TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka ashpërsuar akuzat ndaj ish zv. kryeministres Belinda Balluku. Përveçse e pandehur për shkelje në tendera, Balluku është regjistruar si person i dyshuar edhe për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Episodi i zbardhur nga SPAK lidhet me 2 tendera me vlerë mbi 1 mln euro në kohën kur Balluku drejtonte “Albcontrol”. SPAK thotë se tenderat iu dhanë në shkelje një kompanie ndërtimi, dhe Balluku mori ryshfet një vilë në Dhërmi me vlerë 145 mijë euro, e cila është sekuestruar me vendim të djeshëm të GJKKO.
***
Në kohën kur ishte drejtoreshë e Albcontrol, ku ishte emëruar që në shtator 2013, Belinda Balluku, më pas ministre dhe zv. kryeministre, hapi një tender nëntorin e vitit 2014 me vlerë 88.6 milionë lekë të reja, ose rreth 880 mijë euro me kursin e sotëm. Tenderi synonte rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol. Një vit më vonë po këtij tenderi iu bë një shtesë, plus 140 mijë euro. Një vlerë totale prej 102 milionë lekësh të reja.
Prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, thonë se Balluku, e ndihmuar edhe nga vartësit në “Albcontrol”, Ervis Berberi në atë kohë me detyrën e Shefit të Sektorit të Prokurimeve, si dhe 3 anëtarët e Njësisë së Prokurimit, ka favorizuar kompaninë ndërtuese, jo vetëm në procedurat tenderuese por edhe në lidhjen e kontratës, duke i dhënë 50% të vlerës parapagim.
Në këmbim Balluku kërkoi dhe mori nga kompania fituese e tenderit një vilë në bregdetin e Jonit, rezidencën “White Rocks”, për ndërtimin e së cilës firmës së ndërtimit i ishte miratuar leja zhvillimore në mars 2014 nga KKT.
Bëhet fjalë për një vilë dykatëshe tip Begonia, gjithsej 103m2, e rrethuar me një parcele toke jo më pak se 300 m2. Vila ka edhe një verandë 34 m2 dhe vendparkimin brenda sipërfaqes së parcelës. Prokuroria e Posaçme (SPAK) thotë se vila në kompleksin rezidencial në Gjilekë të Dhërmiut është sekuestruar me vendim të djeshëm të firmosur nga gjyqtari i GJKKO, Erion Çela. Për këtë Ballukut tashmë i është regjistruar akuza si e dyshuar për korrupsion pasiv.
Vilën 2-katëshe Balluku s’mund ta regjistronte në emër të saj dhe për ta fshehur pasurinë, SPAK thotë se ka përdorur ish futbollistin Igli Tare dhe një vartëse të saj në Albcontrol, shefen e kabinetit Joana Bushi.
Sipas prokurorëve, Igli Tare është bërë pronar fiktiv i vilës në “White Rocks” përmes një kontrate të lidhur më 5 dhjetor 2018. Më pas vila ka kaluar si e dhënë me qira Joana Bushit, ndërkohë që përdorimin faktik e ka pasur Belinda Balluku.
Akuzën e pastrimit të parave SPAK ia ka regjistruar Ballukut me rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, me të paktën Igli Taren, të cilit sot zyrtarisht i është komunikuar statusi i personit nën hetim për pastrim parash.
Igli Tare u pyet për plot 6 orë nga agjentët e BKH këtë të enjte, fillimisht i vetëm por më pas u thirr edhe avokati i tij, fakt që konfirmoi se edhe ish futbollisti tashmë është i dyshuar.
Belinda Balluku u mor e pandehur 31 tetorin e 2025-s, për shkelje të barazisë në tendera për tunelin e Llogarasë. Më pas e njëjta akuzë iu regjistrua si e dyshuar në shtatë lotet e ndërtimit të Unazës së Madhe të Tiranës. SPAK kërkoi arrestimin e Ballukut por Kuvendi nuk e dha imunitetin e ish zv. kryeministres, ndaj të cilës qëndrojnë në fuqi masat e pezullimit nga detyra dhe ndalimi i daljes jashtë vendit. Nuk dihet në Prokuroria e Posaçme do të kërkojë sërish ashpërsim të masës ndaj Ballukut, tashmë që akuzat janë rënduar.
Njoftimi i plotë i SPAK
Prokuroria e Posaçme ka vijuar hetimet ndaj shtetases Belinda Balluku, e cila aktualisht është marrë e pandehur për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”*, në bashkëpunim dhe pas kryerjes së veprimeve të mëtejshme hetimore dyshohet gjithashtu për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim.
Në vijim të hetimeve të zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendimin nr.412, datë 3.6.2026, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasurinë e paluajtshme, në pronësinë indirekte të shtetases Belinda Balluku, që ndodhet në resortin turistik “Ëhite Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë.
