Mbyllet legjislatura 2017-2021, Ruçi në fjalimin e fundit si politikan, merr lule dhe duartrokitjet e kolegëve: Gjeneratat e tjera do ta bëjnë Shqipërinë më të mirë

TIRANË- Ditën e sotme u zhvillua seanca e fundit plenare në këtë legjislaturë, ku deputetët e opozitës dhe një pjesë e konsiderueshme e atyre të mazhorancës, folën sot për herë të fundit nga foltorja e Kuvendit.

Në seancën e sotme plenare, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, teksa bëri një bilanc të 4 viteve, foli edhe për vendimin e tij për t'i dhënë fund me politikën në shtator.

"Si një prej deputetëve më të hershëm në këto 30 vite do të shprehja mirënjohjen dhe vlerësimin për të gjithë deputetët e këtyre legjislaturave. 16 vite në mazhorancë dhe 14 vite në opozitë. Në garat zgjedhore jam karakterizuar nga sinqeriteti. Kam ardhur si shërbye publik dhe kam shërbyer me përkushtim dhe dinjitet. Nëse nuk kam bërë atë që shqiptarët kanë pritur, jo se skam dashur dhe nuk kam ditur por nuk kam mundur. Gjeneratat e reja do ta bëjnë Shqipërinë një vend më të mirë për të jetuar, një vend më të mirë për të gjithë", tha Ruçi, i cili në fund mori edhe një buqetë me lule dhe duartrokitje e forta të kolegëve për të gjithë kontributin e tij.

I dha sot lamtumirën kuvendit edhe deputetja e PS, Vasilika Hysi, e cila nuk i fshehu emocionet gjatë fjalës së saj, ndërsa tha se pavarësisht se janë bërë shumë gjëra të mira, ka sërish ende shumë gjëra të tjera për t'u bërë.

Myslym Murrizi e 'shfrytëzoi' fjalën e tij të fundit në Kuvend për të bërë një sërë akuzash të forta, ku ndalur te arrestimi i kryebashkiakut të Lushnjes Fatos Tushe dhe zyrtarët e tjerë, i bëri thirrje SPAK të gërmojë akoma më thellë për tenderat abuzivë.

Ndërkohë, fjalimin e tij të fundit në Kuvend, Ralf Gjoni e ka mbyllur me falenderime, teksa e konsideroi parlamentin e këtyre 2 viteve si më të mirin.

Kuvendi miratoi sot të gjitha pikat në rendin e ditës, ku u zgjodh edhe kryetarja  e re e AMA-s, Armela Krasniqi e cila mori 83 vota, përkundër 9 votave që mori Alketa Dibra, e cila ishte po ashtu në garë për këtë pozicion.

Rendi i ditës në Kuvend

 

VIDEO/ Duartrokitjet e kolegve ndaj Gramoz Rucit

(Kliko këtu për Aktivitetin e Kuvendit në seancën plenare datë 7 korrik 2021)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:09
‘O langaraq me dy fytyra’, revoltohet deputeti i opozitës, kritikon Brukselin për mos hapjen e negociatave:  Me kë talleni ju, para disa vitesh ishit pa brekë

Deputeti i opozitës në parlament, Besnik Troplini ka habitur me fjalimin e tij në Kuvend ku ka përdorur shumë ofendime në drejtim të Brukseli, pse nuk negociatat dhe vendosjes një datë për konferencën e parë ndërqeveritare. Duke i cilësuar ‘si “langarqë’ dhe ‘ me dy fytyra’, tha se Brukseli nuk e njeh fare realitetin e Shqipërisë dhe se nuk mund të tallen me shqiptarët.

“Dëgjuam avokaten e popullit dhe raportin e kryetarit të Kuvendit që bëri një pasqyrë të plotë të kësaj legjislature. Të gjithë shqiptarët e kishin mendjen tek takimi i Luksemburgut ku do caktohej data për takimin e parë ndërqeveritar për hapjen e negociatave. Kjo nuk ndodhi. Pse ne do i zgjidhim mosmarrëveshjet që ka Maqedonia me Bullgarinë. Brukseli ka qeveri me dy fytyra. Nuk e njohin fare realitetin e Shqipërisë por merren me telefonata. Durimi e ka njëfarë kufiri. Mos ta marrin më Shqipërinë nëpër gojë. Me kë talleni ju më mër langaraqë. Kush keni qenë ju. Më çdo 9 maj mblidheni. Para disa vitesh ishit në mes të rrugëve pa brekë ishit. Kur Berlusconi propozoi që për vendet post komuniste në Ballkan, duhet një plan marshall, kancelaritë mbyllën dyert. Në BE janë ca zagarë. Vetë thanë që kemi plotësuar kushtet. Nëse nuk doni ne në punën tonë ju në punën tuaj. Shqipëria ka Amerikën dhe Italinë. Më vjen keq se prisnin një datë për hapjen e negociatave, por kjo nuk ndodhi”, tha Troplini .

Ora 15:53
Fjalimi i fundit në Kuvend, emocionohet Vasilika Hysi: Kemi bërë gjëra të mira, por mbetet ende shumë për t'u bërë

 

Pas 12 vitesh në politikë, deputetja socialiste, Vasilika Hysi, njëherazi edhe nënkryetare e Kuvendit, ka mbajtur sot fjalën e saj të fundit në Kuvend. Hysi nuk i fshehu emocionet, ndërsa tha se e mbylli këtë periudhë angazhimi me shumë përgjegjësi dhe dilema nëse është bërë më e mira, apo nëse mund të ishte bërë edhe më mirë.

Hysi tha se në këto vite është bërë shumë, duke përmendur reformën në drejtësi, por theksoi se mbetet ende shumë për t'u bërë. Ajo nuk la pa falënderuar edhe kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçin dhe kryeministrin Edi Rama.

"Para 12 vitesh PS dhe mbështetësit më zgjodhën deputete. Për mua dhe shumë kolegë që sot është seanca e fundit, ky moment ka emocione pasi mbyllet një periudhë angazhimi me shumë përgjegjësi me dilema nëse kemi bërë më të mirën apo mund të kishim bërë edhe më mirë, a e kemi përmirësuar jetën e njerëzve. Kur kthehesh pas në kohë vëmë re se shumë gjëra do i kishim bërë ndryshe. Koha do e tregojë ku kemi gabuar. Por shumicën e rasteve kemi bërë gjëra shumë të mira. Kemi çuar përpara reforma të vështira që kanë pasur edhe kundërshtitë e tyre. Arritëm mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kam qenë e nderuar dhe e privilegjuar për krijimin e nënkomisionit të të drejtave të njeriut. Ka ende shumë për të bërë. Dimensioni dhe zëri i atyre që nuk kanë zë, ka ardhur në parlament nga gra dhe burra. Kemi bërë atë që shumë kolegeve tona i është dashur më shumë për të bërë. Gratë dhe burrat që do ulen në këtë sallë të çojnë përpara këtë fokus. Falë edhe mirëkuptimit dhe mbështetjes të Taulant Ballës dhe Gramoz Ruçit në vitet 2017-2021 u bë e mundur të ndërmarrim nisma ligjore shumë të mira. Kemi kthyer në realitet ëndrrat e shumë grave dhe vajzave që ka dashur që zëri të dëgjohet. Si anëtare e vetme grua në reformën në drejtësi, ndihem e privilegjuar për arritjet, kodin e drejtësisë penale për të miturit. Falënderim të veçantë për kryetarin. Falënderim për punën e stafit të Kuvendit. Falënderoj një për një anëtarët e Kuvendit të Shqipërisë në çdo nivel të cilët me punën e tyre të palodhur kanë bërë të mundur mbarëvajtjen e punimeve në Komisione dhe nënkomisione.  Respekt dhe mirënjohje një për një me ta. Më vjen keq që një pjesë prej tyre na i kanë marrë institucionet e tjera. Së fundmi, në 12 vite karrierë vlerësoj punën e bërë nga parlamenti për rritjen e bashkëpunimit me qytetarë, media. Respekt dhe mirënjohje edhe atëherë kur kemi ndarë mendime ndryshe. Vlerësoj dhe them që ky parlament është bërë më i mirë falë bashkëpunimit, kritikave. Roli dhe zëri i shoqërisë civile, në mënyrë të veçantë i mediat merr një natyrë të veçantë. Ne jemi këtu edhe falë mbështetjes që na ka dhënë kryetari i partisë. E falënderoj për mbështetjen në këtë rrugëtim të gjatë", tha Hysi.

