Kryeministri Edi Rama dhe shumica e tij, morën dy goditje të forta gjatë 2025 nga Prokuroria e Posaçme. Viti nisi me Erion Veliajn, zyrtarin më të lartë socialist të arrestuar në zyrë, dhe u mbyll me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e Belinda Ballukut. Dy momente të cilat vunë në një provë të fortë marrëdhëniet e shumicës me Drejtësinë.

Berisha dhe Meta vijojnë betejën e tyre gjyqësore. I pari është ende i detyruar të paraqitet dy herë në muaj në dyert e SPAK-ut, ndërsa kreu i Partisë së Lirisë vazhdon në qeli prej më shumë se një viti.

Llogari të hapura me Drejtësinë, dhe për një radhë të gjatë kryebashkiakësh, kryesisht të shumicës apo dhe zyrtarësh të lartë shtetëror.

ARRESTIMI NË ZYRË I KRYEBASHKIAKUT VELIAJ TRONDIT SHUMICËN

Të hënën e 10 shkurtit, Erion Veliaj u pa të linte godinën e Bashkisë nën shoqërinë e oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe një zyrtari të Lartë të policisë së shtetit.

Pak minuta më parë në zyrë ata i kishin paraqitur një vendim gjykate për arrestimin e tij.

Hetimet ndaj tij kishin nisur pas një denoncimi nga një personazh anonim i vetquajtur Nesti Angoni. Mbi Veliajn rëndojnë dyshimet për akuzat e korrupsionit në 9 raste si dhe të pastrimit të parave.

Të njëjtat akuza edhe ndaj Ajola Xoxës, bashkëshortes së tij, e dyshuar edhe për mosdeklarim të pasurisë. Për Xoxën është vendosur arresti i shtëpisë. E ndodhur jashtë vendit ajo kthehet vullnetarisht mbrëmjen e asaj dite.

Hetimet e prokurorisë së posaçme kanë përfshirë dhe 6 biznesmenë të rëndësishëm në fushën e ndërtimit në Tiranë. Njëri prej tyre, Elman Abule përfundon në pranga, ndërsa 5 të tjerë me detyrim paraqitje.

Sipas Prokurorisë “Veliaj dhe bashkëshortja kanë vënë në jetë një skemë të organizuar për përfitime të paligjshme. Fonde publike dhe leje ndërtimi që firmoseshin nga kryebashkiaku për disa subjekte tregtare, përfundonin te disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, apo dhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh”.

Pjesë e dosjes u bë edhe deputetja socialiste e asaj kohe, Klotilda Bushka e cila dyshohet se u përpoq të prishte provat e hetimit dhe të manipulonte dëshmitarët.

Veliaj reagon që ditën e arrestimit, përmes një statusi në Facebook, duke hedhur poshtë akuzat.

"Dua ta dinë që nuk kam unë asnjë lidhje me idiotësitë e shkruara në paçavuren fatkeqësisht të sigluar edhe nga Altin Dumani", tha Veliaj.

Ai nuk do të kursejë epitetet për prokurorin tjetër që ndoqi hetimet ndaj tij Ols Dado duke e cilësuar “lunatik” apo “epsharak”. Të nesërmen, ai do t’i shtojë dozat e sulmit ndaj prokurorit i cili sipas tij po hakmerrej sepse i ishte refuzuar një leje ndërtimi".

“Ky pervers më pyeste mua për fustanet e gruas dhe më tregonte gjatë marrjes në pyetje se si shkonte kontrollonte gruan e tij në punë, ka shkruar në akt-akuzën haluçinante, një perversitet kriminal”, theksoi kryebashkiaku.

Veliaj do të ketë një përplasje të ashpër me Dadon gjatë seancës 11 orëshe (12 shkurt 2025) në Gjykatë, përpara së cilës janë grumbulluar shumë mbështetës së tij

Kryeministri Rama nuk do ta përtypë lehtë arrestimin e Veliajt.

“Asnjë pendesë, asnjë pendesë për heshtjen këto 5 vjet, por me shumë gjasë besoj, në dritën e zhvillimit më të fundit, heshtja jonë është keqkuptuar dhe nga disa konsumatorë të reformës. Këta konsumatorë, disa konsumatorë, duhet t’ja kursejnë shoqërisë, çorbën e derrit në menynë e Drejtësisë”, tha Rama.

Tensioni shfaqet dukshëm dhe në një moment problemi teknik gjatë komunikimit të tij online. Po atë ditë ai merr frenat e Bashkisë së Tiranës. Në krye të saj komandohet Anuela Ristani. Vetë Rama do të bëjë vizita të herëpashershme në Bashki.

Të nesërmen ai rëndon dozën e sulmeve. Në mbledhjen e grupit parlamentar akuzon Prokurorinë e Posaçme se sipas tij po vepron politikisht e balancuar, në hetimet që ka ndërmarrë, duke përdorur tone të ashpra e madje paralajmëruese:

“Është shumë e rëndë kjo! Shumë e rëndë! Shumë e rëndë! Edhe mos bëjnë gabim të vijnë të kërkojnë telefonin tim, se boll i kanë. Kanë mbledhur gjithë telefonat e Shqipërisë atje. Të shkojnë të merren me faktet”, nënvizoi Rama.

Gjuha ndaj SPAK do të ashpërsohet pak ditë më vonë, kur ky institucion njoftoi se do vepronte në terren kundër krimeve zgjedhore.

“Unë uroj që kjo do të jetë një lajthitje e momentit dhe menjëherë të ndalet çdo lloj survejimi në territor sepse nuk mundet dot kurrën e kurrës që ne të kthehemi në kohëra kaq të errëta saqë kush merret me politikë të survejohet”, deklaroi kryeministri.

Po ndërsa zgjedhjet e përgjithshme afrohen, dhe sondazhet paralektorale e tregojnë SPAK-un si institucioni më i besueshëm për shqiptarët, në diferencë të thellë me partitë politike, Rama nuk bën gabimin e Berishës. Ai lë pas krahëve retorikën ndaj Prokurorisë së Posaçme, ndërsa çështja Veliaj kalon gati në harresë.

Kryebashkiaku vazhdon i vetëm betejën e tij. Ankimimet e panumërta në të tre shkallët e gjykatave nuk do e ndryshojnë statusin e tij. Ai do të angazhojë dhe dy studio të huaja ligjore, që herë pas herë do të lëshojnë raporte publike.

Çuditërisht trajtimi i tij edhe në burg do të jetë i rreptë. Në korrik një numër i lartë forcash policie u angazhuan për ta shoqëruar atë përgjatë transportit drejt një klinike private në Durrës, për kryerjen e një kontroll mjekësor. 

Po këtë muaj (23 korrik) Veliajt i komunikohen akuzat, korrupsion në 9 raste, pastrim i parave, fshehje e pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje e sendeve në burg. Për këtë të fundit atij i duhet të paguajë faktin që gjatë transferimit për në Prokurorinë e Posaçme më 11 mars i kishte kërkuar dhe përdorur më pas telefonin e njërit prej policëve që e shoqëronin. Vetë polici do përfshihet në listën e të pandehurve, së bashku dhe me 28 persona të tjerë, kompani dhe organizata jofitimprurëse.

Për korrupsion në 9 raste, pastrim të parave, fshehje të të ardhurave dhe mosdeklarim të pasurisë do të akuzohet dhe bashkëshortja e kryebashkiakut.

Më 10 shtator Prokuroria e Posaçme njoftoi se kishte mbyllur hetimet, duke e dërguar çështjen për gjykim. Deri në fund të vitit seancat paraprake nuk prodhuan asnjë rezultat. Veliaj kundërshtoi disa herë mbajtjen e tij në kafazin e qelqtë gjatë seancave, si një shkelje e të drejtave njerëzore ndërsa kërkesat për t’i dhënë materialet e dosjes hetimore në paraburgim refuzohen nga gjykata. E njejta gjykatë që ia kishte njohur këtë të drejtë me herët ish presidentit Ilir Meta.

