Një ditë pasi Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka dërguar në gjykatë dosjen e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi akuzoi se hetimet ndaj ish numrit 2 të qeverisë janë të paplota.
Sipas tij, para se SPAK të mbyllte hetimet, kishte detyrimin të kërkonte për herë të dytë autorizim nga Kuvendi për heqjen e imunitetit.
“Sepse, nëse do të kishte kërkuar heqjen e imunitetit, do t’i kishte në dorë të gjitha mjetet procedurale për të kryer një hetim të plotë, për kontroll personal ndaj Belinda Ballukut, për kontroll të banesës së Belinda Ballukut, që t’i gjente kutitë e kuqe me euro, për të cilat nuk dimë ku janë. Ku ndodhet kutia e kuqe me euro? A është konfiskuar, është sekuestruar kutia e kuqe me euro në vilën e pushimit të Belinda Ballukut në këto momente?”, tha mes të tjerash Bardhi, i pyetur për çështjen nga gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku.
Bardhi thotë se argumenti i Prokurorisë së Posaçme se nuk i drejtohet për të dytën herë Kuvendit për Ballukun, për shkak se i lidhte duart raporti i shumicës parlamentare, tregon dorëzimin e drejtësisë te mazhoranca.
“Nëse Kuvendi, me vullnetin politik të Edi Ramës, do ta rimbronte Belinda Ballukun, i mbetej përgjegjësia atij. Por SPAK-u ka detyrimin të zbatojë ligjin. Të dalësh përpara opinionit publik dhe të thuash që unë nuk i jam drejtuar më Kuvendit sepse kështu ma kanë lexuar ligjin dhe kështu më kanë urdhëruar pesë anëtarët e mazhorancës në Këshillin e Mandateve, do të thotë t’ia kesh dorëzuar drejtësinë Edi Ramës, Taulant Ballës, Ulsi Manjës dhe anëtarëve të tjerë të Edi Ramës në Këshillin e Mandateve”, theksoi Bardhi.
Prokuroria e Posaçme njoftoi zyrtarisht një ditë më parë se kishte dërguar në gjykatë dosjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Ballukut, me 28 të pandehur gjithsej. Hetimet përfshijnë shkelje në 10 procedura tenderimi me vlerë 400 milionë euro pa TVSH, nga Tuneli i Llogarasë te lotet e Unazës së Madhe të Tiranës.
Balluku është nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera në 9 raste, korrupsion pasiv në 2 raste dhe pastrim parash e fshehje pasuri për 2 vila në bregdet.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka paralajmëruar se PD do të votojë kundër miratimit në parim të pr.buxhetit të vitit 2027, në seancën plenare të së mërkurës.
Në një konferencë për mediat, Bardhi e ka cilësuar buxhetin e vitit 2027 si buxhet i korrupsionit, jo i shqiptarëve.
“Ky buxhet është vetë Edi Rama. Një manovër diabolike që bën sikur ul taksat dhe bën sikur shpërndan mirëqenie, por realisht i rrit taksat dhe në fund, nuk lë më shumë para në xhepat e shqiptarëve. Shqiptarët nuk marrin më shumë para nga puna e tyre, sepse thelbi i këtij buxheti nuk është sa para do t’i mblidhen shqiptarëve: 8, 9 apo 10 miliardë. Thelbi është kush do t'i shpenzojë këto para dhe në xhepat e kujt do të përfundojnë. Protestat e studentëve, kërkesa për dorëheqje e Edi Ramës si i korruptuar tregojnë se shqiptarët e dinë përgjigjen: buxheti 2027 nuk është buxheti i tyre, por i korrupsionit. Buxheti i Edi Ramës me një dorë jep pak, me tjetrën merr akoma më shumë. Qershia mbi tortë e këtij buxheti diabolik që jep pak me një dorë dhe merr shumë me dorën tjetër të korruptuar të Edi Ramës, është futja në skemën e TVSH-së e bizneseve me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë, përfshirë mijëra biznese të vogla dhe profesionistë të lirë”, tha mes të tjerash Bardhi.








Komente
Komento