SPAK përfundon hetimet për laboratorin e kokainës në Xibrakë: Asnjë provë për përfshirjen e Olsi Ramës

TIRANË- SPAK ka përfunduar hetimet për dosjen e laboratorit të kokainës që u zbulua në vitin 2015 në Xibrakë dhe në një reagim për Report Tv thotë se nuk është gjetur asnjë provë që implikon në këtë çështje Olsi Ramën, vëllanë e kryeministrit. Hetimet mbi këtë dosje rifilluan pasi deputeti demokrat Gazment Bardhi kërkoi nga SPAK verifikim për përfshirjen sipas tij të Olsi Ramës te dosja ‘Xibraka’.

SPAK thotë për gazetaren Keti Banushi, se nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin Olsi Ramën me këtë aktivitet kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa persona. Madje, Prokuroria e Posaçme sqaron se në kuadër të hetimeve mbi këtë çështje kanë bashkëpunuar ngushtë me autoritetet kompetente të Kosovës dhe ka rezultuar se nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm që mund të kishin qenë të implikuar në këtë çështje.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, të regjistruar pas rifillimit të hetimeve të pezulluara të procedimit penal nr. 335/1 të vitit 2016. Ky procedim lidhej me veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Trafikimit të narkotikëve”, dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupet e strukturuara kriminale”, të parashikuara në nenet përkatëse të Kodit Penal.

Hetimet rifilluan pas administrimit të një informacioni të dërguar nga deputeti Gazment Bardhi, i cili pretendoi përfshirjen e shtetasit, Ols Rama në veprimtari të paligjshme. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë bashkëpunimin me autoritetet kompetente të Kosovës.

Nga hetimet ka rezultuar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që të lidhin shtetasin Ols Rama me aktivitetin kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa individë. Gjithashtu, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë.

Në përputhje me nenin 326 të Kodit të Procedurës Penale, më datë 23 dhjetor 2024, është vendosur pezullimi i hetimeve për procedimin penal nr. 88 të vitit 2024, pasi autorët e tjerë të veprave penale nuk janë identifikuar. Dosja i është dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të vijuar përpjekjet për identifikimin e autorëve”, thuhet në reagimin e SPAK për gazetaren e Report Tv, Keti Banushi.

Olsi Rama është paraqitur dy herë në SPAK si person në dijeni, ndërsa kjo çështje solli përplasje të ashpra mes kryeministrit Edi Rama dhe Gazment Bardhit. Kreu i qeverisë e quajti Bardhin disa herë gënjeshtar, ndërsa tha se SPAK duhet ta ndante këtë çështje, ku ose vëllai i tij duhej të dënohej si trafikant, ose Bardhi duhet të dënohej si shpifës. Vetë Olsi Rama ka depozituar dy padi në SPAK, ku e akuzon Bardhin për kallëzim të rremë.

Dosja Xibraka

9 të pandehurit e dosjes Xibraka, përfshi edhe dy shtetas kolumbiane, u deklaruan fajtorë nga Krimet e Rënda dhe u dënuan me 104 vite burg në total. Apeli i Krimeve të Rënda dënoi, Ermal Hoxhën me 6 vjet e 8 muaj; Ilir Hysenin me 8 vjet; kolumbianët Cesar Avila me 8 vjet; Valter Moreno me 8 vjet; Gentian Gjonajn me 7 vite e 8 muaj; Kelmend Dalipin 7 vite e 4 muaj; Sajmir Batkun me 8 vite e 8 muaj; Arjan Dalipin me 7 vite e 4 muaj si dhe Genci Xhixhan me 8 vjet e 8 muaj, ky i fundit u dënua në mungesë.

Grupi i drogës "Xibraka" u zbulua në janar të vitit 2015, gjatë një operacioni të policisë të asistuar nga agjentë të policisë gjermane, ku u sekuestrua sasia rekord e kokainës prej 100 kg. Droga u gjet në një magazinë në fshatin Xibrakë 10 km larg qytetit të Elbasanit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:23
Bardhi sulmon SPAK pasi hetimet zbuluan se Olsi Rama nuk ishte i përfshirë te ‘Xibraka’: Jeni kthyer në qesharakë

Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka reaguar pasi SPAK njoftoi se ka përfunduar hetimet për laboratorin e kokainës në Xibrakë dhe nuk gjeti asnjë provë që Olsi Rama mund të ishte i përfshirë. Bardhi sulmon SPAK dhe prokurorin Alfred Shehu.

“Nuk i besova syve me atë që lexova. Hetimet kanë përfunduar, por nuk kanë përfunduar. Ky ishte thelbi i atij njoftimi qesharak të prokurorisë, që e kam paralajmëruar që ditën e parë kur kam denoncuar me fakte dhe të dhëna konkrete dyshimin e arsyeshëm të përfshirjes së mundshme të vëllait të kryeministrit, Olsi Rama në çështjen e laboratorit të Xibrakës. Prokuroria njofton se kishte përfunduar hetimet për dosjen në fjalinë e parë, por në fjalinë e pestë thoshte se kam pezulluar hetimet dhe kam dërguar dosjen e plotë që polica e shtetit të bëjë përpjekje për të identifikuar atë që fshehur para 10 vitesh.

