Sot votimi, dokumentet që ju
duhen e verifikimi i të dhënave

Sot votimi, dokumentet që ju<br />duhen e verifikimi i të dhënave
TIRANE- Sot çdo zgjedhjes që ka mbushur 18 vjeç, ka të drejtë të ushtrojë të drejtën kushtetuese të votimit. Por cilat janë gabimet që nuk duhet të bëjmë në ditën e dielë? Procedurat e nevojshme, dokumentacion dhe sjelljet e ndaluara, i gjeni në përgjigjet e pyetjeve të mëposhtme.

Kur fillon dhe kur mbaron procesi i votimit?
Qendrat e votimit hapen në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 19:00. Askush nuk mund të votojë pas orës së mbylljes së qendrave të votimit, me përjashtim të zgjedhësve që presin për të votuar në kohën e mbylljes, sipas procedurave të parashikuara Kodin Zgjedhor.

Si verifikohet emri në listën zgjedhore?
Çdo zgjedhës mund ta verifikojë paraprakisht emrin ën listat zgjedhore të afishuara në vende publike pranë komunave dhe bashkive aktuale, ose pranë zyrës së gjendjes civile pranë organit të njësisë vendore përkatëse. Po ashtu, lista mund të kontrollohet online në faqen cec.org.al që është faqja zyrtare e KQZ-së. Ditën e votimit, emri kontrollohet pranë komisionit të qendrës së votimit. Këshillohet që votuesit ta gjejnë emrin në listë një ditë më përpara, në mënyrë që të dinë numrin rendor ku ndodhen, dhe në atë numër rendor, t’i kërkojnë komisionerit të gjejë emrin, duke përshpejtuar procesin.

Çfarë dokumentesh duhen për të marrë pjesë në votim dhe cila është procedura?
Pas hyrjes së zgjedhësit në qendrën e votimit zgjedhësi thotë emrin dhe paraqet para KQV-së një nga dokumentet zyrtare të vlefshme të identitetit me të dhëna biometrike: letërnjoftim  ose pasaportë. Një prej anëtarëve, i caktuar me vendim të KQV-së, kontrollon zgjedhësit në të dy duart, në çastin e paraqitjes para KQV-së dhe para marrjes së fletës së votimit, nëse është timbruar  (pra që ka shenjën e zezë në gishtin e madh)ose jo me lëndën e posaçme.

Në rast se zgjedhësi është timbruar, anëtari i KQV-së ia bën të ditur menjëherë këtë fakt anëtarëve të tjerë të KQV-së, të cilët e verifikojnë menjëherë. Emri dhe mbiemri i këtij zgjedhësi shënohen në Librin e Protokollit të Mbledhjeve të KQV-së dhe atij nuk i jepet fletë votimit. Kryetari, pasi verifikon se të dhënat e identitetit të zgjedhësit përputhen me të dhënat në listën e zgjedhësve dhe se zgjedhësi është i njëjtë me personin në dokumentin e identitetit, shënon në listën e zgjedhësve llojin dhe numrin e serisë të dokumentit të identitetit dhe i heq vizë emrit të zgjedhësit në këtë listë. Zgjedhësi nënshkruan në listën e zgjedhësve anash emrit të tij, fleta e votimit vuloset në pjesën e pasme të saj me vulën e KQV-së dhe vulën e kryetarit të KQV-së.

Zgjedhësi shënohet me bojë të posaçme në dorën e majtë nga një anëtar i caktuar , të dukshme me shikim të lirë dhe që nuk hiqet për jo më pak se 24 orë, me qëllim shmangien e votimit më shumë se një herë dhe më pas i jepet fleta e votimit. Në rast se zgjedhësi nuk pranon të timbroset me lëndën e posaçme, atij nuk i jepet fleta e votimit dhe identiteti i tij mbahet shënim në Librin e Protokollit të Mbledhjeve të KQV-së. Një prej anëtarëve, i caktuar me vendim të KQV-së, kujdeset për ruajtjen e radhës së votimit të zgjedhësve.

Kur përpara KQV-së paraqitet një zgjedhës, i cili nuk është regjistruar në listën përfundimtare të zgjedhësve, por është i pajisur me vendim gjykate, i cili i jep të drejtë të votojë në atë qendër votimi, KQV-ja shënon emrin e zgjedhësit në një regjistër të posaçëm, numrin e dokumentit të identifikimit dhe bashkëlidhur vendimin e gjykatës.

