SPECIALE/ Tituj të rinj, rikthehet panairi i librit! Rita Petro për Report Tv, së shpejti me një libër në prozë! Kryetari i Shoqatës së Botuesve: Pak hapësirë për librin, bibliotekat në shkolla të varfra

 “Fillova të ecja si çun haram, e kisha modelin Arturin e doja më shumë nga të gjithë. Ai ishte i bukur në fytyrë me flokët plot onde. Doja t’i ngjaja atij, vishja pantallona të shkurta dhe kanotiera të cilën e njollosja ende pa dalë nga shtëpia. Po, ai kishte diçka që nuk e kisha unë. Mami dhe babi i tij ishin ndarë…”

Ky ishte vetëm një fragment nga libri më i ri ende i papërfunduar i poetes dhe botueses Rita Petro, e cila këtë herë ka guxuar me një tjetër zhaner, atë në prozë.

Vlera më e madhe që mund të fitojë një shkrimtar me krijimtarinë e tij është lexuesi dhe marrëdhënia e tij me veprën e artit, të cilën poetja Rita e sheh si një binom të pandashëm në kohë.

 “Poezia, në fakt më jep një mundësi të tillë, të jep një liri të pakufizuar dhe nëse ti nuk ke atë ndjesinë e frymëzimit dhe nuk ke atë pjesën e një eksperience të re të ndjesive, mendoj që është e kotë të ulesh të shkruash. Është ndryshe nga proza që të kërkon një vullnet të caktuar dhe të kërkon të jesh më e displinuar. Ndërsa unë në punë jam shumë e disiplinuar, sepse duke shkruar dhe tekstet shkollore më duhet të jem dyfish e displinuar, duke pritur të më vij ai frymëzim i madh ndaj dhe librat me poezi i kam me një diferencë të madhe kohore. Shkrimtari kur është i gjallë është një mrekulli , pasi mund të krijojë një kontakt të mrekullueshëm me lexuesin. Dhe sidomos tani falë teknologjisë ti mund të jesh në kontakt me lexuesin…”, tha Rita Petro.

Mbresat e fëmijërisë gjatë periudhës komuniste janë ato që shkrihen me ndjesitë, instinktet dhe botën e brendshme të personazheve në vepër, titulli i së cilës mbetet një surprizë për lexuesin.

 “Kam kohë që kam filluar prozë dhe është ajo frika pasi gjithmonë kam shkruar libra me poezi,ose kritika dhe studime në letërsi, por, jo në prozë. Doja të arrij të kap panairin, edhe për të takuar lexuesin por që nuk arrita ta bëj sepse mendoj se jeta e një libri është më e madhe sesa pjesa e panairit. Libri është brenda stilit tim. Ka mbresa fëminie, por, për të treguar që ne ishim një shoqëri e mbytur që jetonim në diktaturë dhe rrëfimi është shkruar me ndjesitë dhe instiktin, pra ka shumë poezi edhe brenda asaj që jam duke përshkruar unë. Dhe mendoj që do dalë diçka e veçantë. Por, jam e gëzuar gjithashtu, pasi kemi shumë tituj, dhe gëzohem për ata autorë shqiptarë dhe të huaj dhe marredhënien që kemi me përkthyesit", thotë poetja.

Por, ajo çfarë do të sjellë Panairi i 24-ët i Librit 2021, është një “Ritakim i lexuesit me librin”, i cili pas më shumë se një viti mungesë për shkak të pandemisë së COVID 19 e çel siparin e tij më 17 Nëntor në Pallatin e Kongeseve, për të vijuar 5 ditë me radhë.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve Petrit Ymeri, në një intervistë për Report Tv na prezantoi me risitë që do t’i bashkangjiten organizimit të Panairit për vitin 2021, ndërsa prioritet do të ketë edhe zbatimi i rregullave kundër COVID-i.

 “Ky është Panairi i 24-ët i Librit i Tiranës. Të gjithë botuesit, autorët, përkthyesit po presin të shohin frytin e punës së tyre edhe lexuesit mezi po e presin. Dhe e gjitha kjo sivjet do bëhet në kushte e një kujdesi maksimal, që nga orari, kujdesi në hyrje, organizimi kemi zmadhuar sipërfaqet e përbashkëta. Ndër porositë kryesore që kemi dhënë është që të gjithë botuesit, librarët duhet të jenë të vaksinuar, nuk do lejojmë vizita kolektivë nga shkollat. Kemi risi mbajtjen e një seminari me përkthyes. Kemi promocion dhe vepra shumë të rëndësishme, si psh, nga letërsia klasike kineze që sapo është botuar “Ëndërr në Pallatin e Kuq” nga Cao Xueqin, autorë të shquar të tjerë si Rixos, Hilary Mantel apo Milan Kundera etj", thotë Petrit Ymeri, Kryetari i Shoqatës Botuesve.

Për Ymerin edhe pse panairi është një përpjekje për të nxitur leximin, sot ka një mungesë vëmendje të institucioneve dedikuar librit dhe kjo për të fillon që në bibliotekat e shkollës të cilat nuk duhet të janë të varfra për nxënësit..

 “Ky proporcion që bëhet për panairin e librit është një tërheqje vëmendje për leximin dhe për lexuesin. Kemi biblioteka që gjithnjë e më shumë janë të varfra, nuk pasurohen. Pra, duhet një punë më e mirë nga institucionet që lexuesit ta gjej librin kudo. Nxënësit dhe mësuesit ta gjejnë librin në shkolla. Bibliotekat e shkollave janë në gjendje katastrofike. Jo, të gjithë kanë mundësi t’i blejnë librat atëherë ai duhet ta gjej librin në bibliotekë e shkollës për të gjithë", tha Petrit Ymeri.

Kryeredaktore e Shtëpisë Botuese “Pegi”, Aida Baro tregon se për shkak të pandemisë, 2020-ta ishte një vit i vështirë me një rënie të lexuesve dhe orientimin drejt librit, por që panairi i këtij viti do të jetë një mundësi e mirë, që ata të jenë më afër tij dhe të njihen me titujt e rinj të veprave.

"Ka qenë një vit i vështirë, por shpresojmë që me çeljen e Panairit të 24-ët të librit, të kemi mundësinë e takimit me lexuesin. Ne kemi përgatitur sivjet rreth 8 tituj të rinj, 4 për të rritur dy për adoleshent dhe tre të tjerë për fëmijët.  Një nga më të dashurit për fëmijët është “Aventurat e Sherlok Holmsit” të Jeronim Stilton, një libër interesant i përshtatur dhe besoj që do ketë një lexueshmëri të madhe. Një libër tjetër e amerikanes Francesca Zappia është edhe “Eliza dhe krijesat e saj”. Titujt më rëndësishëm për të rritur vijnë nga Kazuo Ishiguro, “Klara dhe Dielli” , nobelisti Camilo Jose Cela, me librin “Kosherja”, Edna O’brein me “Vajzat e fshatit” etj", shprehet kryeredaktorja.

Një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të vitit, edicioni i 24-ët i Panairit të Librit, do të organizohet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë dhe do të zgjasë nga data 17 deri 21 nëntor 2021.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar