Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale serbe, Snezhana Paunoviç i kërkoi falje presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit, pasi deklarata e saj për “spastrimin etnik të Kosovës” shkaktoi reagime të forta.

Paunoviç, në një intervistë në televizionin ‘Informer’ tha se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe kërkoi falje për fjalët e thëna pak ditë më parë, por jo ndaj Kosovës por ndaj qeverisë së Serbisë dhe presidentit Vuçiç.

“I kërkoj falje presidentit Vuçiç, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Macut, për faktin se ata janë akuzuar pa asnjë faj. Çfarë kam thënë ishte historia ime, jo një deklaratë. Është e pakëndshme të më duhet të shpjegoj se kjo nuk është politika e presidentit dhe as e qeverisë”, deklaroi Paunoviç.

Paunoviç e quajti paradoks edhe vendimin e Kosovës për ta shpallur “non grata”, duke thënë se ndalimi i përhershëm i hyrjes atje është vendosur shumë më herët, pasi prej 4 vitesh nuk ka mundur të shkojë në Kosovë.

“Kjo është vetëm propaganda e Kurtit para raundit të ri të zgjedhjeve. Dhe të mos harrojmë kënaqësinë e strukturave të caktuara në Serbi, të cilat, me të gjitha tjerrjet e mundshme, përpiqen të shërojnë frustrimet e tyre në rrjetet sociale”, vijoi ajo.

Ministrja serbe pretendon se e kishte fjalën për largimin e atyre që “nuk ndiheshin pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë.

Megjithatë fjalët e Paunoviç kanë trazuar jo vetëm Kosovën dhe Shqipërinë por edhe politikën e brendshme serbe. 53 deputetë të opozitës parlamentare atje kanë dorëzuar një kërkesë kryeministrit Gjuro Macut që ta shkarkojë Paunoviç.

Lajmin e njoftoi deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi,  i cili në një status në Facebook, tha se grupi parlamentar Lëvizja e Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut dhe Partia për Veprim Demokratik, inicioi shkarkimin e ministres serbe për Administratë Publike.

“Nëse Macut refuzon të propozojë shkarkimin e saj, ai do të marrë përgjegjësinë për vazhdimin e mandatit të saj në këtë funksion dhe për normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë”, tha ai.

Në mbrojtje të Paunoviç dy ditë më parë doli ministri i brendshëm serb Ivica Daçiç, i njohur për qëndrimet e tij të ashpra ndaj shqiptarëve. Kreu i Partisë Socialiste serbe të Paunoviç tha se të gjithë kritikuesve të saj duhet tu vijë turp pasi spastrimi etnik sipas tij është përjetuar edhe nga serbët pas viteve ‘90.

Kosova e shpalli non grata të mërkurën Snezhana Punoviç ndërsa këtë të enjte, qeveria njoftoi se Ministrja e Drejtësisë Donika Gërvalla, dorëzoi në prokurori kallëzim penal për të, për veprën penale të nxitjes së përçarjes.

Eurokomisionerja për zgjerimin Marta Kos reagoi për të dytën herë këtë javë për rastin. Ajo u bëri thirrje politikanëve të kenë kujdes me deklaratat. Këtë enjte nga Komiteti I Posaçëm për mburojën e demokracisë evropiane të PE Kos tha se nuk mund ta imagjinojë që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj.

“Ishte tronditëse të dëgjonim diçka të tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris as atë që ajo tha. Ishte vërtet tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, deklaroi komisionerja Kos.

Aleksandër Vuçiç pas fjalëve të Paunovic tha në një reagim se qëndrimi i Ministres nuk është i lidhur me vullnetin e qeverisë dhe partisë së tij.

Paunoviç para pak ditësh në “Kurir TV”, deklaroi se po të ishte në vend të ish-presidentit Millosheviç në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:42
‘Do e kishte spastruar etnikisht Kosovën’- Gërvalla depoziton kallëzim penal për ministren serbe: Deklaratat e saj mbartin pasoja të rënda!

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, sot ka depozituar Kallëzim Penal ndaj ministres serbe Snezhana Paunoviç. Kjo lëvizje vjen pas deklaratave të ministres serbe, e cila tha se nëse do të kishte pasur mundësi do ta kishte ‘spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998’.

Gërvalla pas kallëzimit ka deklaruar se deklaratat publike që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik dhe dëbimin e një populli nuk mund të trajtohen si retorikë e zakonshme politike, pasi sipas saj, ato mbajnë pasoja të rënda historike, juridike e njerëzore.

Më tej, Gërvalla ka theksuar se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj popullit të Kosovës gjatë luftës, ku mbi 10 mijë civilë shqiptarë humbën jetën dhe 1,565 persona ende figurojnë të zhdukur.

“Në cilësinë e Ministres së Drejtësisë kërkova nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që, në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente. Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës në Kosovë. Mbi 10,000 civilë shqiptarë humbën jetën, 1,565 persona ende figurojnë të zhdukur, afër një milion qytetarë u dëbuan me dhunë, rreth 20,000 gra, burra e fëmijë u përdhunuan dhe mbi 100,000 shtëpi u shkatërruan dhe u dëmtuan rëndë. Këto ishin pasoja të një fushate sistematike të gjenocidit e spastrimit etnik të kryer nga regjimi serb në Kosovë, të shoqëruar me vrasje, dëbime, dhunë seksuale dhe trajtim çnjerëzor”, theksoi mes të tjerash ministrja Gërvalla.

