Kuvendi/ Basha: Shqipërisë nuk do i hapen negociatat në qershor! Balla: Je anti-shqiptar

Prej orës 10:00 po zhvillohet seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa në rendin e ditës janë disa pika, mes tyre edhe dekretet e Presidentit për noterinë dhe kadastrën. Por, ashtu sikur ndodh cdo herë në Kuvend, diskutimi ka devijuar nga rendi i ditës duke u përqendruar te aktualiteti politik. Hapja e negociatave, rasti i abuzimit të 14-vjeçares në Kavajë, protesta e opozitës në datë 16 shkurt, tenderi i Unazës së Re dhe marrëveshja Kosovë-Serbi ishin në qendër të debatit dhe akuzave mes shumicës dhe opozitës.

Rendi i ditës
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për peshkimin”
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për efiçencën e energjisë”
Marrëveshja me BE-në mbi veprimet e ndërmarra nga Agjencia e Rojes Bregdetare dhe Kufirit
Dekret i Presidentit të Republikës “Për kthimin e ligjit nr. 110/2018 “Për noterinë”
Dekret i Presidentit të Republikës “Për kthimin e ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën”
Emërimi i anëtarit të bordit të AMF-së që do të mbajë funksionin e nëndrejtorit ekzekutiv
Projektvendim “Për zgjedhjen e tre anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar"

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:58
“Na vë 30 goca me kufje si call center”, Dashamir Shehi ironizon Ramën: Ja mbërriti të na sundojë (VIDEO)

Edhe kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi ka folur nga foltorja e Kuvendit duke adresuar thirrje ndaj mazhorancës e cila sipas tij ka ardhur të sundojë.

Deputeti Shehi ka ironizuar platformën e bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”, e prezantuar nga vetë kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar atë si një metodë që nuk gjendet në asnjë vend duke mos i shërbyer aspak qytetarëve.Diktaturat lindin pas votimeve të mëdha, të rëndësishme, por me votime të trazuara si këto të tonat, dhe përfundon në një sundim, ky zotëria këtu ka mbërrit në na sundojë, e patë me ca qetësie i ndryshoi ministrat, para diktatorëve jemi të gjithë zero, ka ndërtuar me mendjen e vet sistemin e kontrollit qeverisës, ca janë këto, në ca nen kuvendi ti merr përsipër ti na ve 30 goca me kufje në vesh dhe po na qeveris, dhe ato goca kanë të drejtë të kontrollojnë dhe gjejnë në gabim këto”, tha deputeti.

Ora 13:19
Sherri në Kuvend në FOTO/ Çfarë s'u pa nga debati, Balla-Xhafaj kokë më kokë

Shqiptarja.com sjell në foto atë që po ndodh sot në Kuvendin e Shqipërisë. Seanca e sotme, që ende po vijon, paradite ka qenë mjaft e nxehtë me debate dhe akuza të forta mes shumicës dhe opozitës. Mes fotove që tërheqin vëmendjen është edhe biseda kokë më kokë mes Xhafajt dhe Ballës, ndërsa nuk dihet se për cfarë. Kujtojmë që dje, Xhafaj doli kundër shumicës për ndryshimet e rregullores së Kuvendit, pasi i konsideroi ndryshimet e shpeshta si jo efektive (lexo këtu).

Ora 12:23
Kuvendi/ Braçe-Berishës dhe Bashës: Vratë më 21 Janar dhe mars 1997 (VIDEO)

Zv/kryeministri Erjon Braçe nga foltorja e Kuvendit akuzoi se ata që sot u drejtohen socialistëve duhet të shkojë para SPAK-ut dhe BKH-së për krimet që kanë kryer në vite. "Doja që të lusja të gjithë ata pisa që nga foltorja e Kuvendit marrin kurajon dhe i drejtohen socialistëve të ndershëm. Ju që përmendni SPAK-un dhe BKH-ne, ju pushkatuat pa gjyq 4 njerëz të ndershëm në Bulevard.

