TIRANË- Problemet në këmbë i pamundësojnë të jetë fizikisht në seancë në Gjykatën e Posaçme, pretendime që kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, ia shfaqi gjykatës përmes avokatit të tij Plarent Ndreca.

“Megjithë vullnetin tim për të marrë pjesë në seancë gjyqësore, e kam të pamundur për shkak të këmbës së thyer”, thuhej në deklaratën e Veliaj që mbrojtja lexoi në sallë.

Në këto kushte, një nga prokurorët e posaçëm të çështjes së tij, Altin Dumani i sugjeroi gjykatës mundësinë që në seancat vijuese Veliaj të marrë pjesë me video-konferencë nga paraburgimi i Fierit, një qëndrim që mori dakordësinë e avokatit të kryebashkiakut. Gjykata nuk mori një vendim, pasi duhet të konsultohet me Drejtorinë e Burgjeve nëse video-konferenca është ose jo e mundshme në aspektin Teknik

Ndonëse prokurori tjetër i çështjes Ols Dado, nuk i beson arsyes mjekësore. “Qëllimet janë të mësuara. Ne kemi informacionet tona mjekët nuk mendojnë kështu për pamundësinë e pjesëmarrjes në gjyq.”

Arsyeja mbi të cilën Erjon Veliaj justifikon mungesën e tij lidhet me dëmtimin e këmbës gjatë qëndrimit në burg dhe nevojën për ndërhyrje kirurgjikale.

Pikërisht ky operacion që vetë mjekët e kanë parë të domosdoshëm, nuk po gjen zgjidhje. Burgjet caktuan zhvillimin e tij në spitalin Memorial të Fierit nga mjekët atje, por në Gjykatën e Posaçme, Erjon Veliaj kishte kërkuar që ndërhyrja të kryhej në Tiranë me mjekun e zgjedhur nga vetë ai.

Plarent Ndreca: Ne nuk kemi asnjë problem me strukturën spitalore, kemi problem me faktin që të ndiqet dhe të operohet nga një doktor i zgjedhur nga familja. Mjeku na ka rekomanduar strukturën që i kemi kërkuar Drejtorisë së Burgjeve, e cila na është refuzuar me heshtje dhe mospranim. Nëse mjeku mendon se mund ta kryejë procedurën te spitali i Traumës, patjetër edhe aty nuk ka problem, ose te spitali privat ku ai ushtron profesionin.

Po te Memoriali?

Plarent Ndreca: Teknikisht besoj se është e pamundur të bëhet te memoriali me mjekun tonë, por nëse bëhet dhe atje në rregull.

Duke i qëndruar bindjes se transferimi i tij nga Durrësi në Fier është politikë, kryebashkiaku i Tiranës, theksoi edhe një herë në qëndrimin e tij për gjykatën, se nuk duhet të vendosë askush tjetër veç atij, se kush do të jetë personi që do e fusë në narkozë.

“Jam i ndërgjegjshëm kush më transferoi dhe kush përcakton operacionin tim jashtë vullnetit tim. Unë nuk kërkoj as të bëj botoks, as të lyej flokët dhe as të zbardh dhëmbët, siç janë lejuar disa, por theksoj se nuk dua të paragjykoj dhe nuk kam asgjë as kundër këtyre kërkesave as vendimit për t’i pranuar. Thjesht më lejoni të kryej operacionin në një spital pranë ortopedit të zgjedhur nga unë pranë familjes dhe fëmijëve të mi. Nuk pranoj të më fusin në një sallë operacioni dhe t’ia pranoj narkozën time mbi urdhrin e të njëjtit që urdhëroi transferimin tim”, thuhet në letrën dërguar gjykatës.

Gjykata e posaçme nuk e shqyrtoi kërkesën e Erion Veliajt , duke e vlerësuar kompetencë të drejtorisë së Burgjeve.

