Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gamzent Bardhi ka bërë me dije se 5 anëtarët e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve, vetë ai, Gent Strazimiri, Oerd Bylykbashi, Elda Hoti dhe Saimir Korreshi, i janë drejtuar kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, me kërkesën për të mbledhur ditën e nesërme Këshillin për të vijuar shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të deputetit Belinda Ballukut.
Deri më tani për mbledhjen e radhës nuk ka një datë të caktuar ndërsa kryeministri Edi Rama ditën e djeshme bëri të qartë se Këshilli nuk do të mblidhet deri sa Gjykata Kushtetuese të shprehet përfundimisht më datë 22 janar për pezullimin e Ballukut nga detyrat qeveritare.
“Sot, ne 5 anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, i kemi dërguar një kërkesë urgjente Kryetarit të Kuvendit për të mbledhur Këshillin e Mandateve nesër në orën 11:00, për të vijuar shqyrtimin e kërkesës së SPAK-ut, me anë të së cilës kërkohet autorizimi për arrestimin apo heqjen e lirisë ndaj zëvendëskryeministres, ministres dhe deputetes Belinda Balluku.
Edi Rama dje njoftoi se do të vijonte bllokimin e drejtësisë dhe pengimin e saj deri në muajin shkurt, kur Gjykata Kushtetuese të shprehet përfundimisht mbi një kërkesë të tij për masën e parë ndaluese të marrë nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme ndaj Belinda Ballukut. Në fakt, kërkesa e sjellë në Kuvend nga Prokuroria dhe çështja që po trajtohet në Gjykatën Kushtetuese nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Gjatë kohës kur Rama iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, për shkak se Prokuroria kishte marrë masën ndaluese për ushtrimin e funksionit për zonjën Balluku, ajo akuzohej për dy krime, me një vlerë dëmi prej 2010 milionë euro, dhe dosja e saj ishte kjo.
Sot që kërkesa e Prokurorisë ka ardhur në Kuvend për përshkallëzimin e masës ndaluese ndaj zonjës Balluku, pra për masë arresti apo heqje të lirisë, ajo akuzohet për plot 11 krime, me një vlerë dëmi prej 1.1 miliardë euro. Dhe dosja e saj është kjo, së bashku me provat që Prokuroria i ka sjellë në këtë USB Kuvendit. Ndaj, thirrja ime sot shkon për Kryetarin e Kuvendit që të mos pengojë drejtësinë, të mos bëhet vegël e interesave personale apo e frikës që ndjen Edi Rama nga hetimi i plotë, i shpejtë dhe i pa ndikuar i Prokurorisë në rastet korruptive të Belinda Ballukut. Tashmë i madh e i vogël e dinë që Edi Rama nuk po e pengon drejtësinë për shkak të Belinda Ballukut, por po e pengon drejtësinë për shkak të frikës së tij dhe sepse është i ndërgjegjshëm se urdhëruesi i çdo afere korruptive të kryer nga Belinda Balluku është vetë Edi Rama”, tha Bardhi.
Mbledhja e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve u zhvillua më 19 dhjetor, me pjesëmarrjen e 10 deputetëve, ( 5 nga PD dhe 5 nga PS) dhe nën prezencën e 3 prokurorëve të posaçëm, drejtuesit të ri të SPAK Klodian Braho dhe dy prokurorëve të çështjes Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.
Diskutimet u rrotulluan rreth USB-së me mbi 10 mijë faqe prova kundër Ballukut e dorëzuar nga SPAK ku argumentohet kërkesa e depozituar. Kjo USB iu shpërnda të gjithë anëtarëve, ndërsa palët nuk ranë dakord për caktimin e një date fikse për mbledhjen e ardhshme pas njohjes me provat konkrete. Anëtarët e PD kërkuan që mbledhja të mbahej brenda 5 ditëve të javës së ardhshme, ndërsa pas 20 minutave pushim, drejtuesi i Këshillit të Mandateve, Niko Peleshi nuk dha një datë për thirrjen e seancës së radhës.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente











