Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se Komisionerja për Zgjerimin në BE, Marta Kos, duhet të tregojë hapur se çfarë do të ndodhë me zgjerimin e Unionit, nëse në pushtet në shtetet e Europës vijnë nacionalistët dhe e djathta ekstreme.
Komentet Spahiu i bëri në një lidhje live për Report Tv, ku tha se Kos duhet ta pranojë para Shqiptarëve se Shqipëria ose do të hyjë brenda vitit 2030 në BE, ose në të kundërt sipas tij, do të duhet të presë me dekada.
“Marta Kos duhet t’i thotë Shqipërisë a do të zgjerohet BE nëse pushtetin në Europë e marrin nacionalistët francezë, gjermanë, austriakë, holandezë, belgë. Pra Marta Kos është shumë e ndërgjegjshme në rreshtat që thotë, por nuk arrin të thotë të plotë realitetin siç është. Dhe për këtë arsye shpejton edhe afatin dhe thotë para 2030. Para 2030 do ketë 2 ngjarje të rëndësishme në Europë. Në Francë dhe Gjermani, parti të para dhe afër pushtetit janë partitë ekstremiste, partitë nacionaliste, partitë euroskeptike që do vendosin veton kundër zgjerimit të Bashkimit Europian. Dhe për këtë arsye Marta Kos nuk duhet t’i lejojë vetes që të mos jetë e sinqertë me shqiptarët. Shqipëria ose pranohet tani në BE, ose do të kalojnë dekada pa u pranuar, nëse në Europë do dominojnë forcat eurospektike që janë kundër BE-së”, tha mes të tjerash Spahiu.
Më tej Spahiu tha se ishte pro deklaratës së Marta Kos, e cila doli kundër idesë së Presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit Edi Rama, që Serbia e Shqipëria të anëtarësoheshin në BE pa të drejtë vetoje.
“Nga ana tjetër, jam pro deklaratës së Marta Kos që thotë ‘jam kundër idesë së Vuçiç e Ramës për një anëtarësi light, sepse ka një Kushtetutë europiane ku o je anëtar, ose nuk je anëtar. Dhe është më mirë që është kështu. Më mirë përpjekjet të jenë për të qenë anëtar me të drejta të plota”, vijoi më tej Spahiu.
Lajmi kryesor:
Protesta e Berishës/ Spahiu: Strategjia e PD-së nuk është rrëzimi i Ramës, por monopoli opozitar dhe shkatërrimi i partive të reja!










