TIRANË- 50 vite e 6 muaj burg ka kërkuar gjithsej Prokuroria e Posaçme për 21 të pandehur të dosjes së njohur si “ARRSH” me të pandehur kryesor ish kreun e Autoritetet Rrugor Shqiptar Evis Berberi dhe ish zyrtarë të tjerë të lartë Ministrisë së Infrastrukturës në kohën kur drejtohej nga Belinda Balluku.
Megjithatë vite burg reale duket se të pandehurit do të vuajnë shumë më pak për shkak të gjykimit të shkurtuar apo pezullimit të dënimeve me shërbim prove. Nëse GJKKO do të pranonte 100% pretencën e SPAK në vendimin përfundimtar atëherë vetëm 3 të pandehur nga 21 do të vuanin burg.
Për Evis Berberin, ish kreun e ARRSH, SPAK kërkon një dënim total prej 10 vitesh burg, i cili i ulet në 7 vite e gjysmë, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Prokuroria kërkon të shpallet fajtor për të gjitha episodet që është akuzuar (4 raste të shkeljes në tendera; 6 korrupsioni pasiv dhe 1 rast i pastrimit të parave). Për Berberin kërkohet edhe një dënim plotësues që për 5 vite pas përfundimit të dënimit të mos ushtrojë funksione publike. SPAK kërkoi gjithashtu konfiskimin e parave të gjetura gjatë kontrolleve në shtëpinë e Berberit, konkretisht për 15 mijë euro, 35 mijë paund dhe 1 milion lekë.
Hetimin më shumë se 2-vjeçar SPAK e përqendroi në vërtetimin se Evis Berberi ishte pronar faktik i një kompanie me emrin “DAAM shpk, të cilës i ka dhënë një numër të konsiderueshëm tenderash me vlera të mëdha në pozicionet e Drejtorit të Përgjithshëm për Efeciencën e Energjisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Sipas prokurorisë për të fshehur gjurmët e pronësisë mbi DAAM, në vitin 2019 e ka kaluar fiktivisht pronësinë me radhë tek Brunilda Buli, Valter Begaj dhe Ervis Lami, të cilët i raportonin Berberit çdo detaj mbi biznesin e tij.
Burgut duket se do t’i shpëtojnë dy prej 3 të akuzuarve më të rëndësishëm të dosjes së Evis Berberit. Prokurori Dritan Prençi ka kërkuar shpalljen fajtorë dhe dënimin me nga 7 vite e gjysmë (5 vite me gjykim të shkurtuar) për Ervis Lamin dhe Brunilda Bulin. Të dy, të cilët kanë menaxhuar firmën ‘DAAM’ të Berberit dhe kanë bashkëpunuar me të gjatë gjithë aktivitetit kriminal, duke se kanë bashkëpunuar me SPAK gjatë hetimeve si të penduar të drejtësisë dhe kanë zbardhur të gjithë skemën. Si shpërblim për të dy prokuroria kërkon pezullimin e dënimit me 4 vite shërbim prove Brunilda Buli pritet të mos bëje asnjë ditë burg, ndërsa nëse GJKKO pranon kërkesën Ervis Lami do të lirohej menjëherë pasi aktualisht ndodhet në “arrest me burg”.
Burg kërkon SPAK që të vuajnë dy personazhe të tjerë të rëndësishëm në dosjet që lidhen me ARRSH apo Ministrinë e Instrastukturës dhe Energjisë. Për ish Kreun e Autoritetet Rrugor Shqiptar Gentian Gjyli dhe ish drejtorin e KESH Erald Elezin, Prokuroria kërkon që të shpallen fajtorë për shkelje në tendera në një rast dhe të dënohen respektivisht nga një 1 vit e 6 muaj burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar u konvertohet në një vit burgim.
Gjyli dhe Elezi së bashku me Evis Berberin janë të vetmit për të cilët nuk është kërkuar pezullim dënimi, pasi siç duket SPAK ka mbajtur parasysh edhe përfshirjen e të treve në dosjen e bujshme të ish zv. Kryeministres Balluku. Të tre të pandehur dhe me masë sigurie për tunelin e Logarasë dhe të dyshuar për tendera të tjerë.
Dënime të tjera, me nga 2 vite, një vit e gjysmë apo edhe më pak, dhe që konvertohen në shërbim prove apo punë me interes publik është kërkuar për 15 të pandehurit e tjerë, zyrtarë të ndryshëm, shumica prej të cilëve kanë qenë në Komisionet e Vlerësimit të Ofertave dhe kanë kryer shkelje të barazisë në tendera. Për të gjithë është kërkuar edhe heqja e të drejtës për të mbajtur funksione publike për 3 vitet e ardhshme.
Për të njëjtën dosje në një proces tjetër vijon gjykimi me procedurë të zakonshme për biznesmenin, Valter Begaj dhe kompanitë që në letra ekzistojnë në emër të tij “Net Group” e “Dam shpk”. Po në këtë proces janë edhe të gjitha pasuritë e tjera të sekuestruara për dosjen, mijëra metra katrorë tokë dhe prona të tjera.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajmi në përditësim....
Komente