Pasi merr fletën e votimit, zgjedhësi hyn i vetëm në dhomën e fshehtë dhe në fletën votimit shënon në krah të emrit të subjektit zgjedhor apo partisë pjesëtare të një koalicioni shenjën “x” ose “+” apo një shenjë tjetër që tregon qartë zgjedhjen e bërë prej tij. Zgjedhësi, pasi bën shënimin në fletën e votimit, palos fletën e votimit, në mënyrë që shenja të mos jetë e dukshme, por të paktën një nga vulat në pjesën e pasme të fletës të jetë e dukshme. Zgjedhësi, pasi del nga dhoma e fshehtë, e hedh fletën e votimit në kutinë përkatëse të votimit dhe largohet nga qendra e votimit.

Cilat janë sendet e ndaluara brenda qendrës së votimit?
Brenda qendrës së votimit nuk lejohen aparatet fotografike, telefonat celularë, apo sendet e tjera të ndaluara, si armë të ftohta apo të ngrohta. Po ashtu ndalohen kafshët shtëpiake.

Cilat janë sjelljet e ndaluara brenda qendrës së votimit?
Në qendrën e votimit nuk lejohet përdorimi i telefonisë celulare nga ana e zgjedhësit dhe zgjedhësi nuk duhet të lejohet të votojë duke mbajtur aparatin telefonik në dorë. Nëse zgjedhësi tenton të përdorë aparatin e telefonisë apo çdo pajisje tjetër regjistrimi në dhomën e fshehtë, njoftohen organet e rendit. Po ashtu, nuk mund të shkojë në dhomën e fshehtë më shumë se një person.

Ku mund të ankohen zgjedhësit në rast se hasin pengesa apo vështirësi në ditën e votimit?
Kur zgjedhësi has vështirësi, ose pengesë në ushtrimin e të drejtës së votës, së pari ai i drejtohet sekretarit apo kryetarit të KZAZ-së. Policia nuk është zgjidhje në këtë rast, përjashtuar rastet e ushtrimit të dhunës, kanosjes apo formave të tjera të sjelljeve të ndaluara. Për procesin teknik zgjedhor, marrëdhëniet i rregullon vetëm KZAZ-ja, dhe në rastin më fundor, gjykata.

Cilat janë të detyrimet e komisionerëve?
Kryetari i KQV-së deklaron hapjen e votimit jo më përpara orës së parashikuar, pra 17:00. Sekretari i KQV-së shënon në Librin e Protokollit të Mbledhjeve të KQV-së kohën e largimit dhe të kthimit të çdo anëtari të KQV-së që largohet prej qendrës së votimit. Kur kryetari largohet nga qendra e votimit, ai i kalon vulën e kryetarit për përdorim anëtarit tjetër me të njëjtën përkatësi politike deri në çastin e rikthimit të tij. Sekretari i KQV-së bën shënimin përkatës në Librin e Protokollit të Mbledhjeve të KQV-së. Kur sekretari largohet nga qendra e votimit, vula e KQV-së dhe Libri i Protokollit të Mbledhjeve i kalojnë për përdorim zëvendëskryetarit deri në rikthimin e sekretarit të KQV-së. Në Librin e Protokollit të Mbledhjeve të KQV-së bëhet shënimi përkatës për pasqyrimin e këtij fakti.

Çfarë penalitetesh kanë komisionerët dhe numëruesit në rast se shkelin këto detyrime?
Shkelja e dispozitave të Kodit Zgjedhor nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve ose nga persona të ngarkuar me detyra, sipas këtij Kodi, kur nuk përbën vepër penale, dënohet me gjobë nga 3 000 deri në 90 000 lekë. Shkeljet e tjera të dispozitave të këtij Kodi, kur nuk përbëjnë vepër penale,dënohen me gjobë nga 1 000 deri në 2 500 lekë.  Shkelja e rregullave nga sekretari i KZAZ-së ose KQV-së, dënohet me gjobë nga 30 000 deri në 60 000 lekë ose me burgim deri në 6 muaj. Personat e ngarkuar nga ky ligj, me përgatitjen dhe miratimin e listave të zgjedhësve, kur përfshijnë në këto lista të dhëna të rreme ose kur lënë pa përfshirë zgjedhës, përgjigjen penalisht në bazë të nenit 186 të Kodit Penal.

