Pothuajse çdo sezon dimri, disa fshatra të Kukësit izolohen për shkak të rrugëve që bllokohen ose nga bora ose nga rrëshqitjet e dherave.

Kështu ka ndodhur edhe këtë vit për banorët e fshatit Cërnalevë.

Nga Kukësi është vetëm 19 km, por udhëtimi me automjet përfundon në Borje. Ky segment, i cili edhe më parë ishte i vështirë për qarkullimin e mjeteve, tashmë është praktikisht i pakalueshëm pas rrëshqitjeve të dherave.  Banorët janë detyruar të përdorin rrugën ndërkufitare Borje–Krushevë–Shishtavec–Kukës për të shkuar në qytet, një itinerar shumë më i gjatë dhe i vështirë, sidomos në kushtet e dimrit.

Këtu takojmë Kreshnik Hysenajn që sapo ka përfunduar blerjet e ushqimeve dhe i duhet të ecë në këmbë mbi një orë për t’u kthyer në shtëpinë e tij në Cërnalevë.

“Kam ardhur nga ana e Kosovës se rruga Kukës -Borje është e bllokuar nga shkarja e dherave. Ecim rreth një orë e gjysmë në këmbë për të shkuar në fshatin Borje e për të vazhduar më pas për në Kukës. Makinat personale i kemi të bllokuara në oborrin e shtëpisë. Sot mora ushqimet bazë për fëmijët. Ka mbaruar edhe ushqimi për kafshët por nuk i transportojmë dot në krahë", tregon Kreshnik Hysenaj.

Kreshniku është anëtar i familjes së madhe Hysenaj që është lindur dhe rritur mes maleve të ashpra të Gorës, disa kilometra larg zonës së banuar të fshatit Cërnalevë në Kukës.

Ai së bashku me të atin dhe tre vëllezërit kanë ngritur katër shtëpi.

Ndodhemi në një zonë të harruar jo vetëm nga ky sistem, por edhe nga koha kur qeveriste Partia e Punës. Të katërta banesat vazhdojnë të furnizohen me energji elektrike përmes një mini-centrali elektrik, të ndërtuar në vitin 1981.

Autori i kësaj vepre artizanale është Selman Hysenaj, sot 74 vjeç, babai i katër vëllezërve që jetojnë ende aty.

“Kam filluar ta ndërtoj që në vitin 1980. Kërkova në kohën e Enver Hoxhës të më binin dritat. Nuk m’i kanë sjellë. Jam detyruar t’i vendos vetë në vitin 1981.” tregon Selman Hysenaj.

Asokohe, Kukësi kishte përfunduar ndërtimin e qytetit të ri dhe popullsia ishte zhvendosur në banesat e sapo përfunduara. Furnizimi me energji elektrike ishte kryer që në vitin 1946 për qytetin e më pas ishte shtrirë edhe në fshatra. Edhe Cërnaleva u elektrifikua, por jo zona ku banonte Selman Hysenaj.

Të veçuara nga fshati dhe të stigmatizuara si familje “kulakësh” gjatë viteve të diktaturës, shtëpia e vjetër e Selmanit ku u rrit dhe u martua nuk u lidhën kurrë me rrjetin elektrik të Cërnalevës, pavarësisht kërkesave të shumta drejtuar shtetit të asaj kohe, deri edhe vetë Enver Hoxhës.

“Këtu nuk kam linjë për drita. Nuk m’i sollën asnjëherë.”

Pa asnjë përgjigje pozitive nga shteti i atëhershëm, Selmani vendosi të ndërtojë vetë një mini-central elektrik të vogël, i cili mbetet funksional edhe sot.

 “E ndërtova me forcat e mia. I kam dërguar shumë letra Enver Hoxhës. Ata më kthyen përgjigje se do të merrnin masa kundrejt pagesës. Po ku t’i gjeja paratë unë, në kooperativë me 50 lekë ditë pune. E vendosa ta bëj. Të bëhet çfarë të bëhet. Nuk folën më. Që atëherë e lanë atë muhabet. Nuk kam linjë të dritave këtu. Shteti nuk m’i solli. As sot nuk më vijnë fatura energjie,” tregon 74-vjeçari.

Energjia e prodhuar shërben vetëm për nevojat bazë të katër shtëpive të djemve të tij.

“Nuk e di sa kilovat është. E kemi sa për nevojat e familjes, për shembull lavatriçet mezi punojnë” thotë Selman Hysenaj.

Në kushtet e mbijetesës, Selmani ia doli t’u sigurojë kushtet minimale 6 fëmijëve të tij. Ndërtimi i mini-centralit elektrik i shërbeu edhe në ushtrimin e zanatit të kovaçit.

“Kam punuar edhe atëherë edhe sot e kësaj dite!”

Brenda një territori të vogël, pranë zonës së banuar të fshatit Cërnalevë, zbulon mozaikë historish të mënyrës së jetesës të familjes Hysenaj që nga një derë janë hapur edhe katër të tjera.

“Kam punuar kovaç që në moshën 15 vjeçare. E kam përvetësuar që atëhere zanatin,” thotë Selmani.

Prej më shumë se gjysmë shekulli, Selmani ushtron këtë zanat të vjetër, që e ka shoqëruar gjithë jetën.

“E zgjodha prej nevojave familjare, të ushqej fëmijët se nuk është zanat i lehtë, përkundrazi është i rëndë,” tregon i moshuari.

Edhe pse nuk ka kryer asnjë shkollë profesionale, Selmani e mësoi zanatin nga mjeshtërit e vjetër të Kukësit.

“Zanati vidhet, nuk jepet. Dhe unë kështu e përvetësova.”

Zanatin ai nuk e mbajti vetëm për vete. Ia trashëgoi njërin prej katër djemve të tij, i cili sot është i vetmi mjeshtër në Gorë që punon me dorë curlet, një instrument muzikor tradicional, i lidhur ngushtë me festat, dasmat dhe identitetin kulturor të kësaj treve malore.

“Pa zanat nuk jetohet. Dikush e zgjedh të lehtë, dikush të rëndë, por nuk të le pa punë. Është i vazhdueshëm sepse është i nevojshëm,” këmbëngul Selman Hysenaj.

Edhe sot vazhdon të rregullojë vegla bujqësore, sëpata për prerjen e druve dhe mjete të tjera jetike për zonën. Megjithatë, ai tregon se fitimi nga kjo punë është i vogël. Varfëria dhe kushtet e vështira ekonomike të banorëve të zonave malore e bëjnë gjithnjë e më të vështirë mbijetesën e zanatçinjve. Ai ka mbetur kovaçi i fundit në zonën e Gorës.

“Kanë ikur të gjithë. Dikur vinin dhe nga Kosova për t’u rregulluar veglat e punës, sot pak njerëz kanë mbetur,” e mbyll historinë e tij 74-vjeçari.

Përballjet me vështirësitë e shumta e kanë sfiduar gjatë gjithë jetës Selman Hysenajn. Sot edhe djemtë e tij ia kanë dalë mbanë vetë në gjithçka. Vetëm për rrugën kërkojnë ndihmë, t’u zhbllokohet sa herë kanë probleme me rrëshqitjet e dherave apo të borës pasi është e vetmja që i lidh me turravrapin e botës së qytetëruar.