TIRANË- Seanca për gjyqin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj nuk po transmetohet live për mediat. Gjyqtarja e GJKKO, Engjëllushe Tahiri e rrëzoi kërkesën e të parit të Tiranës me argumentin se dy prej të pandehurve, Elman Abule dhe Adela Kondakçiu, nuk pranuan që seanca të transmetohet live. Vetë Veliaj nuk shkoi në seancë, por deklaroi se do të përfaqësohet nga avokati Plarent Ndreca, i cili tha se transmetimi i saj është i domosdoshëm për transparencën ndaj publikut dhe për të garantuar që qytetarët të informohen mbi zhvillimet e procesit. 

“Unë këmbëngul që për shkak të statusit të veçantë që ka i mbrojturi prej meje, është bazike që qytetarët e Tiranës të dëgjojnë çfarë ka prokuroria për kryetarin e bashkisë. I mbrojturi prej meje është zgjedhur nga 160 mijë qytetarë të Tiranës dhe është kryebashkiak, ndaj duhet të dëgjohet çdo gjë që ndodh në këtë seancë. Është e drejtë e të gjithëve për të dëgjuar se çfarë ndodh në këtë proces gjyqësor”, tha avokati Plarent Ndreca.

Prokurori i SPAK, Altin Dumani tha se akuza nuk ka asnjë problem për transmetimin e seancave live, por theksoi se dëshmitarët, sidomos bashkëpunëtorët e drejtësisë, nuk mund të ekspozohen dhe kjo sipas tij nuk ndodh as në vendet e rajonit, BE-së apo në SHBA.

“Ne si organ akuze nuk kemi problem, por transmetimi live mund të shqetësojë procesin. Në çështjet penale ku ka dëshmitarë, veçanërisht bashkëpunëtorë të drejtësisë, nuk lejohet transmetimi live. Kjo nuk ndodh as në rajon, as në Evropë dhe as në gjykatat federale në SHBA. Mund të lejohen kamera për disa pamje filmike, por dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët nuk mund të ekspozohen”, iu përgjigj Dumani.

Ndërkohë, avokati i Veliajt, deklaroi se në të paktën 35 fashikuj ndodhen prova digjitale (CD/USB), të cilat rezultojnë të pahapura dhe, për rrjedhojë, të paanalizuara dhe të pavlerësuara nga gjykata e seancës paraprake. Ai kërkoi që këto prova t’iu vendosen në dispozicion.

Por, dy kërkesat e Ndrecës u panë nga ana e SPAK si përpjekje për të zvarritur procesin. Dumani deklaroi se prej 2 muajsh, avokatët e Veliajt paraqesin kërkesa artificiale, por Ndreca iu kundërpërgjigj duke thënë se nuk kanë si qëllim të zvarrisin procesin.. 

"Kemi dy muaj që kemi kaluar në themel dhe vijojmë me seancat paraprake. Avokatët e Veliajt, në mënyrë të përsëritur, paraqesin kërkesa artificiale, sipas vlerësimit tonë, me qëllim zgjatjen e shqyrtimit gjyqësor", tha Dumani. 

"Ne nuk kemi qëllim të zvarrisim procesin. I vetmi që mbahet në burg është Erion Veliaj dhe ai ka interes që ky proces të ecë sa më shpejt. Ne nuk pranojmë të vijojmë pa u garantuar një proces i rregullt ligjor", iu përgjigj Ndreca. 

Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK e dërgoi kërkesën për ta kaluar dosjen për gjykim vetëm 5 muaj më parë. SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj. Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave.

Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, kurse Fatjon Baci është gardiani i burgut të Durrësit, i cili i dha telefonin Erjon Veliaj gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, në dy raste dhe akuzohet për “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.

Lajmi në përditësim...

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:50
Gjyqi për dosjen Veliaj/ Ndreca: Të nxirret nga kafazi, duam të gjithë fashikujt e dixhitalizuar të dosjes

1775031567_ndreca.jpg

Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i ka kërkuar GJKKO-së që t’i vendosë në dispozicion të gjithë fashikujt e dixhitalizuar të dosjes. Plarent Ndreca u shpreh se në dosje ka përgjime që vetë mbrojtja nuk i ka dëgjuar, por është njohur me to vetëm përmes procesverbaleve, të cilat shtoi se janë interpretime të SPAK.

“Në dosje ka përgjime, por ne nuk i kemi dëgjuar dhe nuk kemi CD-të; kemi vetëm disa procesverbale që, sipas nesh, janë interpretime. Ne duam të kuptojmë vetë kontekstin. Kërkojmë që të na vihen në dispozicion, në formë të dixhitalizuar, të gjithë fashikujt hetimorë”, tha Plarent Ndreca.

Po ashtu, Ndreca ripërsëriti kërkesën që Veliaj të mos qëndrojë në kafaz gjatë zhvillimit të seancave.

“Veliaj të nxirret nga kafazi në gjykatë, si në Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ku nuk pati asnjë problem. Në të kundërt, cenohet barazia në proces. Merrni masa për këtë”, tha Plarent Ndreca.

Ora 13:06
Dosja 'Veliaj'/ Ndreca: 35 fashikuj me prova digjitale të pahapura nga gjyqtarja paraprake, të na vihen në dispozicion!

1775768262_plarentndreca.ëebp

Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, deklaroi sot në gjykatën e themelit se në të paktën 35 fashikuj ndodhen prova digjitale (CD/USB), të cilat rezultojnë të pahapura dhe, për rrjedhojë, të paanalizuara dhe të pavlerësuara nga gjykata e seancës paraprake.

Njëkohësisht, për shkak se këto materiale nuk janë hapur, asnjë prej tyre nuk i është vënë në dispozicion mbrojtjes gjatë asaj faze proceduriale.

“Janë 35 fashikuj, ndodhen prova digjitale (CD/USB), të cilat rezultojnë të pahapura dhe, për rrjedhojë, të paanalizuara dhe të pavlerësuara nga gjykata e seancës paraprake. Njëkohësisht, për shkak se këto materiale nuk janë hapur, asnjë prej tyre nuk i është vënë në dispozicion mbrojtjes gjatë asaj faze procedurale”, tha Ndreca.

Ora 12:59
Veliaj kërkoi gjyq live/ Dumani: S’jemi kundër, por s’mund të ekspozohen dëshmitarët, nuk ndodh as në rajon, BE apo SHBA

1762373507_altindumani.jpg

Seanca në GJKKO për dosjen Veliaj u zhvillua me debate mes avokatit Plarent Ndreca dhe prokurorit të SPAK, Altin Dumani. Ai tha se akuza nuk ka asnjë problem që seancat të zhvillohen live, por sipas tij nuk mund të ekspozohen dëshmitarët dhe kjo nuk lejohet as në vende të rajonit apo në BE dhe SHBA. Dumani tha se Veliaj po përpiqet të zvarrisë procesin me kërkesa artificiale, por ky pretendim u mohua nga avokati i kryebashkiakut, Plarent Ndreca.

Pjesë nga diskutimet

Altin Dumani: Ne si organ akuze nuk kemi problem, por transmetimi live mund të shqetësojë procesin. Në çështjet penale ku ka dëshmitarë, veçanërisht bashkëpunëtorë të drejtësisë, nuk lejohet transmetimi live. Kjo nuk ndodh as në rajon, as në Evropë dhe as në gjykatat federale në SHBA. Mund të lejohen kamera për disa pamje filmike, por dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët nuk mund të ekspozohen”, tha Dumani.

Prokurori Ols Dado replikoi me avokatin Plarent Ndreca

Ols Dado: Pse vetëm ti do të flasësh? Prit, se ka kërkuar fjalën prokurori.

Altin Dumani: Kemi dy muaj që kemi kaluar në themel dhe vijojmë me seancat paraprake. Avokatët e Veliajt, në mënyrë të përsëritur, paraqesin kërkesa artificiale, sipas vlerësimit tonë, me qëllim zgjatjen e shqyrtimit gjyqësor.

Plarent Ndreca: Ne nuk kemi qëllim të zvarrisim procesin. I vetmi që mbahet në burg është Erion Veliaj dhe ai ka interes që ky proces të ecë sa më shpejt. Ne nuk pranojmë të vijojmë pa u garantuar një proces i rregullt ligjor.