KERKESA PËR SHKARKIM DHE BETEJA NË KUSHTETUESE

Por Veliajt iu desh të përballej gjatë vitit dhe me një tjetër betejë, në të cilën ai do të përplaset këtë herë me njerëzit e tij në këshillin bashkiak dhe kryeministrin Edi Rama

“Përfaqësuesit tanë në këshillin bashkiak duhet të vënë në lëvizje mekanizmin ligjor të shkarkimit të krye bashkiakut të zgjedhur”, tha Edi Rama.

Koncidencë ose jo, por njoftimi i Ramës për shkarkimin e Veliajt vjen një ditë pasi çështja e tij përfundoi në gjykatë.

Kryeministri njofton dhe emrin që do të hyjë në garë për të pasuar kryebashkiakun

Gjashtë ditë më pas, anëtarët socialistë të këshillit, mblidhen në selinë qendrore të partisë dhe firmosin kërkesën për thirrjen e mbledhjes më 23 shtator. Sipas kërkesës, Veliaj duhet të shkarkohej sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore, për mungesë mbi 3 muaj në punë.

Nga qelia, Veliaj kërko  të marë pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak e të dëgjohet.

"E mirëkuptoj shqetësimin tuaj për të kërkuar një zgjidhje politike. Por nuk mund të mirëkuptoj që kjo krizë, e shkaktuar nga gjykata dhe ku “viktimë” është vetëqeverisja vendore, të “zgjidhet” me një tjetër shkelje të Kushtetutës po nga vetë pushteti vendor", tha Veliaj.

Përmes Sekretarit të Këshillit, Behar Zeneli, përgjigja është e thatë.

“Në rast pamundësie për të qenë prezent, Ju lutemi që observacionet tuaja, t’i përcillni me shkrim pranë Këshillit Bashkiak, në mënyrë që ato të administrohen dhe të bëhen me dije në këtë mbledhje”, u shpreh ai.

Më 23 shtator, socialistë e demokratë bëhen bashkë në Këshill.

50 kartonë jeshilë u ngritën që Erion Veliaj të mos ulet më në këtë karrige, që prej 8 muajsh ishte bosh. 

Kartonin e kuq, për të votuar kundër, nuk guxoi ta ngrejë askush nga socialsitët, të cilët u përpoqën megjithatë të vinin në dukje se nuk po I bënin gjyqin kryetarit, e nuk po I mohonin kontributin.

"Dua të nënvizoj me forcë që ky hap po imponohet nga nevoja urgjente për të ecur… Sot ne po kryejmë detyrimin politik dhe moral për të zgjidhur ngërçin politik...", tha Megi Fino.

Zhulali: Duhet sikur po i përgatisni një ceremoni funebre. Ju ja mohuat, jam e kënaqur që sot mori shijen e gjellës që ka gatuar ndër vite. Vendimi që keni sjellë është i vonuar dhe i paplotë. Veliaj duhet të ishte shkarkuar nga detyra që në 2023.

Dy ditë pas votimit në Këshill, kryeministri firmos shkarkimin e Veliajt, duke ju referuar ligjit të vetqeverisjes vendore.

Por sipas kryebashkiakut shkarkimi nuk mund të bëhet mbi bazën e nenit 62 të ligjit për vetqeverisjen vendore.

“Nëse do të pranohej e kundërta, atëherë do të kishim të bënim me një normë ligjore antikushtetuese, pasi ligjvënësi do të kishte shtuar një shkak të ri për shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë, tha Veliaj.

Sipas tij, për shkarkimin e kryebashkiakut vlen vetëm neni 115 i Kushtetutës. Bazuar në të ai bën ankimim në Gjykatën Kushtetuese, (29 shtator)

Kryeministri është i vendosur të ndjekë rrugën e nisur dhe më 30 shtator njofton presidentin e Republikës për krijimin e vakancave për kryetar bashkie në 6 qytete të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin.

