PS mbyll fushatën në Tiranë, Rama: Ne e ardhmja, PD e shkuara! 25 prilli dita e çlirimit nga demoni Berisha! Basha duket europian, por është korrier i të kaluarës (VIDEO)

TIRANË- Aty ku e nisën, aty edhe përmbyllën fushatën elektorale socialistët e Tiranës, pikërisht në sheshin 'Skënderbej'. Mandatin e tretë, kryeministri Edi Rama tha se duhet për Shqipërinë që ngjarja e Elbasanit, ku një person i pafajshëm i vra nga grupet e armatosura të PD-së, të jetë e para dhe e fundit.

Duke i quajtur "autokolonat e armatosura", Rama tha se ajo është e shkuara që nuk duhet të rikthehet më. 25 prillin, ai e quajti ditën kur shqiptarët do të ndahen nga "demoni Berisha" dhe do të çojnë në shtëpi Ilir Metën, për të cilin është turpi i gjithë shqiptarëve. Për Bashën, Rama u tregua më i butë, duke thënë se nuk është gjë tjetër veçse korrier i së shkuarës, edhe pse në pamje duket europian. Përtej këtyre tre figurave, që për Ramën personifikojnë historinë e së kaluarës, kreu i qeverisë tha se PS-ja është e ardhmja e vendit dhe prandaj të dielën duhet votuar numri 12.

Ngjarja e Elbasanit, shtoi Rama, i nxorri "zhveshur" demokratët, pasi vetëm pas këtij momenti ato zbuluan se kanë ngritur një grup të armatosur për të "mbrojtur votën". E përballë kësaj, numri një i socialistëve, tha se është momenti për t'u ndjerë më shumë se kurrë krenarë për patronazhistët që theksoi se nuk bëjnë gjë tjetër veçse dinë çdo hall të qytetarëve.

VIDEO/Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:35
Beteja e audiencës, të dy live njëkohësisht: Rama 44 mijë shikues direkt, Basha më pak se 2 mijë

Kryeministri Edi Rama ka fituar betejën e radhës online me kryedemokratin Lulzim Basha. Në takimin elektoral në Tiranë, për mbylljen e fushatës, Rama ka arritur deri në 44 mijë shikues në rrjetin social Facebook, e ndërsa kryedemokratin ka arritur maksimumi 1.5 mijë shikues.

Ora 19:34
Siç e nisi, Rama e mbyll fjalën e tij po me patronazhistët: Kanë tre ditë kohë për të provuar se nuk ka gjumë! S'do reshtim trokitjet derë më derë (VIDEO)

Me patronazhistët e ka mbyllur kreu i PS-së, Edi Rama, fjalën e tij në përmbyllje të fushatës në Tiranë, me të cilët edhe e nisi këtë aktivitet të madh.

Rama tha se ata kanë 3 ditë e 3 netë kohë për të provuar se nuk ka gjumë, ndërsa shtoi se nuk do të ndalojnë trokitjet derë më derë për të kërkuar vota për PS-në.

"Patronazhistë kanë këto tre ditë e tre netë ditët dhe netët e tyre, kohën kur karakteri i tyre duhet të provojë se nuk ka gjumë, nuk ka gjumë dhe nuk do të reshtim trokitjet derë më derë, në telefonat e të gjithë miqve, trokitjet kudo ku njihni njerëz jashtë Shqipërisë, kërkojini të telefonojnë ata që janë këtu. Padiskutim mos e harroni për asnjë moment, ka vetëm një numër që jeni ju, është numri 12 ", tha Rama.

Ora 19:29
Ironia e Ramës: Luli ka shtëpinë e Berishës për abdes, të Metës ku merr një shpullë nëse është sjellë keq (VIDEO)

Nuk i ka lënë ironitë, kryeministri Edi Rama, dhe ironis ës ë tij nuk i ka shpëtuar as kundërshtari politik, Lulzim Basha.

