SPECIALE/ 2019-a, viti i SPAK! Bosët e krimit pas hekurave, krerët e drejtësisë të shkarkuar (VIDEO)

2019-të mbylli siparin duke zgjedhur për herë të parë sipas reformës në drejtësi dy titullarët e institucioneve ndër më të rëndësishmet. Prokurori i ri i Përgjithshëm me një mandat 7 vjeçar me votat e parlamentit është Olsian Çela. Çela vjen në këtë post duke zëvendësuar Arta Markun, e cila me një mandat të përkohshëm dy vjeçar u largua për të vazhduar karrierën e saj si gjyqtare Apeli në Tiranë.

"Sot ne ndodhemi në një fazë të vështirë, vendi po përballet me një krizë për shkak të ngjarjeve të fundit të muajit nëntor. Përgjigja që prokuroria duhet të japë në rastin konkret duhet të jetë, spikasë në raport me atë që po bëjnë institucionet e tjera, pasi njerëzit kërkojnë drejtësi, dhe gjërat të bëhen konkrete. Është një rast që jemi në lartësinë e asaj që pret vendi dhe njerëzit presin. Do të gjejmë të gjithë mekanizmat për të arritur atë që populli pret në raport me prokurorinë", shprehej Çela.

Pak ditë pas zgjedhjes së Çelës në krye të akuzës, i cili sot ka një post jo hetues por më tepër administrator, Këshilli i Lartë i Prokurorisë më 19 dhjetor zgjodhi në krye të Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit njohur si SPAK, Arben Krajën.

"Shpresoj që të japin rezultatet që ne presim. Ky është një moment historik për ne. Prokurorët fillojnë sot detyrën me zotin Kraja në krye. Fillim viti do të jetë intensiv për të gjithë ne në frontet e punës. Zotin e shtëpisë këtu e bën zoti Kraja, unë dhe gjithë të tjerët nga hera tjetër do të jemi të ftuar. KLP do të jetë mbështetje e vijueshme për SPAK-un", shprehej Kraja.

Kraja erdhi në këtë post pas kandidimit me dy kolegët e tij Edvin Kondili dhe Altin Dumani, ndërsa mesazhi i parë i tij ishte se kush shkel ligjin duhet të ketë frikë.

"Besoj se do të e çojmë bashkë me të gjithë të tjerët atë që kemi nisur. Padiskutim si të gjithë të tjerët. Dosjet ata që janë do të zgjidhen të gjitha me radhë. Ka qenë një nga prioritete tona që kemi vendosur për të rakorduar dhe bashkëpunëtorët tanë ndërkombëtar për të vlerësuar opinionin negativ për punën tonë. Sot shqiptarët duhet të besojnë se të gjithë ne si grup do të punojmë. I ashpër brenda ligjit kush shkel ligjin duhet të trembet.", tha Kraja.

Por teksa 2019 ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë do ta finalizonte me sukses, për ato ekzistuese ky vit nuk ishte i tillë.

Më 26 korrik për deklarime të pasaktë pasurie Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të nxirrte jashtë sistemit të drejtësisë kreun e Gjykatës Kushtetuese Xhezair Zaganjorin.

Të njëjtin fat me Zaganjorin do të kishte edhe Besnik Muçi prokurori i Krimeve të Rënda i cili për më pak se një muaj veshi dhe pelerinën e gjyqtarit kushtetues.

Ai po ashtu u shkarkua nga Kolegji Apelimit për probleme me pasurinë dhe kontakte me të inkriminuar.

Shkarkimi i Muçit u pasua me rifutjen e Kushtetuesës në një debat juridik e publik kur Këshilli i Emërimeve në Drejtësi propozoi tek presidenti listat për të përzgjedhur anëtarin e ri.

Mes listët ku ishte emri i Arta Vorpsit dhe Marsida Xhaferrlarit, presidenti Meta zgjodhi Xhaferrlarin e cila më pas u certifikua edhe nga Gjykata Kushtetuese duke marrë zyrë e mandat.

Ndërsa Vorpsi e cila zgjodhi të formalizojë juridikisht vullnetin e saj për të qenë gjyqtare Kushtetuese pranë noterit, nuk ju dha zyrë e mandat, por vazhdon të ushtrojë funksionin e këshiltares ligjore pranë kësaj gjykate.

Ishte pikërisht kjo listë e cila në dyert e prokurorisë dërgoi për herë të parë në histori presidentin e Republikës së Shqipërisë.

