SpaceX, anija kozmike Starship shpërthen 10 minuta pas fluturimit, shikoni momentin! Elon Musk: Suksesi është i pasigurt, por spektakli i garantuar

Testi i shtatë fluturues i Starship, anijes së SpaceX të Elon Musk, e projektuar për misionet e ardhshme drejt Hënës dhe Marsit, rezultoi një sukses i pjesshëm.

Anija kozmike, e cila mbante gjithashtu dhjetë kopje të satelitëve Starlink për t’i lëshuar në orbitë, shpërtheu, duke shkaktuar edhe probleme në trafikun ajror. Nga ana tjetër, raketa “Super Heavy” funksionoi sipas planit, duke u kthyer me sukses dhe u ankoruar sërish në kullën e lëshimit.

Raketa e re gjigante ‘Starship’  shpërtheu në qiellin e Boca Chica, në jug të Teksasit, nga ku ishte nisur në orën 23:37 me orën shqitare, rreth 10 minuta pas nisjes.

SpaceX e quajti një incident që ndodhi në mënyrë të papritur, pasi 6 motorë duket se u mbyllën një nga një gjatë fluturimit. Momenti i shpërthimit u filmua nga një turist në një plazh (të ishujve Bahamas), por pa e ditur se çfarë ishte ekzaktësisht.

Elon Musk e komentoi situatën me humor në platformën X, duke shkruar: ‘Suksesi është i pasigurt, por spektakli është i garantuar!’, ndërsa ndau një video spektakolare që tregonte fragmentet e kapsulës duke rënë në det pranë arkipelagut Turks dhe Caicos.

Faza e parë, Super Heavy, funksionoi shumë mirë për dy minuta e gjysmë. Pastaj u shkëput dhe u kthye duke u ulur me saktësi pranë kullës së lëshimit – një manovër e suksesshme që ishte parë edhe gjatë lëshimit të pestë në vjeshtën e kaluar. Ndërkohë, vetë anija Starship ndezi gjashtë motorët e saj me metan dhe filloi udhëtimin përgjatë një trajektore që duhej ta çonte drejt një uljeje të butë në Oqeanin Indian pas 66 minutash. Por, pas disa minutash, motorët e saj nuk dhanë më asnjë sinjal funksionimi, dhe një shpërthim ndriçoi qiellin. Shkaku, për momentin, mbetet i panjohur.

Pa dyshim, ky është një dështim i rëndë që do të ketë pasoja të mëdha. Anija Starship e këtij fluturimi përfaqësonte një model të ri, pothuajse identik me atë përfundimtar që pritet të fluturojë drejt Hënës. Krahasuar me versionin e parë të përdorur në gjashtë misionet e mëparshme provë, ajo ishte zgjatur në 123 metra – sa një ndërtesë 40-katëshe – dhe kishte rritur rezervat e karburantit.

Për më tepër, inxhinierët kishin instaluar një kompjuter drejtimi më të fuqishëm, kishin përmirësuar sistemin e mbrojtjes termike për ta mbrojtur gjatë rikthimit, dhe kishin montuar 30 kamera për të monitoruar sjelljen e pikave kritike të strukturës, e cila ishte modifikuar pjesërisht, veçanërisht në dizajnin e krahëve të përparmë. Gjithashtu, gjatë fluturimit, do të simulohej lëshimi nga trupi cilindrik i anijes i disa prototipeve të satelitëve të rinj Starlink, që pritet të hidhen në orbitë në të ardhmen.

Starship S33 duhej të shënonte një hap të madh drejt modelit përfundimtar të anijes. Por gjithçka përfundoi në një dështim të rëndë. Kjo do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në programin Artemis të NASA-s për t’u rikthyer në Hënë. Në pranverën e vitit të ardhshëm pritet fluturimi i parë rreth Hënës, ndërsa në vitin 2027 NASA planifikon uljen e një ekuipazhi pikërisht me Starship. Por përpara kësaj, Starship duhet të demonstrojë një ulje të suksesshme pa njerëz në bord. Një rrugë ende shumë e gjatë.

Në këtë pikë, vetëm duke analizuar të dhënat e regjistruara mund të kuptohet se çfarë ndodhi dhe nëse shkaku është lehtësisht i zgjidhshëm. Në një postim në platformën X, Jeff Bezos, pas suksesit të fluturimit të parë të raketës së tij të re New Glenn, i kishte uruar fat konkurrentit të tij duke shkruar: “Fat të mbarë sot, elonmusk, dhe gjithë ekipit të SpaceX”. Për fat të keq, ky urim nuk mjaftoi. /Corriere.it/

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:03
Shpërthimi i Space X shkakton probleme në trafikun ajror, 20 fluturime ndryshojnë trajektoren, avionët në Majemi mbeten në tokë

1737106800_space.png

Për shkak të shpërthimit, të anijes së SpaceX  të paktën 20 fluturime civile u detyruan të ndryshojnë trajektoren mbi Gjirin e Meksikës për të shmangur mbetjet, ndërsa një numër i pacaktuar avionësh mbetën të bllokuar në tokë në aeroportin ndërkombëtar të Majemit, sipas raportimeve të Reuters.

Inxhinierja e SpaceX, Kate Tice, konfirmoi humbjen e anijes, duke shpjeguar se kapsula dërgoi të dhëna për rreth 20 minuta pas nisjes, por më pas ndërpreu papritur çdo sinjal. Anija duhej të ulej në Oqeanin Indian, por pësoi një “shkatërrim të papritur të paprogramuar gjatë fazës së ngjitjes”, siç u shkruan SpaceX në një postim.

Dan Huot, drejtues i komunikimit në SpaceX, deklaroi: “Sigurisht, duhet të analizojmë të gjitha të dhënat. Do të duhet kohë. Në orët dhe ditët në vijim do të zbulojmë saktësisht se çfarë ndodhi, do të rikthehemi, do të fluturojmë me mjetin e radhës dhe do të arrijmë më larg. Mos harroni që ky është një test i një mjeti eksperimental.”

Ky ndalim për SpaceX ndodhi vetëm disa orë pas suksesit të Blue Origin të Jeff Bezos, e cila për herë të parë arriti të lëshojë në orbitë raketën e saj Neë Glenn. Aktivizimi i këtyre kompanive tregon për një interes të ripërtërirë, veçanërisht ekonomik, për garën hapësinore, ku dy miliarderët po përpiqen të pozicionohen si partnerë të besueshëm për administratën e ardhshme amerikane të Donald Trump.

Pavarësisht incidentit të sotëm, SpaceX i Elon Musk mbetet në një pozicion të fortë përballë konkurrentëve, duke pasur prej vitesh kontrata të pasura me NASA-n për transportin e mjeteve dhe astronautëve në hapësirë.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lulushi Fadiles: 17/01/2025 15:46

    O Hasan Kapedan nga Elbasani po super gabim ēshtē qē Musk stē ka mar ty kēshilltar o Hasani KARR.

    Përgjigju
  • Turi: 17/01/2025 12:38

    Musk mendon se nese ke leke mund te besh cfare te duash por nuk mjaftojne vetem leket nese nuk ke eksperience ato leke nuk bejne pune

    Përgjigju
    • Hasani nga Elbasani: 17/01/2025 14:03

      NJE GABIM TE MADH KA BERE MUSK! QE STE MORI TY PER TE DHENE MEND

  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

21 Janari/ Mbesa e Ziver Veizit: Disponohen prova dhe fakte të rëndësishme! E indinjuar me zvarritjen dhe pse hetimet nuk drejtohen te urdhëruesit

21 Janari/ Mbesa e Ziver Veizit: Disponohen prova dhe fakte të rëndësishme! E indinjuar me zvarritjen dhe pse hetimet nuk drejtohen te urdhëruesit