Sipas rezultateve të deritanishme të hetimit, ekzistojnë dyshime se pasuria e sekuestruar lidhet me përfitimin e parregullt, të kërkuar dhe marrë nga shtetasja Belinda Balluku, në këmbim të favorizimit të operatorit ekonomik, përmes një procedure prokurorimi publik të zhvilluar nga Albcontrol sh.a. Hetimet kanë evidentuar gjithashtu përdorimin e veprimeve juridike të dyshuara si fiktive, me qëllim fshehjen e origjinës dhe pronësisë reale të pasurisë.
Pasuria e vendosur nën “sekuestro preventive” përbëhet nga një “Vilë individuale dy katëshe tip Begonia me Nr.F6, parcela e rrethuar në dispozicion të vilës është jo më pak se 300 m2. Vila F6, brenda kësaj parcele, ka një sipërfaqe prej 103m2 (kati përdhe 54 m2 dhe kati i parë mbi përdhe 49 m2). Vila F6 ka edhe verandën 34m2. Vendparkimi ndodhet brenda sipërfaqes së parcelës. [Referuar kontratës së porosisë me nr.1059 rep, nr.650 kol, datë 05.12.2018]
Nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ndjekja e hetimeve me metoda speciale, grumbullimi i provave dixhitale dhe provave të tjera të administruara deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, rezultojnë të dhëna për fakte penale të reja në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1, shkronja “b” e Kodit Penal, në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287, paragrafi 2, të Kodit Penal.
Nga aktet e administruara kanë rezultuar të dhëna për veprime të kundërligjshme të shtetases Belinda Balluku në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt: “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”, me fond limit 88,651,633 (tetëdhjetë e tetë milion e gjashtëqind e pesëdhjetë e një mijë e gjashtëqind e tridhjetë e tre) lekë, si dhe “Shtesë kontrate për ‘Rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve’”, me vlerë 14,161,814 (katërmbëdhjetë milion e njëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e tetëqind e katërmbëdhjetë) lekë pa TVSH.
Në lidhje me procedurën e sipërcituar, rezulton se shtetasja Belinda Balluku, në cilësinë e titullares së autoritetit kontraktor “Albcontrol” sh.a, me detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të “Albcontrol” sh.a, në bashkëpunim me shtetasin Evis Berberi, me detyrën e Shefit të Sektorit të Prokurimeve, si dhe anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit S.P., E.N. dhe A.M., kanë kryer veprime të kundërligjshme në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, si dhe VKM nr. 1, datë 10.1.2007 “Për rregullat e prokurimit publik” (i ndryshuar).
Këto veprime lidhen me fazën e përgatitjes së projektit dhe zhvillimit të procedurës, në përcaktimin e kritereve dhe miratimin e dokumenteve të tenderit, duke paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të procedurës së prokurimit, operatorin ekonomik “E....” sh.p.k.
Favorizimi i shoqërisë fituese ka vazhduar edhe në momentin e lidhjes së kontratës, duke i ofruar parapagim të menjëhershëm në vlerën 50% të kontratës, si dhe gjatë zbatimit të kontratës dhe shtesës së saj.
Nga hetimi rezulton se shtetasja Belinda Balluku, për shkak të funksionit të saj publik si Drejtore e Përgjithshme e Albcontrol sh.a, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k. në procedurën e sipërcituar, ka kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt, i cili, referuar kontratës së porosisë, është në vlerën 145,000 (njëqind e dyzet e pesë mijë) euro, që konsiston në pasuri të paluajtshme, konkretisht vilën me nr. F6, në resortin turistik “Ëhite Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, me zhvillues shoqërinë “E....” sh.p.k.
Përfitimi i parregullt është kërkuar gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, ku rezulton se në atë kohë shoqëria “E.....” sh.p.k. kishte aplikuar dhe ishte pajisur me Lejen Zhvillimore Komplekse nr. 2385/1 prot., datë 27.3.2015, të miratuar me Vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit nr. 7, datë 7.3.2014, “Për miratimin e lejes zhvillimore komplekse për resortin turistik në fshatin Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë”.
Për të fshehur këtë pasuri si produkt të veprës penale, shtetasja Belinda Balluku ka përdorur shtetasin I.T dhe vartësen e saj në Albcontrol sh.a., shtetasen J.B.
Kështu, rezulton se shtetasja Belinda Balluku ka kryer veprimin fiktiv të kontratës së porosisë nr. 1059 rep., nr. 650 kol., datë 5.12.2018, të lidhur mes shtetasit I.T dhe pronarit të shoqërisë “E....” sh.p.k., shtetasit P.C.
Veprimet e kundërligjshme në formën e pastrimit të produkteve të veprës penale kanë vijuar nga shtetasit Belinda Balluku, I.T dhe J.B, duke kryer veprimin tjetër fiktiv, atë të kontratës së qirasë (kontratë dore), datë 25.5.2022, dhe amendamentin e kësaj kontrate, datë 26.4.2024.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të fakteve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, si edhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse penale.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se tashmë që Belinda Ballukut iu shtua dhe akuza e korrupsionit, Prokuroria e Posaçme duhet t'i drejtohet sërish Kuvendit me kërkesën për autorizim për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres së vendit.
Me foton e printuar të vilës që iu sekuestrua sot Ballukut, Bardhi tha se më 12 mars mazhoranca socialiste nuk votoi për ish-ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, por për vilat e saj.
“Sot jemi dëshmitarë se Edi Ramës i është shtuar një hall i ri. Për muaj të tërë ai i gënjeu shqiptarët se Belinda Balluku nuk ka bërë korrupsion, se nuk ka pasuri të fshehura. Në fakt, në thelb nuk i gënjeu shqiptarët, sepse e vërteta vonon, por gjithmonë del në dritë. Dhe sot çdo shqiptar e ka para syve akuzën për korrupsion ndaj Belinda Ballukut.
Në fakt, ju gënjeu ju, të nderuar deputetë të mazhorancës, për të mbrojtur korrupsionin dhe një nga këto vila që janë këtu. Për këtë arsye votuat më 12 mars kundër kërkesës së SPAK-ut. Jo për të mbrojtur Ballukun, por një nga këto vila këtu",- tha Bardhi.
Në interpelancën me Ferit Hoxhën, deputeti Erald Kapri i kërkoi të mbante qëndrim si ministër dhe mos të fliste si ambasador. Konkretisht, Kapri pyeti nëse do të mbrohet sërish imuniteti i Belinda Ballukut nëse kërkohet sërish heqja e imunitetit të saj pas akuzave të reja nga SPAK, duke i shtuar pyetjet për protestën për Zvërnecin dhe afatin se kur do të shfuqizohet ligji për investimet strategjike.
Hoxha tha se kjo nuk lidhet me kërkesën e shprehur në letër për zhvillimin e interpelancës që ka si objekt Planin e Rritjes.
“Nuk e mora vesh për çfarë më kanë thirrur sepse në letër ishte për Planin e Rritjes dhe kam ardhur për të folur për Planin e Rritjes. Asgjë nga ato që dëgjova këtu s’ka lidhje me politikën e jashtme. Nuk e kuptova çfarë pyetjeje kishit për Ministrinë e Jashtme sepse ajo nuk merret me pronat, ka institucione të veçanta. Asnjë nga ato pyetje s’ka të bëjë me ministrinë përveç IBAR”, tha Hoxha.
Ndërsa mori fjalën, Kapri insistoi sërish te pyetjet e tij duke thënë se s’mori asnjë përgjigje konkrete prej ministrit.
“Unë jam i zgjedhur këtu, ju jeni i emëruar dhe tonin politik s’mund ta shtroni ju. Nuk dhe asnjë përgjigje konkrete. Nuk mund të rrini më nën petkun e ambasadorit, por të mbani qëndrim. Kur do e shfuqizoni ligjin për investitorët strategjikë? Si mund të thoni që s’ka lidhje me temën imuniteti i Ballukut? Kush janë agjenturat e huaja që kanë nxitur protestën e të rinjve shqiptarë?”, tha Kapri.
Lidhur me Ballukun, Hoxha u përgjigj se në Bruksel nuk flitet me emra për sa kohë një proces është nën hetim, në zbatim të parimit të prezumimit të pafajësisë.
“Iniciativat ligjore kanë rrugën e tyre. Të gjithë e duan Shqipërinë në Evropë dhe ky është misioni im. Në Bruksel nuk flitet kurrë për asnjë proces ligjor, gjyqësor në vijim. Asnjë emër i përveçëm nuk përmendet në takime për sa kohë procesi është në hetim, në vijim. Nuk flitet për emër të përveçëm pasi për këdo, pa një vendim të formës së prerë çdokush konsiderohet i pafajshëm. Kështu flitet në Europë”, tha Hoxha.
Igli Tare, ish futbollisti i njohur i kombëtares shqiptare, është marrë person nën hetim në dosjen Balluku. Tare ka dëshmuar për 6 orë në SPAK, ku i është komunikuar edhe fakti se është vënë nën hetim për pastrim parash.
Report Tv mëson se fletëthirrjen e kishte si "person qe ka dijeni për një krim", por pas afro një ore që merrej në pyetje nga agjentët e BKH, brenda u thirr edhe avokati i tij Rigert Koni.
Gjatë kohës që ai merrej në pyetje, SPAK njoftoi se ka sekuestruar një vilë të Belinda Ballukut në Dhërmi, të cilën e kishte fshehur në emër të ish-futbollistit.
Vetëm 2 javë më parë, më 19 maj, SPAK mori në pyetje edhe vëllanë e Igli Tares, Agronin, i cili qëndroi në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për rreth 30 minuta.
Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë, është person nën hetim edhe për 7 lotet e Unazës së Madhe, si edhe e dyshuar për 3 tenderë të tjerë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










i gjati eshte i rrethuar, po pat byth le ta mbaje tani se deri dje derrdelliste akuzohet per shperdorim detyre nderkohe qe tani ka akuza te tjera. a do presim qe ta kapim ne flagrance apo do veproje
Përgjigju