Në heshtjen e punës së palodhur të grave shqiptare, fshihet një kod i lashtë. Janë ojnat – arti i rafinuar i thurjes me grep dhe gjilpërë, që sot nuk është më vetëm një pasuri familjare, por një kandidat zyrtar për t’u shpallur Trashëgimi Kulturore e Njerëzimit nga UNESCO.
Ministri i Turizmit dhe Kulturës, bëri të ditur se Shqipëria ka dorëzuar dosjen e përbashkët me Rumaninë dhe Turqinë. Ky është një rrugëtim drejt njohjes ndërkombëtare të një mjeshtërie që ndërthur traditën me frymën bashkëkohore. Një trashëgimi që, siç shprehet ministri, ka përfaqësuar kulturën tonë në çdo pajë nuseje dhe në çdo kostum popullore, nga Gjirokastra në Kukës.
Por, përtej protokolleve zyrtare, çfarë do të thotë të jesh mbartëse e këtij kodi? Për të kuptuar shpirtin e kësaj kandidature, ne udhëtuam për të takuar "gardianet" e kësaj trashëgimie—gratë që çdo nyjë e kthejnë në identitet.
Berati dhe "foleja" e mjeshtres Albana
Në rrugicat me kalldrëm të Beratit, aty ku drita e diellit përplaset mbi muret e bardha, tradita nuk është thjesht histori, por një proces i gjallë. Çdo mëngjes, Albana, një artizane me titullin "Mjeshtre" nga Dhoma Kombëtare e Zejtarisë, hap dyqanin e saj që ngjan me një muze të vogël. Për 35 vite, ajo ka thurur jo vetëm fije, por edhe identitetin e këtij qyteti.
“Unë jam e vetmja që po trashëgoj traditën në të gjithë Beratin”, thotë ajo. Albana është dëshmi e gjallë e trashëgimisë familjare. Rrugëtimi i saj nisi në moshën 10-vjeçare pranë tezgjahut të gjyshes, duke endur fijet e para të qilimave.
“Fillimet e para i kemi trashëgimi nga gjyshja dhe mamaja. I shikoja duke punuar dhe më hyri një dëshirë për të punuar edhe unë”, rrëfen Albana.
Në moshën 13-vjeçare "zbuti" grepin, ndërsa në moshën 20-vjeçare nisi rrugën e vështirë të brodenit (qëndisjes me makinë), një teknikë që kërkon saktësi kirurgjikale mbi copën 100% pambuk.
“Baza materiale e brodenit janë copa edhe penjtë. Duhet të jetë gjithmonë e fortë. Unë zgjedh copë greke që është 100% pambuk. Fillimisht bëj vizatimin, më pas nis ta punoj”, shpjegon Albana.
Në duart e Albanës, fija e hollë është sfida më e bukur. Ajo tregon se:
Kortinkat e Beratit: Një element kyç i traditës beratase, perdet e famshme që dikur zbukuronin dritaret e Mangalemit, sot po rikthehen përmes kërkesave të bujtinave dhe hoteleve.
Puna me ojna: Edhe pse kërkon mjeshtëri të lartë, përdoret kryesisht për jaktat dhe mëngët e bluzave, duke u dhënë veshjeve një finesë që asnjë makinë industriale nuk e dot.
Pikërisht këtu, në detajet e imëta të jaktave dhe mëngëve që Albana punon me aq durim, fshihet shpirti i kandidaturës shqiptare në UNESCO. Këto 'ojna' – siç njihen teknikisht punimet delikate me gjilpërë – nuk janë thjesht dekorim, por një gjuhë artizanale që Shqipëria synon ta mbrojë si pasuri botërore. Për Albanën, çdo nyje e hedhur në këto pjesë të veshjes është një akt qëndrese ndaj harresës, duke e kthyer një copë pambuku në një dëshmi të gjallë të identitetit tonë jomaterial.
Albana nuk punon vetëm. Ajo ka krijuar një rrjet mbështetës për gratë e zonës, duke e kthyer dyqanin e saj në një qendër ekonomike për artizanatin.
Mjeshtrja e Beratit e ka të qartë: pa financim dhe pa një strukturë trajnimi, ky art rrezikon të mbetet vetëm në kujtesë. "Është e rëndësishme që kjo traditë të mos shuhet, por të trashëgohet brez pas brezi," apelon ajo, duke e parë artizanatin si një mjet jetese dhe krenarie kombëtare.
Këlcyra – Histori mbijetese dhe rezistence
Ndryshe nga Berati ku Albana e ka përqendruar punën e saj te trashëgimia urbane, në Këlcyrë artizanatin e shohim si mjet mbijetese dhe forcën e një gruaje që mban familjen përmes gjilpërës.
