Liderët e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Bruksel për samitin vjetor, ku në fokus ishte zgjerimi i BE-së dhe përparimi i vendeve të rajonit në reformat për anëtarësim. Takimi u mikprit nga presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Kryeministri Edi Rama i kërkoi BE-së të ketë guximin t’i sjellë në tryezë të gjitha vendet kandidate. Sipas tij, ky hap do t’u jepte një sinjal të fortë qytetarëve të rajonit, duke ruajtur parimin që secili vend të përparojë sipas meritës.
"Mbetem i bindur se BE-ja duhet të ketë guximin të bëjë një hap të guximshëm përpara, duke sjellë të gjitha vendet kandidate rreth tryezës, pa ndryshuar procesin e bazuar në meritë për secilin vend, por duke u dhënë një sinjal të fortë qytetarëve tanë dhe botës”, tha Rama.
Rama u pyet edhe për çështjen e Belinda Ballukut dhe tha se lufta që Shqipëria po bën kundër korrupsionit është një nga arsyet pse vendi duhet të konsiderohet një kandidat serioz për anëtarësim në BE.
“Ajo që Shqipëria po bën kundër korrupsionit është e paprecedentë në rajon dhe kjo është pikërisht arsyeja përse Shqipëria duhet të konsiderohet një vend kandidat shumë, shumë serioz. Nëse deri jo shumë kohë më parë Shqipëria portretizohej gjithmonë si një vend ku ishte ngulitur kultura e pandëshkueshmërisë dhe ku korrupsioni ishte vetë sistemi, sot Shqipëria është një vend ku sistemi po lufton fuqishëm korrupsionin", tha Rama.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën është vonuar prej kohësh dhe tashmë është urgjente. Ai kërkoi që BE-ja t’i japë Kosovës statusin mbi bazën e përparimit të saj në zhvillimin demokratik, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Në samit marrin pjesë liderët e pesë prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Serbia mungon për herë të dytë. Presidenti në detyrë, Aleksandër Çupiç, nuk merr pjesë këtë vit, ndërsa zyrtarët e kanë mirëkuptuar mungesën për shkak të periudhës së tranzicionit pas zgjedhjeve. Në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti i atëhershëm Aleksandër Vuçiç e bojkotoi samitin pas moshapjes së grupkapitullit të tretë të negociatave me BE-në.
Krerët e BE-së vlerësuan gjithashtu progresin në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor me BE-në, veçanërisht përmes Planit të Rritjes dhe premtuan që realizimi i reformave do të zhbllokojë të tjera fonde për vendet kandidate.
-
Korrupsioni eshte i paprecedente ne rajon or teeeejjjjj
Përgjigju










Komente
Komento