Një ditë më pas, Presidenti Bajram Begaj dekreton 9 nëntorin si datë për zgjedhjet e pjesshme përfshirë dhe në Tiranë. Për kryeqytetin Kreu i Shtetit, ndjek logjikën juridike të përdorur nga qeveria.

Veliaj kundërpërgjigjet brenda 24 orësh, me një ankim shtesë duke kërkuar pezullimin e dekretit të Begaj për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës. Garancinë thotë se ia jep kushtetuta të cilën Presidenti sipas tij e ka shkelur.

“Presidenti, përmes dekretit objekt shqyrtimi, ka vepruar sikur kjo garanci të mos ekzistonte", citon Veliaj.

Një javë më pas (9 tetor) Gjykata Kushtetuese pezullon zgjedhjet në Tiranë. Kjo ishte fitorja e parë e Erjon Veliajt.

Tre javë më vonë, nga paraburgimi i Durrësit, ai udhëtoi drejt Tiranës për të marrë pjesë në seancën në Gjykatën Kushtetuese. Në sallë, ai do të jetë i vetëm kundër të gjithëve

3 ditë më pas, gjykata i dha të drejtë kryebashkiakut.

Erjon Veliaj fitoi në Gjykatë Kushtetuese  betejën me Edi Ramën dhe do të jetë kryetar i bashkisë Tiranë, edhe pse ndodhet në paraburgimin e Durrësit. Shumica e anëtarëve të kësaj Gjykate, thanë se procedura e shkarkimit nga Këshilli Bashkiak deri në qeveri, nuk i garantoi Veliajt proces të rregullt ligjor dhe nga ana tjetër, shkarkimi me motivin e mungesës në punë nuk ishte në përputhje me nenin 115 të Kushtetutës.

“Gjykata ritheksoi se atë që nuk ka dashur ta thotë Kushtetuta, nuk mund ta thotë ligji, sepse në të kundërt ekziston mundësia e kufizimit me ligj të garancive kushtetuese të organit të zgjedhur të qeverisjes vendore, çka, në thelb, kufizon vetë kompetencën e saj. Në këtë pikë, Gjykata theksoi se mbrojtja e interesit publik për të garantuar të drejtën e zgjedhësve për t’u qeverisur nga një organ i zgjedhur drejtpërdrejt nuk mund të justifikojë cenimin e garancive kushtetuese”.

Vendimi i Gjykatës çon dëm përgatitjet e për zgjedhjet në Tiranë, ku përballë kandidates socialiste, kishte nisur fushatën me mbështetjen e opozitës aktori Florjan Binaj. Gjithshka mbetet si më parë. Bashkia drejtohet ende nga Anuela Ristani. Manastrirliu ju rikthye jetës parlamentare si deputete e thjeshtë, ndërsa Binaj ju rikthye humorit dhe televizionit.

SPAK, GODITJA E DYTË, AKUZA NDAJ BALLUKUT DHE KERKESA PËR ARRESTIM

Në të njëjtën ditë që Veliaj hynte në Gjykatën Kushtetuese, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku paraqitet në Prokurorinë e Posaçme, duke dalë prej andej me një akuzë mbi shpinë. Akuzë e cila pak më vonë do të shoqërohet fillimisht me vendimin për pezullimin e saj nga detyra, e pastaj me kërkesën për arrest. Zhvillime që rikthejnë përplasjen e qeverisë me SPAK-un.

Hapat e zëndëskryeministres Belinda Balluku drejt godinës së qelqtë më 31 tetor nuk do të jenë të lehtë.

Shenjat se ajo ishte vetë objekt i Prokurorisë së Posaçme, ishin shfaqur më herët. Motra e saj, Pamela Qirko kishte hyrë më parë në të njejtën ndërtesë, si avokate e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Qëndrimi përballë prokurorit Dritan Prençi zgjat vetëm 50 minuta. Balluku del e pashoqëruar nga motra avokate. Ajo foli shumë shkurtimisht.