"Nuk i doni çitjanet se jeni modern, unë një cop katunari jam, po taksën TVSH ua kem hequr, ca doni më . E doni Lulin shumë, po a ia vlen që të rrisni taksën që të çosh Lulin të flejë, po Luli ka tre shtëpi, një pas kryeministrinë, ka dhe shtëpinë e Berishës për abdes dhe ka shpinë e Likes ku ka një shpullë që është sjellë keq", tha

Ora 19:25
Rama: Në 25 prill çoni në shtëpi Ilir Metën, turpi i të gjithëve! Turp kush e voton, ka lëshuar pëllumba e sorra bashkë (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama tha se në 25 prill duhet çuar në shtëpi Ilir Metës.

"Siç thotë Meta, vajza i lutet të shkojë në shtëpi dhe të mos pijë. E pra në 25 prill çoni në shtëpi Metën, boll mjaft, Meta është turpi ynë i gjithë popullit shqiptar, turpi më i madh që Shqipëria ka mundur të ketë në krye, ai turp duhet zhbërë në 25 prill dhe turp kush voton Metën, turpron veten, familjen e tij. Boll se nuk është Shqipëria pengu i një njeriu që ka lëshuar pëllumbat dhe sorrat bashkë", tha Rama.

Ora 19:17
Rama ironizon Bashën: Është kurdisur tani dhe bën si njeriu që mendon thellë! Duket sikur sa ka dalë nga sauna, jo sikur ka 8 vite në opozitë (VIDEO)

Në fjalën e tij në aktivitetin e përmbylljes së fushatës në Tiranë, kreu i PS-së,  Edi Rama nuk la pa ironizuar as kreun e PD-së, Lulzim  Bashën. Sipas Ramës, për Bashën politika është një "shfaqje" që ndodh vetëm kur ka kamera dhe se tani, në fushatë elektorale "është kurdisur si njeriu që mendon thellë". Për kryesocialistin, Basha duket më shumë si një person që sapo ka dalë nga sauna dhe jo sikur ka 8 vite në opozitë. Ai bëri diferencën me PS-në, ndërsa rikujtoi edhe njëherë punën që është bërë për të përballuar pasojat e tërmetit të 26 nëntorit dhe luftën me koronavirusin, që e konsideroi "një tunel rraskapitës", nga i cili Shqipëria duket se po del.

"Kurrë mos pranoni të udhëhiqeni nga dikush që është i kënaqur, kurrë mos besoni ata që e kanë të shkruar në ballë që kanë një jetë pa teklif, që nuk duan tja dinë e u gdhi, por që dielli të nxehë që t'i hapen sytë, ata që e dinë se politika është një shfaqje që ndodh vetëm kur ju vë kamerën përpara dhe pasi mbaron fushata jua lënë takimin te tramvaji i Tiranës. Këto janë ditët për të kuptuar se jemi në një udhëkryq dhe se kush voton nuk voton për pragun e shtëpisë, por për t'i dhënë një shtysë të jashtëzakonshme këtij vendi, në mënyrë që dhe ato hallet e tij të mund të zgjidhen sepse ne nuk po vijmë nga pushimet këtu, ata po vijën nga pushimet pasi u torolisën me vite e vite nëpër Shqipëri, duke braktisur detyrat dhe duke u hargaliusur e çuditur dynjanë me plane të çuditshme. Tani është kurdisur Luli dhe shfaqet si njeriu që po mendon thellë, që ta fusë Shqipërinë në BE për 4 vite dhe shikojeni në fytyrë, ky sikur sa ka dalë nga sauna, jo sikur ka 8 vite në opozitë. Ndërkohë që ne dhe të gjitha familjet shqiptare nuk po dalin nga sauna, por nga një tunel rraskapitës që për ne u hap përpara se sa për botën, që na erdhi nga lart si për të na thënë boll u sherrosët me njëri-tjerin sepse unë kur e bëra Shqipërinë e bëra me kënaqësinë më të madhe, vura dy dete, male me dëborë dhe ju lash mbi kokë një diell që ngroh çdo pllajë, boll se ju dhashë shumë lumenj dhe keni më shumë ujë, liqene, pyje. Dhe në ndërkohë ne u bëmë bashkë, u bënë bashkë shqiptarët, solidariteti i shqiptarëve me ata që humbën shtëpinë, ishte i pari, por ne nuk duhet të bëhemi bashkë vetëm kur shohim të vdekurit para syve, por kur shohim të ardhmen para syve. Ne nuk jemi një brumë frikacakësh e hileqarësh, por i atyre që na kanë lënë amanet edhe i atyre që do t'u lemë Shqipërinë, fëmijëve tanë", tha Rama.

