Spahiu: Rama dhe Berisha u forcuan më 2024, më të fortë edhe më 2025! Mendoni sikur Saliu të ishte kryeministër i Kinës?

 

Kreshnik Spahiu në intervistën me gazetarin Nertil Agalliu

Por çfarë mendon juristi Kreshnik Spahiu përdrejtuesit e partive më të mëdha në vend, PD dhe PS. Ai thotë se si Rama, ashtu edhe Berisha, u forcuan gjatë këtij viti politikisht dhe do forcohen më shumë vitin tjetër.

Opinionisti ndau mendimin në Report TV se ata duhet të ishin model i largimit pas kaq vitesh, por në rastin e Berishës dhe Metës, tentojnë ta kalojnë partinë te familjarët, atë që nuk e bënë as Enver Hoxha apo Ramiz Alia. Madje Spahiu mendon se Berisha po përgatit t’ia lërë partinë trashëgim të bijës, apo si rasti Meta-Kryemadhi, një akt që vetëm Sllobodan Millosheviçi e kishte bërë

“Unë mendoj se Rama dhe Berisha janë forcuar në vitin 2024, madje kam edhe bindjen se do forcohen edhe më shumë më 2025. Viti 2024 është rilindja e të dyve, që do të thotë se Edi Rama është kthyer në një person kontakti i të gjithë organizatave ndërkombëtare, duke e shndërruar Tiranën në një qendër të shumë evenimenteve të BE-së dhe samiteve të ndryshme. Nga ana tjetër, Sali Berisha është çuar nga hiri, kishte humbur partinë, kishte humbur logon, kishte humbur vulën, kishte humbur lirinë e tij, e sot i ka të gjitha. Nuk jam këtu për t’i hyrë shkaqeve, por për të thënë realitetin, jam një person që jam kundër të dyve. Kam mendimin se përsa kohë të vazhdojë Rama dhe Berisha, Shqipëria do ketë një zhvillim disi gradual. Domethënë shumë zhvillime politike në vend do të pengohen, shumë procese integrimi do të frenohen. Mendoj se Rama dhe Berisha duhet të gjenin hapësirën për t’u larguar. Ajo çfarë është e rëndësishme është trashëgimia politike. Kam një lloj ndjesie se ashtu siç e filloi Meta që ia kaloi gruas, tani kjo po kthehet në një model. Berisha nuk është këtu për të ardhur në pushtet, por një person që synon të nxjerri një parti me 50 apo 60 deputetë, parti të fortë, për t’ia trashëguar më pas të bijës. Dhe kështu po shkojnë partitë shqiptare, në pronë private, në biznes privat, ku e trashëgojnë familjarët e tyre. Pse them unë se është negative? Sepse as Enver Hoxha nuk guxoi t’ia jepte fëmijëve të tij, as Ramiz Alia nuk pati kurajon t’ia lëjë fëmijëve dhe pati një moment që hapi krahun, lejoi fatos Nanon të marrë partinë”, tha ai.

Për të kjo nuk ndodh në Perëndim, por ka precedentë si rasti i Millosheviçit. Dhe këtë e imitojnë politikanë shqiptarë si Berisha dhe Meta.

“Dhe është krejt e papranueshme, janë fenomene që nuk ndodhën as në sistemin komunist. Unë e shikoj tërësisht të paprecedentë këtë që ka ndodhur në Shqipëri, sigurisht mund të ketë njerëz që mund të thonë se njihet në Greqi kjo, ku babai ia lë djalit apo gjyshi ia lë nipit partinë, por unë ju them se fenomeni shqiptar është krejtësisht ndryshe, sepse vetëm Millosheviçi ka guxuar të bëjë atë që bëri Ilir Meta, nga një anë ishte President dhe drejtonte shtetin serb dhe gruan e kishte kryetare Opozite. Unë mendoj se prapë Shqipëria mbetet një vend provincial, këta e konsiderojnë politikën si bajrak, e po ta vësh re ky fenomen po shkon edhe në Kosovë, ku militantizmi ka shkuar në ekstrem, ku ka njerëz që duan më shumë Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen, sesa Kosovën. Janë të gatshëm t’u hapin luftë BE-së, SHBA-ve, Britanisë, vetëm e vetëm për t’u treguar medemek sovranë”, shprehet ai.

Dhe më tej një ironi krahasuese me rastet e Berishës dhe Kurtit, për sjelljen e tyre politike në raport me ndërkombëtarët.

“Dhe shyqyr që jemi një vend i vogël, sepse imagjinoni Sali Berishën po të ishte kryeministër i Kinës, me 1,5 mld popullsi, apo Albin Kurti i një shteti me 200 apo 300 milionë banorë, realisht do ishim një problem shumë i rëndë për paqen në planet. Janë disa rrethana që tregojnë se ne mbetemi shumë pas demokracive liberale, për këtë arsye mendoj që për t’u kthyer edhe njëherë te pyetja, se Rama dhe Berisha për vitin 2024 janë më të fortë se kurrë politikisht”, shprehet juristi.


Lajmi kryesor:

Kreshnik Spahiu në REPORT TV: Personazh i vitit janë ‘Tifozat Kuqezi’! Berisha dhe Rama do shkrijnë çdo parti tjetër më 11 Maj! PD e PS duhet të ishin të jashtëligjshme


A.Q/I.M/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë prisni në vitin 2025?



×

Lajmi i fundit

Celibashi uron vitin e ri 2025: Ftesë të gjithë emigrantëve të regjistrohen nga 11 janari për zgjedhjet parlamentare

Celibashi uron vitin e ri 2025: Ftesë të gjithë emigrantëve të regjistrohen nga 11 janari për zgjedhjet parlamentare