Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se protestuesit duhet të ulen në tryezë me Qeverinë dhe të negociojnë për t'i dhënë zgjidhje krizës politike në vend.

Në një lidhje për emisionin 'Sot Live në Shqipëri' me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, Spahiu tha se është e turpshme që në vitin 2026 shqiptarët të mos ulen të negociojnë me njëri-tjetrin, në një moment kur negociata zhvillohen edhe mes Hamasit dhe Izraelit.

"Kryeministri i Shqipërisë ka dhënë 2 deklarata, një në të cilën lë të hapur mundësinë për negociata pa kushte, ku parashikon që çdo lloj kërkese mund të jetë e negociueshme. Unë kam një parim, që është një thirrje për të dy palët. Edhe talebanët arritën të uleshin në tavolinë dhe të gjejnë një marrëveshje me Uashingtonin. Edhe Hamasi negocioi dhe gjeti një marrëveshje me Izraelin. Edhe Moska mban disa ura komunikimi me Ukrainën. Pra edhe në luftërat më të egra, palët ndërluftuese kanë ruajtur komunikimin. Tani unë e kuptoj që ka njerëz që thonë 'o kështu, o s'ka'. Është e papranueshme që në vitin 2026 shqiptarët të mos negociojnë me njëri-tjetrin", tha mes të tjerash Spahiu.

Marrë shkas nga vendosmëria e protestuesve për të mos marrë pjesë në negociata, Spahiu ngriti pyetjen se 'nëse kryeministri Rama do të jepte dorëheqjen, kush do e propozojë Qeverinë teknike, si do të votohet?'.

"Kërkesa thonë edhe 'qeveri teknike'. Tani unë kam një pyetje. Sikur Rama të japë sot dorëheqjen, kush do i propozojë ministrat e Qeverisë teknike? Apo do bëhemi ne turp i botës ku secili të propozojë nga një emër. Kush janë këta që do propozojnë qeverinë teknike? Si do zgjidhjet, në çfarë forme? Kush janë emrat? Edhe sikur Rama sot të japë dorëheqjen, pas 10 minutash janë të detyruar të ulen me PS dhe PD në tavolinë. Sepse qeveria teknike duhet të votohet në Parlament. Këta njerëz që protestojnë i bie të kenë mision tjetër, që t'i vënë flakën Shqipërisë pa asnjë zgjidhje", tha mes të tjerash Spahiu.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:35
Spahiu: Ndërkombëtarët kanë tentuar të takojnë protestuesit por dështuan, sepse nuk i përfaqëson askush

 

Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë do i radikalizojnë qëndrimet e tyre kundër protestave të dhunshme që po zhvillohen në vend prej disa ditësh.

Në një lidhje për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, Spahiu tha se ndërkombëtarët kanë tentuar të takojnë protestuesit, por kanë dështuar, pasi sipas tij, ata nuk kanë nxjerrë një lider dhe një përfaqësi.

Më tej Spahiu theksoi se edhe nëse protestuesit do të arrijnë të marrin pushtetin me dhunë si PD në vitin 1998, partnerët ndërkombëtarë nuk do e njohin qeverisjen e vendit nga këta individë.

“Qëndrimi i Uashingtonit, Brukselit dhe Strasburgut ka qenë proporcional dhe në linjë të njëjtë. Do ketë edhe një deklaratë në ditët në vijim, që do të jetë në ligjëratë të drejtë, që Uashingtoni dhe Brukseli nuk njohin një pushtet që vjen me dhunë dhe largohet me dhunë. Dhe është në ligjëratë të drejtë, me atë që ka ndodhur në vitin 1998, kur Fatos Nano u largua me forcë nga zyra dhe ra pushteti. Kjo deklaratë po përgatitet nëse protestuesit do të avancojnë.

Edhe sikur të bjerë selia, godina, nëse nuk gjendet zgjidhja në tavolinë, por zgjidhja vjen duke marrë me forcë kolltukun e kryeministrit, do kenë rezistencë të jashtëzakonshme dhe bllok total të Uashingtonit dhe Brukselit. I gjithë ky zjarr që po i vihet Shqipërisë është një autogol që protestuesit po e bëjnë ndaj vetes.

Këta po humbin çdo mbështetje ndërkombëtare. Deri dje, te flamingot erdhën dhjetëra e qindra europarlamentarë që u bënë me protestën. Tani Komisioni Europian kundër, BE kundër, Uashingtoni kundër. Këta po prishin urat që ndërtuan. Ishin drejt rrugës së pushtetit. Për një javë e rrafshuan. S’del një njeri që të marrë përgjegjësinë. Atëherë me kë do negociojnë ndërkombëtarët? Prap shkojnë te Rama”, tha mes të tjerash Spahiu.

Ora 17:14
Spahiu: Pse protestuesit nuk krijojnë partinë e tyre dhe nuk propozojnë kandidatin e ri për kryeministër?

1792422988_xfkjvhl.JPG

Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se protestuesit janë të papërgatitur për ndryshimin e sistemit dhe për nxjerrjen nga loja të kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Sali Berisha.

Në një lidhje për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, Spahiu tha se protestuesit nuk kanë një lider dhe një përfaqësi, që të mund të hynin në zgjedhjet e ardhshme.

Sipas Spahiut, i vetmi që përfiton nga rënia e Partisë Socialiste përmes protestave, është kryedemokrati Sali Berisha.

Teksa tha se një qeveri teknike nuk mund ta qeverisë vendin për një kohë të gjatë, Spahiu theksoi se protestuesit duhet të krijojnë partinë e tyre, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të kenë kandidatin e tyre për kryeministër.

“Dy partitë e para, që do të jenë në rezultat, do të jenë PS dhe PD. Në rast të një rënie të PS-së, sepse pas gjithë këtyre protestave padyshim që do të ketë rënie, e vetmja parti që përfiton është PD. Të gjithë ata që shpresojnë në një largim të Ramës apo në një rënie të socialistëve, duhet të jenë të ndërgjegjshëm që të kuptojnë që çdo lloj ndryshimi që do të ndodhë, do të duhet të hyjnë në koalicion me Sali Berishën. Se pushteti i ardhshëm do varet përsëri nga 2 njerëz. O do bësh aleancë për kryeministër Ramën, o aleancë për kryeministër Berishën.

Këta nuk nxjerrin parti. Këta nuk duan. Po rezistojnë që të mos bëjnë një forcë politike. Atëherë si do garojnë në zgjedhje? Se po dëgjoj disa përralla ‘qeveri teknike’. Shqipëria nuk mund të qeveriset me qeveri teknike. Qeveri teknike do të thotë të jesh i pazgjedhur. Duhet të jesh i manduatuar nga populli që të qeverisësh. Këta s’kanë një lider, një kryesi. Rama bën dorëheqjen. Gjen një vajzë bukuroshe e çon për 3 muaj në qeveri. Këta duhet të jenë të përgatitur të fitojnë jo një betejë, por luftën me qeverinë. S’po del dot askush në krye, sepse këta janë të gjithë kundër të gjithëve”, tha mes të tjerash Spahiu.