Në cilësinë e kallëzuesit presidenti Ilir Meta i cili kërkon hetimin e kreut të KED, Ardian Dvorani u paraqit në prokurori për deklarime.

"Shpresoj që prokuroria të mos jetë në presione politike dhe të bëjë punën e saj me profesionalizëm dhe durim. Kushtetuta e thotë qartë se kushtetuta është ligji më i lartë në Shqipëri. Lidhur me këtë çështje që bën fjalë për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë që garanton sovranitetin e popullit shqiptar. dua t'i siguroj qytetarët se presidentit i tyre ka zbatuar dispozitat kushtetuese. Të gjitha provat e depozituar deri tani janë të mjaftueshme që prokuroria të veprojë ndaj Dvoranit. Ne nuk bëjmë presione pavarësisht se ka vënë në dyshim dinjitetin e shtetit. Ne jemi të qetë dhe të duruar dhe do bashkëpunojmë më ngushtë me prokurorinë se ky është një rast flagrant", tha Meta.

"Tani unë nuk mund të flas me detaje. Hetimi nuk bëhet në media por në këtë godinë dhe unë aty kam bërë shpjegim të detajuar të të gjithë fakteve. Institucionet dhe funksionarët nuk duhet t'i shtrojnë problematika me produkte artistike dhe me filma me metrazh të shkurtër apo të gjatë, por në rrugë institucionale", u shpreh Dvorani.

I konsideruari si institucioni që do të kontrollojë e monitorojë gjyqtar e prokuror, Inspektori i Lartë i Drejtësisë mbeti i pazgjedhur dhe jashtë funksionit edhe përgjatë 2019-ës.

KED arriti të rendit me pikëzim pesë kandidatët në garë për t'ia përcjellë Kuvendit për votim, ndërsa lista kryesohet nga Arut Metani.

Në rrejtën e Kolegjit të Apelimit përgjatë 2019 ranë edhe dy anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Genti Osmani dhe Antoneta Sevdari të cilët pas shkarkimit u zëvendësuan.

Gjyqësori përgjatë 2019 prodhoi edhe dënime për të konsideruarit të paprekshëm, mes tyre ish gjyqtari i lartë Admir Thanza u dënua me 9 muaj burg konvertua në shërbim prove pasi u gjet fajtor për deklarime të rreme si pasojë e ligjit të dekriminalizimit.

Dekriminalizimi përball drejtësisë vuri edhe dy kryebashkiak të zgjedhur nga lokalet 2019. Valdrin Pjetri ish qytetari i parë i Shkodrës u vu nën akuzë pasi fshehu dënimin në Itali, ndërsa ish qytetari i parë i Vorës Agim Kajmaku po ashtu u mor i pandehur pasi fshehu arrestimin në Greqi. Denoncimet për këta dy ish kryebashkiak u bënë nga Partia Demokratike ndërsa në proces verifikimi janë edhe 4 kryebashkiak të tjerë.

Klement Balili për të cilin media greke e raporton si Escobari i Ballkanit, drejtësia shqiptare ish prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Gjykata e Krimeve të Rrënda e dënuan me 10 vite burg.

Drejtësia shqiptare në 2019 dënoi edhe politikanë, përfshi kreun e opozitës Lulzim Basha me 50 mijë lekë për shpifje pas padisë të Taulant Ballës në lidhje me dosjen ‘’Toyota Auris”.

Por ky proces nuk do ishte i vetëm ndaj kryeopozitarit. Pas një përplasje disa javore mes tre prokurorëve, akuza e Tiranës dërgoi në gjyq për herë të dytë Bashën. Këtë herë me hetimet e nisura për pastrim parash e lobimin rus, prokurorët Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako firmosën marrjen e pandehur të Bashës vetëm për akuzën e falsifikimit të formularëve dhe stampave. Së bashku me Bashën të pandehur janë Ilir Dervishi, financieri PD-s dhe ish sekretari Përgjithshëm Arben Ristani.

Politikani i dytë dhe ish ministri më i rëndësishëm i qeverisë Rama, Saimir Tahiri u dënua nga krimet e rënda me 3 vite burg konvertuar në shërbim prove. Tahiri u vu në akuzë si pjesë e grupit të strukturuar kriminal drejtuar nga Moisi Habilaj, por në fund dënimi i tij u reduktua vetëm për shpërdorim detyre.

Me akuzën e kallëzimit të rremë me një vit burg u dënua dhe ish deputeti Ervin Salianji, i cili sipas prokurorisë e gjykatës së Tiranës u përfshi në kallëzimin e rremë dhe fabrikimin e audio montazhit “Babale” duke akuzuar vëllain e ish ministrit Fatmir Xhafa, Agron Xhafa si të përfshirë në trafik droge.

Dosja “184” në të cilën politika u përfshi në akuza të ndërsjella dhe publiku dëgjoi e mësoi emrat e personazheve të përfshirë në korrupsionin zgjedhor, nuk  prodhoi asnjë rezultat. Paçka premtimit të Arta Markut se një numër i lartë CD me përgjime po zbardheshin, prokurori Klodian Braho sot i zgjedhur anëtar i SPAK e transferoi këtë hetim në Dibër.

Një tjetër dosje njohur me kodin “339” po për korrupsion zgjedhor me përfshirjen e ish kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, por e nisur më herët për trafik droge vazhdon të mbetet pa rezultat dhe si një dosje që SPAK do duhet të vendos fatin e saj për ta rihetuar apo transferuar në rrethe.

Dosja “tërmeti” e shtirë në tre prokurori të vendit është ende nën hetim nisur nga Durrësi që ka sjellë arrestimet e para, pasuar nga Kruja e Tirana të cilat ende nuk kanë një përgjegjës konkret. Drejtuesja e prokurorisë Durrës Aneta Jella ka shpjeguar për ReportTv se hetimet pas tërmetit të 26 nëntorit janë ndarë në përgjegjësit për vdekjen e 23 personave si dhe ato të përgjegjësive për dëmet materiale pas shkeljeve të rregullave të ndërtimit.

E paralajmëruar se për krishtlindje dhe vitin e ri, amnistia do t'i dhuronte lirinë të burgosurve me amnisti. Kjo nuk u arrit, ndërsa pak orë para krishtlindjeve Ministrja Etilda Gjonaj e ripremtoi atë duke zbardhur vendimin e qeverisë për miratimin dhe dërgimin në parlament.

"Miratohet drafti për amnistinë. Qëndrimi dhe angazhimi i qeverisë ka qenë që kjo amnisti t'i dedikohej grave dhe kategorive të veçanta. Nga kjo amnisti në bazë të gjitha kritereve, nga 56 gra që vuajnë dënimin fitojnë lirimin gjysma e tyre, ndërsa gjysma tjetër përfitojnë uljen e dënimit me 1/3. Nga kjo amnisti përfitojnë edhe një numër i konsiderueshëm burrash. 4 të dënuar të mitur lirim, 2 perftojne ulje. Përfitojnë burra që janë të dënuar deri ne 2 vite burg, ose ju kane mbetur për të vuajtur 2 vjet burg", tha Gjonaj..

Pa mbushur një javë nga krijimi në SPAK mbërritën dhe kallëzimet e para. "Nisma Thurje" kërkon nga SPAK hetimin e ish ministrin Ilir Beqaj për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve mjekësore që përdoren nga mjekët gjatë operacioneve.

"Ka elementë që nuk shkojnë në këtë kontratë. Ne i kemi kërkuar Prokurorisë së Posaçme që kur jemi përpara një vepre penale të bëjmë një kallëzim në Prokurori. Megjithatë ne i kërkojmë SPAK të hetojë që nga Beqja deri tek të gjithë zyrtarët e tjerë pasi ka arsye të mjaftueshme për të besuar që kanë abuzuar me buxhetin e shtetit. Në 30 vjet janë dënuar vetëm qytetarët shqiptarë. Ne besojmë se institucionet e reja të drejtësisë do i japin fund pandëshkueshmërisë. Ne kemi evidentuar disa gjëra", tha Endri Shabani nga Nisma "Thurje".

Pas tyre kallëzimet u shtuan nga qytetarë e të pandehur të cilët denoncojnë afera korruptive.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • BRSS: 01/01/2020 21:06

    PO PER BOSET E POLITIKES APO DO TI LEN AKOMA QE TE TALLIN BYTHEN ME POPULLIN

    Përgjigju
  • Tan: 01/01/2020 15:16

    Haha pse dhe SPak ME BOSET E KRIMIT DO MERRET JO ME POLITIKANET. HAJT GEZUAR VITIN E RI

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë