Speciale/ Legjendat i bëjnë ballë edhe pandemisë! Tirana, Liverpool dhe Bayern Mynchen shkruajtën historinë në 2020

Në një vit jubilar për Tiranën, skuadra kryeqytetase arriti të bënte krenar të gjithë popullin bardheblu. Titulli i 25 në historinë e klubit erdhi pikërisht në 100-vjetorin e krimit. Kjo për meritën më të madhe të trajnerit Emanuel Ebo, që mori drejtimin në një moment kritik dhe falë një ecuri të jashtëzakonshme nga dhjetori deri në qershor. Më 13 dhjetor të 2019 Tirana do të niste një seri fitoresh të papara, duke filluar kundër Partizanit, rivales historike që në 14 ndeshjet e fundit ishte e pamposhtur nga bardheblutë. Kjo zgjati deri me 15 qershor, kur Tirana u mposht nga Teuta, por ne atë moment bardheblutë ishin dukshëm shumë pranë titullit.

Momenti kulminat i sezonit për Tiranën ishte fitorja 2-1 me përmbysje ndaj rivalit direkt që ishte Kukësi. Kjo ndodhi me 21 shkurt në Air Albania, me protagonist absolute Idriz Bathën, i cili me një perlë nga goditja e dënimit i dha atë fitore të paçmuar bardhebluve.

Më 29 korrik, kur edhe sezoni 2019-2020 u mbyll, Tirana u rendit e para me 70 pikë, 4 më shumë se Kukësi i vendit të dytë. Për t’u veçuar fakti që në këtë sezon titulli Tirana ndërroi tre trajnerët. Skuadrën e ndërtoi Ardian Mema, i cili qëndroi deri në nëntor, ndërsa për gati një muaj në krye te ekipit u emërua Julian Ahmataj. Nga dhjetor e deri në fund të sezonit numri 1 ishte Emanuel Egbo, i cili këtë triumf ia dedikoi zotit.

Ky ishte titulli i 25 kampion për Tiranën, e cila shkëputet +7 trofe më shumë se Dinamo, e cila aktualisht luan në Kategorinë e parë.

I vetmi detaj që i prishi bukurine fitores së Tiranës ishte mungesa e tifozëve. Kjo një problematike e pashmangshme për të gjithë botën e futbollit për shkak të pandemisë së koronaviorusit. Kjo jo vetëm që ndërpreu futbollin për tre muaj, por goditi rëndë ekonominë e klubeve. Aq më shumë ato shqiptare të cilët e vuajnë shumë këtë aspekt. Sot e kësaj ditë tifozët mungojnë në shkallët e stadiumeve, por ka shpresë në fund të tunelit se në 2021 ata do të jenë sërish aty ku e kanë vendin, për t’i dhënë zë një sporti që është më i ndjekuri në botë.

Kombetarja ne 2020 …….

Viti 2020 mund të konsiderohet pozitiv për kombëtaren shqiptare, që me shumë mundim ia doli të arrinte objektivin në Ligën e Kombeve. Për shkak të pandemisë Kombëtarja në 2020 luajti vetëm nga muaji shtator deri në nëntor, ku përveç 6 ndeshjeve në Ligën e Kombeve zhvilloi edhe një miqësore me Kosovën, të cilën e mposhti me shifrat 2-1.

4 shtator në Minsk kuqezinjtë u përballën me Bjellorusinë, kundërshtari më i fortë në grupin tonë në Ligën C të Ligës së Kombeve, ku bënte pjesë gjithashtu edhe Kazakistani me Lituaninë. Në Minsk Kombëtarja do të bënte një paraqitje të shkëlqyer, duke fituar me shifrat 0-2 dhe duke dhënë përshtypjen se objektivi i vendosur për vendin e parë ishte mëse i arritshëm. Në Minsk autorët e golave do të ishin Sokol Cikalleshi, por edhe Keidi Bare.

Nga kjo atmosferë pozitive Shqipëria do të kalonte nga dielli në shi. Kjo vetëm tre ditë pas fitores në Bjellorusi. Me 7 shtator në Air Albania ekipi i Edy Rejas do të mposhtej 0-1 nga Lituania, duke lënë një trishtim të madh pasi ishte konsideruar ndeshja që duhej fituar me patjetër. Një gafë e futbollistëve tanë vendosi 90 minutat në Tiranë.

Tetori u prit me padurim, se Kombëtarja do të rikuperonte atë gafë të pafalshme kundër Lituanisë. Gjithsesi dy ndeshjet e këtij muaji, kundër Kazakistanit më 11 tetor dhe kundër Lituanisë me 14 tetor, përfunduan në barazim pa gola. Rezultatet bënë të tyren, por ambientin shqiptar do ta trishtonte më shumë loja e zhvilluar nga futbollistët kuqezinjë.

