Juristi Kreshnik Spahiu ishte i ftuar sot në emisionin “5 Pyetje nga Babaramo”, ku temë diskutimi ishte arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj dhe praktika e ndjekur nga GJKKO dhe SPAK për dosjen dhe masën e sigurisë.
Ai mendon se dy forcat e mëdha politike bëjnë lojë politike, sepse pas gjithë akuzave dhe sherreve, ulen dhe për 30 minuta bëjnë dhe votojnë 10 marrëveshje.
Kurse strategjinë që ndjekin ndaj drejtësisë është e ndryshme, ku njëri përdor kërbaçin dhe tjetri kulaçin.

Ai kujtoi edhe ndjekjen e dy standardeve nga trajtimi i çështjes së Erjon Veliajt, duke kujtuar se publikohen në media pjesë nga dosja apo edhe mesazhet që Ajola Xoxe i ka dërguar punonjëses, por nuk janë publikuar mesazhet e 21 Janarit apo të Gërdecit, ku u vranë 30 njerëz.
“Qasja ime për këtë çështje është se qoftë ata që thonë do e shkrijmë apo ata që thonë se ne e krijuam, të dy duan ta kenë nën kontroll. Pra drejtësinë të dyja e duan nën kontroll dhe kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Mënyra është e ndryshme, njëri përdor kërbaçin dhe tjetri, Rama, përdor karrotën, mbështetjen, financimet etj. Po ta shohësh nga opozita ka zero të dënuar apo arrestuar, kurse nga krahu tjetër shumë, edhe ka llogjikë se kanë 12 vite në pushtet. Por ndoshta ky tjetri po mendon a ta përdor edhe unë kërbaçin?”, thotë Spahiu.
Për të e gjitha kjo është një lojë politike mes dy partive të mëdha, që pasi akuzohen mes tyre dhe zihen, në mbrëmje përfundojnë në marrëveshje, sikurse ditën e sotme.
“E gjithë lufta është mashtrim, lufta politike është lojë. Shikoni lajmet, 10 marrëveshje për 30 minuta sot. Shikojini vendimet, e nisin luftën që në mëngjes, jo akuzat, jo do ju shkrijmë dhe në mbrëmje bëjnë marrëveshjet. Është normale që retorika politike të ndryshojë në prag të zgjedhjeve. Unë kam qenë dhe mbetem në mbështetje të reformës. Është e vështirë të vendoset standardi”, vijon ai.
Dhe në fund vë në dukje standardin mediatik për çështjen e Erion Veliajt, duke iu referuar një lajmi për zbardhjen e mesazheve të Ajola Xoxës ndaj punonjëses së saj, duke nënvizuar analogjinë me 21 Janarin apo Gërdecin.
“Shikoj se po publikohen mesazhet e Ajolës për punonjësen që të mos veprojë pa informuar atë, po pse s’na tregojnë këta neve 21 Janarin, mesazhet, mesazhet e Gërdecit, 26 të vrarë atje. Dakord 26 fustane qindra mijëra euro janë krim, po këto jetët këtu, pse nuk reagojnë. 26 jetët në Gërdec nuk janë aksident. Se na fyejnë edhe inteligjencën me këto”, vijon juristi.
Kurse në lidhje me rastin e deputetes Klotida Bushka, kryetare e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, juristi ngriti dyshimin e ndjekjes së dy standardeve, në krahasim me Avokatin e Popullit.
“Për rastin ka shumë dyshime. Pse Avokatja e Popullit nuk është vënë nën hetim. Ajo la zyrën, ka ndodhur në zyrën e Avokatit të Popullit. Kjo kryetare e Komisionit u mor nën hetim dhe ajo jo. Pra vijmë përsëri te çështja e standardit. A ka histori të personave të tjerë politikë apo zyrtarë. Pse për dy zyrtarë mbahet qëndrim i ndryshëm? Pa e mbrojtur deputeten, nëse është ashtu siç thotë SPAK duhet hetuar patjetër”, thotë Spahiu.
