Juristi Kreshnik Spahiu vlerësoi partitë e reja dhe të vogla politike për garën që po bënin edhe pse e pabarabartë ndaj forcave të mëdha.
Këto të fundit kanë në dorë edhe numërimin e votave për partitë e vogla, teksa shprehu zhgënjimin me opozitën dhe veçanërisht PD-në që kishte zgjedhur modele të shëmtuara prezantimi në fushatë elektorale dhe jo si ato të vitit 2005 me “duar të pastra”

“E kam ndjekur fushatën dhe kjo është risi për partitë e reja politike. Jam i impresionuar nga partitë e reja të Dash Shehit, Endri Shabanit, Agron Shehajt apo Arlind Qori. Mua më duket si Dhjetori 1990, vështirë se do kenë mundësi më të mirë dhe aleat si SPAK këto parti të reja, ku janë arrestuar ministria, deputetë, kryebashkiakë, zyrtarë. Vetëm të bëjnë gol me portën bosh. Por më vjen keq me këta të tjerët, opozitën, PD-ja, që nuk po bën atë që ka bërë atë që bëri më 2005, me këmisha të bardha, me duar të pastra, por na kontraktuar një kompani konsulentë me LaCivita”, thotë ai.
Spahiu shprehu keqardhjen që partitë e vogla nuk do kenë komisionerë për të numëruar votat dhe këto të fundit janë në dorën e partive të mëdha. Madje e quajti një lojë politike të pandershme.
“Pavarësisht se kanë edhe fonde financiare, politikën, kapitalin, por po zhgënjejnë. Kurse partitë e vogla kanë mundësinë, janë shumë më lartë. Por është absurde dhe e pandershme që votat e partive të vogla t’i numërojnë 4 partitë e mëdha. Kur i sheh të japin një lloj ndjesie këto partitë e vogla dhe me vjen mirë”, shprehet juristi.
Në lidhje me ‘dashurinë’ e re me video-postime në rrjetet sociale Rama-Basha, Spahiu theksoi ky ishte një show komik, ku edhe kolonat zanore i kanë të shëmtuara dhe tekstet që zgjedhin nga më banalet.
“Po ta vësh re edhe kolonat zanore i kanë më të shëmtuara dhe tekstet me banalet në tregun muzikor. Basha është faktorizuar, fiton pikë me video-postimet, Rama e ngjalli nga varri Bashën, madje po ta kërkosh në google del më i klikuari, por kjo nuk përkthehet në votë. Është kthyer në një reality show komik”, përfundon Spahiu për Report Tv.
Lajmi kryesor:
Ironia e Spahiut: Berisha premton heqjen vizave amerikane, Rama pasaporta europiane!
A.Q/r.k./Shqiptarja.com