"Në respekt të organeve të drejtësisë, kam pranuar kërkesën e prokurorisë së posaçme për një çështje në hetim. Si qytetare e Shqipërisë edhe zyrtare publike e shikoj si një proces, një proces si cili jam shpresëplotë që do jetë i bazuar mbi transparencë dhe mbi parimet drejtësisë teke cila besoj”, tha Balluku.

Por gjithçka sqarohet vetëm disa minuta me pas. SPAK del me një njoftim zyrtar. Ndaj numrit 2 të qeverisë ishtë ngritur një akuzë për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë.

Pas disa ditësh larg eventeve publike, Balluku shfaqet në parlament për tu përballur me opozitën më 19 nëntor.

BALLUKU: S’DO SHAJ KURRË DREJTËSINË, OPOZITA DY STANDARDE

"Nuk do të dëgjoni kurrë nga unë sharje për drejtësinë edhe pse prekem personalisht Nuk do m'dëgjoni kurrë të merrem me prokurorë e gjyqtarë, pasi secili prej tyre bën detyrën ashtu si e gjykon. Nuk do prononcohem kurrë për çështje nën hetim, të cilën do e ndjek me diskrecion të plotë. Derisa e vërteta të marrë formë të prerë, cilado qoftë ajo", u shpreh Balluku.

Pak kush mund ta priste atë që do të vinte një ditë më pas. Gjykata e Posaçme (20 nëntor) urdhëron pezullimin e Ballukut si zëvendëskryeministre dhe ministre të energjisë dhe infrastrukturës, duke i ndaluar daljen jashtë vendit

Episodet e hetuara nga SPAK, janë zgjeruan, jo vetëm tek tenderi 170 milionë eurosh i tunelit të Llogarasë por dhe te gara 21 milionë euroshe për ndërtimin e lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.

Për të dy tenderat, SPAK-u dyshon se Balluku ka paracaktuar fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes në vazhdimësi gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës.

Ashtu si edhe me Llogaranë edhe afera e Unazës janë zbuluar nga komunikimet mes Belinda Ballukut dhe vartësve të saj, sidomos Evis Berberit, në burg që prej marsit 2024, i cili për të tenderat ka qenë në detyrën e Drejtorit të ARRSH. 

Menjëherë pas pezullimit, Balluku shihet të hyjë në kryeministri, ku qëndron në selinë e qeverisë për 7 orë, të veshira ende më mister. Aty u pa të bashkohej edhe ish ministri Ulsi Manja, i cili u thirr për një opinion juridik.

Dilemat nëse Balluku do të largohej nga qeveria dhe do të lihej të përballej me drejtësinë e vetme, i shuan të nesërmen vetë Edi Rama.

“Do ta respektojmë pa kushte vendimin e pezullimit të ministres por do të shkojmë të mbrojmë pavarësinë e pushtetit ekzekutiv në Gjykatën Kushtetuese. Për periudhën që flasim (deri në vendim të Gjykatës Kushtetuese) qeveria nuk do të ketë zv. kryeministër dhe ministër të infrastrukturës së energjisë”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama është i bindur se vendimi i Gjykatës së Posaçme për pezullimin e Belinda Ballukut është një akt antikushtetues, pasi gjyqësori ka ndërhyrë në kompetencat e ekzekutivit. Në ankimin e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese (25 nëntor), kreu i qeverisë thotë se Kushtetuta, i ka garantuar ministrit, të njëjtin imunitet si deputetit.

Në prag krishtlindjesh (12 dhjetor) Gjykata Kushtetuese i bëri një dhuratë ndriçuese Edi Ramës dhe zëvendëses së tij. Trupa vendosi që të rikthejë në detyrë Belinda Ballukun dhe ta gjykojë rastin e saj në themel në fund të janarit.

Por shija e fitores do të zgjasë vetëm pak ditë. Më 17 dhjetor SPAK i drejtohet parlamentit me kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut. Një kërkesë e cila rrit më tej tensionet me qeverinë dhe shumicën, e cila vendos, që mos ta shqyrtojë deri kur më 22 Janar, Gjyata Kushtetuese do të mblidhet për ankimimin e kryeministrit.

NGA BERISHA TE META, RADHA E GJATË NË DYERT E DREJTESISË

Për dy emra të tjerë me peshë në skenën politike, kryetarin demokrat Sali Berisha dhe drejtuesin e Partisë së Lirisë Ilir Meta, SPAK mbylli hetimet duke ngritur dhe akuzë zyrtare ndaj tyre. Për ta fillon një tjetër fazë, ajo e përballjes në sallën e gjyqit.

Lista e Prokurorisë së Posaçme, u pasurua gjatë vitit dhe me emra të rinj. Kryebashkiakë dhe ish, drejtuesë agjencisë dhe entesh të rëndësishme shtetërore do të duhet të japin llogari për një sërë shkeljesh dhe korrupsion.

Dosja e aferës Partizani, e cila përfshin Berishën e dhëndrrin e tij, Jamarbaër Malltezi, shënon një rekord në Gjykatën e Posaçme ku seanca paraprake për kalimin ose jo në gjykim zvarritet për 7 muaj. Mbrojtja nxjerr pretendime të njëpasnjëshme, të cilat shtyjnë pa fund seancat.

“Ne sot vazhduam, dhe i dhamë dhe një herë mundësinë kësaj gjykate, që të revokonte vendimin për pavlefshmëri që ne kemi ngritur”, do të deklarante më 18 prill, në dalje nga gjykata, avokati i tij mbrojtës, Genc Gjokutaj.

Pak ditë më vonë, më 23 prill, ai flet për një tjetër kërkesë: “Ne ritheksuam, mungesën e faktit penal, shkak për të cilin kemi kërkuar pushimin e çështjes”.

Dy javë më vonë, më 5 maj, një tjetër pretekst për shtyrjen e serancë: “Kërkuam kohë që të konsultohemi”

Vendimi për kalimin në gjykim do të merret më në fund më 19 Maj, pak ditë pasi ishin mbyllur dhe zgjedhjet parlamentare.

Vetë Berisha nuk mori pjesë në asnjë seancë gjyqësore, por respektoi masën e detyrimit për t’u paraqitur dy herë në muaj pranë SPAK-ut, takime që i shfrytëzoi për të dhënë mesazhe publike kundër gjyqtares Irena Gjoka dhe drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, shpeshherë të shoqëruara edhe me letra të shkruara prej tij.

Dosja “Partizani” nuk ishte e vetmja që e çoi Berishën në Prokurorinë e Posaçme. Hetimet për ngjarjet e 21 Janarit 2011, e sollën sërish përballë prokurorëve. Edhe këtë herë ai përpiqet t’i bëjë bisht fletëthirrjes

“Personalisht nuk kam marrë asnjë fletëthirrje”, deklaron ai më 10 nëntor 2025.

Pas tre fletë-thirrjeve, Berisha dha dëshminë e tij më 14 nëntor, duke mbrojtur vrasjet në bulevard gjatë protestës së socialistëve, në opozitë.

“Garda ka një ligj. Autorizon rojen, të qëllojë, sa herë dikush e kërcënon në ndonjë objekt. Nuk është qëlluar nga brenda kryeministrisë. Eshtë qëlluar nga vendrojet e gardës”, deklaroi ai në dalje nga Prokuroria e Posaçme.

META

Çështja ndaj ish-Presidentit Ilir Meta, përfshin tre hetime në një, aferën CEZ-DIA, skandalin e lobimit të LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Dosja ndodhet ende në seancë paraprake, në pritje të vendimit nëse do të kalojë ose jo për gjykim. Meta vijon të jetë i arrestuar me masën e sigurisë “arrest në burg”, prej më shumë se një viti.Të gjitha shkallët e gjyqësorit kanë rrëzuar kërkesat e tij për liri.

