TIRANË- Katër ditë pasi Gjykata Kushtetuese pezulloi vendimin e GJKKO-së dhe riktheu në detyrë zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, SPAK vihet në lëvizje dhe i kërkon Kuvendit autorizim për arrestimin e saj. Për të vendosur Ballukun në masë arresti me burg ose arrest shtëpie, do duhet që Kuvendi të miratojë heqjen e imunitetit, që në rastin e saj është i dyfishtë, si deputete dhe si anëtare e qeverisë.
SPAK informon Kuvendin se Balluku po hetohet në total për 8 procedura prokurorimi, duke dhënë edhe një lajm të ri. Numri 2 i qeverisë, që më herët është marrë e pandehur për shkeljet me tenderin 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë, është vënë në hetim edhe për të 7 lotet e Unazës së Madhe, një projekt për të cilin janë prokuruar 45.9 miliardë lekë (450 milion euro).
Balluku dyshohet nga SPAK, se ka ndjekur dhe orientuar në çdo hap procedurat tenderuese, duke nisur nga faza përgatitore, gjatë zhvillimit të tenderit, në fazën e dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave, dhe deri në momentin e lidhjes se kontratave fituese.
I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili e cilësoi kërkesën e SPAK si një fakt të turpshëm pa asnjë lidhje me standardet demorkatike. Kreu i qeverisë kritikon arrestet në burg ose në shtëpi, pa gjyq, por më fund të reagimit të tij thotë se grupi parlamentar i PS do të shqyrtojë kërkesën e SPAK dhe do të mbajë një qëndrim të drejtë.
Kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut ishte si një lëvizje e detyruar për Prokurorinë e Posaçme. Një vendim i GJKKO që e pezulloi zv. Kryeministren nga detyra më 20 nentor për shkak se kishte rrezik të prishte prova u pezullua nga Gjykata Kushtetuese e cila e riktheu në detyrë anëtaren e qeverisë, duke bërë që të mbetet në fuqi vetëm masa e ndalimit të daljes jashtë vendit.
Tashmë pritet vendimi i Kuvendit, i cili do të duhet të japë leje për t’i mundësuar prokurorit Dritan Prençi që të kërkojë masë më të rëndë sigurie.
Kërkesa e SPAK, sipas rregullores së Kuvendit i vendoset menjëherë në dispozicion 10 anëtarëve të Këshillit të Mandateve, i cili do të mbidhet të premten e 19 dhjetorit ora 10:30. Ky këshill nuk voton, por brenda 2 javëve, nga momenti i përfundimit të shqyrtimit të këekesës së SPAK, ka kohë të përgatisë një raport në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi për Belinda Ballukun, siç kërkon SPAK, dhe më tej i përcillet Kuvendit për votim të hapur në seancë plenare. Nëse Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.
Ndërkohë një proces tjetër pritet të zhvillohet të enjten në Gjykatës e Posaçme e Apelit, e cila do të shqyrtojë kërkesën e Ballukut, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi për heqje fare masës së sigurisë. Edhe ky një rast i veçantë juridik, në një kohë kur Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 22 janar për të marrë në shqyrtim në themel të gjithë çështjen, ku ekzekutive thotë se gjyqësori i ka marrë kompetencat.
Njoftimi i plotë i SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbështetur në nenet 73, 95 dhe 103 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në nenet 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit:
Belinda Balluku, lindur dhe banuese në Tiranë, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë.
Kjo shtetase është marrë në cilësinë e të pandehurit në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale:
“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.
Gjithashtu, shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:
- “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
- “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
- “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
- “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
- “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
- “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
- “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.
Kjo kërkesë ka për qëllim marrjen e autorizimit nga Kuvendi për procedimin e mëtejshëm ligjor.


Report Tv ka siguruar kërkesën që Prokuroria e Posaçme i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë, për heqjen e imunitetit të deputetit të Belinda Balluku, duke i hapur kështu rrugë arrestimit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Kërkesa e SPAK:
I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar Deputetë të Kuvendit,
Mbështetur në nenet 73, 95,103 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenet 260, 288, 289 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit Belinda BALLUKU, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit" e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe "Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik", e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi, parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale, në kuadrin e procedimit penal nr.136 të vitit 2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjithashtu, në respektim të nenit 288, pika 2, të Kodit të Procedurës Penale, bashkëlidhur gjeni relacionin e arsyetuar, të shoqëruar me provat përkatëse, si dhe urdhrin për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve, datë 16.12.2025.


Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, është zyrtarisht nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe, një projekt për të cilin janë prokuruar 45.9 miliardë lekë (450 milion euro), ndërsa më herët është marrë e pandehur për shkeljet me tenderin 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë.
Sipas dokumentacionit në vitin 2021, menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare, për Unazën u hapën 7 tendera njëherësh të Unazes së Madhe. Mesazhet e përfshira në dosjen hetimore tregojnë se më 12 gusht 2021, punonjësit e ARRSH-së punonin deri pas mesnate për publikimin e tenderëve.
Bisedat më 11 gusht 2021
Evis Berberi: Hapja e ofertave ne 15 shtator te gjitha unazat
Miranda Shkurti: Po Edhe po te hedhim nesër ndonjë po në 15 shtator
Evis Berberi: Jo i dua në një ditë, të gjitha të hedhura
Miranda Shkurti: Po nuk i kanë përfunduar dy
Evis Berberi: "E di po i mbarojnë.
Miranda Shkurti: "Ok
Evis Berberi: Hidheni edhe pas 12 që nesër të rrimë rehat se do na tërbojnë ndryshe
Sipas prokurorisë, gjithë ky nxitim kishte vetëm një qëllim, formalitetet e procedurës të mbylleshin në kohë. Sepse, siç del nga hetimet, fituesit ishin përcaktuar paraprakisht.
Edhe në vendimin e GJKKO që përcaktoi masën e pezullimit të zv. kryeministren dhe ministren Balluku, jepet një pjesë e komunikimeve, ku për çdo lot, Berberi e njoftontë eproren e tij për çdo hap, nga nisja e procedurave të ofertat. Edhe ‘modus operandi’ duket e njëjtë, me shumicën e kompanive që aplikonin që skualifikoheshin.
Nga shtatë tenderat e 15 shtatorit 2021 për Unazës e Madhe, gjashtë u fituan me shuma që shkonin nga 94.5% deri në 96.1% të fondit limit. Nga 48 kompani që morën pjesë në garë, 35 prej tyre u skualifikuan.
Mesazhet mes ministres Belinda Balluku dhe Berberit tregojnë se vetëm katër ditë para hapjes së ofertave, ministrja udhëzonte se kush duhej të merrte pjesë në garë dhe cilat kompani duhej të tërhiqeshin. Në Loti 4, ku janë fokusuar hetimet, nga tetë kompani, shtatë u skualifikuan.
Disa prej tyre kishin hyrë në garë pa ofertë ekonomike, pa sigurimin e ofertës apo pa dokumente bazë. Megjithatë, edhe fituesi nuk plotësonte kriteret. Kompanitë kishin paraqitur “punë të ngjashme” që nuk kishin lidhje me ndërtimin e rrugëve, por me ndërtime banesash.
Prokuroria thotë se këto mangësi u injoruan nga ministria dhe administrata. Mësohet se në tavolinën e hetuesve te SPAK ndodhen edhe procedura të tjera të mëdha infrastrukturore, të cilat po kalojnë në filter, si dokumentet, komunikimet dhe mënyra se si janë marrë vendimet. Në janar 2024 u arrestua ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi. Ai moment u pa si lëvizja e parë e dukshme e organit të hetimit, por nuk ishte lëvizja e fundit. Pasi SPAK nisi të shkundë dokumentet, hetimi u zgjerua tek të gjitha lotet e Unazës së Madhe dhe jo vetëm aty.

Report Tv mëson që Këshilli i Mandateve do të mblidhet të premten e 19 dhjetorit për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme drejtuar Kuvendit, ku kërkon heqjen e imunitetit të deputetit të Belinda Ballukut, me qëllim arrestimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Emaili që i është dërguar deputetëve anëtarë të Këshillit të Imunitetit nga shërbimet e Kuvendit

SPAK ka kërkuar arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku pasi Kushtetuesja e ktheu në detyrë deri në shqyrtimin e ankimit të kryeministrit Edi Rama. Për të zbatuar masën e arrestit, qoftë arrest me burg apo arrest shtëpie, do duhet që Kuvendi të miratojë heqjen e imunitetit të Ballukun. SPAK e ka depozituar kërkesën, por çfarë rruge ndjek Kuvendi?
Çështjen e heqjes së imunitetit për një deputet apo anëtar qeverie dhe dhënien e lejes për arrestim e zgjidh neni 118 i Rregullores së Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit tashmë ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, një institucion me 10 anëtarë (5 mazhoranca dhe 5 opozita), i cili do të mblidhet të premten në orën 10:30. Deputeti vihet në dijeni dhe ka të drejtë të mbrohet para Këshillit.
Ky këshill nuk voton, por brenda 2 javëve, nga momenti i përfundimit të shqyrtimit të kërkesës së SPAK, ka kohë të përgatisë një raport në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi për Belinda Ballukun, siç kërkon SPAK, dhe më tej i përcillet Kuvendit për votim të hapur në seancë plenare.
Shqyrtimi bëhet në seancën pasardhëse plenare të Kuvendit si pikë e parë e rendit të ditës. Kuvendi me shumicë votash voton ose jo heqjen e autorizimit.
Afati maksimal sipas rregullores për një vendimmarrje është 3 muaj nga data e paraqitjes së kërkesës. Nëse Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.
Komente













Spak duhet te nxjerre mandat arresti dhe per met & jar hasen qe shantazhojn ramen per kete ceshtje
PërgjigjuBalluk faqepetulla...
PërgjigjuEdhe Rama duhet arrestuar bashke me Ballukun. Nuk ka vjedhur pa lejen e Rames ajo.
PërgjigjuPo per vjedhjet e Bashes ne rrugen e kombit kur do hetoje spaku?
PërgjigjuEshte shkelur barazimi ne tendera hahaha, krahasoje me me ngjarjet e 96,97,98,gerdecit,21 janarin,rrugen e kombit etj. Hajde perparime te drejteija hajde?!
PërgjigjuS'besoj se ER do e leshoje krahun e djathte. AI pergjigjen e dha tek fjalia kur permend 83 mandatet e popullit. Spak po behet nje shtet ne shtet dhe qe nje dite do pelcasi. Kapadalleku dhe mos profesionalizmi i disa pjesetareve qe paguhen 10 / 15 here me shume se pensionistet, po i kuhston shume shtetit te varfer shqiptar. Sa me shume t evarfer, sa me shume skmaje per nje vend, aq me shume krim, korrupsion dhe hajduteri.
Përgjigjute shofim ca do beje rama ke do zgjedhi midis ballukut dhe integrimit duhet te dije shume mire qe ajo qe do beje sot do kete neser kosto 2 fish per te
Përgjigju