Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se Partia Demokratike nuk ka asgjë demokratike në thelb.
Komentet Spahiu i bëri në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report TV, ku tha se nëse Sali Berisha fiton në 23 maj edhe një mandat në krye të PD-së, atëherë kjo forcë politike mban në krye të njëjtin person për 40 vite me radhë.
Gjatë fjalës së tij, Spahiu i shprehu ngushëllimet familjes së gazetarin Namir Lapardhaja, i cili ndërroi jetë ditën e sotme në moshë të re.
“Në vazhdim të ngushëllimit për familjen e Namir Lapardhasë do i kujtoja publikut se në koherencë të analizës së tij të fundit, Namiri ka qenë 10 vjeç kur PD lindi dhe i ndjeri Namir nuk ka pasur mundësinë që këtë parti që u pagëzua me emrin demokratike dhe që premtoi që do të ishte ndryshe nga të tjerat, pra që do të ishte më demokratike se Partia Komuniste, në statutin e saj të parë vuri një dispozitë ku kryetari nuk duhet të ishte më shumë se 2 mandate.
Kaluan shumë kohë prej atëherë dhe kryetari i kësaj partie nëse merr këtë mandat do të barazohet me Enver Hoxhën 40 vite. Pra nëse e merr tani që janë 36 dhe 4 shkojnë 40 vite. Ndiej keqardhjen se ajo parti që ka emrin demokratike, asgjë nuk ka më demokratike sesa partitë e tjera”, tha mes të tjerash Spahiu.
Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se Sali Berisha nuk e bashkon dot elektoratin e djathtë dhe shqiptarët që janë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report TV, Spahiu tha se janë me mijëra të djathtë në gjithë Shqipërinë që nuk e pranojnë Berishën si kryetar.
“Ne duhet ta sqarojmë këtë punë. Ky nuk duhet të jetë problem i brendshëm. Sepse nëse do të konsiderohet thjeshtë problem i brendshëm, i bie që PD e ka humbur misionin për të cilin u krijua. PD erdhi me një emër ndryshe. Erdhi për të sfiduar regjimin komunist dhe emrin e vuri demokratike, që do kultivonte disa standarde në një sistem të ri demokratik.
Pyetja e parë që shtrohet për publikun. Nën drejtimin e Berishës, kjo parti është më demokratike se të gjitha partitë e tjera në Shqipëri, apo krijoi një model më pak demokratik se të gjithë të tjerët? E dyta, a i është mbajtur premtimeve dhe kontratës që ka pasur me elektoratin që në krijimin e saj, në momentin kur kishte një elektorat me 1 milionë e 200 mijë vota dhe sot ka 400 mijë? Pra ka një rrjedhje prej 70 % të elektoratit. A i është mbajtur kjo parimeve demokratike, sepse është e vetmja parti nga gjiri i së cilës u krijuan 21 parti të tjera.
Dhe pyetja për publikun është këto 21 parti të reja që dolën nga gjiri i PD-së, parti të vogla që u krijuan nga drejtuesit e PD-së, u larguan sepse ishte Jorida Tabaku, Alimehmeti apo Salianji, i përzunë, apo janë larguar thjeshtë prej një njeriu që quhet Sali Berisha. Rokandidimi i Berishës a e rrit PD-në, apo e lë në të njëjtin nivel ku është. E dyta a e bashkon opozitën apo e lë të ndarë? Një Sali Berish ka dhënë prova që nuk e rrit dot më atë parti, sepse ka dhënë prova se janë një elektorat minimumi 30 % i shqiptarëve që nuk duan kryeministrin Rama, por nuk duan Berishën dhe nuk i bashkohen asaj partie. Nëse PD do të vijë në pushtet, jo vetëm Berisha duhet të largohet, por edhe berishizmi”, tha mes të tjerash Spahiu.
Komente










