet terrorist, Balla: Keqardhje që opozita nuk doli mbi interesin e javës për një protestë pa krye

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla prezantoi në Kuvend pr.rezolutën e PS për shpalljen e Iranit shtet sponsor të terrorizmit. Balla tha se i vjen keq që sot opozita nuk është në Kuvend dhe nuk doli mbi interesin e vogël të javws.

“Terrorizmi nuk është vetëm akt dhune, është stërgji frikësimi, destabilizimi dhe minimi të rendit demokratik. Godet civilë, institucionet, godet edhe parimet në të cilat është ndërtuar sistemi ndërkombëtar pas luftës së dytë botërore. Lufta kundër terrorizmit nuk është thjesht çështje sigurie, është betejë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Shqipëria ka qenë dhe mbetet vend i qartë dhe i palëkundur në këtë qëndrim të saj, Ne jemi vend që kemi zgjedhur anën e demokracive, bashkëpunimit ndërkombëtar kundër terrorizmit. Shqipëria ka jo vetëm të drejtën, por edhe të kontribuoj në sigurinë kolektive të NATOS-s dhe komunitetit ndërkombëtar. Rezoluta është pjesë e këtij angazhimi të vazhdueshëm. Vendi ynë ka qenë objekt i sulmeve në hapësirën kibernetike. Sulmi i rëndë ndaj institucioneve të Republikës së Shqipërisë në 2022, ishte një nga episodet më serioze të agresionit kibernetik të një vendi sovran. Pak ditë më parë, Kuvendi ishte shënjestra e një sulmi të ri kibernetik. Këto janë akte armiqësore, që synojnë destabilizimin e institucioneve demokratike dhe funksionim normal të një shtetit. Rezoluta synon të adresojë këtë realitete. Synojmë të dënojmë çdo formë të mbështetjes shtetërore për terrorizmin, dënojmë përdorimin e mjeteve hibride kundër institucioneve të shteteve sovrane. Rezoluta u bën thirrje qeverisë shqiptare të shpallë gardën revolucionare të Iranit dhe Hezbollahun si organizata terroriste.

Keqardhje për mungesën në këtë seancë të deputetëve të tre grupeve parlamentare të opozitës, që nuk ditën që në një moment solemn, të një qëndrimi urgjent të Shqipërisë krah SHBA, BE, dhe plot vende të tjera, përkrah Britanisë, nuk dolën sot mbi interesin e vogël të javës të njoftuar për një tjetër protestë pa krye, të vinin në kuvend për këtë qëndrim, që është urgjent dhe i nevojshëm sa i përket kon të ri pas zhvillime, pas sulmit kibernetik kundër kuvendit, sa i përket interesit të Shqipërisë, por edhe zhvillimit që lidhen me bllokimin apo minimin e kanalit të Hormuzit. Për ta parë jo si akt formal, por si deklaratë të vlerave dhe përgjegjësisë sonë, si një aleat i NATO-s dhe si një vend që brenda 2030 do jetë në BE”, tha Balla.

Ora 10:08
Nis seanca plenare në Kuvend për pr. rezolutën për Iranin, karriget e opozitës pothuajse bosh! Dy deputetë i qëndrojnë larg bojkotit

Ka nisur seanca plenare në Kuvend, pas Konferencës së Kryetarëve që miratoi përfshirjen në rend dite të pr.rezolutës së PS për shpalljen e Iranit shtet terrorist.

Siç kishte paralajmëruar, opozita nuk ndodhet në Kuvend pasi ka bojkotuar seancën duke thënë se pr.rezoluta nuk është e përfshirë në rendin e ditës.

Në sallën e parlamentit, karriget e opozitës janë pothuajse të gjitha bosh, përveç atyre të Redi Muçit e Erald Kaprit.

Ora 09:19
Opozita mungon në Konferencën e Kryetarëve, rezoluta për Iranin përfshihet në rendin e ditës së Kuvendit

Ditën e sotme, ndryshe nga herët e tjera, Konferenca e Kryetarëve është mbledhur në Parlament. Opozita, ashtu siç kishte paralajmëruar që prej ditës së djeshme, nuk është e pranishme.

Konferenca  ka vendosur të fusë në rendin e ditës rezolutën për shpalljen e Iranit si financuese të terrorizmit, ndërsa Gardën Revolucionare dhe Hezbollahun si grupe terroriste.

Dy seancat plenare të radhës do të jenë më 2 dhe 9 prill.