Këshilli Britanik në bashkëpunim me Bashkitë e Vlorës, Beratit dhe Dibrës si dhe me Club FM dhe Vodafone sjellin sërisht Javën e Muzikës Britanike .

Për të pestin vit rresht, Këshilli Britanik sjell risitë e muzikës alternative nga Britania e Madhe. Turi i koncerteve do të fillojë nga qyteti i Vlorës në datë 12 gusht, ditë kur qyteti feston Natën e Bardhë dhe Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.
Në këtë koncert është ftuar DJ dhe prezantuesja e njohur nga Britanie e madhe GoldieRocks. Kjo artiste është edhe drejtuesja e programit të njohur muzikor "Selector', i cili konsiderohet si një nga programet më alternative muzikore në Britaninë e Madhe.

Ky program i cili mbështetet nga Këshilli Britanik, promovon rrymat dhe risitë muzikore të grupeve e artistëve të rinj. Programi i saj i përjavshëm radiofonik 'The Selector,' transmetohet në 37 shtete të botës me rreth katër milionë dëgjues, sukses që 'The Sunday Times' e komenton si "Programi Muzikor Britanik me Cutting-Edge të momentit."

Koncerti i Vlorës do të pasohet nga dy evente të tjera, në 22 gusht në Berat dhe 24 gusht në qytetin e Dibrës. Në këto koncerte është ftuar The Bethia Beadman Band, e njohur sidomos për videon "Fire" që është vlerësuar me çmimin si videoja më e mirë në vitin 2012 në Festivalin e Cannes./ATSH/