“Gjykata u shpreh me vendim duke thënë që që duhet të merrni vendim nga burgjet e ta ankimoni, ne i jemi drejtuar dy herë burgjeve e cila nuk ka marrë vendim për këtë çështje, pastaj iu drejtuam gjykatës. Tani do ia kërkojmë të shprehen me vendim, uroj mos të jetë sekret shtetëror dhe do e ankimojmë patjetër. Mund të ketë pasoja shëndetësore ndaj kemi kërkuar urgjencë, sepse ne nuk e dimë se çfarë pasojash mund të sjellë. Jemi në këto kushte për shkak të vendimmarrjes së burgjeve”, tha Ndreca.

Avokati Plarent Ndreca kërkoi ndërprerjen e seancës duke argumentuar se nuk është lejuar të konsultohet me klientin e tij të hënën kur iu refuzua ta takojë Veliajn në paraburgim. Por gjykata vijoi procesin dhe në seancën e sotme u bënë parashtrimet e avokatit të biznesmenit Gentjan Sula. Seanca e radhës u shty për më 15 dhjetor.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:25
Problemi me këmbën, SPAK propozon që gjyqi i Veliajt të zhvillohet me videokonferencë, edhe mbrojtja dakord (VIDEO)

 

Në përfundim të seancës së sotme, prokurori Altin Dumani i sugjeroi gjykatës që Erion Veliaj të marrë pjesë në seancat e radhës me videokonferencë nga paraburgimi, për shkak të gjendjes së këmbës.

Edhe avokati i Veliajt u shpreh dakord me propozimin. Gjykata do të konsultohet me Drejtorinë e Burgjeve për të parë nëse lidhja me videokonferencë është teknikisht e mundur, përpara se të marrë një vendim.

Ora 13:01
Operacioni i Veliajt, avokati Ndreca: Kërkojmë që ndërhyrjen ta bëjë mjeku i zgjedhur nga familja (VIDEO)

 

Avokati Plarent Ndreca tha se mbrojtja do t’i kërkojë Drejtorisë së Burgjeve të marrë një vendim për operacionin e Erion Veliajt, pasi gjykata ia la asaj vendimmarrjen. Sipas Ndrecës, familja është e gatshme që ndërhyrja të kryhet edhe në spitalin Memorial, nëse mjeku që ka zgjedhur mund ta operojë atje. Pas përfundimit të gjyqit, Ndreca theksoi se kërkojnë që Veliaj të operohet vetëm nga mjeku që ka zgjedhur familja. 

“Gjykata tha se duhet të merret një vendim nga Burgjet, të cilin më pas mund ta ankimojmë. Do t’u kërkojmë të shprehen me vendim. Urojmë të mos jetë sekret shtetëror dhe, nëse kemi mundësi ta ankimojmë, do ta ankimojmë. Unë thashë se nuk kemi problem me strukturën spitalore. Ne duam që të ndiqet nga mjeku i zgjedhur nga familja. Nëse doktori na thotë se mund të bëhet atje, e bëjmë edhe te Memoriali, por teknikisht është e pamundur. Ai ushtron profesionin ose te Trauma, ose në një spital privat. Sipas gjykatës, zgjidhjen duhet ta japë Drejtoria e Burgjeve. Mund të shkaktojë pasoja. Për këtë arsye, kemi kërkuar të ndërhyhet menjëherë. Jemi në këto kushte për shkak të vendimmarrjes së Burgjeve”, tha Ndreca.

Ora 12:00
Seanca për Veliajn, GJKKO refuzon shqyrtimin e kërkesës për operacionin në këmbë: Kompetencë e Drejtorisë së Burgjeve

1794750067_veliajasamblejaeps.jpg

Gjykata e Posaçme nuk ka pranuar të shqyrtojë kërkesën e Erion Veliajt për kryerjen në Tiranë, në një spital të zgjedhur prej tij, të operacionit në këmbën e krisur. GJKKO thotë se kërkesa nuk ka bazë ligjore për t’u shqyrtuar prej saj dhe kompetenca i përket Drejtorisë së Burgjeve.

Seanca po vijon me parashtrimet e mbrojtjes së Gentian Sulës.

Ora 11:45
Gjyqi/ Mbrojtja e Veliajt kërkon shtyrjen e seancës, SPAK kundër! GJKKO tërhiqet për vendim

1794915604_plarentndreca.jpg

Avokati Plarent Ndreca kërkoi shtyrjen e seancës duke thënë se nuk ishte lejuar të konsultohej me Erion Veliajn, për të cilin tha se nuk e kanë lejuar dje ta takojë. Prokurorët Ols Dado dhe Altin Dumani kërkuan vijimin e gjyqit. Dado tha se nuk ka prova që Veliaj nuk mund të marrë pjesë në seancë, ndërsa Dumani theksoi se vetë Veliaj nuk e kishte kushtëzuar vijimin e saj në letrën drejtuar gjykatës. GJKKO është tërhequr për vendim.

Plarent Ndreca: Nuk jemi në kushtet për të vijuar seancën referuar deklaratës që sapo lexuat, ndonëse vullneti i tij ka qenë të vijë vetë në proces. Dje kërkova të takohem dhe të konsultohem me klientin, edhe për sa i takon qëndrimeve që do të mbanim. Duhet të diskutoja me ta disa elemente që të marrë konfirmimin e tij për mbrojtjen që kemi përgatitur, e kemi gati por ka dinamika që ndryshojnë dhe duhet ti konfirmoj. Siç e patë nuk u lejova sa u detyrova të thërras mediat që ta kem si provë. Kemi kërkuar nga ju që të shpreheni me një vendim urgjent sepse situata e tij shëndetësore është antinjerëzore dhe anti-humane. Është me qetësues, me dhimbje dhe paterica

Ols Dado: Qëllimet janë të mësuara. Ne kemi informacionet tona mjekët nuk mendojnë kështu për pamundësinë e pjesëmarrjes në gjyq. Ne kërkojmë vijimin e seancës. Nuk ka prova për pretendimin e ngritur. Nëse do të kthejmë në debat gjyqësor çështjen ku duhet bërë operacioni, dakort

Altin Dumani: Në letër, Veliaj nuk e kushtëzon vijimin e seancës. Herën e fundit për këtë u shty seanca që mbrojtja të konsultohej me të. Një javë ishte e mjaftueshme që avokati të konsultohej. Nuk më duket situatë serioze, as ligjore. E kemi dërguar çështjen që në shtator 2025. Shtyrjet janë bërë për shkaqe të të pandehurve apo mbrojtjes. Asnjëherë nuk është bërë shkak SPAK. Ne jemi këtu që të gjykohet çështja.

Ora 11:17
Gjyqi/ Veliaj sërish letër GJKKO: Nuk marr dot pjesë për shkak të këmbës! Nuk kërkoj botoks, dua të operohem nga një mjek që zgjedh familja ime

1795277673_VELO.jpg

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i është drejtuar sërish me një letër GJKKO-së, në të cilën thotë se nuk mund të marrë pjesë në senacë për shkak të gjendjes së përkeqësuar të këmbës. Veliaj i kërkon GJKKO-së që të marrë një vendim për operacionin e tij.

Veliaj refuzoi operacionin në spitalin Memorial të Fierit dhe në letër thotë se kërkon që të bëhet operim me mjekun që zgjedh familja e tij. “Nuk duhet të vendosë askush kush më fut në narkozë”, thekson Veliaj në letër, ndërsa në një reagim të dy ditëve më parë Veliaj tha se nuk mund t’ia besojë jetën një spitali ku e ka dërguar kryeministri Edi Rama.

“Megjithë vullnetin tim për të marrë pjesë në seancë gjyqësore, e kam të pamundur për shkak të këmbës së thyer. Në vijim të shkresës suaj dhe të prokurorisë, mbrojtja ime do t’ju vërë në dispozicion disa shkresa shëndetësore”, thuhet në deklaratë.

“Jam i ndërgjegjshëm kush më transferoi dhe kush do të vendosë për shëndetin tim. Nuk kërkoj as botox, as mbjellje flokësh, as të zbardh dhëmbët, por të operohem nga një mjek në spitalin që zgjedh familja ime”, është shprehur Veliaj.

“Nuk duhet të vendosë askush kush më fut në narkozë. Ndaj kërkoj nga GJKKO të ndërhyjë dhe të marrë një vendim”, ka deklaruar Veliaj.