Më 27 maj atij dhe ish bashkëshortes Monika Kryemadhi i komunikohen akuzat: pastrim i parave, korrupsion pasiv dhe fshehje pasurie.

“Nuk kam kurrë ndër mend të kërkoj as mbylljen me procedurë, mezi po pres sallën e gjyqit”, deklaron Meta për gazetarët, përmes telefonit të avokatit të tij Kujtim Cakrani, i cili kishte zëvendësuar papritur mbrojtësin tjetër Genc Gjokutaj.

Ndërsa vetë avokati Cakrani, mendon se të pandehur duhet të ishin bashkëpunëtorët e Metës

“Shumë persona të tjerë që kanë qenë edhe pjesë e LSI, të cilët duhet të ishin të pandehur dhe jo zoti Meta, sot janë të lirë dhe ushtrojnë funksione publike”, tha Cakrani.

Me të njejtat akuza si ish bashkëshorti, Monika Kryemadhi, detyrohet të paraqitet një herë në muaj pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ashtu si dhe rastin e Berishës, seanca paraprake ka kapur kufijtë e 7 muajve, pa mundur të merret ende një vendim për kalimin për gjykim.

Fatmir Mediu, vijon procesin gjyqësor për Gërdecin. Për Ahmetajn prokuroria e posacme ka zgjatur edhe me tre muaj të tjerë hetimet për dosjen ku ish zv kryeministri akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash në rastin e inceneratorëve. Ai ndodhet në Zvicër, vend i cili  ende nuk ka marrë një vendim për kërkesën e SPAK për ekstradimin e tij. Një tjetër dosje që lidhet me të, ajo e privatizimit të ish Fabrikës së Bukës ka kaluar filtrin e parë të gjykatës dhe ndodhet aktualisht në gjykim.

Lista e emrave të politikanëve dhe zyrtarëve që kanë hyrë dhe dalë nga SPAK është e gjatë. Disa kanë larë llogaritë me Drejtësinë. Ish kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, që prej shtatorit është një njeri i lirë, pasi shleu dënimin prej 2 vitesh e 8 muaj për shpërdorim detyre.

Në banesë është dhe ish ministri i Mjedisit Lefter Koka, i arrestuar fillimisht për inceneratorin e Elbasanit, e më pas me akuza dhe për dy të tjerët. Ndërsa për Elbasanin ka dhe nje vendim të formës së prerë, për Fierin dhe Tiranën, atij do t’i duhet të presë Apelin, ndërkohë që masat e sigurisë janë shuar.

Disa ish deputetë janë në faza të ndryshme të hetimit apo gjykimit, ndërsa ish kryebashkiakë apo kryebashkiakë në detyrë, përbëjnë kategorinë më të madhe në numër të atyre që kanë hyrë e dalë nga SPAK.

Rexhë Byberi, kryebashkiaku i Tropojës

Tërmet Peçi, kryebashkiaku i Tepelenës

Kristian Shkreli, kryebashkiaku i Vaut të Dejës

Erion Isai, kryebashkiaku i Kolonjës

Majlinda Bufi, kryebashkiake e Roskovecit

Benet Beci, kryebashkiaku i Shkodrës

Vetëm pak orë para se Altin Dumani të dorëzonte detyrën si drejtues i SPAK-ut, një tjetër institucion u godit nga drejtësia. Bëhet fjalë për finalizimin e hetimeve për tenderat e AKSHI-t, ku dy drejtueset, Mirlinda Karçanaj, si dhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi u lanë me masën “arrest në shtëpi”, ndërsa u shpallën në kërkim biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri. Ndërkohë, masa “ndalim për të dalë jashtë vendit” u vendos për biznesmenët Andi Spapa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Ryta.