Në këto kushte nuk mbetej që gjë tjetër veçse në dy ndeshjet e nëntorit të fitohej me patjetër. Nëse objektivi ishte po ai, vendi i parë, nuk kishte rrugë tjetër.

15 nëntor në Air Albania Shqipëria u përball me Kazakistanin. Pikërisht edhe në këtë ndeshje trajneri Reja zgjodhi të kthente edhe gardën e vjetër, pasi në tre ndeshjet e mëparshme kishte ekperimentuar me futbollistët e përzgjedhur. Dhe ashtu siç pritej garda e vjetër nuk zhgënjeu. Kazakistani do të binte në tokën shqiptare me rezultatin 3-1. Cikalleshi dhe Ismajlaj do të shënonin para se miqtë të ngushtonin përkohësisht, ndërsa golin që vulosi takimin e realizoi Rei Manaj. Fitorja mban në lojë Shqipërinë, e cila pa këtë trepikësh e bënte nul ndeshjen me Bjellorusinë tre ditë më vonë.

15 nëntori gjithsesi do të mbetet në histori jo vetëm për faktin se u fitua kundër Kazakistanit, por sepse ishte edhe fitorja e parë në stadiumin Air Albania, që 3 pikëshin e parë kuqezi e përjetoi pa praninë e tifozëve.

Gjithsesi nuk pati vend për shumë festë, pasi përballja deçizive me Bjellorusinë trokiti në derë. Atë pasdite të 18 nëntorit kuqezinjtë do të rikthenin edhe njëherë ato emocione të përjetuara për herë të fundit në Euro 2016. Si përfundim kuqezinjtë ia dolën të fitonin 3-2, por deri në sekondën e fundit ishin me zemër në dorë, pasi Bjellorusia e cila ishte në vendin e parë para ndeshjes, rrezikoi jo pak. Në fund pati vend për festë legjitime, por që gjithsesi ky ishte një objektiv që nuk kishte arsye të mos arrihej. Golat kishin për autor Cikalleshin që realizoi ‘dopietë’ dhe Rei Manajn. Tashmë edicionin e radhës së Ligës së Kombeve Shqipëria nuk do të jetë më në Ligën C, por tek B-ja.

Më 7 dhjetor Kombëtarja njohu edhe kundërshtarët në grupin kualifikues të Botërorit, ku vetë ishte e pozicionuar në vazon e katërt. Kuqezinjtë për fatin e keq u shortuan në grupin e ferrit, së bashku me Anglinë, Poloninë, Hungarinë, Andorën dhe San Marinon.

Futbolli ne bote, nisim me Seria A

Sezoni 2019-2020 i Seria A nisi me shumë pikëpyetje përsa i përket skuadrat fituese, që për herë të parë pas disa sezonesh dukej se nuk do të kishte protagoniste absolute skuadrën e Juventusit. Inter-i i Antonio Conte-s, por edhe Napoli i Carlo Ancelotti-t mendohej se do t’i bënin keq. Deri në janar zikaltërit e Interit arritën ta frikësonin disi ‘zonjën e vjetër’, por rreziku kryesor rezultoi të ishte Lazio.

Skuadra bardhekaltër mbajti një ritëm të pabesueshëm deri në qershor, kur Seria A u rikthye pas ndërprerjes për shkak të pandemisë. Gjithsesi në momentin që duhej Juventus arriti të bënte diferencën, duke krijuar brenda pak ndeshjesh një diferencë me Lazio-n.

Në fund ata që vendosën ishin edhe njëherë kampionët që bardhezinjtë kishin në skuadër. Lojtarë si Ronaldo, Dybala, Higuain dhe Pjanic i dhanë zonjës së vjetër titullin e nëntë radhazi.

Në përfundim të 38 javëv kampionat Juventusi u rendit e para me 83 pikë, 1 më shumë se Interi që bëri një fundsezoni spektakolar, por që gjithsesi nuk e vendosi në pikëpyetje titullin e Juventusit. Me këtë titull Juventus e çon në 36 numrin e kampionateve të fituara. Skuadrat më pranë saj janë Milan dhe Inter, dy ekipe që kanë respektivisht nga 18 trofe të Seria A, as sa gjysma e Juventusit. Përsa i përket golashënuesit Ciro Immobile bëri diferencën, duke gjetur rrugën e rrjetës 36 herë brenda sezonit, 5 herë më shumë se Cristiano Ronaldo.

Premier League

Sezoni 2019-2020 në Premier League do të mbahet mend gjatë për shkak të fituesit. Kjo pasi Liverpool u rikthyer të bënte ligjin në ishullin britanik pas 30 viteve.

