Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se dy propozimet e PD-së dhe PS-së për sistemin zgjedhor, forcojnë pozitat e tyre dhe eliminojnë mundësinë e partive të reja për të konkurruar.

Komentet Spahiu i bëri në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku tha se opinioni publik dhe ata faktorë që do të duhet të përfitonin nga ndryshimi i sistemit zgjedhor, ende janë të papërgatitur për një alternativë që të çojë në një sistem që do të ndryshonte establishmentin politik.

“Të gjitha palët janë të interesuara për një ndryshim të sistemit zgjedhor. Që do të thotë se të gjitha partitë politike, opinioni publik, faktori jo-politik, të gjithë janë të përgatitur për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Por ajo çfarë është fatkeqësi, është që vetëm 2 partitë e vjetra janë të qarta për rrugëtimin e tyre në ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe mesaduket kanë përcaktuar edhe hapat dhe kohën konkrete kur do ta ndryshojnë atë. Fatkeqësisht mendoj që opinioni publik dhe ata faktorë që duhet të përfitonin nga ndryshimi i sistemit zgjedhor, ende janë të papërgatitur për një alternativë që të çojë në një sistem që do të ndryshonte establishmentin politik. Të dyja variantet e propozuara nga PS dhe PD, nuk e thyejnë establishmentin politik, përkundrazi e forcojnë atë”, tha mes të tjerash Spahiu.

Spahiu theksoi më tej se ky është një alarm juridik për të gjithë ata që sot duan të bëjnë politikë, si dhe për partitë e reja, apo për partitë që mund të krijohen nga protestat.

“Ky është një alarm juridik për të gjithë ata që sot duan të luajnë politikë. Nëse sot ata nuk bëhen faktorë të debatit, faktorë të ndërhyrjes, propozimeve dhe një fushate të gjerë për forcimin e opinionit publik, sesi thyhet ky establishment PD-PS, rrezikojmë që edhe për 20 vite të tjera, këta që sot kanë vendimmarrjen ta çimentojnë sistemin, qoftë me 101 deputetë, qoftë me proporcional kombëtar me lista të hapura. Këto tre elementë nuk favorizojnë as futjen e partive të reja, as futjen e maskave, as futjen e flamengove, as futjen e protestuesve, as thyerjen e 2-polaritetit, përkundrazi, e forcojnë atë”, shtoi Spahiu.

Në përfundim Spahiu tha se Shqipëria ka një elektorat të kontrollueshëm nga 2 partitë e mëdha dhe elektorati gri sipas tij është shumë i vogël për të bërë ndryshimin.

“Nëse shkohet edhe në ndryshimin e sistemit zgjedhor, atëherë do të jetë shumë e vështirë, edhe sikur armët të merren, që në zgjedhjet e ardhshme të bëhet ndryshim politik. Sepse Shqipëria ka elektorat i cili jemi i kontrollueshëm nga 2 partitë e mëdha. Elektorati gri është shumë i vogël për të bërë ndryshimin. Nëse nuk ka një sistem zgjedhor që favorizon iniciativat e reja, barazinë e votës, atëherë do të jetë e pamundur me një sistem që do ta vendosin këto 2 parti. Sistemi që kanë propozuar në komision këto 2 parti, e shkatërrojnë njëherë e përgjithmonë iluzionin e çdokujt që mendon që e ardhmja e Shqipërisë së afërt do të jetë pa Berishën dhe Ramën, pa PD dhe PS. Harroje”, përfundoi Spahiu.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:59
Spahiu: Nëse pragu elektoral bëhet 5% dhe numri i deputetëve 101, asnjë parti përveç PD dhe PS nuk hyn dot në Kuvend

Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur në emisionin 'Repolitix' me gazetarin Denis Minga në Report Tv, se PS dhe PD po planifikojnë me reformën e re zgjedhore të fusin sistemin ‘proporcional kombëtar’.

Kjo sipas Spahiut të çon automatikisht te pragu 5 % për të hyrë në Kuvend, njësoj si në Kosovë dhe disa vende të tjera të Europës.

Me këtë formulë sipas Spahiut, në Parlament nuk do të ketë asnjë parti tjetër përveç dy partive të mëdha, PD dhe PS.

“Këta kanë kohë që thonë ‘proporcionalin kombëtar’, që të çon automatikisht në formulën që ka Kosova, Gjermania dhe gjithë Europa, që e ka 5%. Në Kosovë po more 4.9%, që në Shqipëri i bie 100 mijë vota, me 100 mijë vota nuk merr asnjë deputet, zero. Ato 100 mijë vota i merr PD me PS. Dhe duke të ulur numrin e deputetëve, nga 140 një 101, ajo 5% bëhet 7%, që do të thotë që ta harrojë një parti e re që të futet në Kuvend. Përveç PS e PD s’do ketë më parti në parlament”, tha mes të tjerash Spahiu.