Standard&Poor's:
Borxhin e rritën zgjedhjet

Standard&Poor's: <br />Borxhin e rritën zgjedhjet
TIRANE- Kompania nr.1 në botë e inteligjencës ekonomiko-financiare ve në dukje rreziqet përballë të cilave ndodhet Shqipëria në rrugën e zhvillimit të saj ekonomik. Raporti i saj është publikuar dje dhe konfirmon nivelin e mëparshëm "B+/B", me perspektivë të qendrueshme për ekonominë e vendit. Ky vlerësim pasqyron shifrën e ulët të Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë të popullsisë dhe borxhin vazhdimisht të lartë qeveritar, krahasuar me vende të ngjashme, thuhet në raport.
FINANCAT
Financat publike Standard&Poor's i sheh si një dobësi kyç në drejtim të kreditimit. Raporti i pagesës të interesave nga ana e qeverisë qendrore me të ardhurat buxhetore është i lartë, sikundër është i lartë edhe borxhi qeveritar. Pas një ngushtimi të deficitit buxhetor në vitin 2010, qeveria hoqi dorë nga konsolidimi fiskal strukturor dhe, në vend të kësaj, lejoi një objektiv më të lartë për deficitin fiskal në vitin 2011 prej 3.5 përqindësh të PBB-së, krahasuar me deficitin 3.1 për qind më 2010.
Pavarësisht nga një rritje e mirë ekonomike në terma nominale, besojmë se masat e marra në mes të vitit nga qeveria me anë të korrigjimit buxhetor me ulje të deficitit, janë të pamjaftueshme për të arritur objektivin për këtë vit, sidomos pas manovrimeve politike që janë bërë para zgjedhjeve lokale të muajit maj, kur mund të ketë patur lëshime në shpenzimet qeveritare, thuhet në raport.
Mendojmë se një ngadalësim i rritjes, që ka të ngjarë të ndodhë, së bashku me të ardhura tashmë relativisht të ulta buxhetore, do të vinin në provë angazhimin për të arritur dhe mbajtur deficitin në nivelin 3 për qind të PBB-së në vitet 2012-2013, shtohet më tej.
RREGULLAT
Në mënyrë që të shmanget pengimi i zhvillimit ekonomik të Shqipërisë nga prishja e balancave fiskale, kërkohen rregulla më të rrepta e të qarta fiskale dhe masa strukturore që të sigurojnë konsolidim. Masa të tilla duhej të përfshinin ndryshimin thelbësor të sistemit të sigurimeve shoqërore, si dhe pakësimin e ekonomisë së gjerë informale të Shqipërisë.
DEFICITET
Rrezik përbëjnë edhe shpërpjestimet e mëdha e të vazhdueshme në lidhjet me jashtë. Deficiti aktual i llogarisë korrente duhet të mbetet rreth 10 për qind të PBB-së në afat të mesëm, sidomos kur një ngadalësim i parashikuar në vitin 2012 do të pengonte eksportet që të mund të ruanin ritmet e mira të tanishme të rritjes. Rrezikimi i Shqipërisë nga jashtë pakësohet nga investimet e huaja direkte, që kryesisht janë në fushat e telekomunikacionit, energjetikës, bankave dhe manifaturës dhe ndikimi ende i paktë nga kushtet jashtë vendit.
POLITIKA
 Raporti përshkruan me tonë tejet kritike përçarjen në fushën e subjekteve kryesore politike në vend. Politikisht, Shqipëria është bërë gjithnjë e më e polarizuar që prej zgjedhjeve të vitit 2009, sipas ekspertëve të kompanisë.
Partia kryesore opozitare, Partia Socialiste e Shqipërisë, sfidoi legjimitetin e qeverisë aktuale të qendrës së djathtë, duke bojkotuar parlamentin. Protesta të dhunshme antiqeveritare në janar 2011 dhe rezultatet e kontestuara pas zgjedhjeve për pushtetin vendor në maj rritën në maksimum tensionin. Ky polarizim pengoi mundësinë e qeverisë për të zbatuar me efektshmëri politika, duke përfshirë reformat që duheshin për në BE, të tilla si forcimi i kuadrove institucionalë për të luftuar korrupsionin dhe t'u japin zgjidhje të drejtave të pronësisë.
Duke u nisur nga sa më sipër, mendojmë se kthimi i Partisë Socialiste në parlament duhet të pakësojë tensionet politike, theksojnë ata. Kjo do të stabilizonte marrëdhëniet me koalicionin qeverisës, sidomos në rast se do të bëhej përparim material në drejtim të sfidave kryesore politike, duke përfshirë procesin e integrimit në BE.

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Kaskadori Di Jashari, Gaz Muça dhe djemtë e Rrugës Bardhyl! Esencë-Report Tv

Kaskadori Di Jashari, Gaz Muça dhe djemtë e Rrugës Bardhyl! Esencë-Report Tv