Djemtë e Kloop e nisën sezonin si fituesit e Champions League dhe që prej fillimit treguan se jo më kot e kishin pushtuar kontinentin e vjetër. ‘The Reeds’ në përgjithësi e vranë garën që në fazën e parë të kampionatit, pasi muaji shkurt i gjeti me një diferencë të theksuar pikësh ndaj rivalit më të mundshëm për t’i bërë keq, Manchester City-t.

Edhe pse në të tilla rrethana, duke parë vitet që Liverpool kishte pa fituar, pati sërish frikë. Në fund kjo rezultoi të ishte vetëm për ambientin përreth pasi skuadra e Kloop marshoi pa iu dridhur qerpiku. Edhe atëherë kur të gjithë prisnin që Liverpool të ulte ritmin për shkak të diferencës së krijuar ‘the reeds’ shtypën këdo që iu doli para.

Në përfundim të 38 javëve kampionat Liverpool kishte grumbulluar 99 pikë, ndërsa Manchester City që ishte nënkampionia pati 18 pikë më pak. Golashënues për sezonin në fjalë u shpall Jamie Vardy i Leicester me 24 rrjeta, i ndjekur nga Aubameyang i Arsenal me dy gola më pak.

Gjithsesi Liverpool nuk arriti ta festonte me madhështinë që e karakterizon titullin kampion. Për shkak të pandemisë himni i famshëm ‘Y’oull Never Ëalk Alone’ nuk u këndua dot as në stadium, por as në rrugët e qytetit, të cilat një vit më parë ishin të mbushura me miliona tifozë të cilët lumturoheshin për fitimin e Champions League. Për Liverpool-in ky titull në Premier League ishte i 19 në historinë e klubit, ndërsa para tyre është vetëm Manchester United me një titull më shumë.

La Liga

Sezoni 2019-2020 i La Liga do të kishte më shumë garë se çdo kampionat tjetër në top pesë ligat kryesore të Europës. Me Atletico Madrid të dalë shpejt nga lufta, deri në fund Real Madrid dhe Barcelona, dy klube historike të Spanjës, do të përplasnin brirët.

Diferenca do të bëhej vetëm në javët e fundit, me Realin e Zidan që gaboi më pak se Barcelona, që regjistroi një nga sezonet më katastrofikë në historinë e saj. Në përfundim të kampionatit ‘galaktikët’ që thuajse të gjithë sezonin e luajtën pa yllin e tyre Eden Hazatd grumbulluan 87 pikë, 5 më shumë se Barcelona, e cila në fund pati pretendimet e saj për arbitrat. Në La Liga sezoni në fjalë ishte ndër më të kontestuarit, pasi disa ndeshje decizive u zgjidhën me përdorimin e VAR.

Në fund ajo që vlen është fitimi i titullit kampion që për Real Madrid ishte i 34 në historinë e klubit. Sakaq Barcelona u dorëzua pas dy titujve radhazi, ndërsa në total e kanë fituar 26 herë kampionatin në La Liga. Golashënues i sezonit nuk mund të ishte dikush tjetër përveç Lionel Messi-t, që gjeti 25 herë rrugën e rrjetës, 4 herë më shumë se sulmuesi i Real Madrid karim Benzema.

Bundesliga …….

Bundesliga e sezonit 2019-2020 forcoi edhe njëherë idenë se Bayern Mynchen i viteve të fundit mbetet i pathyeshëm. Pas një gjysmë sezoni mes të barabartëve, më pas skuadra bavareze shkeli gazin duke bërë diferencën me të gjithë ndjekësit.

Në fillim sinjalet ishin për një sezon tepër të vështirë, pasi më 3 nëntor Bayern do të shkarkonte kroatin Niko Kovac. Në pritje të një emri të njohur për pankinën klubi zgjedh të vazhdojë me ndihmësin e Kovac, gjermanin Hansi Flick. Në fund kjo do të rezultonte një zgjedhje brilante, pasi Flick riktheu atë që Bayern kishte më shumë nevojë, qetësinë.

Pas 36 javësh kampionat Bayern Mynchen u rendit i pari me 82 pikë, kundrejt 69 të Borussia Dortmund që e mbylli kampionatin në vendin e dytë. Që Bayern e meritoi titullin e tregojnë edhe dy përballjet direkte me verdhezinjtë, të cilët i mposhtën pa shumë probleme. Për Bayern ky ishte titulli i tetë radhazi dhe i 30 në historinë e klubit.

Përsa i përket golashënuesit të sezonit ai u shpall Robert Leëvandoski. Polaku i Bayern arriti të gjente rrugën e rrjetës në 34 raste, 6 herë më shumë se ish-sulmuesi i Leipzig Timo Ëerner.

