Akuzat e Elisa Spiropalit kundrejt Belinda Ballukut se kjo e fundit i ka bërë presion përmes drejtorit të Tatimeve, Ilir Binajt, ish-deputeti Ervin Salianji shprehet se kanë ardhur pasi ajo u përjashtua nga forumet e Partisë Socialiste.

“Akuzat e Spiropalit tregon një lloj dinjiteti dhe personaliteti të vetin, por jo pasi largohesh nga funksionet. Së dyti, janë akuza penale. Nëse Spiropali thotë që kjo më ka vendosur shtetin mua për të më kërcënuar politikisht, jemi në kushtet e një lufte”, tha Salianji në “Studio Live” në Report Tv.

Situatën e kohëve të fundit brenda kampit rozë ish-deputeti i PD e sheh si “luftë për dashurinë e Ramës”. Ai komenton edhe përplasjen e Erion Veliajt me kryeministrin, duke thënë se kryebashkiaku ndodhet në kushte të pabarabarta për shkak të izolimit.

“Këta luftojnë të gjithë për dashurinë e Ramës. në kuptimin e pushtetit. Ajo del e thotë është mentori im, njeriu im, kjo tjetra thotë merr vendimmarrjet. Spiropali kishte mundësinë një muaj më parë, kur u votua reforma territoriale, e votoi, bashkë me Braçen. Veliaj është në një luftë me kushedi sa hapa vonesë dhe është i izoluar. Lufta në kushtet e burgut nuk është e njëjtë. Pamundësia që të jep izolimi për të bërë luftë politike... Veliaj e ka thënë politikisht, por me shumë hapa vonesë. Njëfarë kostoje e ka në këtë betejë Edi Rama sepse janë gjithë bashkëpunëtorët e vet që po dalin dhe po thonë gjëra, atë që ne themi prej vitesh, sistemi që ka prodhuar Edi Rama po prodhon këtë lloj përplasjeje. Në PS, njerëz që i ka ndihmuar Veliaj, nuk po shoh të dalin e të thonë ky njeri po trajtohet në mënyrë të padrejtë. Aty ka vetëm një gjurmë, forca ose interesi. Këta kanë qenë kolegë dhe Veliaj kur ka qenë jashtë nuk ka thënë asgjë për Beqajn, Tahirin, Ahmetajn, kur iu shkon te vetja, del që problemi është Rama”, u shpreh Salianji.

Më tej, ish-deputeti thotë se kriteret e përzgjedhjes në PS janë reduktuar duke dëmtuar sistemin politik.

“Të gjithë njerëzit nga të cilët Edi Rama ka marrë pushtetin, ka djegur një brez socialistësh. Edi Rama ka rrëzuar kriterin politik të funksionimit të politikës. Politika është katandisur kështu prej sistemit zgjedhor se i vendosin këta dhe bëjnë llogari veten e familjen e vet, po qenë mirë ata, u duket sikur Shqipëria është dritë. Në Shqipëri, debati politik nuk ka më të njëjtën vlerë. Demokracia kërkon kultivimin e kulturës demokratike”, tha deputeti.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:45
‘Sali Berisha gogol’, Salianji: Rama e mban për të trembur qytetarët! Po të dorëhiqet ai, kryeministri do të rrëzohet brenda muajit

1795191100_salianji.jpg

Largimi i Sali Berishës nga Partia Demokratike është çelësi që protestuesit të mundësojë rrëzimin e kryeministrit Edi Rama, thotë Ervin Salianji.

Ish-deputeti demokrat pohon në “Studio Live” në Report Tv se i beson teorisë që dy rivalët politikë ‘bashkëpunojnë’ për të mbajtur njëri-tjetrin në pushtet. Sipas tij, Rama e përdor Berishën si ‘gogol’ për të trembur qytetarët.

“Edi Rama është i interesuari kryesor dhe e mban në bashkëqeverisje Sali Berishën. Kostot politike që duhet t’i vijnë Ramës nga shkërmoqja brenda vetes, nga një protestë, të gjitha këto janë kosto që do t’i ketë në zgjedhje, por mban atë që bën gogolin, Sali Berisha përpara dhe qytetarët tremben.

Është një sistem i bllokuar që duan ta mbajnë të dy, siç edhe protestës i vunë shkelmin të dy. Të gjithë kandidatët që kanë fituar bashkitë kanë qenë kundër linjës së Berishës. Nëse Berisha jep dorëheqjen sot, i jep mundësi qytetarëve ta hedhin Ramën brenda një muaji”, tha Salianji.