SPAK do hetojë '21 Janarin', Rama: Gjykata e Lartë ktheu në jetë shpresën e varrosur për hetimin e dosjes së krimit të egër shtetëror

“Kthim në jetë i shpresës së varrosur për hetimin e dosjes së krimit të egër shtetëror”. Kështu e ka komentuar kryeministri Edi Rama vendimin e sotëm të Gjykatës së Lartë që urdhëron SPAK-un të hetojë vrasjen e 4 protestuesve të pafajshëm më 21 janar të vitit 2011 para kryeministrisë së drejtuar nga Sali Berisha.

Në një reagim të bërë në rrjetin social ‘X’, Rama tha se vendimi i sotëm i hapi rrugën e mbyllur drejtësisë për hetimin e autorëve të krimit shtetëror.

“Vendimi i Gjykatës së Lartë sot për kthimin në jetë të dosjes së përgjakur të 21 janarit, ka kthyer në jetë shpresën e varrosur në mendjen e shumë shqiptarëve, se ajo dosje e një krimi të egër shtetëror do të dilte më nga varri i drejtësisë së kalbur shqiptare! Ky vendim i ka rihapur rrugën e mbyllur kaq shumë vite, syrit së drejtësisë mbi vendin dhe autorët e atij krimi, duke e kthyer vendimin e qartë të Gjykatës Europiane të të drejtave të Njeriut në një mundësi konkrete për drejtësinë e re, që të bëjë histori me vendosjen e një drejtësie të drejtë”- shkruan kryeministri.

Më tej ai shprehet krenar për kontributin e dhënë nga Partia Socialiste që i hapi rrugën Reformës në Drejtësi.

“Sot jam më krenar se asnjëherë deri më tash për kontributin unik që Partia Socialiste dha në shembjen e Pallatit të Vjetër të Drejtësisë përmes Reformës në Drejtësi; për durimin në ballafaqimin e vështirë me mllefin legjitim të shumë të zhgënjyerve nga zvarritja e pafundme deri në varrosje e kësaj çështjeje; për moslëkundjen e bindjes se drejtësinë për 21 janarin mund, duhet e do ta bëjë vetëm drejtësia dhe askush tjetër, sado që ajo të vonojë”- shtoi Rama.

Kreu i qeverisë pati edhe një mesazh drejtuar atyre që vazhdimisht e kanë akuzuar PS-në se nuk po bënte sa duhej për ndëshkimin e autorëve të 21 janarit.

“Me frymëmarrjen e lehtësuar nga vendimi i sotëm dhe vetëdijen se rruga drejt shpagimit përfundimtar nga drejtësia e gjakut të pafajshëm të katër dëshmorëve të 21 janarit është ende e përpjetë, dua t’u them të gjithë atyre që në këto vite të gjata nuk i kanë kursyer fjalët e hidhura në drejtimin tim e të PS: Keni të gjithë mirëkuptimin tim, po kurrë mos e humbni besimin tek forca jonë e përbashkët dhe Shqipëria që po bëjmë me përpjekjen tonë të përbashkët”- përfundon Rama në reagimin e tij.  

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Elektroshtëpiaket, bulmeti e veshjet, produktet që blejmë më shtrenjtë se në Europë, sipas Eurostat

Elektroshtëpiaket, bulmeti e veshjet, produktet që blejmë më shtrenjtë se në Europë, sipas Eurostat