Ligue 1 ……

Ligue 1 ishte kampionati i vetëm që sezonin nuk e mbylli rregullisht për shkak të pandemisë. Më 30 prill federata franceze për shkak të situatës së rënduar vendosi të ndërpriste sezonin, pikërisht pas javës së 28.

Automatikisht Paris SG u shpall kampione pasi në atë moment udhëhiqte kampionatin me 68 pikë, 12 më shumë se Marseille e vendit të dytë, që gjithashtu kishte një ndeshje më shumë.

Sezoni 2019-2020 për asnjë moment nuk prodhoi rivalë për Paris SG, që me këtë trofe mori titullin e nëntë në histori si kampione e Francës. Golashënues i sezonit u shpall Kylian Mbappe me 18 gola.

Champions League …

Champions League e sezonit 2019-2020 dhuroi shumë supriza pas fazës së grupeve. Kjo për disa arsye. E para për shkak të përshtjellimit që solli pandemia te klubet dhe e dytë për faktin se UEFA u detyrua të ndryshonte formulën për shkak të kalendarit të ngjeshur.

Suprizat e para ndodhën në fazën e 1/8 ku skuadra me emër si Real Madrid, Liverpool, Tottenham, Juventus dhe Chelsea u eliminuan. ‘galaktikët’ e Real Madrid dështuan përballë Manchester City-t, Liverpool u eliminua në mënyrë dramatike nga Atletico Madrid, ndërsa Juventus që ishte një nga skuadrat e kuotuara për të fituar trofeun dështuan përballë modestëve të Lyon.

Duke nisur nga faza e çerekfinalave UEFA vendosi të zhvendoste pjesën tjetër të kompeticionit në Portugali, atje ku tashmë do të luhej me përmballje teke dhe jo më ‘dopio’ për shkak të ngjeshjes së kalendarit. Portugalia në atë moment u zgjodh për shkak se ishte më pak e prekur nga pandemia.

Surprizat e fazës çerekfinale do të ishin Atalanta, që shorti e vendosi përballë Paris SG dhe Lyon që luajti kundër Manchester City-t. Skuadra italiane nga Bergamo i shkoi shumë pranë kualifikimit në gjysmëfinale, por Paris SG e përmbysi 2-1 në minutat e fundit. Ndërkohë Lyon vijoi të mahniste kontinentin e vjetër pasi në çerekfinale mposhti Manchester City-t me rezultatin 1-3.

Për t’u veçuar në çerekfinale ishte padiskutim përballja mes Bayern Mynchen dhe Barcelonës, një ndeshje e shumë pritur që përfundoi me një turpërim të madh për skuadrën katalanase. Gjermanët e poshtëruan Barcelonën me rezultatin 8-2, në një 90 minutësh që do të mbetet i përjetësuar në historinë e këtij kompeticioni.

Ndërkohë skuadra tjetër e kualifikuar rezultoi të jetë Leipzig, që mposhti 2-1 Tottenham.

Në fazën gjysmëfinale përballë do të viheshin Leipzig me Paris SG dhe Lyon-i kundër Bayern Mynchen. Ashtu siç pritej gjermanët e kaluan pa shumë probleme 3-0 Lyon-in, që gjithsesi duhet përgëzuar për atë ecuri mahnitëse deri në këtë fazë, duke eliminuar fillimisht Juventusin dhe më pas Manchester City-t.

Edhe sfida tjetër gjysmëfinale mes Leipzig dhe Paris SG përfundoi me të njëjtin rezultat, 0-3, por këtë herë në favor të skuadrës franceze. Për herë të parë në histori ekipi i drejtuar në këtë rast në Tuchel shkoi në finale, ku përballë do të kishin Bayern Mynchen, një skuadër ekpserte e Champions League.

Në Lisbonë atë pasdite vendosi ajo që pritej, thjeshtësia e gjermanëve kundrejt superyjeve si Neymar dhe Mbappe. Bayern Mynchen falë rezultatin 1-0 dhe golit të realizuar nga Coman në minutën e 59 pushtuan Europën dhe morën kupën me veshë të mëdhenj. Me këtë rast gjermanët barazuan Liverpool-in, pasi të dy skuadrat shkuan në kuotën e 6 Champions Leagua të fituara.

Një tjetër detaj përse Bayern Mynchen do të mbahet mend është sepse u bë skuadra e parë që fiton të gjitha ndeshjet e Champions League brenda një sezoni duke nisur nga faza e grupeve e deri ne finale. Sakaq Bayern u bë skuadra e dytë Europiane e cila brenda një sezoni fiton tripletën e famshme që përfshin Champions League, kampionatin dhe Kupën.

Ne.k./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë