Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se qëndrimi i dyfishtë i PD-së për Rezolutën e miratuar në Parlamentin e Shqipërisë për shpalljen e Iranit si ‘shtet sponsor të terrorizmit’, është i pamoralshëm.

Komentet Spahiu i bëri në një lidhje live për emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku tha se PD në Parlament është me Iranin dhe në seli është me SHBA-të.

“SHBA-të dhe Uashingtoni nuk kanë nevojë për servilizmin e Ramës dhe votën pro të Shqipërisë. Madje as ka për ta marrë vesh ndonjëherë Trump që ky Parlamenti në Shqipëri ka votuar këtë Rezolutë. E dyta, nëse të gjithë ne do të biem dakord që kjo vota e socialistëve ka një gjysmë dinjiteti për shkak të servilizmit ndaj SHBA-ve, unë do të thoja se mungesa e votës kundra ka zero dinjitet.

Sot në Kuvend nuk pati asnjë votë kundër. Që do të thotë a ka sot njerëz me qëndrim anti-amerikan? Ka plotë. Që të jesh kundër qëndrimeve të SHBA-së, shpesh herë mund të jetë edhe e moralshme e parimore. Çështja është te dyfytyrësia e politikës shqiptare.

Që do të thotë, fillojmë nga PD, në Parlament është me Iranin, kur shkojnë te selia e partisë, janë me SHBA-të. Pra nuk marrin pjesë aty sepse duan të mbajnë një qëndrim pro-europian, pastaj kur shkojnë te partia bëhen pishman dhe dalin japin një konferecë shtypi kundër shtetit iranian dhe e shpallin organizatë terroriste. Ky qëndrim i dyfishtë është më e pamoralshmja”, tha mes të tjerash Spahiu.

Kujtojmë se sot Grupi i PD nuk mori pjesë në seancën plenare në Kuvend ku u votua Rezoluta për shpalljen e Iranit si ‘shtet sponsor i terrorizmit’, por më pas dolën në selinë e PD-së dhe deklaruan shpalljen e Iranit si vend që sponsorizon terrorizmin.


Lajmi kryesor:

Spahiu: Kandidimi i Berishës i paligjshëm, Salianji duhet t'i kërkojë gjykatës pezullimin e zgjedhjeve në PD