Ora 15:44
Denaj: Fiskalizimi synon të ulë informalitetin, mbështesim biznesin me mos aplikim penalitetesh deri në 1 janar 2022

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancë plenare Aktin Normativ nr. 27, për një shtesë në ligjin “Për procedurat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi para deputetëve Aktin, synimi i të cilit është që, deri në 1 janar të vitit 2022, mos aplikojë penalitete ndaj tatimpaguesve, të cilat rrjedhin si pasojë e mosimplementimit në kohë të ligjit nr.87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”. Ministrja tha se Akti Normativ vjen në mbështetje të bizneseve në një fazë të rëndësishme të aplikimit të procesit të Fiskalizimit.

Ndërsa vlerësoi se Fiskalizimi është një reformë madhore e qeverisë, Ministrja Denaj ftoi bizneset që ta shfrytëzojnë periudhën 6 mujore të mos aplikimit të penaliteteve për të përmbushur detyrimet që rrjedhin si pasojë e zbatimit të ligjit.

“Në 1 janar të këtij viti ka filluar zbatimi i fazës së parë të këtij projekti, në 1 korrik të këtij viti ka filluar zbatimi i fazës së dytë dhe konkretisht të marrëdhënieve që ndodhin nëpërmjet sistemit bankar, ndërsa në datën 1 shtator do implementohet faza e tretë, e cila përfshin të gjitha marrëdhëniet me para në dorë apo qarkullimi që ndodh në çdo kasë fiskale. Dua të theksoj edhe njëherë se, vërtet aplikimi i gjobës fillon në 1 janar të vitit 2022, por kjo nuk do të thotë që Fiskalizimi të mos jetë objektiv i çdo biznesi, ndaj çdo dite që kalon”, u shpreh Denaj, ndërsa shtoi se Administrata Tatimore vijon punën e saj për ndërgjegjësimin dhe trajnimin e tatimpaguesve.

Ministrja nënvizoi faktin se ulja e informalitetit është objektiv madhor i qeverisë dhe, në këtë kuadër, reforma e Fiskalizimit, e cila do të mundësojë raportim në kohë reale të transaksioneve që kryejnë bizneset, do ndihmojë në këtë proces.

“Sot është koha ku sistemet dhe leximi i duhur i gjithë të dhënave të qarkullimit të informacionit të ndodhë, si një domosdoshmëri e kohës, por edhe si një domosdoshmëri e buxhetit të shtetit për të realizuar më shumë të ardhura, për të realizuar më shumë punë publike dhe për të konsoliduar financat e këtij vendit, drejt uljes së borxhit dhe deficitit”, theksoi Denaj.

Nga ana tjetër, Ministrja ftoi qytetarët që të bëhen pjesë e uljes së informalitetit në ekonomi, duke kërkuar faturat për shërbimet që marrin, dhe ftoi bizneset të përmbushin detyrimet ligjore që rrjedhin nga zbatimi i Fiskalizimit, të cilat qeveria i mbështet duke mos aplikuar penalitete deri në 1 janar të vitit 2022.

Ora 15:36
Tjetër marrëveshje me Pfizer për 23,400 doza, Manastirliu: Vaksinime derë më derë, presim mbi 400 mijë doza vaksinash brenda gushtit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e ka nisur fjalën e saj në seancën e fundit të Kuvendit të Shqipërisë për këtë sezon, me një falenderim për vaksinatoret dhe të gjithë ekipin e shëndetësisë, që i’a kanë dalë të kryejnë mbi 1 milion vaksinime deri tani.

“Nuk është shifra qëllim në vetvete por janë jetë të mbrojtura nga koronavirusi dhe është garancia se, nëse vijojmë me këto ritme, jemi në rrugë të mbarë për zmbrapsjen përfundimtare të armikut të padukshëm”, tha Manastirliu.

Në fjalën e saj Manastirliu tha se përpjekjet e qeverisë shqiptare vijojnë për të siguruar të gjitha vaksinat e nevojshme, për t’I dhënë mundësinë çdo qytetari për t’u vaksinuar.

“Ne presim shumë shpejt, gjatë muajve korrik-gusht mbi 400 mijë doza të vaksinave që do të mbërrijnë në kuadër të kontratave ekzistuese. Ndërkaq me aktin që miratojmë sot në Kuvend, do të bëjmë të mundur që të vijnë edhe 23,400 doza të vaksinës Pfizer, si pjesë e instrumentit Covax, ku Shqipëria është pjesë që në krye të herës”, bëri me dije Manastirliu.

Duke shprehur angazhimin e gjithe ekipit të shëndetësisë për të vijuar me vaksinimin masiv, Manastirliu tha se përmes njësive të lëvizshme të vaksinatorëve, do të shkohet në çdo komunitet, për të rritur mbrojtjen për qytetarët.

“Ne jemi të organizuar për të shkuar derë më derë, në çdo komunitet ku ka ende xhepa të pambuluar të të vaksinuarve, me programin tonë të vaksinimit me njësitë e lëvizshme tashmë, për të targetuar grupet vulnerabël, për të shmangur shpërthimet epidemike dhe për të rritur mbrojtjen për qytetarët, duke i vaksinuar kundër Covid19”, tha Manastirliu.

Duke folur për variantin e ri të virusit Delta, Manastirliu tha se në vendin tonë nuk ka raste të konfirmuar të prekura nga ky variant, por foli për gatishmëri të të gjithë strukturave.

“Kërcënimi Delta mbetet një kërcënim real, serioz edhe për vendin tonë, në një kohë kur po qarkullon në 90 vende të Botës dhe ashtu sikurse evidencat tregojnë, ka një përhapje të shpejtë, të egër, edhe në disa vende europiane edhe në vendet e rajonit. Strukturat tona janë në situatë alerti, për të monitoruar të gjitha rastet. Aktualisht nuk kemi një prezencë të këtij varianti në Shqipëri, pra nuk kemi sinjale laboratorike që tregojnë që ky variant po qarkullon në vendin tonë, por ne jemi duke monitoruar çdo rast, me shumë kujdes”, tha Manastirliu.

Në Shqipëri kanë mbërritur deri tani 1,120,070 doza vaksine ndaj COVID-19. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,000,063 vaksinime, ndërsa 423,158 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.

Ora 13:15
Arrestimet në bashkinë Lushnje, Murrizi: SPAK të gërmojë, po u hapën letrat u shterojnë listën! Këtu ftohet Luli, teshtin Rama! Ndryshimet në polici, servis gomash

 

Në fjalimin e fundit si deputet, Myslym Murrizi ka bërë akuza të forta. Ndalur te arrestimi i kryebashkiakut të Lushnjes Fatos Tushe dhe zyrtarët e tjerë, Murrizi i ka bërë thirrje SPAK të gërmojë akoma më thellë për tenderat abuzivë, duke thënë se po u hapën letrat këto 2 muaj do të shterojnë listat.

“Ai  që është arrestuar dje si përfitues i tenderave të tyre ka qenë drejtori  prokurimeve të tyre. Atje ku ka lekë këta të hidhen në fyt zihen me fëmijët dhe jo me ne. Me që e nisi nga lushnja e ftoj SPAK, shife sa ka akushtuar shkolla eqrem Shkumbini, tjetra në Divjakë. Shifi shifi, shif tenderin e uniformave të opolicisë. Janë 11 mln euro abuzime, shifoi mirë 580 mln euro të rilindjes urbane, ka bashki që ka filluar ndërtimin e shesheve që kur keni ardhur në pushtet dhe si kanë mbaruar. Shif hipotekën, po u hapën këto letra shteron lista. 1.4 miliardë euro ka tenderuar në 14 vite drejtolri i fonsit shqiptar të zhvillimit sot deputeti juaj i shkodrës. Janë 600 miliarde euro tenderime. E ftoj spak të mos merret vetëm me tenderin e fshatit Bitaj. E sa kryetarë bashkie e ish kryetarë bashkie, drjetora, kanë për të ikur atje ku  e kanë vendin nëse spak do ti ketë duart e lira dhe do të hetojë për prokurimet publike.

Këtu ftohet Luli teshtin Rama, teshtin Rama ftohet Luli, si mund të ndahen këto janë bashkë. Jam krenar që kam votuar kundër herësit të damianit sepse gjykata kushtetuese më dha të drejtë... uroj dhe shpresoj që ky teatër i pështirë neokomunizëm ti ketë ditët e numëruara, kjo falë, dashtë zoti, ngacmimit për mirë të koshiencës së qytetarëve të mos votojnë me stomak por me mend. Të mos votojnë për 1 tas miell. Dashtë zoti që edhe shqiptarët të kthehen nga e mira dhe e mbara. Uroj të bëjnë më të mirën për qytetarët dhe ta lënë këtë teatër sikur zihen me njëri tjetrin. Nga nga institucionet që raportoi sot është pa mandat.  Shpresoj të mos luani më bashkë në këtë sallë”, tha Murrizi.

Murrizi ironizoi ndryshimet e drejtuesve në policinë e shtetit, duke theksuar se nuk ka shkarkime apo emra të rinj por vetëm ndryshime vendesh.

“Gjoja strukturimin e policisë e shoh si gomisteri që u ndërron vendin gomave. Servis gomash të konsumuara. Ikën nga Korça, vjen në Vlorë. Ai i Shkodrës vjen në Lezhë. Është njësoj si ndërrimi i gomave të një hallexhiu që nuk ka lekë me blerë goma të reja. Zoti Hoxha nuk e di pse u sikletosët kaq shumë edhe nga pyetjet që bënë kolegët e tjerë. Fëmijët duhet ta mësojnë mirë historinë ashtu si ka qenë. Meqë me ligj është ngushtuar periudha e krimit të komunizmit.

Nga 45-90 duhet t’u thuhet fëmijëve në shkollë që regjimi komunist ka pushkatuar mbi 6000 shqiptarë sepse nuk kanë qenë dakord me partinë në pushtet. 59 900 shqiptarë janë internuar në kampe. Mbi 7000 burra dhe gra kanë humbur jetën në internim. Pse nuk pati vullnet kjo politikë të ndahej nga komunizmi. Si mund të ndahet kur ata në parlamentin e parë vinin me spaletat e Ramiz Alisë. Shqiptarët mbajnë mend një gjyq të turpshëm ku u dënuan 90 individë të cilët jo për gjenocid por 6 për kafe, 2 për qilima dhe për çarçafë dhe një kovaç. Në vitin 1997 fituan gjyqet dhe i kushtuan shtetit rreth 3.8 mln euro. Me këto lau duart politika. A donin realisht të ndaheshin në periudhën e komunizmit. Ishin njësoj si të prisnin duart e tyre”, u shpreh ai.

