Agjencia e Vlerësimit Standard & Poor’s rriti vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë në valutë të huaj dhe vendase në ‘BB’ nga ‘BB-‘ me perspektivë të qëndrueshme.
“Ky vendim ka reflektuar performancën e fortë ekonomike dhe fiskale të vendit gjatë viteve të fundit”, tha agjencia.
Standard & Poor’s konfirmoi vlerësimin e kreditit sovran afatshkurtër të Shqipërisë në valutë të huaj dhe vendase në nivelin “B”, ndërsa rishikoi vlerësimin e transferimit dhe konvertueshmërisë në “BBB-” nga “BB+”.

“Investimet e larta neto të huaja direkte (IHD), remitancat dhe rritja e shpejtë e eksporteve të shërbimeve mbështesin perspektivën e qëndrueshme ekonomike të Shqipërisë, pavarësisht tensioneve të larta gjeopolitike dhe pasigurive në prag të zgjedhjeve parlamentare të këtij viti,” deklaroi agjencia globale e vlerësimit.
S&P parashikon që rritja reale e PBB-së së Shqipërisë të mbetet mbi 3% deri në vitin 2028, e nxitur nga investimet dhe konsumi.
Megjithatë sfidë mbetet tkurrja e forcës së punës, emigracioni i vazhdueshëm si dhe rreziqet fiskale për shkak të nivelit të lartë të borxhit në valutë të huaj, maturiteteve afatshkurtra të borxhit vendas dhe angazhimeve të konsiderueshme të PPP-ve. Ndërkohë, tensionet diplomatike me Greqinë mund të paraqesin sfida për përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE”, theksoi Standard & Poor’s. Në 23 mars 2024, S&P përmirësoi për herë të parë vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë në ‘BB-‘ nga ‘B+’, duke theksuar përmirësimin e pozicionit fiskal dhe të jashtëm të vendit.
S.G/SI.E./Shqiptarja.comKomente

