Letra e bardhë e palosur në stilin e ri të mbrojtjes së privatësisë, e saktësuar fatura të rëndomta të padukshme nga komshinjtë, kish hyrë si me magji në fillimin e ditës. Më kish ndërprerë tingujt e instrumentit teksa studioja. Notat e Bahut të madh, nisën të nervozoheshin dhe për këtë, në mënyrë figurative fajin e kish fatura e Çezit. Kisha ndalur studimin, për të hapur zarfin që u gjend poshtë dere, ndërsa shifra e shkruar më shtyu drejt një mendimi, apo analize më të gjatë. Çështje fature, do shfajësohej dikush, madje një pjesë e atyre që fatmirësisht paguajnë fare pak, për shkak të zotësisë sipas peshores së sotme të aftësisë së njerëzve, gati do shtrinte vështrimin larg për të ndërruar temë. Zakonisht konsumimi i një bisede të tillë mbaron me një frazë “edhe mua”….

Në fakt është një temë e konsumuar, një muhabet i vjetër , të cilit vetëm i daroviten para të reja . Misioni i pagesës më kish mbetur si pa kuptuar, dhe e kisha pranuar atë detyrë tashmë. Kushtet e reja, zyrat paksa më moderne ma kishin zvogëluar këtë lodhje të kotë e angari, që në fakt të fikte derën, pasi vonesa prej një dite mund të të ndërpriste pa problem energjinë nëse ishe konsumator i rregullt. Sa më i rregullt të ishe, aq më shpejt penalizoheshe… Dimri që sapo iku më kish grabitur pa mëshirë shifra të larta, të ngjashme me ato të një furre buke, apo të tjera ndërrmarrjeve siç përdornim krahasime në të tilla raste. Faturat kalonin pa turp 20 000 lekët e reja dhe e thënë shqip një çerek milioni lekë ish zhdukur pa mëshirë çdo muaj për rehatinë e Çezit.

Sa herë shikoja faturuesen përballesha me të njëjtin problem, ndërsa para ca kohësh, provova të shkruaj një ankesë online, duke shpresuar në disiplinimin e muajve në vazhdim. Ankesat e klientit në internet të krijonin idenë e një institucioni që funksiononte perfekt, megjithëse nuk besoja në ankesa , pasi po të flitej për të tilla, gjithë jeta shqiptare e kësaj periudhe që po jetojmë është një ankesë e stërmadhe… Bëra detyrën për të qenë në rregull, dhe papritmas teksa gjendesha në zyrat e postës për të bërë pagesën, u shtanga nga tarifa e ardhur. Çezi kish reaguar. Fatura e muajit korrik, ajo që paguhej në korrik, pas një drobitjeje e zgrepjeje të paparë të muajve paraardhës ish stopitur.

Vështrova me habi punonjësen e postës pas sportelit, e pyeta në ishte e sigurt se fatura kish një vlerë të tillë prej vetëm 340 lekë të reja dhe dola me gëzim nga posta. Më në fund Çezi kish reaguar, për herë të parë ja kisha hedhur. Për herë të parë isha palë me atë pjesë të mençur të shoqërisë që paguan pak, për herë të parë kisha përfituar, në të vërtetë vetëm një pjesë të asaj që për muaj e muaj kisha paguar padrejtësisht. Në të vërtetë ankesa ime kish qenë vetëm një formalitet bajat për të treguar se institucione të tilla ngjasojnë me jashtë, ndërsa nga ç’kuptova nga kjo faturë e fundit që më nervozoi studimin, fatura prej 340 lekësh e korrikut kish qenë vetëm vrulli i Çezit për të na sulmuar në gusht.

Në shtyp , facebook  lexoja statuse verorë për Sarandën, bregdetin, për vezë të zjera që vinin me vonesë, ujra të zeza që kishin teptisur udhëve të Kavajës a Golemit, për ndërtime shkatërruese të bregdetit, për hotele të shtrenjta fare pranë në Plazhin e kulluar të Durrësit, për plazhe private që kishin zaptuar tokën e pushuesve… Ç’nuk kisha lexuar për çmime e pagesa vere e plazhesh, po asnjëherë nuk kisha menduar se në fund të gushtit, ne tiranësit e qendrës , ne të përpiktët që nuk vonojmë një ditë faturën e energjisë të paguanim diellin. Do paguanim diellin e gushtit, energjia e të cilit na kish ngrohur pa kursim… Emigrantët kur ktheheshin, bashkë me mallin e nostalgjinë për vendin , dukej se na kishin zili të mirën tonë të madhe, dritën e diellit, atë dritë që na ngrohte e ndriçonte në vuajtjen tonë në çdo stinë. Mesa dukej kish ardhur koha të paguanim ngrohtësinë e diellit, këtë ngrohje natyrale për të cilën vinin nga anë e anës çdo vit njerëzia nga vende të largëta të botës.

Në fakt çdo faturë që paguaja e ja komunikoja atyre të shtëpisë më bënte paksa me turp. Im atë, emrin e të cilit mbanin faturat kish punuar, projektuar e ndërtuar ato që na mbanin akoma me dritë në këto vite, hidrocentralet mbi Drin. Ish rropatur një jetë për linjat e tensionit të lartë, ndërsa CV e ndërtuesve të hidrocentraleve, do bënin me turp megallomanët filozofë akademikë, titullosur me grada shkencore, profesorë kolltukësh e kopjues librash. Vitet e tranzicionit i përmendnin ndërtuesit e hidrocentraleve rrallë, në raste përmbytjesh a për të qetësuar njerëzinë nga fraza bombastike të gazetarkave për lavdi, gjoja për çarje digash… Presidentët, të lodhur nga hallet e mëdha të kombit nuk e ngrinin kokën të shikonin dritën, të njëjtën dritë që vinte nga një kohë diktature , po që s’kish lidhje me të.

Drita ish pa kah të majtë e të djathtë, e ardhur si stërmundim njerëzor në një kohë të vështirë. Kish qenë heroike dje, ishte dhe sot, megjithë idiotësinë tonë shqiptare për të politizuar gjithcka. Njerëzit e saj qe e kishin sjellë nga e pamundura ishin heronj të asaj kohe kur të fluturonte koka, dhe heronj të heshtur të kohës së sotme. Madje aq fisnikë sa kishin heshtur nga ndonjë rrëfenjë apo thashethem se paskëshin bërë një punë modeste të diktuar nga kinezët… Nuk kishin denjuar as të reagonin as të mburreshin, as të trimëroheshin në faqe gazetash, siç mburren sot shqiptarët e gjithë profesioneve. Nuk përfitonin as pensione të jashtëzakonshme, as tituj Mjeshtërish të mëdhenj. Pensionet në këto vite ishin nomenklaturë e Ministrisë së Kulturës, Titujt merak i Presidentëve, i Bamirit në ndonjë rast për sharkinë e çiftelinë, i këtij të fundit për këngën e këngëtarët.

Vetë Ministri i Punëve Publike kish qenë më i vëmendshëm ndaj festivaleve, këngëve e tra la lasë, sesa ndonjë gjesti të tillë. Megjitahtë askush nuk kish folur, zakonisht të mençurit në situata të tilla heshtnin. Po në të vërtetë diçka meritonin. Meritonin një status njerëzit e hidrocentraleve, projektuesit , ndërtuesit, të gjithë ata që kishin kontribuar në këtë fitore shqiptare paçka se e kohës së shkuar. Meritonin një status të veçantë, statusin e mbrojtjes nga hajdutët e energjisë. Ish më e pakta. Nuk di në fatura e gushtit ish përkëdhelja e Çezit, apo grushti i fundit i qeverisë në ikje ndaj njerëzve që i harroi në tetë vite. Një gjë është e qartë, statusi i mbrojtjes nga hajdutët vlen në çdo kohë. Nuk ka rëndësi në janë fatura të porositura, direktivë e Çezit, faj i faturuesve, apo i bashibozukëve hajdutë ordinerë banues në të njëjtët pallate. E rëndësishme është ky status minimal i njerëzve të dritës, mbrojtja nga gjithë hajdutët e energjisë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.09.2013
 
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)