E vërteta është krejt ndryshe, prokuroria as nuk ka hetuar dhe as nuk ka kryer asnjë veprim hetimor, për të zbuluar të vërtetën. Prokuroria që vë dorën në zjarr që Olsi Rama nuk është i përfshirë në aktivitet kriminal, deklaron vetë se e ka të pamundur për të identifikuar personat e përfshirë por deri tashmë të paidentifikuar. Dhe njoftimi se njëri nuk është, po ne nuk e dimë kush janë, është logjika që përdori para 10 vitesh policia e shtetit duke na thënë të gjithëve se kishte arritur të identifikonte moshën e personit, konkrete, 45-vjeç, por nuk i gjente dot emrin.

I kuptoj prokurorët e SPAK se ndihen të kërcënuar, të intimiduar, të pafuqishëm përballë pushtetit të Ramës, por nuk kanë asnjë arsye për tu bërë qesharakë dhe për të na kthyer të gjithëve në memorie se të bërit qesharakë në fakt e kanë metodë të punës së tyre. Shqiptarët e mbajnë mend, që i njëjti prokuror, Alfred Shehu para 4 vitesh doli me zë e figurë dhe i tha shqiptarëve se në ngjarjen për zgjedhjet në Elbasan, nuk u gjetën materiale zgjedhore, nxitimi për të amnistuar bandën në pushet hasi në kundërshtimin e vetes vetëm kur tre ditë më vonë në gjykatë deklaroi që po, në makinë u gjetën materiale zgjedhore.

Në këto kushte, duke ripërsëritur pas 4 vitesh veten, unë s’kam asnjë mesazh më shumë veçse të shpreh keqardhje që, për shkak të presionit, ndërhyrjes dhe intimidimit, prokurorët jo vetëm nuk tregohen profesionalë, por detyrohen të kthehen në qesharakë. Personalisht e kam pasur të qartë pamundësinë e tyre për ta bërë të ndëshkueshëm dikë që ka statusin e të pandëshkueshmit për shkak të pushtetit të të vëllait.

Megjithatë, prokuroria kishte shansin të na tregonte që është e pavarur, e paanshme, profesionale dhe se kryen hetim të plotë e të gjithanshëm. Unë sot do të ndalem në një fakt: në seancën plenare të datës 4 prill 2024, ministri i Brendshëm i kohës, Taulant Balla, zyrtarisht informoi Kuvendin e Shqipërisë se kishte dijeni për identitetin e personit të moshës 45 vjeç, me zë dhe me figurë.

Pyetja ime sot për Prokurorin Shehu është: A e ka thirrur Taulant Ballën për ta pyetur mbi informacionin që ai, si ministër i Brendshëm, i përcolli Kuvendit të Shqipërisë, duke deklaruar se njihte personin e moshës 45 vjeç dhe se ky person nuk kishte asnjë lidhje me PS-në dhe Edi Ramën, por kishte lidhje me PD-në?

Mjafton ky fakt për të treguar se nuk ka pasur asnjë hetim apo veprim hetimor konkret për të zbardhur të vërtetën. Ka pasur vetëm një tentativë për t’i bërë shqiptarët budallenj, duke pretenduar se po hetohet, për të dalë sot me atë njoftim qesharak.

Gjithsesi, për të ripërsëritur qëndrimin tim, duke kuptuar që janë të pafuqishëm, kam vetëm një lutje: na kurseni të bërit qesharakë. Prokuroria Speciale nuk ka nevojë të degradojë deri në qëndrime apo njoftime të tilla që, në 5 rreshta, fjalia e parë kundërshton të pestën, apo ajo që thuhet në fjalinë e parë të jetë e ndryshme nga ajo që thuhet në fjalinë e pestë.

Qëndrime të tipit: ‘Ne nuk e dimë kush është, por betohemi para Edi Ramës se Olsi Rama nuk është’. Kaq për sonte se sigurisht, as nuk dekurajohemi. Kësaj çështjeje do t’i shkojmë deri në fund. E vërteta, siç doli në rastin kur prokurori Shehu gënjeu për ngjarjen në Elbasan, do të triumfojë, edhe pse do të marrë pak kohë”, thotë Bardhi.

SI.E./A.A/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Festim Zera: 10/01/2025 17:53

    Po tani çfar do thot Gazment Ziu i cili di vetēm tē mashtroi. Tani Olsi Rama tani ta hedhi nē gjyq mashtrusin Gazmend Ziun e ta çoi te çuni Shegēs Salinjan garipi qē jetėn po e shijon e shum i lumtur jeton se sapunin fērkon.

    Përgjigju
    • Anti rus: 10/01/2025 19:17

      Per ketë shpifje, ne vend të burgut, Olsi mltë kerkoje shperblim financiar prej 500 000 euro.

  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

6 miliardë dollarë, si ia mori Shqipëria Kinës, Rusisë dhe Jugosllavisë?! Esencë-Report Tv

6 miliardë dollarë, si ia mori Shqipëria Kinës, Rusisë dhe Jugosllavisë?! Esencë-Report Tv