Juristi Kreshnik Spahiu i ka cilësuar të turpshme deklaratat e bëra nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë vizitës në Beograd dy ditë më parë.

Në një lidhje live për Report Tv, Spahiu tha se Zelensky gjatë gjithë historisë së tij politike të pasluftës është përpjekur që të ‘flirtojë’ politikisht me shumë palë në arenën ndërkombëtare.

Sipas Spahiut, Zelensky është në panik nga ndarja e Ukrainës dhe kundërshton krijimin e shteteve të reja, përfshi edhe Kosovën.

“Në tërësinë e vetë Zelensky ka tentuar të flirtojë me shumë palë në diplomaci dhe politikë. Nuk është një surprizë, sepse në bindjen e tij personale ai është kundër krijimit të shteteve të reja. Në tërësinë e vetë, ai është në panik nga shkëputja, ndarja e Ukrainës dhe shikon interesin e ngushtë personal jashtë çdo parimi të të drejtës ndërkombëtare. Në tërësinë e vetë, nuk njihet për ndonjë lider shumë serioz në politikë. Aty është për shkak të luftës. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhte nëse do të kishte zgjedhje të lira në Ukrainë”, tha mes të tjerash Spahiu.

Më tej Spahiu deklaroi se me deklaratat e bëra 2 ditë më parë kundër Kosovës, Zelensky u përdor nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në prag të zgjedhjeve që do të mbahen Serbi.

Sipas Spahiut, edhe opozita ukrainase po e kritikon retorikën e përdorur nga Zelensky në Serbi.

“Zelenzky është përdorur politikish dje nga Aleksandër Vuçiç. Është një përdorim i qartë politik dhe elektoral, që është bërë tani në vigjilje të zgjedhjeve elektorale në Serbi. Kjo ka tronditur ndjesitë e gjithë komunitetit shqiptar, gjithë trevave shqiptare. Të gjithë kanë një mllef te jashtëzakonshëm me Zelenskyn dhe reaksioni ka mbërritur deri te opozita ukrainase, që e shikojnë si amatoreske këtë qëndrim të Zelenskyt. Zelensky ende nuk është koshient që Serbia nuk mund ta ndihmojë, pasi partneri i tyre strategjik është Moska”, tha mes të tjerash Spahiu.

Kujtojmë se Zelensky deklaroi gjatë vizitës në Beograd se Ukraina nuk do e njohë as në të ardhmen Kosovën, pasi sipas tij, Kosova është pjesë integrale e Serbisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:27
Vuçiç kërkoi devijimin e rrjedhës së Ibrit, Spahiu në Report TV: Paftyrësi! Reagimi I kryediplomatit Hoxha bazuar në të drejtën ndërkombëtare

1786379493_spahiu.png

Juristi Kreshnik Spahiu e ka cilësuar të drejtë dhe të bazuar në të drejtën ndërkombëtare reagimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, pas deklaratave të presidentit serb Aleksandër Vuçiç për mundësinë e devijimit të rrjedhës së lumit Ibër. I ftuar në Report TV, Spahiu tha se mesazhi i Tiranës i kujton Beogradit detyrimet që burojnë nga konventat ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.

Spahiu e cilësoi “pafytyrësi” qëndrimin e Vuçiçit, duke e akuzuar se po e përdor çështjen e Ibrit për retorikë nacionaliste dhe për interesa politike. Sipas tij, presidenti serb është toleruar për vite nga faktori ndërkombëtar, ndërsa mosmarrëveshje të tilla duhet të zgjidhen në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe jo me kërcënime.

“Mendoj që qëndrimi i z. Hoxha është koherent dhe një mesazh i drejtpërdrejtë për ata që dinë të lexojnë të drejtën ndërkombëtare dhe gjuhën diplomatike. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë ka përcjellë një mesazh të qartë dhe një reagim ligjor, duke treguar edhe mjetet me të cilat duhet të mbrohet Kosova, duke i kujtuar Beogradit dhe Aleksandër Vuçiçit se ka disa parime të së drejtës ndërkombëtare dhe disa konventa për mbrojtjen e ujërave ndërkufitare, që asnjë regjim dhe asnjë qeveri nuk mund t’i devijojë apriori pa marrëveshje mes palëve apo shteteve, duke parandaluar një qëllim që mund të jetë shumë çnjerëzor dhe në dëm të interesave të popullit të Kosovës dhe lirive themelore të tij. Mesazhi është i qartë se konflikte të tilla zgjidhen në gjykatat ndërkombëtare, ku shtetet, në mënyrë abuzive, devijojnë burimet ujore në dëm të shteteve kufitare. Reagimi është i drejtë. Vuçiçi e përdori Zelenskin për fushatë elektorale, madje edhe këtë çështje po e përdor për të rritur tonet nacionaliste. Vuçiçi ka treguar se di të notojë në mënyrë spekulative, qoftë në diplomacinë e partnerëve nga Pekini në Uashington, nga Moska në Londër, tani e filloi me Kievin dhe po e mbyll me Ibërin. Është një pafytyrësi e Vuçiçit, që jo vetëm e meriton të largohet nga skena politike, por edhe të braktiset nga faktori ndërkombëtar, i cili e ka llastuar dhe ledhatuar shumë, me idenë se ai mund të bindej për t’u përfshirë në aleancat perëndimore. Ideja e BE-së ka qenë për ta tërhequr dhe bindur Vuçiçin, i cili ka luajtur dhe spekuluar, ka ruajtur marrëdhëniet me armiqtë e BE-së dhe ka ndjekur një politikë antiamerikane, pavarësisht milionave të derdhura nga SHBA”, tha Spahiu.

Ora 17:58
Spahiu: Sfida e parë e ambasadorit të ri amerikan në Shqipëri, a do të mbështesë ‘flamingot’ apo projektin e dhëndrit të Trump?

Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se sfida e parë e ambasadorit të ri të SHBA-së në Shqipëri, Eric Wendt, është nëse do të mbështesë projektin që do të ndërtohet ndërtohet në Zvërnec nga dhëndri i Donald Trump dhe aksionerë të tjerë, apo do të mbështesë protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër këtij investimi.

Në një lidhje për Report Tv, Spahiu tha se një nga 3 arsyet kryesore të ardhjes së ambasadorit Wendt në Shqipëri është edhe mbrojtja e interesave të bizneseve amerikanë në Shqipëri.

“Eric Wendt vjen këtu së pari për të organizuar Samitin e NATO-s dhe pritjen e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump. E dyta është nxjerrja e Ballkanit dhe gjithë faktorit shqiptar jashtë influencës anti-amerikane. Prandaj është një dorë e fortë, prandaj është një ushtarak për këtë gjë. Dhe e treta është mbrojtja e interesave e bizneseve amerikane. E investimeve dhe interesave tregtare të SHBA-ve në Shqipëri.

Në këtë kontekst duhet parë se cili do të jetë qëndrimi i ambasadorit Eric Wendt në lidhje me investimin dhe projektin e dhëndrit të Donald Trump në Zvërnec. Sepse sot prioritet në Shqipëri janë protestat dhe revolucioni anti-Trump, siç e konsideron Perëndimi. Tani duhet parë ky i dërguar i Trump çfarë qëndrimi do mbajë për investimin e familjes Trump në Zvërnec dhe për protestat që janë kundër Ivanka Trump dhe projektit të Zvërnecit. Kjo është sfida e parë me të cilën do të përballet ambasadori i SHBA-së”, tha mes të tjerash Spahiu.