Këtu, Erjona Prifti, një nënë kryefamiljare, nuk qëndis thjesht për pasion, por për të ndërtuar të ardhmen e dy fëmijëve të saj.
“Ia vlen që të merresh me këtë punë pasi edhe të ardhurat janë të mira”, tregon artizania.
Për Erjonën, çdo lule e qëndisur në gjergjef është një fitore e origjinales mbi artificialen.
Jeta e Erjonës është një balancë mes makinës qepëse, gjergjefit dhe detyrave si amvisë. E mbetur e ve katër vite më parë, ajo gjeti te zanati i trashëguar nga e ëma forcën për të ecur përpara.
“Në moshën 13 vjeçe kam realizuar me ndihmën e mamit një bluzë shumë të bukur. Kemi qëndisur lule e detaje të vogla. Për fat të keq nuk e kam më atë bluzë. Më pas ngaqë më pëlqente shumë vazhdova dhe e praktikova”, vijon ajo.
Që nga mosha 13-vjeçare, kur qëndisi bluzën e saj të parë, Erjona nuk e ka lëshuar gjilpërën nga dora, duke e kthyer atë në një mjet që "nuk të lë pa bukë".
“Diçka që e ke qejf nuk është e vështirë. Për mua aspak s’është e vështirë. Përkundrazi. Është një punë e bukur që dua ta bëj pafundësisht”, thotë Prifti.
Në dyqanin e saj të hapur prej katër vitesh, Erjona lëviz mes teknikave të ndryshme:
Punimi me kryq dhe kutitë: Një metodë precize që kërkon vëmendje maksimale.
Simbolet kombëtare: Sfida më e vështirë teknike, ku çdo fije duhet të nderojë traditën.
“Kam realizuar edhe simbole kombëtare në gjergjef, por që ajo është punë shumë e vështirë”, tregon Erjona.
Modernizimi: Ajo u përgjigjet kërkesave të kohës me dedikime për fëmijë, duke dëshmuar se qëndisja mund të jetë një dhuratë e përjetshme që "nuk vdes" kurrë.
“Dedikimet janë më të kërkuarat, një i tillë është ky për një fëmijë të porsalindur. Është shumë e bukur, e veçantë dhe nuk vdes”, shprehet ajo.
Përballë teknologjisë që rrëmben kohën e të rinjve, Erjona ka zgjedhur të bëhet mentore. Ajo u mëson vajzave të vogla rrugën e vështirë të "kutive" mbi letër, duke shpresuar që vajza e saj dhe të rejat e Këlcyrës do ta çojnë përpara këtë stafetë.
“Apeli im jo vetëm për të rinjtë por për të gjithë është që ta praktikojnë. Se nuk është zanat që të lë pa bukë. Është zanat shumë i bukur, kultivojmë edhe traditën tonë, ta përcjellim edhe më larg. Unë jam e gatshme që tua mësoj, vetëm të kenë dëshirë!”, thotë Erjona.
Në dosjen e rëndësishme për UNESCO, rasti i Erjonës në Këlcyrë dëshmon se 'ojnat' dhe qëndisja me gjergjef nuk janë thjesht objekte muzeale, por një ekonomi e gjallë jomateriale. Kjo zejtari e pastër është mbrojtja më e mirë kundër tjetërsimit kulturor që vjen nga tregu global. Ruajtja e këtyre teknikave nën mbrojtjen e UNESCO-s do të thotë më shumë mbështetje për gratë si Erjona, që traditën e shndërrojnë në dinjitet dhe jetesë
Fushë-Arrëzi – Mjeshtëria si "njeriu i afërt"
Në veri, aty ku dimrat janë të gjatë dhe koha rrjedh ndryshe, për Shpresën, një artizane veterane nga Fushë-Arrëzi, puna e dorës është busulla e ditës. Për të, shtizat dhe grepi nuk janë thjesht vegla, por shoqëruesit më besnikë që prej moshës 18-vjeçare. "Punën e dorës e kam përzemër, si njeri të afërt," thotë ajo, duke treguar se si ky zanat e ka shoqëruar në çdo etapë të jetës, që nga koha kur ishte nuse e re e deri sot në pension.
Shpresa është një "enciklopedi" e gjallë e teknikave të zonës. Ajo nuk mjaftohet me një model, por nis 5-6 punime njëkohësisht:
Veshja ombëtare e Fushë-Arrëzit: Një trashëgimi që kërkon saktësi dhe njohje të motiveve të lashta.
Diversiteti i produkteve: Nga çorapet e leshta te çentrot delikate me rruaza, papuçe, triko dhe punime në thes.
