Endri Çekiçi është një futbollist profesionist që luan me Dinamon e Zagrebit dhe vetëm në moshën 18-vjeçare ai konsiderohet një nga talentet në rritje të këtij ekipi. E veçanta e këtij futbollisti shqiptar është se ai është formuar në shkollën shqiptare të futbollit dhe prej disa vitesh është angazhuar me ekipin e Dinamos.
Endri bëri një vizitë në Ambasadën shqiptare në Kroaci dhe i dhuroi një bluzë me emrin e tij ambasadorit shqiptar në Zagreb, Ilir Melo.
Ambasadori e përgëzoi Endri Çekiçin për sukseset e arritura, të cilat janë vetëm në fillim dhe uroi që shumë shpejt ta shohim si pjesë të sukseseve të Kombëtares Shqiptare. Në vazhdim, ai tha se arritjet e Endrit janë një dëshmi e rritjes së futbollit shqiptar dhe në anën tjetër ëndrra e tij është frymëzim për brezin e ri të shqiptarëve, kudo ku janë, për një pjesëmarrje dhe integrim sa më të gjerë dhe të plotë në hapësirën evropiane, qoftë kjo në futboll, shkencë, kulturë, art, etj./atsh/