Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka paralajmëruar surpriza në Parlament në 12 mars, ku do të votohet për imunitetin e Belinda Ballukut, pas kërkesës së SPAK për arrestimin e saj me akuza për korrupsion.

Në një lidhje live me emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, Korreshi tha se presioni ndërkombëtar dhe qytetar mbi Ramën është rritur dhe sipas tij kjo mund të bëjë që kryeministri dhe PS të vendosin për heqjen e imunitetit të Ballukut.

Duke e cilësuar Ballukun si qeveritaren më të korruptuar, Korreshi tha se ideja për protestë para Kuvendit në 12 mars kur do të zhvillohet seanca plenare ishte e 3 deputetëve të PD-së dhe jo vetëm e Gazment Bardhit.

Teksa në PD është përfolur që militantët do të hyjnë brenda Parlamentit në 12 maj, Korreshi nuk e përjashtoi një mundësi të tillë, teksa tha se gjithçka do të ndodhë në varësi të situatës.

“Litari i alpinistit nuk e mban dot më peshën e provave për Ballukun. Ngritja e zërit si nga BE, ashtu edhe nga Ambasada e SHBA-së i kanë dhënë një lloj tjetër qasje gjësë, sa Rama e ka ulur tempin e atij ndryshimi të kodit të procedurës penale për nenin 242 me efekt pezullimi, që e trumbetoi me të fotë. Nga ana tjetër ka ulur tempin për Ballukun që do ta mbante. Pavarësisht se ajo vuri gjithë çerrat e saj, u shkarkua.

Pastaj ne nuk e dimë sesi do përfundojë raporti. Mund të ketë surpriza. Akoma edhe ata nuk dinë asgjë. Mos dëgjoni çfarë thotë Rama që do dëgjoj çfarë do më thonë Ulsiu dhe Taulanti. Por Ulsiu dhe Taulanti do të dëgjojnë se çfarë do t’u thotë Rama. Dhe deri ditën e fundit kjo do të jetë surprizë. Ata i kanë gati si pozitive dhe negative. Dhe varet presioni në ditët e fundit. Për t’ju kthyer asaj që thotë Bardhi, presioni i opozitës është në maksimum.

Protesta është thirrur dhe po vazhdon organizimi i saj. Ne do të presim momentin sesi do të jetë. Futja në institucion, nëse vijnë 100 mijë vetë aty, nuk ka njeri që i mban të futen në Parlament. Nga data 24 janar e deri më sot, unë kam parë dyfishim të atyre që vinin nga Lushnja në protesta. Nëse edhe Tirana del në datën 12, nuk i numëron dot pastaj.

Te Balluku bëhet fjalë për një korrupsion ku SPAK thotë se janë 11 akte kriminale, që tani janë fakte penale që ajo do akuzohet. Bëhet fjalë për zv.kryeministren dhe ministren më të rëndësishme të qeverisë Rama. Unë jam për ngujim të deputetëve brenda Parlamentit, në gërshetim me protesta jashtë Parlamentit. Kjo ka qenë nisme e 3 deputetëve dhe jo e Bardhit. Po të them një sekret, edhe zoti Berisha, askush nuk e di sot si do të operohet në datën 12. Nëse SPAK thotë ta arrestojmë Ballukun dhe ne themi ‘jo do ta mbajmë në shtëpi’, atëherë e shkrijmë SPAK-un dhe GJKKO-në që i mbajmë për yllin polar”, tha mes të tjerash Korreshi.

Nga ana tjetër, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Ilir Alimehmeti, është shprehur se të gjitha rrugët e ndërtuara dhe mbikqyrura nga Balluku u shembën, duke çuar në izolimin sipas tij të 1/3 së vendit.

"Të gjitha rrugët e ndërtuara dhe mbikqyrura prej saj u shembën. Kjo nuk është e drejtë për asnjë. Ndërkohë që ne flasim, patëm situatën që 1/3 e vendit u izolua. Ndërkohë që ne kishim një krizë për shkak të abuzimeve me fondet e rrugëve, ne kishim probleme madhore sepse askush në dikastere nuk ka guximin të firmosë sepse e di gjëndjen ku ndodhemi”, tha mes të tjerash Alimehmeti.

Kujtojmë se zv.kryeministrja Balluku u pezullua nga detyra me vendim të GJKKO-së, vendim i cili u rikonfirmua edhe nga Gjykata Kushtetuese. Më pas ajo u shkarkua nga detyra nga kryeministri Edi Rama dhe SPAK kërkon heqjen e imunitetit të saj me qëllim që ta arrestojë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:48
Ilir Alimehmeti: Të gjitha rrugët e ndërtuara nga Balluku u shembën, 1/3 e vendit u izolua totalisht! Shkak abuzimi me fondet

 

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Ilir Alimehmeti, është shprehur se shembja e rrugëve (që çoi edhe në izolimin e Jug-Lindjes pas shembjes së aksit Librazhd-Prrenjas) në Shqipëri ishte përgjegjësi e Belinda Ballukut, e cila ishte ministre e Infrastrukturës dhe Energjitikës.

Komentet Alimehmeti i bëri në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku tha se ishte abuzimi me fondet e rrugëve që solli këto problematika me akset në të gjithë vendin.

Alimehmeti shtoi se Balluku nuk duhet të ishte emëruar fare zv.kryeministre në shtator, teksa shtoi se kur doli zyrtarisht e pandehur nga SPAK, duhet ta kishte dhënë vetë dorëheqjen.

“Mazhoranca është kapur mat me Ballukun. Do duhej mos të ishte emëruar fare zv.kryeministre në shtator. Doli e pandehur zyrtarisht nga SPAK, duhet të jepte dorëheqjen vetë, por nuk e dha për shkak të mungesës së integritetit politik.

Është zhvillim që do jetë në kurriz të gjithë njerëzve. Të gjitha rrugët e ndërtuara dhe mbikqyrura prej saj u shembën. Kjo nuk është e drejtë për asnjë.

Ndërkohë që ne flasim, patëm situatën që 1/3 e vendit u izolua. Ndërkohë që ne kishim një krizë për shkak të abuzimeve me fondet e rrugëve, ne kishim probleme madhore sepse askush në dikastere nuk ka guximin të firmosë sepse e di gjëndjen ku ndodhemi”, tha mes të tjerash Alimehmeti.

Kujtojmë se shumë akse rrugore në Shqipëri u shembën ose pësuan dëmtime të shumta gjatë javëve të fundit. Rasti më i rëndë ishte shembja e aksit Librazhd-Prrenjas, që çoi thuajse në izolimin e plotë të Jug-Lindjes së vendit për disa ditë.