Kemi hyrë në politikë nga dhuna barabare nga viti ‘92-‘97. Vratë në 21-janar, mos merrni kurajo të dilni këtu. Me këmbët tuaj duhet të shkoni para drejtësisë, latë në mëshirë të fatit familjet e viktimave të 21 janarit. Ai që vjen këtu e na tregon ne hajdutëritë te Unaza është i vetmi person në gjithë këtë sallë, që ka akuzë publike për vjedhje, dhe jo me 2 lekësha, por me 235 mln në kurriz dhe refuzon ti përgjigjet gjykatës, dhe ka kurajon ta përmendë por BKH të nisë për këtë krim" deklaroi Braçe.

Ora 12:22
Arben Ahmetaj: Taksa 9% mbështet oligarkinë, shkatërron shtresën e mesme

Kryetari i Komisionit te Ekonomise, Arben Ahmetaj foli sot ne Kuvend per programin ekonomik te prezantuar nga PD disa dite me pare. Ahmetaj tha se taksa e sheshtë prej 9% që propozon PD shkatërron shtresën e mesme dhe PS kurrë nuk do ta lejojë. Ahmetaj u shpreh gjatë fjalës së tij në Kuvend se me paketën ekonomike që propozon PD kurrë nuk do të vijë në pushtet, pasi ajo paketë krijon pabarazi dhe mbështet oligarkinë. "Janë 300 mijë familje që do u ngarkohet dyfishi i taksave. Taksa e sheshtë e shkatërron shtresën e mesme. Ajo që bëni ju është pabarazi. Kjo është të mbështetësh oligarkinë. Biznesi i vogël paguan 0 taksë dhe ju doni ti shtoni taksën në bazë të xhiros. Shqipëria është e varfër, por jo aq sa ka qenë në vitin 2013. Çdo parti që humb ankohet për vjedhje votash. Ju nuk vini kurrë në pushtet me atë paketë ekonomike”- tha Ahemtaj.

Ora 12:06
Spiropali i përvishet keq: Basha, pupaci i vendosur në krye të PD pa asnjë meritë, po merr në qafë opozitën (VIDEO)

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentit, Elisa Spiropali ka sulmuar kreun demokrat Lulzim Basha. Ajo e cilësoi Bashën një “pupac”, i cili po merr në qafë opozitën.

“Edhe nëse do ta kishim bërë me plan që në këto dy seanca opozita të shfaqte anën e vet më qesharake e vulgare s’do e kishim bërë kaq perfekt. U ngrit kryetari dhe iu drejtua me dorë ministreve të reja i quajti kukulla jo se janë ministre po se janë gra. Një pupac i vendosur në atë pozicion që flet këtu me gjuhën e vet të shthurur.

Një njeri që po merr në qafë opozitën shqiptare, po përdor një gjuhë ofenduese ndaj grave ministre.

Ora 11:56
Negociatat, Basha-Ballës: Qeveria tranzitore do të zhbllokojë hapjen e negociatave (VIDEO)

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha reagoi pas akuzave të Taulant Ballës për negociatat. Lideri i PD-së u shpreh se qeveria është damkosur nga skandalet, ndërsa shtoi se zgjidhja është një qeveri tranzitore, pasi në të kundërt populli do të marrë në dorë fatet e tij."Vendi është në krizë ekonomike, të drejtat e qytetarëve i dhunoni në mënyrë të pacipë. Ju jeni damkosur si pengesa kryesore për integrimin e vendit. Zgjidhja jonë politike, është një qeveri tranzitore, pa këtë kryehajdut, e cila do zhbllokojë pengmarrjen e demokracisë, por është shansi i vetëm të zhbllokojë hapjen e negociatave, që do të bëhet do të bëhet, nëse nuk arrihet përmes një marrëveshje politike, populli do të vijë të çlirojë këtë sallë, do i fshijë. Por thirrini arsyes, kujtoni se cfarë u thanë në Berlin. Hapja e negociata për herë të tretë do të humbet nga një emër, ju a bëj jo si kërcënim, por si thirrje; thirrini arsyesh ndryshe nuk do u lini asnjë rrugë tjetër qytetarëve" tha Basha.

Ora 11:31
Negociatat, Balla-Bashës: Je anti-shqiptar! Komisioni do të japë dritën jeshile

Gjatë seancës së sotme në Kuvend ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla u përfshin në replika të forta për cështjen e Kosovës. Ndërkohë që Balla i ktheu edhe një përgjigje Lulzim Bashës, i cili tha se Shqipërisë nuk do i hapen negociatat në qershor.

Replikat Berisha-Balla
Sali Berisha: E mbështesim marrëveshjen Kosovë-Serbi por pa copëtim të territoreve, pasi hap kutinë e Pandorës, sjell bllokim automatik të procesit të integrimit. Gjatë vizitës së Bush-it në Shqipëri, Presidenti më thotë cili është mendimi juaj për Kosovën? Unë mbrojta pavarësinë. Me tha kur mendohet se duhet shpallur? Këta menduan se unë do të thoja sot, jo! Unë i them, merrni kohën tuaj se ne nuk duhet të bëhemi mollë sherri mes jush dhe BE-së, dihet se kë kemi mik ne, dhe kush është destinacioni ynë. Dhe jo sikur bën ky me argatët e Beogradit, se tani dështoi Berlini, procesi dhe se Merkeli po ikën, packa se kur ishte aty, iu servilos, por ajo nuk e priti, pasi po bëhet sherri i Ballkanit dhe faturën e paguajnë shqiptarët. Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin problemet si dy shtete të pavarura dhe jo mbi bazën e argatëve që nuk kanë atdhe. 

Taulant Balla: Sali, ti e mbylle kohën tënde me shumë pika të zeza, por një prej tyre është sabotimi që i bëre pavarësisë energjetike të Kosvoës duke bllokuar linjën e transmisionit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ti Sali, e bllokove dhe u desh të vinim ne për ta zhbllokuar. Ti furnizove Milloshevicin me naftë gjatë luftës në Kosvë. Kur klasa politike shqiptare, edhe Ilir Meta, i vetmi që ishte kundër ishte ti Sali, prapë. Teksa u clirua Kosova, vetëm Sali Berishën nuk i lejohej që të shkonte në Kosovë. Përsa i përket vasalit tënd në krye të PD-së, e morët vesh, tha se nuk do të hapen negociata.

Ndërhyn Flamur Noka nga vendi

Gramoz Ruçi: Zoti, Flamur të tërheq vëmendjen, mos ndërhy më se do të nxjerr jashtë

Taulant Balla: Zoti Basha, ti ke takuar para dy ditësh një prej këshilltarëve të grupit të CDU/CSU, ndërsa ne kemi takuar figurën më historike. Në Bundestagun gjerman me gjithë përpjekjet tuaja anti shqiptare ka një shumicë bindëse për hapjen e negociatave. Komisioni do të japë dritën jeshile për negociatat. Lulëzim me marrë një mesazh të qartë; të vish të votosh reformën zgjedhore. Nëse doni të merreni pjesë në zgjedhje, merreni apo jo është punë e juaj, hajdeni dhe votojeni.

Ora 11:24
'Mos bëj si i forti i lagjes'/ Ahmetaj-Berishës: Sali, e kuptoj që ti më do dhe unë të dua (Batutat)

Në seancën e sotme gjatë replikave mes kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, deputetit të PD-së, Endri Hasa, Elisa Spiropalit dhe Sali Berishës nuk kanë munduar edhe batutat.

Replikat në Kuvend
Elisa Spiropali: Edhe nëse do ta kishim bërë me plan që në këto dy seanca opozita të shfaqte anën qesharake, vulgare e banale, nuk do e thurnim kaq perfekt, shembulli më vulg i të bërit politikë sapo e dëgjuam, në seancën e parë u ngrit kryetari i opozitës, i quajti kukulla se janë gra

Endri Hasa del në foltore dhe kërkon fjalën

Gramoz Ruçi: Mos bëj si i forti i lagjes ti… Për çfarë e do fjalën…

Endri Hasa: Kush flet, na bën moral 5 mln euroshi i doganës që nuk i vidhte me lezet, por pa lezet, po kjo është e drejtë për të bërë filma se si nafijet i thurnin lavde Skënderbeut duke e krahasuar shefin me Skënderbeun, këto janë nafijet e Ramës.

Merr fjalën në Kuvend Arben Ahmetaj, Berisha flet nga vendi

Arben Ahmetaj: Sali e kuptoj që ti më do dhe unë të dua, por e kemi kështu ndryshe këtë dashurinë me sherr. Edhe dicka Sali po të them se unë kam ngrënë dru vetëm nga im atë kur kam qenë i vogël, por tjetër nuk më rreh.

Sali Berisha: Kjo seancë mund të quhet 'Plasi peshku'. Kjo është aleanca e qelbësirave. Punon për krimin.

Ora 11:13
Ironia e Lleshajt me Mehmetajn, Kryemadhi i kundërvihet mazhorancës: Ju na i kaloni vetëm me lëpirjen e menderes së Ramës (VIDEO)

Seanca e sotme plenare, ku në rend të ditës kanë qenë disa pika sikurse dekretet e presidentit për noterinë dhe kadastrën, është shoqëruar nga tensione dhe debate. Përplasja e djeshme verbale midis ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe deputetes së LSI-së Kejdi Mehmetaj, ka bërë që kryetarja e kësaj force politike, Monika Kryemadhi të marrë fjalën dhe t'i kundërvihet deputetëve të mazhorancës. 

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Kryemadhi u shpreh se deputetët e LSI-së janë të diplomuar, ndryshe nga ato të Partisë Socialiste.

"Sa për dijeni për të gjithë zëdhënësit e Ramës që kam këtu, Kejdi Mehmetaj dhe Flodia Kërpaci, të dyja janë diplomuar. Këta që kam mbrapa nuk e dinë se çfarë është diploma. Ajo ministrja e Arsimit vjen nga një kolegj fetar, ndersa Sporopali s’dihet a ka diplomë. Mos të guxojë më njeri nga ju që të përmendi diplomat se po qe për diploma nuk dimë si të dalim nga kjo. Ju vetëm me një diplomë na e kaloni, diplomën për t’ju lëpirë menderen kryetarit të partisë, këtu na e kaloni ju. Po ju them edhe një herë, mblidhni radhët dhe mos shkatërroni këto asete të shqiptarëve sepse mund të jetë shumë vonë për ju”- tha Kryemadhi.

Ora 11:07
'S'do u vrasë njeri në 16 shkurt'/ Kryemadhi-Spiropalit: Mos fol për PS-në! Basha: E kuptoj nostalgjinë tënde (VIDEO)

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin është përfshirë në replika me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha dhe të LSI-së, Monika Kryemadhi në seancën e sotme në Kuvend.

Debati
Elisa Spiropali: Zonja Kryemadhi në 1999 unë jam larguar nga Shqipëria dhe zonja Malaj që ka qenë nëndrejtoresha e “Qemal Stafës” mund tua thotë se kam qenë një ndër 5 gjimnazistet më të mira në vend, që fito bursë në kolegjet e SHBA. Në atë kohë ju ishit duke vjedhur votat e FRESSH dhe duke u marrë me Shqipërinë dakord moj zonjë, ju shkatërruat sistemit edhe brenda PS edhe si funksiononte administrata dhe këtë e dëshmojnë edhe kolegët. Nuk keni asnjë bazë krahasimi me ne.

Ne nuk kemi ndërmend të bëjmë atë që bëtë ju, ne nuk vrasim në bulevard. Dilni dhe protestoni, tregoni me numra se kush jeni. Ju synoni vetëm pushtetin dhe asgjë tjetër, kjo është arsyeja se përse na votojnë ne, sepse ne e kemi seriozisht do ta bëjmë këtë vend.

Monika Kryemadhi: I them kësaj Andronikës që ka qejf të rrijë me Skënderbeun, që të mos e përmende më PS-në se nuk e njeh. Kur kam qenë unë në PS ka qenë komplet gjë tjetër. Ka qenë tjetër kohë, ka pasur të tjerë njerëz.

Lulzim Basha: E kuptoj nostalgjinë që ka Kryemadhi për PS-në. Por kemi 5 vite që nuk flasim më me socialistët, kemi përballë banditë dhe hajdutë dhe ky është problemi i madh i vendit. Problemi është që nafija (Spiropali) në vend që të shkojë në burg, mburret.

Ora 11:00
Arrestimet për tenderat e Burgjeve, Kryemadhi: Gjonaj po shantazhon drejtësinë, s'e kam sulmuar për shkak të Metës

Dje u arrestuan 4 zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa 8 janë lënë në detyrim paraqitje për abuzim me tenderat (lexo këtu). Gjithashtu po verifikohen edhe 2 ish-ministra të LSI-së, Petrit Vasili dhe Ylli Manjani. Kjo ka bërë që kryetarja e LSI-së, Kryemadhi të reagojë nga foltorja e Kuvendit duke akuzuar ministren e Drejtësisë për shantazh ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve.

"Problemet janë pafundësisht dhe nuk di ku ta kapësh dhe ku ta lëshë, nga fshehja e një vepre makabre ndaj një fëmije nga fëmijët. Më e rëndë është sesi vijojmë dhe ta mbulojmë cdo ditë e më shumë për të mbrojtur disa policë të papërgjegjshëm. Është e njëjta metodë e kryeministrit, gënjen se dicka do të mbetet. Rama i quan qenër, por qeni është një kafshë besnike, por ka edhe nga ata qenë që nuk e dinë se cfarë do të thotë të jesh qen, sepse një kryeministër që përdor bashkëpunëtorët e tij si qen për të kafshuar shokët e tyre, e di shumë mirë se cfarë do të thotë qen. Ashtu si ministrat e Ramës që nuk përfaqësojnë vullnet politik, por një sekt kriminal për të mbrojtur lidhjet me krimin.


 

Nuk po merrem sot me ministren e Drejtësisë sepse nuk qenka këtu  në sallë. Por meqenëse ajo paska dëshirë shumë të madhe për të luftuar korrupsionin, po i bëj me dije asaj dhe kryetarit të Komisionit të Ligjeve, që shantazhet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve quhen shkelje e ligjit. Dhe shumë shpejt do ta ketë të faktuar sesi ajo shantazhon gjyqtarët dhe prokurorët për të arrestuar punonjës të Ministrisë së Drejtësisë, se vetëm në këtë mënyrë do të largojë punonjësit nga Ministria, sepse me gjyq janë kthyer të gjithë në punë. Dhe gabimisht ka futur në listë edhe motrën e sekretares së përgjithshme  të njeriut të saj, apo edhe shumë të tjerë bashkëshortë deputetësh këtu në sallë që janë të Partisë Socialiste.

