TIRANË - Në përfundim të vitit shkollor të gjitha shkollat, apo zyrat arsimore bëjnë një analizë të vitit që sapo kanë mbyllur. Edhe drejtoresha e Zyrës Arsimore Kamëz, Ermioni Cekani në përfundim të këtij viti shkollor ka bërë një analizë të përgjithshme të ecurisë së shkollave që ajo mbulon pasi ka marrë detyrën.
 
 
“Ndjenja e lartë e përgjegjësisë që keni treguar bëri të mundur që të përballojmë sfidën e madhe që kishim përpara dhe të vendosnim standarde të reja edhe në administrimin e provimeve të lirimit.”-thekson Ermioni Cekani ka shtuar se ”Të gjithë mesuesit meritojnë përgëzime për shumëçka, por në mënyrë të veçantë për angazhimin dhe përkushtimin që keni treguar gjatë gjithë këtij viti. Një përshëndetje e veçantë për të gjithë ata mësues që u angazhuan në administrimin e provimeve të Maturës Shtetërore në Kamzë, Zall-Herr, Paskuqan, Krujë e Fushë Krujë. “
 
Duke përgëzuar mësuesit për përfundimin me sukses të këtij viti shkollor, ajo ka përmendur edhe faktin se situata në sistemin arsimor nuk ishte ajo që duhej, por kjo nuk i ka bërë të hutoheshim apo t’i linim vend pesimizmit, por me vendosmëri e profesionalizëm u mor përsipër të bëhej më e mira.
 
”Gjithçka bëmë së bashku këtë vit do të na lehtësojë punën për vitin tjetër dhe është një gur prove që dëshmon se në Kamzë ekzistojnë kapacitete të mëdha të arsimit dhe të dijes, çka janë një garanci e fortë dhe e padyshimtë se ndryshimi e ritmi i tanishëm nuk do të ndalen, përkundrazi, do të fitojnë cilësi të reja për arritje edhe më të mira.”-shkruan Cekani. 

Redaksia Online