Juristi Kreshnik Spahiu i ka kërkuar kreut të ‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj, që të mos bashkohet me PD-në dhe të ndjekë ‘lojën’ e Sali Berishës, pasi sipas tij, do t’i ikin mbështetësit dhe votat në zgjedhje do t’i pakësohen.
Komentet Spahiu i bëri në studion e emisionit ‘5 Pyetjet nga Babaramo’, ku tha se partitë e vogla do të jenë më të suksesshme nëse nuk do të bashkohen me PD-në, pasi sipas tij, ato janë votuar si një alternativë ndryshe.
Spahiu shtoi se nga ana tjetër, Berishës i leverdis që t’i marrë partitë e vogla ‘nën sqetull’, në mënyrë që PD të marrë më shumë mandate në zgjedhje, në kurriz të këtyre faktorëve të vegjël politikë.
“Bashkimi i partive të reja, me PD-në e vjetë, e forcon opozitën dhe e forcon PD-në? Apo i dobëson partitë e reja, dobëson edhe PD-në. Apo përfiton vetëm njëra prej tyre. Që PD ka interes, padyshim që ka. Sepse ato 200 mijë vota në shumicën e tyre nuk i ka marrë PS, por i kanë marrë partitë e reja, që u prezantuan si parti opozitare. Pra populli opozitar pa si një alternativë shumë të mirë në 11 maj, edhe partitë e reja. Tani çështja shtrohet, këto parti të reja të cilat morën, njëra 63 mijë vota, tjetra 40 mijë vota, tjetra 20 mijë vota, duke u bashkuar me PD-në, a dyfishohen? Qëndrojnë aq sa janë? Apo pjesëtohen për dy, zvogëlohen? Në datën 10 shkurt, sepse këta edhe datat i kanë njësoj, përkon fiks 9 vite me ngritjen e çadrës së Lulzim Bashës. Se këta kanë të njëjtën skemë, nuk ndryshojnë dot.
Partitë e reja duhet të kenë të qartë një gjë, nuk mund të bashkohen me koalicionin anti-SPAK. Nuk kanë asnjë lidhje me subjekte të SPAK që shkojnë një herë në javë te gardhi i Altin Dumanit. Sepse në fund të fundit, këto parti të reja kanë shkuar kanë duartrokitur në obor pro Altin Dumanit dhe nuk mund të shkojnë tani të duartrokasin pro subjekteve që heton Altin Dumani. E dyta, koalicionet në të gjithë planetin janë ose në Parlament, ose parazgjedhore. Fatmirësisht këto partitë e reja kanë përfaqësues në Parlament dhe kanë mundësinë që përfaqësimin e tyre, votën e tyre, ta bashkojnë me vota me PD-në në ato kauza që vërtet duhen bashkuar.
Unë jam nga ata që besoj se nëse partitë e reja bashkohen me PD-në në zgjedhje, marrin një rezultat më të dobët se në 11 maj. Qofsha i gabuar, por kjo është analiza ime. Është shumë gabim nëse i kryqëzojmë dhe u themi ‘pse nuk u bashkuat me PD-në para zgjedhjeve’. Ata mund të ishin bashkuar me njëri-tjetrin dhe të krijonin një grup me 15 deputetë”, tha mes të tjerash Spahiu.
Lajmi kryesor:
Spahiu: Pse opozita për 3 muaj deklaroi bojkotimin e Komisionit për Reformën Territoriale, por sot u tërhoq dhe do të bashkëpunojë me PS?