A e ka luftë personale të saj apo e ka nga budallallëku, unë për hir të së vërtetës nuk e kam sulmuar duke pasur parasysh që është kushërira e një lidhje familjare të Ilir Metës, për shkak të lidhjeve të mia familjare me të. Por po i bëj me dije që nuk ka asnjë lloj mënyre që mund ta mbrojë Ministren e Drejtësisë duke shantazhuar punonjësit e saj, sepse ajo mund ta dijë shumë mirë që korrupsionin e ka brenda në shtëpinë e saj, në familjen e saj, le ti tregojë shqiptarëve pse është pushuar disa herë burri i saj nga Drejtoria e Tatimeve. Le ti tregojë shqiptarëve cilat janë lidhjet e bashkëshortit të saj me Elvis Martinaj apo dhe me shumë pika të tjera të basteve.

Dhe le tu tregojë shqiptarëve cila është lidhja e saj me pjesëtarë të qeverisë apo dhe me avokatët e saj që ka në Kosovë. Prandaj i them Etilda Gjonaj që të jetë shumë e kujdesshme në telefonatat e saj apo dhe në mesazhet që ju çon gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sepse vërtetë SPAK-u do të ngrihet shumë shpejt por të jetë e bindu që SPAK-u do ta fillojë me ata të cilët kanë tentuar që ta kapin atë. Sepse SPAK-u është i domosdoshëm për hapjen e negociatave në Shqipëri dhe po të mos hapen negociatat,Shqipëria do të shkojë mbrapa" tha Kryemadhi.

Ora 10:44
Abuzimi seksual i 14-vjeçares në Kavajë/ Berisha: Je kriminel! Lleshaj: Unë s'i kam duart e lyera me gjak si ti (VIDEO)

Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë është shoqëruar nga tensione dhe debate. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka marrë fjalën për të komentuar edhe njëherë trajtimin që Policia e Shtetit i ka bërë ngjarjes së rëndë në Kavajë, ku një 14-vjecare është abuzuar seksualisht nën shantazh në periudha të ndryshme kohore nga 12 bashkëmoshatarë. Fill pas fjalës së tij, ish-kryeministri Sali Berisha e ka akuzuar për fshehje krimi duke e cilësuar pucist dhe vasal të kryeministrit Edi Rama. 

Debati i plotë Berisha-Lleshaj:

Sandër Lleshaj: Policia e Shtetit ka reaguar në momentin zero, pra më datën 29.01.2019 ndaj denoncimit të familjarëve. Po në këtë moment Policia e Shtetit ka referuar çështjen në Prokurori, që do të thotë që automatikisht e ka bërë publike atë, për arsye se çdo referim në Prokurori është publikim i çështjes; dhe së treti të gjitha akuzat e ngritura kundër Policisë së Shtetit janë e para akuza të pabaza dhe të dëmshme dhe dashakeqëse për të nxirë një institucion, i cili i shërben me besnikëri dhe me devotshmëri qytetarëve shqiptarë. Publikimi i bërë në rrjetet sociale ka ndodhur pasi shtetasit e akuzuar kanë qenë të arrestuar. Pra edhe njëherë, janë arrestuar përpara se të keni bërë atë palo status. T’ju vijë turp që gënjeni Shqipërinë. Kriminel s’me thonë dot, s'i kam duart e skuqura dhe të lyera me gjak si puna juaj. 

Sali Berisha: Sot keni para jush mazhorancën e përdhunuesve, në një krim të shëmtuar që ndodhi në Kavajë. Përdhunim kolektiv, policia u njoftua por ishte në anën e përdhunuesve dhe heshti. SHISH njoftoi Kryeministrin dhe ministrat respektivë. Kryeministri ishte në anën e përdhunuesve. Policia reagoi vetëm pas denoncimit që u bë në rrjetet sociale dhe ky vasal që s'ka nder dhe dinjitet merr përsipër të mashtrojë në vend që të marrë masat. Nuk e bën dot sepse zbaton urdhrin për të fshehur krimin. Ky krim ka ndodhur në tetor dhe të gjithë informacionet kanë ardhur në Tiranë, por vendosën të fshehin krimin se për ta fëmija i tjetrit është për t'u përdhunuar. Për ta përdhunuesit duhet të jenë kryetar bashkie. Mund të imagjinoni  një zyrtar që ka pafytyrësinë se policia veproi pas denoncimit. Është turp i madh o puçist!

Ora 10:38
Përdhunimi në Kavajë, Berisha: SHISH njoftoi Ramën, policia e fshehu

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi policinë se fshehu rastin e përdhunimit të nxënëses në Kavajë. Ai tha se SHISH kishte njoftuar kryeministrin dhe ministrat, por ata e fshehën si në rastin e djalit të deputetit socialist Rraja. "Sot kemi para jush shumicën e përdhunuesve. Policia u njoftua, por ishte në anën e përdhunuesve dhe fshehu krimin, SHISH njoftoi, kryeministrin dhe ministrat. Kryeministri ishte në anën  e përdhunuesve, vasalët heshtën, fshehën krimin. Këta përdhunues bënë atë që bënë me djalin e deputetit të tyre, të njëjtin skenar. Çfarë morali kanë dalë që të dalin para jush para qytetarë, është dita juaj pra, nëse nuk ktheheni nuk do të keni kurrë fëmijët të sigurt në shkolla" tha  Berisha.

Ora 10:37
Replikat/ Lleshaj: Ke katër të vrarë në CV-në tënde! Basha: Pse i promovuat ata që shtinë? (VIDEO)

Kryetari i PD-së  dhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj replikuan në seancën e sotme plenare, pas akuzave të Bashës për rastin e përdhunimit të 14-vjeçares në Kavajë. "Zoti Basha, së pari ju falënderoj që më dhatë mundësinë përmes gishtit tuaj tregues që të flas tani, t’ju përgjigjem. E kam parë që gishtin tregues e drejtoni shpesh si njëlloj pistoletë butaforike, por duhet t’ju them që mundohuni mos ta drejtoni kurrë kundër meje. Sigurisht, ironia e historisë ka bërë që ju të jeni në atë post që jam unë sot; dhe ironia e historisë bën që ju sot të përdorni një fond pafund me bojë të zezë kundër Shqipërisë.

Megjithatë dua t’ju them që përpjekja është e dështuar, është krejtësisht butaforike, nuk mund ta nxini as Shqipërinë, as Ministrinë e Brendshme, sado të përpiqeni me këtë fond të zezë boje. Kurrë nuk do të arrini që të më shihni mua në pozicionin që keni qenë ju në vitin 2011.

Kurrë nuk do të arrini që prej Ministrisë së Brendshme, të cilën unë drejtoj, të prodhohen viktima në Bulevardin kryesor të Tiranës. Kurrë nuk do të arrini që Shqipëria të marrë atë njollë të zezë që e keni lënë ju, personalisht, në postin e ministrit të Brendshëm. Prandaj sa herë ta drejtoni gishtin butaforik ndaj meje, duhet të mendoni historinë që keni pasur.  

Historia fatkeqësisht na ka vënë në këto pozicione që ne mund t’i tregojmë me shifra kush jemi. Keni 4 të vrarë në CV-në tuaj, keni rreth 100 të plagosur dhe keni rreth 4 mijë të tjerë të mbetur në tentativë për t’u vrarë. 4 mijë plumba të hedhur nga struktura që ju keni drejtuar, ndaj qytetarëve të Tiranës, të cilët vetëm fal mëshirës se Zotit nuk kanë rënë në koka shqiptarësh. Prandaj kur ta drejtoni gishtin mendohuni mirë" tha Lleshaj.

Por, Basha reagoi duke deklaruar se "Pse i promovuat ata që u akuzuan se shtinë mbi ata që sollët? Je dy herë fatkeq, se kur unë plotësova mbi 100 kritere kundër krimit të organizuar dhe arrita që të plotësooj ëndrrën e lëvizjes së lirë, ju e kishit mendjen si të krijonit alibitë për Edi Ramën për vizat. Jeni delja e zezë e Europës, Kolumbia e Europës" tha Basha.

Ora 10:23
Basha: Shqipërisë nuk do i hapen negociatat në qershor

Lulzim Basha u shpreh nga foltorja e Kuvendit se Shqipëria e ka marrë mesazhin nga Berlini që nuk do të ketë hapje negociatash. "Ky parlament nuk ka asnjë lidhje me hallet e qytetarëve, prandaj ata ndihen të harruar.  Nuk ka asnjë rrugëzgjidhje tjetër politike përveç se një qeverie tranzitore që të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në Berlin e morët mesazhin, në qershor nuk do të ketë hapje negociatash dhe përgjegjësi i vetëm për këtë është kryehajduti" tha Basha.

Ora 10:21
Basha: Jo vetëm krizë ekonomike, vendi është në depresion

Gjatë diskutimit të projektligjit për peshkimin, kryetari i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se ky sektor është lënë në mëshirë të fatit, ndërsa shtoi se vendi ndodhet në depresion. 'Peshkatarët janë lënë në mëshirë të fatit. Vendi është në krizë totale. Të gjitha ligjet që sjellin këta këtu, janë ligje të zhvatjes, këta që aktivitetin kryesor të ekonomisë kanë vjedhjen dhe pastrimin e parave të pista. Kriza ka arritur dimensione tragjike, pa siguri totale në shkolla dhe pacipcisë me të cilën shprehet ministri i Brendshëm, apo si rasti i vetëflijimit në Shijak. Vendi është edhe në krizë depresioni, jo vetëm social ekonomik' tha Basha.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Hinglatwrri: 07/02/2019 16:02

    O Bashe o b**ge.I Moniqi o bax**lle..Ju ka ikur fiqiri

    Përgjigju
  • Dridhe Like: 07/02/2019 14:08

    Doktoresha qenka e prape fort,qenka nje goje corape per te qare hallin,Mona mos u lodh se nuk te voton populli,bej njeher nje sondazh te shikosh sa te urrejne qytetaret.

    Përgjigju
  • Populli: 07/02/2019 14:06

    Dhe presin vota nga populli keta bandite,PD-LSI jane parti fashiste,jane te dhunshem e goje shthurur,populli i njeh shume me mire nga c'pandehin,kurre nuk i voton njeri me mend ne koke koto monstra te shperfytyruar.

    Përgjigju
  • redi: 07/02/2019 12:17

    Te degjosh kriminelet e krimit shteteror si Berusha dhe Basha ne podiumin e parlamentit eshte fatjeqsu kombetare . Jeni te lure dhe jo te burgidur nga drehtesia e degjeneryar qe ndertuat me te vetmin qellim qe te vidhni dhe te vrisni shqiptaret . Faji eshte dhe i Ed Rames ,qe po si ju ,po vepron me pushtetin dhe po ju mbron dhe ju . Lul Basha mos fol ne emer te shqiptareve ,se nuk ke te drejte , as morale dhe as kushtetuese . Ti mund te flasesh ne emer te militanteve te PD dhe kjo eshte normale . Te mos rrej mendja ty dhe Saliun , se mund te prishni rendin kushtetues , se policia dhe strukturat ligj zbatuese, kane mundesine tju vejne prangat qe me 16 Shkurt . Shqiperia eshte vend i Natos e cila garanton dhe ligj zbatimin ne Shqiperi . Kushdo qofte, i majte dhe i djathte se Shqioeria po ndyshon faqe, dhe pervec votes, nuk ka rruge tjeter per te ardh ne pushtet . Lul po dole kesaj rradhe para drejtesise nuk ka raport diareje qe te mbron

    Përgjigju
  • Arbër: 07/02/2019 11:35

    E ti lulush pret vota nga shqiptarët "Columbia, bandit kriminel e qka jo tjetër" kurrë më kurrë nuk do të ndodhë që ti të votohesh

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen