Në seancën e parë të gjyqit në themel, Erion Veliaj arriti të fitonte atë që nuk kishte mundur gjatë gjithë seancave paraprake, pavarësisht kërkesave të përsëritura të tij. Trupa gjykuese, kryesuar nga Engjëllushe Tahiri, rikthyer nga Dubai pas bllokimit për disa ditë për shkak të situatës së luftës, dhe me anëtare Alma Kodraliu e Rudina Palloj vendosi që kryebashkiakut t’i jepet dosja e plotë hetimore në ngarkim të tij.

Mijëra faqe në 61 fashikuj, do t’i dorëzohen përmes një oficeri të Byrosë Kombëtare të Hetimit brenda një afati të shkurtër në paraburgimin e Durrësit, ku Veliaj ndodhet prej më shumë se një viti.

Kryebashkiaku nuk u paraqit në seancën e parë të gjyqit ndaj tij, duke u përfaqësuar nga avokatja e caktuar kryesisht Valentina Teodoresku. Ndërsa përmes një deklarate pretendoi se nuk është zhvilluar ende seanca paraprake dhe, sipas tij, procesi nuk mund të jetë në fazën e gjykimit në themel. Sipas Veliajt, gjyqtarja Etleva Deda i ka mohuar të drejtën për një mbrojtje efektive.

Në gjyq mungoi edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, përfaqësuar nga avokati Maks Haxhia, i cili informoi gjykatën se ajo është shtatzënë dhe mjeku i ka ndaluar lëvizjen për arsye shëndetësore. Po ashtu munguan, por u përfaqësuan nga avokatë, të pandehurit e tjerë, Klotilda Bushka, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi dhe Sokol Kryeziu. I vetmi i pandehur që u paraqit fizikisht në seancë ishte biznesmeni Elman Abule, i cili deklaroi se do të jetë i pranishëm edhe në vijim të procesit. Gjykata vendosi shtyrjen e seancës për datën 24 mars.

Gjykata e Posaçme vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të Erion Veliajt, bashkëshortes Ajola Xoxa, edhe 28 personave e shoqërive pjesë e së njëjtës dosje, më 9 shkurt. Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK dërgoi kërkesën për të kaluar dosjen për gjykim 5 muaj më parë.

Ndaj Veliajt janë ngritur akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg. Për rastet e dyshuara të korrupsionit, prokuroria thotë se ai ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga disa kompani të cilat kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Edhe bashkëshortja Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, njëjtë si Erion Veliaj dhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave. Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

-----------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:00
Nis gjyqi për dosjen Veliaj/ Ajola Xoxa dërgon avokatin! Mbrojtja: Është shtatzënë, ia ka ndaluar mjeku që të vijë

As Ajola Xoxa, bashkëshortja e Erion Veliajt nuk është paraqitur në GJKKO për gjyqin. Ajo ka dërguar në sallë avokatin Maks Haxhia, i cili ka deklaruar se Xoxa nuk mund të marrë pjesë në seancë pasi ia ka ndaluar mjeku të shkojë për shkak se është shtatzënë.

Haxhia: Klientja është në pamundësi shëndetësore, është shtatzënë, ia ka ndaluar mjeku që të vijë, i kam kërkuar të sjellë aktin e mjekut.