Spitali i Traumës me skaner të ri dhe shërbim modern telemjekësie

TIRANË - Spitali Universitar i Traumës do të ketë tashme një pajisje të re per ekzaminimet imazherike CT Scan, financuar prej buxhetit të shtetit, si dhe shërbimin modern të telemjekësisë.
Kjo e fundit eshte realizuar falë mbështetjes financiare dhe teknike të USAID Albania dhe Zyrës së ODC-së të Ambasadës së SHBA-se në Shqipëri.
Gjatë ceremonisë së përurimit të këtyre investimeve të teknologjisë së lartë të organizuar sot me drejtues, mjekë e punonjës të këtij institucioni, morën pjesë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe Marc Ellingstad, Drejtor për Programet e Zhvillimit në USAID Albania.
"Skaneri i ri rrit kapacitetet diagnostikuese për traumat", tha midis të tjerash në fjalën e tij ministri Beqaj, duke theksuar se "kemi hedhur kështu një hap të mëtejshëm në kantierin e rimëkëmbjes së kësaj qendreje spitalore, pas financimit dhe ngritjes së laboratorit të ri të urgjencës, financimit të 5 respiratorëve dhe vënies në punë të 10 monitorëve të rinj për shërbimin e reanimacionit dhe ndërhyrjeve të tjera për përmirësimin e infrastrukturës së SUT-së."
Gjithashtu, sipas ministrit, skaneri i ri do të ndihmojë edhe për kryerjen e ekzaminimeve imazherike që do të rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ndërkohë që shërbimi i ri i telemjekësisë, do të ndihmojë në trajtimin e specializuar të rasteve të traumës që raportohen nga spitalet rajonale në vend, pa pasur nevojë që pacientët të vijnë në Tiranë.
Nderkaq,  Beqaj shprehu mirënjohjen ndaj përfaqësuesve të USAID edhe për ndihmën që ata po japin nëpërmjet projektit të mbështetjes teknike për krijimin e shërbimit kombëtar të traumës, emergjencave dhe urgjencave mjekësore, për ngritjen e qendrës kombëtare për koordinimin e kërkesave për kujdes emergjent, si dhe për krijimin dhe forcimin e kapaciteteve tona për të ofruar kujdes shëndetësor në këto fusha.
Ndërkohë, Marc Ellingstad tha në fjalën e tij se"Fokusi i ministrisë së Shëndetësisë në përmirësimin e kujdesit ndaj pacientit të traumës është për t'u përgëzuar. Ka ende shumë punë për të bërë, por këto shenja përparimi tregojnë se jemi duke ecur në drejtimin e duhur." /ATSH/
 

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se arrihet objektivi i qeverisë për pagë mesatare 900 euro?



×

Lajmi i fundit

Për çfarë akuzohet ish presidenti i SHBA-ve Donald Trump?