Prokuroria e Posaçme vendosi në sekuestro preventive 5512 m2 truall në bregdet Artan Gaçit, ish-deputet i PS-së dhe njëkohësisht biznesmen dhe bashkëshortit të ish Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, pasi dyshohet se u përfitua përmes dokumenteve të falsifikuara.

Prona ndodhet në fshatin Gjilek - Dhërmi të Himarës.

Prokuroria e Posaçme konfirmoi sot (25 tetor) se ka regjistruar një procedim penal ndërsa sekuestro preventive e truallit është vendosur pasi po hetohet për falsifikim të aktit të marrjes së tokës në pronësi. 

Përmes një reagimi në facebook nga ish ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka mësohet se sekuetroja preventive është vendosur prej disa javësh. Ndër të tjera Xhaçka thotë se SPAK-u duhet të bëjë punën e vet i papenguar nga askush dhe reagon ndaj ish kryeministrit Sali Berisha duke e akuzuar si shpifës e kusar me damkë. 

Nje kusar me damkë dhe shpifës me nam si Sali Berisha nuk mund t’i bëjë askujt moral.  Bashkëshorti im nuk ka marrë asnjë metër katror tokë nga shteti për investimin e tij privat dhe vënia nën sekuestro  preventive prej disa javësh e nje pjese te kantierit të investimit, për të hetuar origjinën e një prone private qysh nga viti 1994 është pjesë e një procesi që unë as e dyshoj në qëllim, as e komentoj në meritë. 

SPAK-u të bëjë punën e vet i papenguar nga askush, ndërsa Sali Berisha le të vazhdojë të lehë për të tërhequr vëmendjen nga pantallonat e rëna deri në fund!

Procedimi penal u regjistrua mbi bazën e një kallëzimi të dorëzuar në SPAK nga Alfred Beleri, kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës që aktualisht ndodhet në masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për akuzën e korrupsionit zgjedhor.

Sipas kallëzimit, toka mbi të cilën është planifikuar të ngrihet hoteli i Gaçit në Dhërmi është përfituar përmes falsifikimit të një AMTP-je.

Më 6 tetor 2023 ish deputeti i PS-së, Artan Gaçi u paraqit në SPAK pasi ishte thirrur pas kallëzimit të kryer nga Fredi Beleri ndaj kryetarit në detyrë të bashkisë Himarë Jorgo Goro, për tjetërsim toke në Himarë.

Në kallëzimin penal të kryer nga Beleri, ai akuzon kryetarin në detyrë të kësaj Bashkie Jorgo Goro, se ka trajtësuar një pronë në favor të të tretëve, pronë e cila pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka.

Beleri paditi për veprat penale ‘Shpërdorim detyre’, ‘Falsifikim i dokumenteve, nga personi që ka për detyre të lëshojë aktin; Foto Pavllo Mehilli (trashëgimtarët), banues në Dhërmi, për kryerjen e veprës "Falsifikimi i dokumenteve", "Pastrimi i produkteve te veprës penale". Artan Gaxhi, për kryerjen e veprës penale "Falsifikimi i dokumenteve", dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale".- Olta Xhaçka, ish- Ministre e Punëve të Jashtme, deputete, për kryerjen e veprës penale "Shpërdorimi i detyrës".

Më 5 tetor u mor në pyetje edhe kryetari në detyrë i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro.

 

Reagimi i Olta Xhaçkës

 

 

 

 

Kallzimi i Alfred Belerit