TIRANËTeksa fundjava në Zvërnec u shndërrua në përplasje që sollën reagimin e opinionit publik dhe të politikës, pak javë para këtyre zhvillimeve SPAK mësohet të ketë  nisur verifikimet, mbi titujt e pronësisë në zonën ku është parashikuar të realizohet investimi për një resort turistik. Këtë të hënë, agjentët e BKH ushtruan disa kontrolle në banesat dhe zyrat e personave që rezultojnë të jenë përfshirë në transaksionet me tokat në Zvërnec.

***

Prokuroria e Posaçme mësohet të ketë regjistruar me iniciativën e vet, një procedim mbi mënyrën e përfitimit nga individë apo kompani të ndryshme të sipërfaqeve të konsiderueshme në Zvërnec, ku është parashikuar dhe investimi ndoshta më i madh turistik në vend, për të cilin ende nuk ka dalë leja e ndërtimit. Burime thanë për Report Tv se verifikimi ka nisur disa javë me parë, dhe nuk ka lidhje me përplasjen gjatë protestës së të shtunës në Zvërnec.

Në kuadër të këtij verifikimi këtë të hënë janë urdhëruar kontrolle, të miratuara nga GJKKO, në mbi 10 subjekte në Tiranë dhe Vlorë. Burime nga SPAK thanë për Report Tv, se mes kontrolleve në qytetin bregdetar, agjentët e BKH-së kanë zbarkuar në zyrën e avokatit Enkes Hysendhima, ku mësohet se janë sekuestruar disa dokumente dhe kompjuterë. Po sot, ai është thirrur edhe në SPAK, ku është marrë në pyetje. Siç e kërkon procedura, gjatë kontrolleve mësohet se ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Dhomës së Avokatisë së Vlorës, Durim Barjamaj.

Hysendhima, është nipi i Pëllumb Petritit, të cilit gjithashtu i është ushtruar kontroll në banesën e tij në Vlorë. Pëllumb Petriti është hetuar dhe dënuar disa herë për çështjen e tjetërsimit të pronave në zona të ndryshme të Vlorës, përfshirë dhe zonën e Zvërnecit, si dhe për falsifikim të dokumenteve e pastrim parash, ndërsa i përfshirë ka qenë dhe nipi i tij avokat. Petriti, rezulton po ashtu të ketë qenë avokat i Artur Shehut, një emër kontrovers, i lakuar disa herë në afera të ndryshme të dyshimta, por pa asnjë akuzë të ngritur ndaj tij.

Një tjetër emër i afërt po me Shehun, Leonard Bishaj, rezulton të ketë qenë subjekt i kontrolleve. Bishaj përshkruhet në media si lidhje e ngushtë e biznesmenit Shehu, dhe deri në vitin 2023 ka pasur edhe prokurë për përfaqësimin e këtij të fundit në marrëdhënie tregtare. Shehu njihet si një i fortë i Vlorës i viteve ’90 dhe po ashtu sipas mediave, një emër i lidhur me Berishën, i cili thuhet se ka përfituar nga pushteti i PD-së, duke u bërë pronar tokash në jug.

Kontrollet e BKH-së mësohet të jenë shtrirë dhe mbi aktivitetin e Redi Strugës, ish pronar i Albania Land Development, kompani përmes së cilave ai bleu sipërfaqe të shumta toke në Zvërnec. Në nëntor të vitit 2025, kompania rezulton të ketë kaluar në duart e dy vëllezërve, Alkhayat, nga Katari, bashkëpronarët e kompanisë ‘’Power Holding’’, një nga më të mëdhatë në lindjen e Mesme që ka blerë pronat për investimin turistik në Zvërnec. Struga është një nga tre administratorët aktual të Albania Land Development.

Prokurorja e SPAK që ka nisur verifikimet pas hetimit kryesisht, është hetuesja e posaçme Elida Kaçkini. Pas interesimit të Report TV, SPAK ka konfirmuar zyrtarisht vetëm faktin që janë duke hetuar, duke theksuar se në këtë fazë nuk mund të japin më shumë detaje.

Kliko ketu për të lexuar ekstraktin historik të Albania Land Development