Ora 19:04
Rama: Basha duket si europian, por është korrier i historisë që në 25 prill duhet të bëhet e shkuar (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama tha se Lulzim Basha, në ndryshim nga sa duket si një lider europian, ai nuk është gjë tjetër veçse një korrier i historisë së shkuar, që sipas tij në 25 prill duhet të marrë fund.

" Nuk do të ketë politikanë të cilët do të mund ta marrin përsipër të bëhen korrierët e atij mallkimi, historia jonë ka plot raste kur në momentet që sfidat janë bërë të rënda, korrierët janë shfaqur dhe u kanë folur shqiptarëve me zëra joshës që u thotë "ky vend nuk bëhet prandaj kap ca të kapësh', dhe historia e kanë treguar se shtrenjtë e kanë paguar shqiptarët vajtjes pas berihait. Basha nuk është pjesë e asaj që mundon mendjen e njerëzve, sepse nuk ka forcë që del nga nevoja e brendshme për çfarë do ndryshimi, sfide të një populli dhe që shfaqet me brutalitetin e paramilitarëve dhe është e gatshme që të marrë jetën njerëzve. Basha shfaqeje e një forme të ndryshme në dukje europianiste, hajd se nuk është tip im, i shkathët, i buzëqeshur, i okllaisur, por nuk është një nevojë e nxjerrë nga aspirata, është korrieri i radhës i një historie që në 25 prill duhet të bëhet pjesë e së shkuarës", tha Rama.

Ora 18:54
Rama-patronazhistëve: Pas ngjarjes në Elbasan, më krenar se kurrë për ju! Ata dolën zhveshur në të gjithë përmasën e karakterit (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në mitingun përmbyllës të Partisë Socialiste nuk la pa përmendur edhe njëherë patronazhistët, ndërsa iu rikthye edhe njëherë ngjarjes së rëndë që ndodhi dje në Elbasan.

"Po këtu sot duhet ta filloj me patronazhistëtë dhe patronazhistete e PS. Me të gjitha vajzat e djemtë, gratë e burrat dhe ata që megjithëse kanë dalë në pension, nuk heqin dorë nga kjo punë fisnike brenda familjes sonë. Dua t'ju them se unë kam qenë gjithnjë krenarë për ju, pro pas asaj që ndodhi dje në Elbasan, unë jam më shumë se kurrë krenarë për ju. Ata bëjnë çmos që t'ju lëndojnë, t'ju cenojnë, t'ju dekurajojnë, ata madje bëjnë çmos që t'ju poshtërojnë dhe ka Zot sepse ata që i bënë të gjitha ato kundër jush, dolën zhveshur, por jo si unë zhveshur, sepse ashtu s'dalin dot as ashtu, por dolën zhveshur në të gjithë përmasën e karakterit ët tyre, kur pa pasur asnjë pikë turpi, pasi e gjithë Shqipëria u trondit nga humbja e një jete, morën përsipër t'u thonë shqiptarëve se ata e kanë një grup të armatosur të shpërndarë kudo. Unë besoj që sot kush ende nuk e ka kuptuar diferencën e madhe mes jush dhe atyre, mes nesh dhe të atyre, duhet t'i vë gishtin fort kokës", tha Rama.

Ora 18:51
Rama: PS e ardhmja, PD e shkuara! 25 prilli dita kur të djathtët do të çlirohen nga demoni Sali Berisha (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama tha se PS është e ardhmja, e ndërsa PD e shkuara. Sipas tij, 25 prilli është dita kur PD duhet të çlirohet nga demoni që po e lë pas Shqipërinë, dhe këtu i referohet ish-kryeministrit Sali Berisha.