Ora 15:48
Deklarata skandaloze për spastrim etnik të Kosovës, eurokomisionerja Kos: E çuditshme sesi Paunoviç vazhdon të jetë ministre në Serbi

1784209846_martakos.JPG

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, përsëriti dënimin e saj ndaj deklaratës së ministres të Qeverisë serbe, Snezhana Paunoviç, lidhur me “spastrimin etnik” në Kosovë dhe shprehu habinë që ajo vazhdon të mbetet ministre. Kos u bëri thirrje politikanëve në vendet kandidate për anëtarësim në BE që të kenë parasysh se çdo fjalë e thënë ka peshë.

“Ishte tronditëse të dëgjonim diçka të tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris as atë që ajo tha. Ishte vërtet tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, deklaroi komisionarja Kos, gjatë fjalimit të saj në Komitetin e Posaçëm për Mburojën e Demokracisë Evropiane të Parlamentit Evropian.

Kjo deklaratë u dënua edhe nga Mbretëria e Bashkuar. Sipas Londrës, gjuha e përdorur nga Paunoviç është “e neveritshme” dhe referencat për spastrim etnik s’kanë vend në shoqërinë e sotme. Përmes një deklarate, një zëdhënës i Zyrës për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, tha se në kohën kur shtetet në Ballkanin Perëndimor janë të përqendruara në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore dhe shumetnike “deklaratat si këto synojnë të rihapin përçarjet e vjetra dhe të nxisin tensione”.

“Udhëheqësit e përgjegjshëm politikë duhet të refuzojnë një gjuhë të tillë”, u tha në deklaratë.

Ora 15:11
‘Do e kisha spastruar etnikisht Kosovën’, 53 deputetë opozitarë në Serbi kërkojnë shkarkimin e ministres Paunoviç pas deklaratës skandaloze

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, njoftoi të enjten se 53 deputetë opozitarë ia kanë dorëzuar një kërkesë kryeministrit serb për shkarkimin e ministres Snezhana Paunoviç, pas deklaratës së saj për “spastrim etnik” në Kosovë. Në një shkrim në Facebook, Kamberi tha se grupi parlamentar Lëvizja e Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut dhe Partia për Veprim Demokratik, iniciuan shkarkimin e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale.

Ata i kërkuan kryeministrit serb Gjuro Macut që, “pa asnjë vonesë”, t’i propozojë Kuvendit të Serbisë shkarkimin e ministres Paunoviç, e cila u shpall person i “padëshirueshëm” në Kosovë.

Nuk është e qartë nëse Macut do ta bëjë një propozim të tillë në Kuvendin serb me 250 vende.

“Nëse Macut refuzon të propozojë shkarkimin e saj, ai do të marrë përgjegjësinë për vazhdimin e mandatit të saj në këtë funksion dhe për normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë”, tha ai.

Kamberi tregoi se nisma e tyre nuk u mbështet nga partitë e pakicave nacionale, të cilat janë pjesë e Qeverisë.

“Pra, shkarkimin e ministres Paunoviç nuk e kanë përkrahur as partia boshnjake e Zukorliçit, as partia boshnjake e Lajiçit dhe as partia hungareze e Pastorit”, shtoi ai.

Ora 12:59
Ministrja serbe nuk tërhiqet nga deklaratat për spastrimin etnik në Kosovë: I kërkoj falje vetëm Vuçiç dhe qeverisë, jo shqiptarëve

Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviç, ka kërkuar falje pas reagimeve që shkaktoi deklarata e saj për spastrimin etnik të Kosovës. Megjithatë, ajo nuk u kërkoi falje shqiptarëve të Kosovës, por vetëm presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut.

Në një intervistë për emisionin e mëngjesit në Informer TV, Paunoviç tha se deklarata e saj ishte keqinterpretuar dhe u nxor jashtë kontekstit.

“I kërkoj falje presidentit Vuçiç, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Macut, për faktin se ata janë akuzuar pa asnjë faj”, u shpreh ajo.

Sipas ministres serbe, nga intervista njëorëshe janë shkëputur vetëm shtatë sekonda, duke krijuar një perceptim të gabuar mbi qëndrimin e saj.

“Çfarë kam thënë ishte historia ime, jo një deklaratë. Është e pakëndshme të më duhet të shpjegoj se kjo nuk është politika e presidentit dhe as e qeverisë”, deklaroi Paunoviç.

Ajo reagoi edhe ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për t’ia ndaluar hyrjen në territorin e vendit, duke e cilësuar atë paradoksal. Sipas Paunoviç, prej katër vitesh nuk i lejohet hyrja në Kosovë.

Nuk prisja që kjo të shkaktonte një reagim të tillë në Serbinë qendrore, dhe nuk mendoja se as eurodeputetët do të reagonin. Unë jam mësuar vetëm me "po e monitorojmë situatën" prej tyre. Është e rëndësishme që të gjithë dëgjuan se në Qeverinë e Serbisë ka një ministër që është përjashtuar nga ajo Kosovë, dhe është edhe më e rëndësishme nëse kanë dëgjuar se është marrë vendimi i qeverisë në Prishtinë që unë të shpallem "persona non grata". Unë nuk kam mundur të hyjë atje për katër vjet.

Kjo është vetëm propaganda e Kurtit para raundit të ri të zgjedhjeve. Dhe të mos harrojmë kënaqësinë e strukturave të caktuara në Serbi, të cilat, me të gjitha tjerrjet e mundshme, përpiqen të shërojnë frustrimet e tyre në rrjetet sociale. Ajo që është e rëndësishme është reagimi i qytetarëve të nderuar të Serbisë që e kuptuan për çfarë po flas", tha ministrja.