Rebelimi ndaj teknologjisë: Në një kohë kur bota avitet pas telefonave dhe telenovelave, Shpresa zgjedh krijimin. Ajo e shikon punën e dorës si një mjet për të mbajtur mendjen e mprehtë dhe shpirtin e qetë.
“Jam shumë e këanqur me punën e dorës. Nuk mërzitem kurrë me të. Edhe kur rri me shoqet e pi kafe, nuk e lë punën e dorës”, thotë ajo.
Për Shpresën, nominimi në UNESCO është një vlerësim i merituar për një punë që bëhet "me sy e me duar", por ajo shikon edhe përtej prestigjit. Dëshira e saj është pragmatike: ajo do që këto punime të shiten, që tregu të lulëzojë dhe që gratë e zonës të jenë "të zonjat e vetes". Artizanati për të është rruga drejt pavarësisë financiare dhe dinjitetit.
“Dëshira ime është që t’i shes, të ecë tregu, të punësohen gratë, të jenë të zonjat e vetes, t’i gjejnë vetes punë për të jetuar”, shprehet ajo.
Mesazhi i Shpresës nga Fushë-Arrëzi i jep një dimension social dosjes së UNESCO-s. Ajo dëshmon se ruajtja e 'ojnave' dhe punimeve me grep nuk është vetëm çështje muzeale, por një mundësi për punësimin dhe fuqizimin e gruas në zonat rurale. Duke e propozuar këtë art si pasuri botërore, ne nuk mbrojmë vetëm një teknikë të vështirë që kërkon sy e durim, por edhe një model jetese ku zanati i trashëguar kthehet në mjet jetese.
Kukësi: Endja e qëndresës
Në Kukës, grepi nuk është thjesht një mjet pune; është një mjet çlodhjeje dhe një urë lidhëse mes brezash. Për Emirjana Nikën, ky zanat nisi si një lojë fëmijërie duke parë nënën dhe gjyshen.
"Me grepin jam rritur... kur punoj ndjehem e relaksuar. Në momentin që kam patur dhimbje koke, kam punuar më shumë. Pse të humbasë kjo gjë e bukur?", thotë Emirjana.
Por ky art kërkon më shumë se pasion. Kërkon një përpjekje mendore që i ngjan matematikës. Ermenita Kotaja, e cila e nisi punën që në moshën 7-vjeçare, na tregon se sekreti qëndron te numërimi.
"Në grep duhet me numërim puna, se po nuk numërove nuk je në rregull. Çdo stres e kalon, por duhet përqendrim”, shpjegon ajo.
Në këtë krahinë, ojnat kanë edhe një histori solidariteti. Ardjana Hallaçi e nisi këtë rrugëtim në një kohë të vështirë për kombin, kur shqiptarët e Kosovës gjetën strehë në Kukës. Sot, ajo punon Shaminë e Lumës, një simbol i fortë i identitetit të zonës.
"Një moshatare nga Kosova punonte shumë me grep, m’u duk interesante. Sot bëjmë shaminë e Lumës, me rruaza... i ndajmë nga 8 rruaza dhe e thurim", tregon Ardjana Hallaçi.
Dikur, ojnat shoqëronin nuse drejt jetës së re. Vera Istrefaj nga Qendra e Gruas në Kukës, kujton kohën kur dorezat dhe çadrat me grep ishin shenjë e një elite që nuk i linte gjë mangët modës së Londrës apo Francës.
"Nëna ime ka patur dorezat e bardha dhe çadrën e bërë me grep... tradita shqiptare ka qenë në të njëjtin nivel me elitën botërore. Sot, ne po i përshtatemi kërkesave të tregut”, thotë Istrefaj.
Dhe tregu sot kërkon gjithçka. Fiqirete Arifaj tregon se si grepi po përdoret për të veshur brezin e ri.
"Nga mbulesat e televizorit dikur, sot bëjmë kuverta për karroca bebesh dhe kostume plazhi. Jemi një grup shoqesh dhe punojmë sipas kërkesave”, tregon Arifaj.
Megjithatë, jo çdo gjë është e thjeshtë. Artizanet e Kukësit kanë një mesazh të qartë: bukuria ka nevojë për treg. UNESCO është një titull nderi, por mbijetesa e ojnave varet nga mbështetja ekonomike dhe dëshira e të rejave për të mos patur "frikë" nga gjilpëra.
Ojnat janë dëshmia e gjallë se arti shqiptar është i imët si fija e argjendit, i saktë si matematika dhe i fortë si shpirti i grave që e trashëgojnë atë brez pas brezi. Një pasuri që bota po përgatitet ta quajë edhe të sajën.
Përgatitën: Mimoza Sinanaj, Piro Nase, Armir Puka, Benet Beqiri
Komente