"Thika e urrejtjes dhe e ndasisë është futur deri në kockë dhe pasi ndalon njerëz dhe të lësh viktima do të thotë që për ty njerëzit janë njerëz vetëm kur futen në autokolonën tënde, dhe ky episod tragjik duhet t'i bëj të gjithë shqiptarët të zgjohen dhe të kujtojnë se çfarë mund t'i bëjnë vendin edhe pas 30 vitesh dhe të kujtosh se sa herë ka pasur humbje jete, plagë të shkaktuara jo nga Zoti, por nga robi, aspak çuditërisht ato lidhen me ta dhe sot të jesh i djathtë, mund të jesh kundër nesh është normale, por nëse sot si i djathtë ti ia do të mirës  asaj force që ende sot e mban demonin brenda, ti duhet ta çlirosh nga demoni duke e braktisur në 25 prill. 25 prilli dita që duhet të çlirohet nga demoni, që i detyron shqiptarët të kthehen në rrethin vicioz, ato janë rruga e të shkuarës, PS e ardhmja. Kur njeriu shkon dhe voton, përgjithësisë gjykon të tashmen dhe e tashmja e tij e zvogëlon peshën që ka vota se mund të ketë një hall që lidhet me pragun e shpisë dhe nuk i bën përshtypje asgjë që ndryshon larg atij pragu, dhe ky pragu e bën të thotë "nuk i votoj këta".

Ora 18:50
Fushata përmbyllës e PS në Tiranë, Rama e nis fjalën me një përshëndetje për Zahon: Donte të vinte, por Linda nuk e la (VIDEO)

Me një përshëndetje për të birin, Zahon e ka nisur kryeministri Edi Rama fjalën e tij në aktivitetin e fushatës përmbyllës në Tiranë, në Sheshin Skëndebej. Ai tha se Zaho kishte kërkuar të vinte në aktivitet, por se nuk ishte lejuar nga e ëma Linda, e cila i kishte thënë se nuk mund të shkonte pasi nuk mund të votonte.

"Me lejen tuaj dua të përshëndes Zahon nga këtu sepse donte të vinte, por Linda i tha 'Zaho t'i nuk mund të shkosh atje sepse nuk mund të votosh. Po mirë tha ai kur do votoj unë?' Ti kur të rritesh, po mirë tha, kur të rritem ti do më votosh mua? Unë nuk i thash se për këtë duhet të bëjë shumë patronazhime", tha Rama.

Ora 18:40
Veliaj: Më mirë patronazhisht se paramilitarët e Saliut dhe Metës! E thanë dhe SHBA-BE, ajo botë i përket të shkuarës (VIDEO)

Gjatë fjalës së tij, në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale të Partisë Socialiste në Tiranë, drejtuesi politik për kryeqytetin, Erion Veliaj tha se më mirë të kesh patronazhistë që u shërbejnë njerëzve, se sa paramilitarë të Saliut dhe Ilirit që vrasin njerëz.

"Më mirë patronazhisht, se paramilitarë të Ilir Metës dhe Saliut që i marrin jetën. Ne jemi bota e patronazhistëve, e atyre që dinë çdo hallë e nevojë, atyre që Trokasin derë më derë, se ne jemi PS, por ka edhe një botë tjetër, është bora e paramilitarëve, është e xhamave të errët, e atyre që bllokuan Rinasin, e atyre që kanë bllokuar çdo rrugë, është e atyre që bëjnë zhurmë me makina, e viteve '90, një botë komplet tjetër, që nuk ka lidhje me Europën, një botë që siç thanë SHBA-BE është e shkuar, përplasen 2 botë, kush voton PD-LSI bën një tradhti familjare, se të votosh për ata që bllokojnë rrugën, shkollat, vaksinat, rindërtimit, do të thotë se po voton kundër familjes tënde. Më mirë të shkrihet LSI se të digjet Shqipëria. Saliu ka kapur moshën e Enverit dhe ka kapur Shqipërinë", tha Veliaj.

Ora 18:38
Majko ftesë opozitës: Boll shëtite rrugët, ka ardhur koha t'i përvishemi punës së bashku (VIDEO)

Në fjalën e tij në fushatën përmbyllëse të Partisë Socialiste, Pandeli Majko i bëri ftesë për bashkëpunim opozitës, duke përsëritur të njëjtën ftesë që kryeministri Edi Rama i ka adresuar më parë PD-së.

Majko tha se qeverisja e ardhshme e PS-së nuk do të vijë si shuplakë, por si dorë e shtrirë për bashkëpunim, ndërsa shtoi se opozita duhet të dijë të kthehet brenda në sistem.