Dy drejtuesit e partive më të mëdha politike në vend kanë pasur reagime të forta ndaj SPAK-ut, më në veçanti Sali Berisha që e ka përsëritur edhe sot se do e shkrinte Prokurorinë pasi të fitonte më 11 Maj.
Duke marrë shkas nga këto reagime publike, juristi Kreshnik Spahiu ndan mendimin e tij se SHBA dhe presidenti Trump mbështesin dhe do mbështesin më tej Drejtësinë e re dhe në veçanti SPAK. Ai theksoi se Trump nuk do lejojë që Rama apo Berisha ta shkrijnë SPAK-un.
“Sot zyrtarisht, sherifi i ri në qytet, Donald Trump, i cili është sherifi i gjithë planetit për të vendosur një rend të ri botëror, që do ketë edhe një ndikim në fshatin tonë, në Shqipëri. Sot lëshoi një deklaratë të DASH se mbështesin SPAK. Dhe dy kaubojsit aty (Rama dhe Berisha) dolën dhe thanë se do shkrijnë SPAK-un. Pra zyrtarët e nivelit të 5 apo 6 të Marco Rubios nuk e hodhën rastësisht në këtë moment raportin e DASH. Kjo nuk lidhet me Dumanin, por me projektin e mandatit të parë të Trump. Dhe sherifi ku më mirë mund ta bëjë këtë sesa me SPAK! Dhe kush janë koburet, Prokuroria Speciale, Gjykata”, tha juristi.
Pyetjes së janë larguar konsulentët amerikanë nga SPAK, që vjen pas ndërprerjes së fondeve të USAID, Spahiu tha se kjo nuk do heqë mbështetjen e SHBA ndaj Prokurorisë së Posaçme, pasi ajo do vazhdojë më tej.
“Mund të mbylli gjithë fondet e USAID, por nuk do e ndalojë mbështetjen e SPAK. Do vazhdojnë ta kenë nën vëmendje prokurorinë. Ambasada e SHBA ka ulur qepenat. Që tregon se Shqipëria nuk është prioritet i Amerikës. Por mbështetja ndaj SPAK do jetë prezentë”, tha juristi
Kurse për dosjet e bujshme dhe arrestimet e SPAK ai shtoi se ato do vijojnë edhe pas Veliajt.
“Erjon Veliaj nuk është i fundit, do ketë edhe të tjerë. Në deklaratat e mia që kur jam bërë mediatik nuk kam asnjë deklaratë në mbështetje të Veliajt. Njerëzit që e mbështesnin dhe përfituan nga Veliaj dolën, se dolën dhe faturat, fatmirësisht ne nuk kemi fatura. Fatmir Xhafaj doli pas deklaratës së Ylli Manjanit që tha dhe vuri në dukje se Çiljeta reagoi para Xhafës për Veliajn. Dhe Xhafa doli dy ditë më pas, dhe u përgjigj me shkrim”, përfundoi juristi, duke e komentuar edhe me humor debatin e deklaratave publike.
Juristi Kreshnik Spahiu ishte i ftuar sot në emisionin “5 Pyetje nga Babaramo”, ku temë diskutimi ishte arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj dhe praktika e ndjekur nga GJKKO dhe SPAK për dosjen dhe masën e sigurisë.
Spahiu tha për Report Tv se shihte standard të dyfishtë të veprimit të Prokurorisë dhe Gjykatës për çështje të ndryshme dhe në kohë të ndryshme. Këtu kujtoi rastin e dhëndrit të Sali Berishës, që u lirua nga Gjykata.
“Unë mendoj që nuk kam sesi të ndaj mendim ndryshe. Kur bëhet fjalë për ligjin dhe standard, jemi të gjithë për një standard. Por jemi në pjesën kur diskutojmë nëse Gjykata dhe prokuroria ka ndjekur të njëjtin standard. Dhe këtu kemi të njëjtën Gjykatë që ka lehtësuar pozitën e dhëndrit të Sali Berishës për disa akuza. Në tërësi janë akuza të ngjashme, por persona të ndryshëm. Masa me burg vihet në rast të rrezikshmërisë së lartë shoqërore, që qëndron, por duhet theksuar edhe rrezikshmëria e lartë e personit apo pengimin e hetimit. A e ka penguar Veliaj hetimin? Ai ka qenë për 3 çështje nën hetim, inceneratorët, 5D dhe pasurinë. Pyetja është Veliaj ka ushtruar presion vetëm për pasurinë dhe ka qenë bashkëpunues për të tjerat?”, thotë juristi.
Spahiu u shpreh se masa e sigurisë është shtrënguese dhe nuk duhet të ishte e tillë, nëse do të ndiqet standardi juridik. Madje bëri krahasime shifrash të masave të sigurisë në vendet e Europës.
“Kur flasim për prokurori e gjykatë, nuk i ndajmë dy këtu e dy aty, por flasim për standard. Nuk më rezulton që nuk ka qenë bashkëpunues për të tjerat. Ne jemi të barabartë me Rusinë, Europa e ka 18-22 përqind çështjen e masave të sigurisë më të lira, kurse te ne janë më të larta, a është i njëjti standard apo jo? Ta heqim emrin Erion Veliaj dhe të flasim për faktin e masave të sigurisë nëse janë represive apo jo”, vijon Spahiu për Report Tv.
Juristi rikujton edhe faktin se si mund të bëhen hetime mbi kallëzime penale anonime, kur edhe praktika ligjore nuk e lejon, vetëm në rastet kur provat janë shumë të forta.
“Kush është praktika që SPAK ka operuar me kallëzime anonime, të cilat janë përjashtim nga ligji. Kallëzimet anonime janë të përjashtuara nga ligji, me raste të veçanta kur kanë prova dhe që çojnë te provat. Brenda javës çoi GJKKO në gjykim për inceneratorët pa Erion Veliajn dhe çfarë ndodhi, pasi nuk u ça rrjeta, hetimi vihet re se ka nisur nëpërmjet bashkëpunëtores së bashkëshortes së Veliajt. Unë nuk e kuptoj se cila ishte çështja që e çoi në këtë drejtim me një kallëzim treçerek faqe, nga një person që e ka dorëzuar vetë dhe jo me postë. Cilat janë shkaqet e ligjit që çojnë në këtë praktikë?”, shpjegoi Spahiu.
Kurse ndërhyrjes nga studio se juristi nuk kishte reaguar kështu për Ahmetajn, ai iu përgjigj edhe me deklaratat që kishte bërë në media.
“Për kontrollet e bëra te banesa e bashkëshortes së Arben Ahmetajjt unë jam shprehur në çdo media dhe kam mbajtur qëndrim që ishin të padrejta sepse duhet të bëheshin me leje të Kuvendit dhe me praktikë ligjore. Jam shprehur në të gjitha mediat. Madje edhe për Jamarbër Malltezin kam deklaruar, se lirimi i tij ishte i drejtë, pra kam qenë për lirimin e tij. Madje edhe për Ahmetajn. Kam mbajtur një standard për të gjithë këta politikanë. Pas 4 muajsh Gjykata e Lartë do ketë vendim për masat e sigurisë, lehtësimin e tyre, që përfshin edhe Ilir Metën edhe Erion Veliajn. Kur gjakrat të ftohen, edhe masa e sigurimit, për mënyrën represive se si u arrestua, masa do ndryshohet dhe do lirohet. Edhe për Veliajn. Unë e bëj profesionalisht, unë do vij përsëri, nëse do gaboj do vij këtu do konstatoj gabimin”, theksoi Spahiu.
Komente