Ora 13:13
Seanca e fundit/ Balla: 25 prilli, i fundit që emigrantët nuk votojnë dot ku jetojnë! Shpresoj që opozita në shtator të ketë përqasjen që meriton momenti ku është Shqipëria

Në fjalën e tij të fundit në këtë legjislaturë të Kuvendit të Shqipërisë, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, falënderoi të gjithë deputetët e opozitës për kontributin që kanë dhënë me votimin e ligjeve të reformës në drejtësi. Ai premtoi se 25 prilli do të jetë procesi i fundit zgjedhor që emigrantët nuk votojnë dot.

"Ne kemi bërë një hap të rëndësishëm përpara duke hapur listat e kandidatëve. Si nismë e parë nuk ishte e gabuar por ishte shumë e mirë. Nuk dua të hyj në debatin që pasoi me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Fillimisht do të duhet të presim vendimin e arsyetuar.

Zgjedhjet e 25 prillit ishin që shqiptarëve që jetojnë jashtë të mos kenë mundësi për të votuar nga vendet ku jetojnë.  Unë ju falënderoj juve, deputetët e opozitë parlamentare, që keni mbështetur ccdo ligj të reformës në drejtësi. Shpresoj që të jemi këtu edhe në shtator dhe këtë standard ta ndjekin edhe ata që vijnë në Kuvend.  E rëndësishme është që të shtator të kemi një klimë politike që ka përqasjen e duhur për momentin ku ndodhet Shqipëria. Të mos harrojmë se në Presidencën sllovene nuk ka më asnjë dyshim për hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë. Gjithkush ka një detyrim për të dhënë kontributin për ta bërë Shqipërinë si e gjithë Europa", tha Balla.

Ora 12:48
Gjoni thotë falenderimet e fundit: Këto 2 vite të Parlamentit më të mirat, treguam që bojkoti është i papranueshëm

 

Fjalimin e tij të fundit në Kuvend, Ralf Gjoni e ka mbyllur me falenderime, teksa e konsideroi parlamentin e këtyre 2 viteve si më të mirin.

" Kemi bërë disa ndryshime në këtë vend, falenderoj për PS për mirëkuptimin për që atë tregoi për të akomoduar kërkesën tonë për hapjen e listave, falenderoj Gramoz Ruçin që më përjashtoi 2 herë nga parlamenti për burrërinë dhe korrektesën në kryerjen e detyrave, këto 2 vjet kanë qenë korrektwsie parlamentrare, i treguam shqiptarëve që bojktoi në demokraci është e papranueshme", tha Gjoni.

Ora 10:18
Ruçi bën bilancin e 4 viteve: Përmbyllëm reformën në drejtësi, miratuam ligje kyçe për integrimin në BE dhe përballimin e COVID

 

Në seancën e sotme plenare, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka bërë një bilanc të këtyre 4. Ruçi tha se kjo ka qenë legjislatura e hapjes së Kuvendit, legjislatura e përballimit të COVID, e miratimit të ligjeve kyçe për integrimin europian.

"Legjislatura që po mbyllim ishte shumë efektive sepse kemi miratuar ligjet për të cilat që kishte më shumë nevojë vendi.  Me disa prej ligjeve të miratuara në këtë sallë në përmbyllëm në një prej reformave më të rëndësishme që ka marrë Kuvendit i Shqipërisë në historinë e tij 30-vjeçare, reformën ën drejtësi.  Gjatë kësaj legjislature u zgjodh KLGJ dhe KLP dhe u mbështeten nevojat.  u zgjodhën anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Kuvendi zgjodhi ILD dhe mbështeti këtë institucion", ka thënë Ruçi në fjalimin e tij të fundit, jo vetëm si kryetar i Kuvendit por edhe si politikan pasi u tërhoq në Asamblenë e fundit të Partisë Socialiste.

B.K./I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • UKU MOMLIT: 07/07/2021 12:58

    O ishminister i PPSH dhe shokutRamis,tridhjet vjet bere e çfarë nuk bere o menxyre politikan dhe Urdhri i BIDEN të nxorri jashte loje siç duhet te ndodhte para tridhjet vjetesh por nuk është asnjehere vone te turperohet nje politikan i korruptuar e antivlere.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar