Është zbardhur vendimi i Gjykatës Kushtetuese për masat e sigurisë “Detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” ndaj kryetarit të PD-së, Sali Berisha. Me vendimin e datës 21 nëntor 2024, Kushtetuesja refuzoi kërkesën e Berishës, i cili kërkoi shpalljen antikushtetuese të masave të vendosura nga SPAK. Ndërkohë, GJK pranoi kërkesën e tij për kthimin e pasaportës.
Gjykata Kushtetuese interpreton se masat “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” nuk e kufizojnë ushtrimin e funksionit të deputetit dhe mund të aplikohen pa miratimin e Kuvendit, duke hedhur poshtë pretendimet e ish-kryeministrit Berisha se SPAK kishte shkelur Kushtetutën.
Berisha është marrë i pandehur në kuadër të hetimeve të dosjes për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Sportiv ‚Partizani‘. Në këtë dosje SPAK ka marrë të pandehur ish kryeministrin për „korrupsion pasiv në bashkëpunim‘, duke e akuzuar se favorizoi dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, si një nga pronarët e terrenit, ku më pas u ndërtuan 19 kulla.
Pjesë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese
Në gjykimin kushtetues lidhur me nevojën e ndërhyrjes mbi të drejtat kushtetuese të kërkuesit, Gjykata analizon fillimisht nëse masat konkrete të sigurimit të vendosura mbi të (kërkuesin) janë të nevojshme për të realizuar qëllimin e ligjshëm të mbarëvajtjes së procedimit penal në kuadër të të cilit ato janë vendosur.
Më tej, Gjykata vlerëson nëse masat e vendosura janë të përshtatshme për të realizuar këtë qëllim. Së fundi, Gjykata vlerëson nëse qëllimi i ligjshëm i mbarëvajtjes së procedimit penal mund të arrihej me vendosjen e masave më pak të ashpra.
Nën këtë prizëm, Gjykata vëren se sipas nenit 228, pika 3, të KPP-së, masat e sigurimit personal vendosen: i) kur ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës, bazuar në rrethana fakti që duhet të tregohen posaçërisht në arsyetimin e vendimit; ii) kur i pandehuri është larguar ose ekziston rreziku që ai të largohet; iii) kur për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurit ka rrezik që ai të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet. Po kështu, Gjykata konstaton se sipas nenit 232 të KPP-së, masat shtrënguese janë edhe ndalimi i daljes jashtë shtetit dhe detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore, të caktuara në rastin konkret ndaj kërkuesit. Masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit është parashikuar nga neni 233 i KPP-se dhe me caktimin e saj gjyqtari urdhëron të pandehurin të mos largohet nga territori shtetëror shqiptar pa autorizimin e tij. Për sa i përket masës tjetër, ajo për detyrimin për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore, të parashikuar nga neni 234 i KPP-së, përmes saj gjykata urdhëron të pandehurin të paraqitet në një zyrë të caktuar të Policisë Gjyqësore dhe ajo cakton ditët dhe orët e paraqitjes, duke mbajtur parasysh punën dhe vendbanimin e të pandehurit.Në rastin konkret, GJKKO-ja e Shkallës së Parë, me vendimin nr. 112, date 20.10.2023, ka arsyetuar se për kërkuesin plotësohen kushtet e veçanta të parashikuara nga neni 228, pika 3, shkronjat “a” dhe “b”, të KPP-së. Në vlerësimin e saj, GJKKO-ja e Shkallës së Parë ka arsyetuar se ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës në funksion të kësaj çështjeje, për shkak të funksionit që ka ushtruar më parë kërkuesi në kohën e kryerjes së veprës penale. Për këtë arsye, sipas GJKKO-së së Shkallës së Parë, ekziston mundësia që ai të ndërhyjë dhe të ndikojë në prishjen ose asgjësimin e provave, si dhe në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave, çfarë do të ndikonte në një hetim të mangët për sqarimin e plotë të faktit penal objekt gjykimi.
Gjithashtu, sipas GJKKO-së së Shkallës së Parë plotësohet edhe kushti i dytë i veçantë i parashikuar nga shkronja “b”, pika 3, e nenit 228 të KPP-së, pasi për shkak të rrethanave të faktit ekziston rreziku i ikjes së kërkuesit. Vazhdimi i masës së sigurimit personal të vendosur ndaj kërkuesit me vendimin e GJKKO-së së Shkallës së Parë, nr. 112, datë 20.10.2023, është konfirmuar edhe nga vendimi nr. 117, datë 26.10.2023 i së njëjtës gjykatë, e cila ka konkluduar në ekzistencën e të gjitha kushteve dhe kritereve të përgjithshme dhe të veçanta për caktimin e një mase sigurimi personal, të parashikuara në nenet 228, 229 dhe 230 të KPP-së
Po kështu, GJKKO-ja e Apelit, në arsyetimin e saj ka vlerësuar se për të hetuarin (kërkuesin), plotësohet kushti i tretë për caktimin e një mase garantuese personale që është një ndër kushtet e përgjithshme, të kërkuara nga dispozita e nenit 228, pika 3, të KPP-së. Sipas GJKKO-së së Apelit ekzistojnë kushtet për kufizimin e lirisë së tij, të parashikuar në pikën 3 të nenit 228 të KPP-së, pasi vërtetohet ekzistenca e të paktën një prej tri rrethanave të parashikuara nga ajo dispozitë, siç është helmimi i procesit të marrjes ose vërtetësisë së provave dhe rreziku i ikjes së tij. Ndërkohë, vlerësimi i gjykatave të zakonshme është çmuar i drejtë nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i cili nuk ka gjetur të meta në arsyetimin dhe interpretimin që ato i kanë bërë nevojës për kufizimin e lirisë së lëvizjes dhe së drejtës për t’u zgjedhur në drejtim të ushtrimit të funksionit të deputetit, të kërkuesit
Për sa më sipër, referuar arsyetimit dhe interpretimit të vendimeve të gjykatave të zakonshme lidhur me shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për caktimin ndaj kërkuesit të këtyre dy masave, Gjykata konstaton se atyre (gjykatat e juridiksionit të zakonshëm - GJKKO-ja e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit) u mungon arsyetimi, për rrjedhojë nuk rezulton të kenë vlerësuar nevojën për caktimin e dy masave të sigurimit personal për të njëjtin procedim ndaj kërkuesit. Gjykata thekson se kjo mungesë arsyetimi, interpretimi dhe vlerësimi, ngre dyshime nëse ato e kanë vlerësuar kriterin e proporcionalitetit të masave në drejtim të nevojës për kufizimin e lirisë së lëvizjes dhe së drejtës për t’u zgjedhur në drejtim të kërkuesit, në funksionin e deputetit, sipas neneve 228 e vijues të KPP-së, në raport të drejtë me qëllimin legjitim të mbarëvajtjes së procedimit penal. Në këtë kuptim, për sa kohë u konstatua mungesë në vlerësimin e elementit të nevojës për kufizimin e të drejtave dhe lirive të kërkuesit, në raport mbarëvajtjen e procedimit penal, çka është e detyrueshme sipas Kushtetutës dhe KPP-së, Gjykata vlerëson se kjo përbën shkak të mjaftueshëm për të konstatuar cenimin e parimit të proporcionalitetit në caktimin e masës “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Po kështu, Gjykata,mbi bazën e të njëjtave argumente, konstaton se edhe vetëm masa e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësor” duket se i plotësonte nevojat e sigurimit të mbarëvajtjes se procedimit penal.
Për sa më lart, Gjykata çmon se, në mungesë të arsyetimit të nevojës për caktimin e dy masave të sigurimit, si dhe të faktit që qëllimi legjitim i mbarëvajtjes së procedimit penal përmbushet nga masa e sigurimit të detyrimit për paraqitje, arrin në përfundimin se ka cenim të parimit të proporcionalitetit nga caktimi i masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Në vlerësimin e Gjykatës, mungesa e arsyetimit të nevojës në përcaktimin e dy masave tregon ndër të tjera, mosvlerësimin e këtij aspekti kushtetues dhe ligjor nga ana e gjykatave të zakonshme në caktimin e masave të sigurimit personal. Për rrjedhojë, caktimi i kësaj mase të fundit ka cenuar, në aspektin substancial, të drejtën për t’u zgjedhur dhe lirinë e lëvizjes.
Në përfundim, Gjykata çmon se pretendimet e kërkuesit në drejtim të së drejtës për t`u zgjedhur dhe të lirisë së lëvizjes, në shkelje të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, parimeve të paanësisë dhe pavarësisë të gjykatës, si rezultat i rregullimeve ligjore, së drejtës për mbrojtje efektive, standardit të arsyetimit, janë të pabazuara, kurse pretendimi për cenimin e parimit të proporcionalitetit në caktimin e masës së sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” është i bazuar, sipas arsyetimit të mësipërm të vendimit, ndaj kërkesa pranohet pjesërisht. Nisur nga rrethanat e çështjes, bazuar edhe në arsyetimin e mësipërm, Gjykata çmon se nuk është rasti për ta kthyer çështjen për rishqyrtim
PËR KËTO ARSYE,
Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i”, të Kushtetutës, si dhe neneve 71 dhe 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,V E N D O S I:
Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
Shfuqizimin, e vendimeve nr. 112, datë 20.10.2023 dhe nr. 117, datë 26.10.2023 të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, nr. 56 (87-2023-156), datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe nr. 00-2024-384, datë 05.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, vetëm për pjesën që kanë caktuar masën “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” ndaj kërkuesit Sali Berisha.
Rrëzimin e kërkesës për pretendimet e tjera. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Kliko këtu për të parë dokumentin e plotë
O Shqiptar mos u merni mē me ktē monstēr injorant Sali Bajgēn , por kalbeni nē burg qenin e zgjebosur.
Përgjigju