Shkelja e rregullave të tjera kur nuk përbën shpërdorim të detyrës, sipas nenit 248 të Kodit Penal, dënohet me gjobë nga 10 000 deri në 100 000 lekë. Gjoba vendoset nga titullari i institucionit, përbën titull ekzekutiv dhe ekzekutohet nga zyra përkatëse e financës. Shkelja e ndonjërit nga parimet e përgjithshme të Kodit, në rastet kur kjo shkelje nuk ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 500 000 lekë. Gjobat vihen nga KQZ-ja. Shkeljet, kur kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me burgim nga 6 muaj deri në 2 vjet.

Kush lejohet të rrijë brenda qendrës së votimit?
Në qendrën e votimit mund të qëndrojnë vetëm anëtarët dhe sekretari i KQV-së; zgjedhësit që janë duke kryer procedurat e votimit deri në përfundim të tyre dhe vëzhguesit e akredituar shqiptarë dhe të huaj. Asnjë person i armatosur nuk lejohet të qëndrojë në mjediset e qendrës së votimit. Përjashtohen nga ky rregull punonjësit e Policisë së Shtetit, kur janë në ushtrim të detyrës.

Kush ka të drejtë të vëzhgojë procesin zgjedhor?
Çdo parti politike apo kandidat i propozuar nga zgjedhësit, i regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor, ka të drejtë të caktojë nga një vëzhgues në KZAZ, në KQV dhe për çdo tavolinë në Vendin e Numërimit të Votave pas regjistrimit të kandidatit/kandidatëve për zonën zgjedhore përkatëse ose pasi ka paraqitur listë shumemërore. Në rast se partitë politike paraqiten në zgjedhje si koalicion, të drejtën për të caktuar vëzhgues e ka vetëm koalicioni. Koalicioni mund të caktojë jo më shumë se tre përfaqësues për koalicion. Kandidatët e partive politike nuk kanë të drejtë të caktojnë vëzhgues.

Organizatat joqeveritare shqiptare dhe të huaja, si dhe organizatat ndërkombëtare të specializuara ose të angazhuara në mirëqeverisjen dhe demokratizimin, përfaqësuesit e shteteve të huaja dhe të medies kanë të drejtë të dërgojnë vëzhgues në zgjedhje. Akreditimi i vëzhguesve pranë komisioneve zgjedhore bëhet mbi bazën e të dhënave vetjake të çdo vëzhguesi. Akreditimi mund të përfshijë një ose më shumë qendra votimi ose një apo më shumë zona zgjedhore. Një organizatë joqeveritare shqiptare apo koalicion i tillë, parti politike ose kandidat i propozuar nga zgjedhësit nuk mund të ketë në të njëjtën kohë më shumë se një vëzhgues të pranishëm në një qendër votimi.

Çdo organizatë joqeveritare e huaj, si dhe organizatat ndërkombëtare nuk mund të kenë në të njëjtën kohë më shumë se dy vëzhgues të huaj në një qendër votimi. Në rast se partitë politike paraqiten në zgjedhje si koalicion, të drejtën për të caktuar vëzhgues e ka vetëm koalicioni. Koalicioni mund të caktojë jo më shumë se tre përfaqësues për koalicion. Kërkesat e vëzhguesve shqiptarë për akreditim i paraqiten KQZ-së jo më vonë se 15 ditë para datës së zgjedhjeve. KQZ-ja miraton kërkesat jo më vonë se 5 ditë nga paraqitja e tyre. Kërkesat e vëzhguesve të huaj paraqiten në KQZ jo më vonë se 72 orë para datës së zgjedhjeve.
 
Policët shërbim 12 orësh, paguhet vetëm orët shtesë
 

Cila është forma e organizimit që Policia e Shtetit ka marrë për të monitoruar punën në qarqe?
Në ambientet e Policisë së Shtetit, në Tiranë, është krijuar një dhomë e posaçme ku një grup prej 8 personash, në ditën e zgjedhjeve vendore do të monitorojnë punën në të gjtha qarqet. Ky grup do të kryesohet nga Drejtori i Policisë së Rendit, si dhe nga drejtorët e departamentit.

Sa efektivë policie do të angazhohen në këto zgjedhje dhe si do të vendosen ata në qendrat e votimeve?
Policia e Shtetit është angazhuar totalisht, duke marrë dhe zbatuar masa konkrete për ruajtjen e rendit publik në të gjithë territorin e vendit, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të drejtat e subjekteve elektorale pjesëmarrëse në këto zgjedhje. Në funksion të këtyre masave janë trajnuar 6.699 punonjës policie në bashkëpunim me Prezencën e OSBE në Tiranë, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe  Prokurorinë e Përgjithshme. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë marrë masat për garantimin e rendit publik dhe mbarëvajtjen e 2.396 aktiviteteve elektorale të subjekteve politike pjesëmarrëse në këtë proces zgjedhor.

Gjithashtu, nga Policia e Shtetit janë marrë masat për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve zgjedhore, konkretisht të 90 KZAZ, dhe 5.299 Qendrave të Votimit, ku do të angazhohen 5960 punonjës policie. Ndërkaq, të gjithë efektivët e policisë të cilët janë pjesë e patrullave policore, efektivët policorë të cilët janë pjesë e kontrollit të terrorit do të vendosen pranë çdo qendre votimi nga momenti i çeljes së procesit zgjedhor e deri në momentin e dorëzimit të kutive të fundit në KZAZ.

Ndërsa, çdo efektiv i policisë kriminale, si dhe çdo agjent krimi do të jenë në mbështetje të strukturave të rendit. Gjithashtu, në urdhrin e firmosur nga kreu i Policisë së Shtetit thuhet se në komisariatet e policisë në të gjithë vendin një grup i përbërë prej disa personash do të jenë të gadishmëri për çdo rast emergjent, i cili mund të ndodhë gjatë procesit zgjedhor. Ndërsa, në përmbushje të kërkesave të Kodit Zgjedhor, policia tha se janë marrë për të garantuar shoqërimin e kutive të votimit nga të gjithë qendrat e votimit për në vendet e numërimit të votave. Masa konkrete janë marrë edhe për të siguruar që të gjithë punonjësit e policisë të angazhuar me detyra gjatë këtij procesi zgjedhor të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Cilat janë oraret që Policia e Shtetit do të merret me ruajtjen e qendrave të votimit?
Në të gjithë qarqet dhe qytetet ku janë vendosur KZAZ, do të sigurohen me punonjës policie çdo ditë, prej orës 20:00 deri në orën 08:00. Po ashtu, duke filluar që sot në orën 18:00 nga Policia e Shtetit do të merren në ruajtje të gjitha qendrat e votimit deri në orën 07:00, kohë në të cilën është parashikuar që të fillojë edhe procesi i votimit. Ndërsa, vendet e numërimit të votave në të gjithë qarqet do të merren në ruajtje nga Policia e Shtetit duke filluar nga nesër në orën 18:00 e deri në përfundim të procesit të numërimit të votave.

Po në lidhje me shpërblimin, çfarë u është komunikuar efektivëve të policisë të cilët do të jenë në shërbim 12 orësh para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 21 Qershorit?
Çdo efektiv i policisë të cilët kanë kaluar në shërbim 12 orësh u është komunikuar se secilit prej tyre do t’u paguhen 4 orët shtesë në bazë të pagesës që ata marrin. Ky urdhër është firmosur nga Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako.

Cila është detyra e policisë në KQZ?
Çdo efektiv i policisë, para se të dorëzojë ambientin në të cilin do të zhvillohet procesi zgjedhor është i detyruar që t’i lërë numrin e tij të telefonit kryetarit ose anëtarit të KQV-së për t’u informuar në çdo incident që mund të ndodhë. Me rivendosjen e rendit në qendrën e votimit, KQV u kërkon organeve të Policisë së Shtetit të largohen nga qendra e votimit dhe merr masa për rifillimin e menjëhershëm të votimit. Ndërkaq, asnjë efektiv i policisë nuk ka të drejtë të futet brenda ambienteve në të cilat është duke u zvilluar procesi i votimeve, vetëm në raste të ndodhjes së ndonjë incidenti.

Cila është porosia që kreu i Policisë së Shtetit ka përcjellë për çdo efektivë policie në vend?
Në takimet e zhvilluara në qarqe, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka përcjellë edhe porosinë e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit për zbatim korrekt të ligjit ndaj kujtdo që do të tentojë të cënoje procesin elektoral përsa i përket problematikës që mbulon policia. Po ashtu, Çako u ka kërkuar të gjithë strukturave të policisë që të qëndrojnë në anë të ligjit, dhe sa më larg procesit elektoral, në të kundërt do të ndëshkohet çdo punonjës policie i cili do të implikohet në anën politike të cilit do krah në ditën e zgjedhjeve.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Rritja e pensioneve, Rama nga Bulqiza: Do rritet fuqia blerëse e më shumë se 700 mijë pensionistëve! Reformën e bëmë ne dhe tregon qartë kush di të qeverisë

Rritja e pensioneve, Rama nga Bulqiza: Do rritet fuqia blerëse e më shumë se 700 mijë pensionistëve! Reformën e bëmë ne dhe tregon qartë kush di të qeverisë