Ai iu drejtua opozitës duke thënë i thënë "boll shëtite rrugët" dhe se "ka ardhur koha t'i përvishemi punës së bashku".

"Jemi mbledhur me një mesazh të vetëm, na votoni sepse duke votuar për numrin 12, votoni mekanizmin më të fuqishëm për të ndryshuar Shqipërinë dhe historinë e saj. Duke votuar 12, ju bëni një shiringë kundër mikrobeve të së ardhmes në kutinë e votimit, votoni për një tullë më shumë në shtëpitë  e rindërtuara, për një shpresë më shumë në investime, ju votoni që për të përndjekurit të vijojë dëmshpërblimi, që për pensionistët të rriten pensionet. Këto nuk janë vetëm fjalë por dy mandate që ne i kemi hedhur si skelete te banesave dh etani ka ardhur momenti që të gjithë bashkë, në aleancën më të madhe, në aleancën me qytetarët dhe me dorën drejtuar karshi kundërshtarëve tanë, sepse data 25 nuk do ketë vetëm fitimtarë numrin 12, pro dhe ata që do të jenë humbës. Shqipëria është e të gjithë shqiptarëve. Qeverisja  e ardhshme nuk vjen si një shuplakë, por dorë e shtrirë për bashkëpunim dhe për të bashkëqeverisur Shqipërinë sepse ne do qeverisim dhe opozita duhet të dijë të kthehet brenda në sistem. Boll shëtiti rrugët, tani ka ardhur koha që sëbashku t'i përvishemi punës. Na votoni sepse do të ndryshojmë vetë për të ndryshuar Shqipërinë", tha Majko.

Ora 18:27
Balluku: Në 25 prill votoni patronazhistët më të mirë të Ballkanit (VIDEO)

Kandidatja për deputete e PS-së, njëherazi ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ftoi qytetarët që të votojnë socialistët, pasi sipas saj ata janë ndryshe nga kundërshtarët.

"Ne jemi ndryshe nga ata, nuk dimë të tallemi me njerëzit, ne bëjmë premtime, mbajmë premtime, zgjidhim probleme, jemi në krye të situatave, të çdo halli dhe ashtu siç thotë Rama ne dimë t'i qajmë hallet, t'i zgjidhim ato. Zgjedhjet për të ndërtuar shkolla, kopshte, shtëpitë e qytetarëve që humbi shtëpinë gjatë tërmetit, për të ndërtuar gjithçka kemi premtuar, për një të ardhme më të mirë për këdo që do të jetojë në këtë vend që e ka bekuar Zoti. Në 25 prill votoni patronazhistët më të mirë të Ballkanit, ne që dimë të patronazhijomë këdo, edhe ata që kanë humbur rrugën dhe e çojnë votën kotë, në 25 prill të gjithë të bashku, për t'iu përgjigjur çdo akti të neveritshëm që ul imazhin e Shqipërisë", tha Balluku.

Ora 18:25
PS mbyll sot fushatën në Tiranë, Luljeta Bozo: Vota është e shenjtë dhe duhet të shkojë në drejtimin e duhur, PS forca më progresiste në vend (VIDEO)

Partia Socialiste po zhvillon sot në Sheshin "Skënderbej" aktivitetin e madh përmbyllës të fushatës në Tiranë. E para në listën e PS për Tiranën, inxhinierja Luljeta Bozo kërkoi voton e qytetarëve për PS-në, duke e konsideruar forcën më progresiste në vend. Sipas Bozos, vetëm duke votuar PS-në, çdo qytetar do të jetë i qetë se ka bërë detyrën e tij ndaj familjes dhe vendit.

