TIRANE, 6 Mars/ATSH/- Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali njoftoi dorëheqjen e saj nga ky post, pas ardhjes në jetë të fëmijës së saj të parë.
"Unë sapo përjetova momentin më të rëndësishëm në jetën e një gruaje, lindjen e fëmijës së parë. Prandaj edhe dua mirëkuptimin tuaj për ndërprerjen e shërbimit tim në krye të Doganës Shqiptare", shkruan Spiropali në rrjetin social 'facebook'.
Më tej, ajo iu drejtohet kolegeve te saj duke shprehur edhe mirënjohjen për bashkëpunimin me ta.
"Ndjehem e lumtur që m'u dha mundësia të njihem dhe punoj me ju. Jam mirënjohëse ndaj secilit prej jush për faktin se në një periudhë tepër të vështirë u bëmë ballë me sukses të prekshëm sfidave thelbësore. Kryem së bashku reforma të rëndësishme dhe të nevojshme prej vitesh: reformën administrative; reformën legjislative; reformën e procedurave; reformën anti-korrupsion. Marrëdhëniet mes biznesit dhe doganës i futëm në procesin pa kthim të një transformimi historik, duke i shndrruar nga marrëdhënie të deformuara klientelizmi dhe santazhi korruptiv, në marrëdhënie dialogu dhe partneriteti. Bëmë të mundur rritjen më të lartë të të ardhurave ndër vite përmes një lufte sistematike dhe pa kompromis kundër paligjshmërisë, evazionit dhe kontrabandës.
Një vit e gjysëm nuk është mjaft për të bërë bilancin e një pune që vazhdon", shkruan Spiropali.
Sipas Spiropalit, vendimi i saj nuk ishte një llogari egoiste. "Nuk ka asnjë dobësi në këtë tërheqje. E gjitha lidhet me përjetimin tërësisht individual të të bërit rolin e nënës me preokupimet përkatëse, pasi jam mësuar deri këtu të bëj vetëm vajzën. Por edhe me bindjen se tërheqja ime nuk do të krijojë asnjë boshllëk tashmë që themelet e punës sonë janë hedhur", shkruan Spiropali.
Duke u ndalur në punën e bërë dhe përpjekjet në krye të këtij institucioni, Spiropali falenderoi edhe Kryeministrin Rama për mbështetjen e dhënë.
"Faleminderit Kryeministrit, njeriut që nuk më la asnjëherë vetëm përballë momenteve të vështira të detyrës. E falenderoj Kryeministrin për besimin, ndihmën dhe frymëzimin që më ka dhënë për transformimet pozitive të punës, modernizimin e sistemit, shndrrimin e administratës nga një fole parazitizmi dhe korrupsioni në një bashkësi të vetëdijshme për kryerjen e detyrës", thotë Spiropali./a.g/