"Jam krenare si gjyshe që po përfaqësoj një brez që ka punuar me vendosmëri të pashoq për vendin. Një brez i heshtur që ka energjinë dhe pjekurinë për të qenë këshilltarë orë të gjitha fushat  e jetës sonë. Ju ftoj të gjithëve të shkojmë të votojmë më 25 prill sepse jemi të lirë të lëvizim në saj të vaksinave që sigurojë qeveria jonë që na dha mundësinë të gëzojmë nipër e mbesa e të gëzojmë jetën me sa më shumë mundësi që kemi, meqenëse armikun e padukshëm po e mposhtim. Jemi në fund të fushatës sonë, që ka qenë brenda të gjitha rregullave, duke patur në vëmendje respektin për njëri-tjetrin. Si gjyshe dhe shkencëtare mendoj se ne nuk duhet të reshtim asnjë minutë punë tonë, të punojmë në mënyrë që të realizojmë me sukses rindërtimin e shtëpive të rrënuara nga tërmeti të mposhtim këtë armik të padukshëm dhe të ndërtojmë rrugë, me porte e aeroporte dhe të bëjmë që nipërit e mbesat tona të gëzojnë Shqipërinë tonë. Vota jonë është shumë e rëndësishme, është  e shenjtë, individuale dhe duhet të shkojë në drejtimin e duhur, për PS që është forca më progresiste në vendin tonë dhe në këtë mënyrë do jemi të qetë që kemi bërë detyrën tonë, ndaj familjes ndaj vendit tonë", tha ajo.

Ora 16:30
Pak orë para takimit përmbyllës, Rama publikon pamjet: Tirana e 25 prillit është lokomotiva e fitores së qytetarisë ndaj barbarisë

Partia Socialiste do të zhvillojë ditën e sotme mitingun përmbyllës në kryeqytet. Kryeministri Edi Rama ka publikuar një pjesë të skenografisë së organizuar në sheshin ‘Skëndërbej’, ku shihen të vendosura në mënyrë strikte dhe me distancë sociale dhjetëra karrige. Rama shkruan se Tirana e 25 prillit do të jetë lokomotiva drejt fitore ndaj errësirës.

‘TIRANA e 25 Prillit Lokomotiva e Fitores së Dritës ndaj Errësirës, Qytetarisë ndaj Barbarisë, Punës ndaj Dhunës, Hijeshisë ndaj Shëmtisë, Shqipërisë ndaj Paudhësisë.’- shkruan Rama.

 

Ora 15:04
PS gati për takimin përmbyllës në Tiranë, Veliaj publikon videon: Jemi gati!

Gjithçka është gati për takimin përmbyllës të PS sot në orën 18:00 në Tiranë.

Ajo që spikat është skenografia e veçantë e zgjedhur. Mijëra karrige janë vendosur në sheshin “Skënderbej” duke formuar trëndafilin si simbol të PS dhe ku në qendër është një podium rrethor ku do të ngjiten folësit me radhë.

“Jemi gati! Voto 12 PS”, shkruan Veliaj në rrjetin e tij social Facebook krahas videos së postuar.

K.T./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Super lartmadhnia: 22/04/2021 20:30

    Uau,foli vetëm për PD, Saliu,Saliu, Saliu, Saliu, duket si viti 2013, porpas 8 vitesh ne pushtet, te ben për te qajt e te qesh. Lali Eri ta gezosh, ta dorezoje sot.

    Përgjigju
  • Fatosi-kosove: 22/04/2021 19:59

    Ai qe voton PD-n dhe LSI-n voton krimin dhe kriminelet,voton per vrasje e plaqkitje,voton per drogen,greqise e serbine,pse kujt i sherbejne dulle greku e fazlliq shkau, kjo dihet greqise e serbise kurse ne shqiperi vetem treshes vrastare berishes, bashes e metes.

    Përgjigju
  • Lexues: 22/04/2021 19:43

    Wow ku jane ato mitingjet e vendosura me precision?

    Përgjigju
  • Tanusha: 22/04/2021 19:13

    Qeverisja e PS duhet te krahasohet me ate cfare duhej bere dhe sa eshte arritur. Kurse krahasimi me PD LSI eshte i papranueshem. Keto dy parti jane ato qe duan ta shkaterrojne kete pak shtet qe po ben kaq shume vite te stabilizohet. PD LSI perfaqesojne korrupsionin dhe krimin ne vend qe kulmoi me bashkeqeverisjen e tyre.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

FOTOLAJM/ Ja si bllokohet trafiku në zonën e Bllokut në Tiranë

FOTOLAJM/ Ja si bllokohet trafiku në zonën e Bllokut në Tiranë